Konferenca e Përgjithshme
A Nuk Ka Vallë Ndonjë Balsam në Galaad?
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2021


A Nuk Ka Vallë Ndonjë Balsam në Galaad?

Fuqia shëruese e Shpëtimtarit nuk është vetëm aftësia e Tij për t’i shëruar trupat tanë por, ndoshta edhe më e rëndësishme, aftësia e Tij për t’i shëruar zemrat tona.

Pak kohë pas misionit tim, ndërkohë që isha një student në Universitetin “Brigam Jang”, mora një telefonatë nga babi. Ai më tha se ishte diagnostikuar me kancer në pankreas dhe që, edhe pse mundësitë e tij për të mbijetuar nuk ishin të larta, ai ishte i vendosur që të shërohej dhe t’u kthehej veprimtarive normale të jetës së tij. Ajo telefonatë ishte një çast që më futi në mendime. Babai im kishte qenë peshkopi im, miku im dhe këshilluesi im. Teksa unë, mamaja ime, vëllezërit e motrat e mia mendonim për të ardhmen, ajo dukej e zymtë. Vëllai im më i vogël, Dejvi, po shërbente në mision në Nju‑Jork dhe po merrte pjesë në largësi në këto ngjarje familjare të vështira.

Personeli mjekësor në atë kohë sugjeroi operacionin për t’u përpjekur që të kufizonin përhapjen e kancerit. Familja jonë agjëroi dhe u lut me zell për një mrekulli. Ndjeva se kishim besim të mjaftueshëm që babai im të mund të shërohej. Pikërisht përpara operacionit, unë dhe vëllai im i madh, Normi, i dhamë babait një bekim. Me gjithë besimin që mund të zotëronim, u lutëm që ai të mund të shërohej.

Operacioni ishte planifikuar që të zgjaste shumë orë, por pas një kohe të shkurtër, doktori erdhi te dhoma e pritjes për t’u takuar me familjen tonë. Ai na tha se teksa filluan ndërhyrjen, ata mundën të shihnin se kanceri ishte përhapur në të gjithë trupin e babait. Bazuar në atë që ata kishin vëzhguar, babai im kishte vetëm pak muaj jetë. U rrënuam shpirtërisht.

Kur babai u zgjua nga operacioni, ai ishte në ankth të dinte nëse procedura kishte qenë e suksesshme. I treguam lajmin e hidhur.

Vazhduam të agjëronim dhe luteshim për një mrekulli. Ndërsa shëndeti i babait ra shpejt, ne filluam të luteshim që ai të mos kishte më dhembje. Përfundimisht, ndërsa gjendja e tij u përkeqësua, ne i kërkuam Zotit që ta lejonte të ndërronte jetë shpejt. Vetëm pak muaj pas ndërhyrjes, siç kishte parashikuar kirurgu, babai im ndërroi jetë.

Shumë dashuri dhe përkujdesje u tregua për familjen tonë nga anëtarët e lagjes dhe miq të familjes. Ne patëm një ceremoni varrimi të bukur që e nderoi jetën e tim eti. Sidoqoftë, teksa koha kaloi dhe përjetuam dhembjen e mungesës së babait, fillova të pyesja veten se përse nuk u shërua ai. Pyetja veten nëse besimi im nuk ishte mjaft i fortë. Përse disa familje patën një mrekulli, por familja jonë jo? Në misionin tim kisha mësuar që t’u drejtohesha shkrimeve të shenjta për përgjigje, ndaj fillova t’i shqyrtoja ato.

Dhiata e Vjetër jep mësim për një erëz aromatike ose pomadë që përdorej për të shëruar plagët, e cila bëhej nga një shkurre që rritej në Galaad. Në kohët e Dhiatës së Vjetër, vaji u bë i njohur si “balsami i Galaadit”1. Profeti Jeremia vajtoi për fatkeqësitë që vëzhgoi mes popullit të tij dhe shpresonte për shërim. Jeremia pyeti: “A nuk ka vallë ndonjë balsam në Galaad, a nuk ka atje ndonjë mjek?”2 Nëpërmjet letërsisë, muzikës dhe artit, Shpëtimtarit Jezu Krisht shpesh i janë referuar si Balsami i Galaadit për shkak të fuqisë së Tij të jashtëzakonshme shëruese. Ashtu si Jeremia, unë po e pyesja veten: “A nuk ka vallë ndonjë balsam në Galaad për familjen Nilson?”

