Konferenca e Përgjithshme
“A më Do Ti Mua më Shumë se Këta?”
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2021


“A më Do Ti Mua më Shumë se Këta?”

Çfarë gjërash mund të bëni në vetë jetën tuaj për të treguar që së pari doni Zotin?

Në nëntor 2019, unë dhe një miku im vizituam Tokën e Shenjtë. Ndërkohë që ishim atje, rishikuam dhe studiuam shkrime të shenjta rreth jetës së Jezu Krishtit. Një mëngjes, ne qëndruam në bregun veriperëndimor të Detit të Galilesë në një vend që mund të ketë qenë vendi ku Jezusi takoi dishepujt e Tij pas Ringjalljes së Tij.

Pas Ringjalljes së Jezusit, teksa lexojmë te Gjoni kapitulli 21, Pjetri dhe dishepuj të tjerë peshkuan gjithë natën pa sukses.1 Në mëngjes, ata panë një burrë që po qëndronte në breg, i cili u tha ta hidhnin rrjetën në anën tjetër të barkës. Për habinë e tyre, rrjeta u mbush në mënyrë mrekullibërëse.2

Ata e dalluan menjëherë që ai burrë ishte Zoti dhe u ngutën për ta përshëndetur.

Ndërkohë që e tërhiqnin rrjetën drejt bregut, të mbushur me peshq, Jezusi tha: “Ejani të hani mëngjes”3. Gjoni raporton se “[m]basi kishin ngrënë, Jezusi i tha Simon Pjetrit: ‘Simon nga Jona, a më do ti mua më shumë se këta?’”4

Tek po qëndroja në po të njëjtin bregdet, e kuptova se pyetja e Shpëtimtarit ishte njëra nga pyetjet më të rëndësishme që mund të më bëjë Ai një ditë. Munda pothuajse ta dëgjoja zërin e Tij të më pyeste: “Rasëll, a më do ti mua më shumë se këta?”

A e pyetni veten se për çfarë e kishte fjalën Jezusi kur e pyeti Pjetrin: “A më do ti mua më shumë se këta?”

Duke e lidhur këtë pyetje me veten në kohën tonë, Zoti mund të jetë duke na pyetur se sa të ngarkuar jemi dhe rreth ndikimeve të shumta pozitive dhe negative që konkurrojnë për vëmendjen dhe kohën tonë. Ai mund të jetë duke e pyetur secilin prej nesh nëse e duam Atë më shumë sesa gjërat e kësaj bote. Kjo mund të jetë një pyetje rreth asaj që vërtet vlerësojmë në jetë, se cilin ndjekim dhe mënyrën se si i shohim marrëdhëniet tona me pjesëtarët e familjes dhe fqinjët. Ose ndoshta Ai po pyet se çfarë na sjell vërtet gëzim dhe lumturi.

A na e sjellin gjërat e kësaj bote gëzimin, lumturinë dhe paqen që u ofroi Shpëtimtari dishepujve të Tij dhe që Ai na e ofron neve? Vetëm Ai mund të na sjellë gëzim, lumturi dhe paqe të vërtetë nëpërmjet dashurisë sonë për Të dhe zbatimit të mësimeve të Tij.

Si do t’i përgjigjeshim ne pyetjes: “A më do ti mua më shumë se këta?”

Kur zbulojmë një kuptim më të plotë të kësaj pyetjeje, ne mund të bëhemi pjesëtarë të familjes, fqinjë, qytetarë, anëtarë të Kishës dhe bij e bija më të mira të Perëndisë.

Në moshën time, kam qenë i pranishëm në shumë varrime. Jam i sigurt se shumë prej jush e kanë vënë re atë që kam vënë re unë. Kur kremtohet jeta e një pjesëtari të familjes ose një miku të ndjerë, është e rrallë që një folës të flasë për përmasat e shtëpisë, numrin e makinave ose bilancet e llogarisë bankare të atij personi. Ata zakonisht nuk flasin rreth publikimeve në mediat shoqërore. Në shumicën e varrimeve ku kam marrë pjesë, ata përqendrohen te marrëdhëniet e njeriut të tyre të dashur, shërbimi ndaj të tjerëve, mësimet dhe përvojat jetësore dhe te dashuria e tij për Jezu Krishtin.

Mos më keqkuptoni. Nuk po them se pasja e një shtëpie të këndshme ose makine të mirë është e gabuar ose që përdorimi i medias shoqërore është diçka e keqe. Ajo që unë po them është se në fund, ato gjëra kanë shumë pak rëndësi në krahasim me dashurinë për Shpëtimtarin.

Kur e duam dhe e ndjekim Atë, ne kemi besim tek Ai. Pendohemi. E ndjekim shembullin e Tij dhe pagëzohemi, dhe marrim Frymën e Shenjtë. Durojmë deri në fund dhe qëndrojmë në shtegun e besëlidhjeve. I falim pjesëtarët e familjes dhe fqinjët duke i lënë pas mëritë që mund të jemi duke mbajtur. Ne përpiqemi me zell t’i zbatojmë urdhërimet e Perëndisë. Përpiqemi të jemi të bindur. Bëjmë dhe i mbajmë besëlidhjet. Nderojmë etërit dhe nënat tona. I lëmë mënjanë ndikimet negative të botës. Përgatitemi për Ardhjen e Tij të Dytë.