Te Marku kapitulli 2 në Dhiatën e Re, ne e gjejmë Shpëtimtarin në Kapernaum. Fjala për fuqinë shëruese të Shpëtimtarit ishte përhapur anembanë vendit dhe shumë njerëz udhëtonin drejt Kapernaumit që të shëroheshin nga Shpëtimtari. Kishte kaq shumë njerëz të mbledhur rreth shtëpisë ku ishte Shpëtimtari, saqë nuk kishte vend për Të që t’i priste të gjithë. Katër burra mbanin një burrë të paralizuar që të shërohej nga Shpëtimtari. Ata nuk ishin në gjendje që të kalonin përmes turmës ndaj hapën çatinë e shtëpisë dhe e zbritën burrin që të takohej me Shpëtimtarin.

Kur e lexova këtë rrëfim, u befasova nga ajo që tha Shpëtimtari kur e takoi këtë burrë: “O bir, mëkatet e tua të janë falur!”3 Mendova që po të kisha qenë njëri prej katër burrave të cilët e kishin mbajtur këtë burrë, mund t’i kisha thënë Shpëtimtarit: “Ne në fakt e sollëm këtu që të shërohej”. Mendoj se Shpëtimtari mund të ishte përgjigjur: “E shërova vërtet atë”. A ishte e mundur që unë nuk e kisha kuptuar plotësisht – se fuqia shëruese e Shpëtimtarit nuk ishte vetëm aftësia e Tij për t’i shëruar trupat tanë, por ndoshta edhe më e rëndësishme, aftësia e Tij për t’i shëruar zemrat tona dhe zemrat e thyera të familjes sime?

Shpëtimtari dha një mësim të rëndësishëm nëpërmjet kësaj përvoje teksa Ai përfundimisht e shëroi edhe fizikisht burrin. U bë e qartë për mua se mesazhi i Tij ishte se Ai mund t’i prekte sytë e atyre që ishin të verbër, dhe ata do të mund të shihnin. Ai mund t’i prekte veshët e atyre që ishin të shurdhët, dhe ata do të mund të dëgjonin. Ai mund t’i prekte këmbët e atyre që nuk mund të ecnin, dhe ata do të mund të ecnin. Ai mund t’i shërojë sytë tanë dhe veshët tanë e këmbët tona, por më e rëndësishme nga të gjitha, Ai mund t’i shërojë zemrat tona teksa na pastron nga mëkati dhe na ngre shpirtërisht gjatë sprovave të vështira.

Kur Shpëtimtari u shfaqet njerëzve në Librin e Mormonit pas Ringjalljes së Tij, Ai flet sërish për fuqinë e Tij shëruese. Nefitët e dëgjojnë zërin e Tij nga qielli duke thënë: “A nuk do të ktheheni tani tek unë dhe të pendoheni për mëkatet tuaja dhe të ktheheni në besim, që të mund t’ju shëroj?”4 Më vonë, Shpëtimtari jep mësim: “Pasi ju nuk e dini në qoftë se ata do të kthehen dhe pendohen dhe vijnë tek unë me qëllim të plotë të zemrës, dhe unë do t’i shëroj5. Shpëtimtari nuk po i referohej shërimit fizik, por në vend të kësaj një shërimi shpirtëror të shpirtrave të tyre.

Moroni sjell kuptueshmëri shtesë teksa thotë fjalët e babait të tij, Mormonit. Pasi foli për mrekullitë, Mormoni shpjegon: “Dhe Krishti ka thënë: Në qoftë se ju do të keni besim në mua, ju do të keni fuqi të bëni çfarëdolloj gjëje që unë ta shoh të përshtatshme”6. Mësova se qëllimi i besimit tim duhet të jetë Jezu Krishti dhe se më duhej ta pranoja atë që Ai e shihte të përshtatshme teksa ushtroja besim në Të. Tani e kuptoj që vdekja e babait tim u pa e përshtatshme për planin e Perëndisë. Tani, kur i vë duart e mia mbi kokën e dikujt tjetër për ta bekuar atë, besimi im është te Jezu Krishti dhe e kuptoj që një person mund dhe do të shërohet fizikisht, nëse Krishti e sheh të përshtatshme.