Te “Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”, lexojmë: “Një ditë [Jezusi] do të kthehet në tokë. … Ai do të sundojë si Mbreti i Mbretërve dhe do të mbretërojë si Zoti i Zotërve dhe çdo gju do të gjunjëzohet, dhe çdo gjuhë do të pohojë me adhurim para Tij. Secili nga ne do të qëndrojë për t’u gjykuar prej Tij sipas veprave tona dhe dëshirave të zemrave tona.”5

Si njëri nga Apostujt që e nënshkruan dokumentin “Krishti i Gjallë”, mund të them se dijenia që Jezusi “është drita, jeta dhe shpresa e botës”6, më jep një dëshirë më të madhe për ta dashur Atë çdo ditë e më shumë.

Unë dëshmoj se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti jetojnë. Dëshmoj se Ata na duan. Shkrimet e shenjta na mësojnë se “Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme”7. Shkrimet e shenjta na mësojnë gjithashtu se Jezusi “kaq shumë e deshi botën, sa dha jetën e tij, që të gjithë ata që do të besonin, të mund të bëheshin bijtë [dhe bijat] e Perëndisë”8.

Ati Qiellor na deshi aq shumë sa përgatiti planin e Tij të shpëtimit me një Shpëtimtar si figurën qendrore në të. Dhe Jezusi na deshi aq shumë sa në Këshillin e madh në Qiell, kur Ati Qiellor pyeti: “Kë të dërgoj?” Jezusi, i cili ishte i parëlinduri nga të gjithë fëmijët shpirtërorë të Atit, u përgjigj: “Ja ku jam, dërgomë mua”9. Ai i tha Atit: “Atë, vullneti yt u bëftë dhe lavdia qoftë e jotja përgjithmonë”10. Jezusi doli vullnetar për të qenë Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë që ne të mund të bëhemi si Ata dhe të kthehemi në praninë e Tyre.

Këto dy shkrime të shenjta na mësojnë gjithashtu se, që të kthehemi në praninë e Tyre, nevojitet që të besojmë. Nevojitet të besojmë te Jezusi dhe te plani i Perëndisë për lumturinë. Të besosh është ta duam dhe ta ndjekim Shpëtimtarin tonë dhe t’i zbatojmë urdhërimet, madje në mes të sprovave dhe grindjeve.

Bota e sotme është e trazuar. Ka zhgënjime, mosmarrëveshje, brenga dhe shpërqendrime.

Presidenti Dallin H. Ouks, kur foli në 2017‑ën, vuri në dukje sa vijon: “Këto janë kohë sfiduese, plot me shqetësime të mëdha: luftëra dhe zhurma luftërash, epidemi të mundshme sëmundjesh ngjitëse, thatësira, përmbytje dhe ngrohje globale”11.

Ne nuk mund ta humbasim dashurinë tonë për Jezusin dhe shpresën tek Ai, edhe nëse përballemi me sfida në dukje dërrmuese. Ati Qiellor dhe Jezusi nuk do të na harrojnë kurrë. Ata na duan.

Tetorin e shkuar, Presidenti Rasëll M. Nelson na mësoi rëndësinë e vënies së Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit të parët në jetën tonë. Presidenti Nelson na mësoi se një kuptim i fjalës Izrael është “lejojeni Perëndinë të triumfojë”12.

Ai i bëri secilit prej nesh këto pyetje: “A jeni ju të gatshëm ta lejoni Perëndinë të triumfojë në jetën tuaj? A jeni ju të gatshëm ta lejoni Perëndinë të jetë ndikimi më i rëndësishëm në jetën tuaj? A do t’i lejoni fjalët e Tij, urdhërimet e Tij dhe besëlidhjet e Tij që të ndikojnë tek ajo që bëni çdo ditë? A do ta lejoni zërin e Tij të ketë përparësi mbi çdo zë tjetër? A jeni të gatshëm ta lejoni çfarëdo gjëje që Ai ka nevojë që ju të bëni, që të ketë përparësi mbi çdo ambicie tjetër? A jeni të gatshëm që vullneti juaj të shkrihet me të Tijin?”13

Ne duhet ta kujtojmë gjithnjë se lumturia jonë e vërtetë varet nga marrëdhënia jonë me Perëndinë, me Jezu Krishtin dhe me njëri-tjetrin.

Një mënyrë për ta dëftuar dashurinë tonë është duke u bashkuar me familjen, miqtë dhe fqinjët për të bërë disa gjëra të vogla që t’i shërbejmë më mirë njëri-tjetrit. Bëni gjëra që e bëjnë këtë botë një vend më të mirë.

Çfarë gjërash mund të bëni në vetë jetën tuaj për të treguar që së pari doni Zotin?

Teksa përqendrohemi te dashuria për të afërmit tanë sikurse Ai i do ata, fillojmë t’i duam me të vërtetë ata që kemi përreth.14

Ju pyes sërish, si do t’i përgjigjeshit pyetjes së Shpëtimtarit “A më do ti mua më shumë se këta?”

Teksa e merrni në shqyrtim këtë pyetje, siç kam bërë edhe unë, lutem që të mund të përgjigjeni ashtu si Pjetri shumë kohë më parë: “Po, Zot, ti e di se unë të dua”15 dhe më pas ta tregoni atë duke e dashur dhe duke i shërbyer Perëndisë dhe të gjithë atyre që keni përreth.

Dëshmoj se jemi të bekuar që e kemi ungjillin e Jezu Krishtit për të na udhërrëfyer në mënyrën si jetojmë dhe e trajtojmë njëri-tjetrin. Tek Ai, ne zbulojmë se çdo bijë dhe bir i Perëndisë është shumë i çmuar për të.

Dëshmoj se Jezu Krishti është Shpëtimtari ynë i dashur. Ai është Biri i Vetëmlindur i Perëndisë. Dhe e jap këtë dëshmi përulësisht në emrin e Jezu Krishtit, amen.