Shlyerja e Shpëtimtarit, e cila vë në dispozicion si fuqinë e Tij shëlbuese edhe fuqinë e Tij aftësuese, është bekimi përfundimtar që Jezu Krishti ua ofron të gjithëve. Kur pendohemi me qëllim të plotë të zemrës, Shpëtimtari na pastron nga mëkati. Teksa ia nënshtrojmë me gëzim vullnetin tonë vullnetit të Atit, edhe në rrethanat më të vështira, Shpëtimtari do t’i ngrejë barrët tona dhe do t’i bëjë ato të lehta.7

Por ja ku është mësimi më i madh që mësova. Unë gabimisht kisha besuar se fuqia shëruese e Shpëtimtarit nuk kishte funksionuar për familjen time. Tani ndërsa shoh pas me një mendje më të pjekur dhe me më shumë përvojë, kuptoj se fuqia shëruese e Shpëtimtarit ishte e dukshme në jetën e të gjithë pjesëtarëve të familjes sime. Isha kaq i përqendruar te shërimi fizik, saqë nuk arrita t’i shihja mrekullitë që kishin ndodhur. Zoti e forcoi dhe e ngriti moralisht mamanë time përtej aftësisë së saj gjatë kësaj sprove të vështirë dhe ajo jetoi një jetë të gjatë e frytdhënëse. Ajo pati një ndikim pozitiv të pabesueshëm te fëmijët dhe nipërit e mbesat e saj. Zoti më bekoi mua dhe vëllezërit e motrat e mia me dashuri, unitet, besim dhe aftësi ripërtëritëse, që u bënë një pjesë e rëndësishme e jetës sonë dhe vazhdojnë të jenë edhe sot.

Po babai im? Siç ndodh me të gjithë ata që do të pendohen, ai u shërua shpirtërisht teksa kërkoi dhe mori bekimet që janë në dispozicion për shkak të Shlyerjes së Shpëtimtarit. Ai mori një falje të mëkateve dhe tani pret mrekullinë e Ringjalljes. Apostulli Pal dha mësim: “Sepse, ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallen në Krishtin”8. Siç e kuptoni, unë po i thosha Shpëtimtarit: “Ne e sollëm babanë tek Ti që të shërohej” dhe ishte e qartë për mua se Shpëtimtari e shëroi vërtet atë. Balsami i Galaadit funksionoi për familjen Nilson – jo në mënyrën që kishim menduar, por në një mënyrë edhe më domethënëse, e cila e ka bekuar dhe vazhdon ta bekojë jetën tonë.

Te Gjoni kapitulli 6 në Dhiatën e Re, Shpëtimtari bëri një mrekulli më interesante. Me vetëm pak peshq dhe pak bukë, Shpëtimtari ushqeu 5 000 vetë. E kam lexuar këtë rrëfim shumë herë, por ka një pjesë të kësaj përvoje që më kishte shpëtuar, e cila tani ka një domethënie të madhe për mua. Pasi Shpëtimtari i ushqeu të 5 000 vetët, Ai u kërkoi dishepujve të Tij që të mblidhnin copat që kishin mbetur, pra tepricat, të cilat mbushën 12 shporta. Kam pyetur veten se pse Shpëtimtari shpenzoi kohë për ta bërë këtë. Është bërë e qartë për mua se një mësim që mund të mësojmë nga ai rast, është ky: Ai mund të ushqente 5 000 vetë dhe prapë të ngelte ushqim. “Hiri im është i mjaftueshëm për të gjithë njerëzit.”9 Fuqia shëlbuese dhe shëruese e Shpëtimtarit mund ta mbulojë çdo mëkat, plagë apo sprovë – pavarësisht se sa e madhe apo e vështirë është ajo – dhe ka ende bekime të tjera. Hiri i Tij është i mjaftueshëm.

Me atë njohuri, ne mund të shkojmë përpara me besim, duke ditur që kur kohët e vështira të vijnë – dhe ato me siguri do të vijnë – ose kur mëkati ta rrethojë jetën tonë, Shpëtimtari qëndron me “shërim në krahët e tij”10, duke na ftuar që të vijmë tek Ai.

Ju jap dëshminë time për Balsamin e Galaadit, Shpëtimtarin Jezu Krisht, Shëlbuesin tonë dhe për fuqinë e Tij të mrekullueshme shëruese. Jap dëshminë time për dëshirën e Tij për t’ju shëruar. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.