Konferenca e Përgjithshme
Paqja Vetjake në Kohë Sfiduese
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2021


Paqja Vetjake në Kohë Sfiduese

Nuk ka qenë kurrë me rëndësishme [se sot] që të kërkojmë paqe vetjake.

Kohët e fundit më caktuan të përkushtoja një pjesë të Navusë historike. Si pjesë e detyrës, qeshë në gjendje të vizitoja burgun e Libertisë në Misuri. Ndërsa e shihja burgun, solla ndër mend ndodhitë që e bënë atë një pjesë kaq domethënëse të historisë së Kishës. Jeta e shenjtorëve kërcënohej si rrjedhojë e një urdhri për asgjësimin e tyre të lëshuar nga guvernatori i Misurit. Për më tepër, Profeti Jozef dhe disa shokë të tij të zgjedhur ishin burgosur padrejtësisht në burgun e Libertisë. Njëra nga arsyet për kundërshtimin e dhunshëm ndaj anëtarëve ishte se shumica e tyre ishin kundër skllavërisë.1 Kjo përndjekje e fortë ndaj Jozef Smithit dhe ndjekësve të tij përbën një shembull ekstrem të ushtrimit të padrejtë të lirisë së zgjedhjes që mund të ndikojë te njerëzit e drejtë. Koha e Jozefit në burgun e Libertisë dëfton që fatkeqësia nuk është provë e mosfavorizimit nga Zoti ose një marrje mbrapsht e bekimeve të Tij.

U preka thellësisht kur lexova atë që deklaroi Profeti Jozef Smith kur e mbyllën në burgun e Libertisë: “O Perëndi, ku je ti? Dhe ku është tenda që mbulon vendin tënd të fshehjes?”2 Jozefi pyeti se për sa kohë do t’i “vua[nin] [njerëzit e Zotit] këto gabime dhe shtypje të paligjshme”3.

Pamja
Plaku Kuk duke vizituar burgun e Libertisë

Teksa qëndroja në burgun e Libertisë, u preka thellësisht ndërsa lexova përgjigjen e Zotit: “Biri im, paqe i qoftë shpirtit tënd; fatkeqësia jote dhe mjerimet e tua do të jenë veçse një çast i shkurtër; dhe atëherë, në qoftë se i duron mirë ato, Perëndia do të të lartësojë nga lart”4. Është e qartë që kundërshtimi mund të na përmirësojë ne për një fat të përjetshëm, çelestial.5

Fjalët e çmuara të Shpëtimtarit: “Biri im, paqe i qoftë shpirtit tënd”6 rikumbojnë tek unë personalisht dhe kanë një domethënie të madhe për kohën tonë. Ato më kujtojnë mësimet e Tij ndaj dishepujve të Vet gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri.

Përpara vuajtjes së Krishtit në Kopshtin e Gjetsemanit dhe në kryq, Ai i urdhëroi Apostujt e Tij: “Ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur”7 dhe më pas i ngushëlloi ata me këto fjalë: “Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë”8.

Njëri nga titujt më të dashur të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, është “Princi i Paqes”9. Përfundimisht mbretëria e Tij do të themelohet duke përfshirë paqen dhe dashurinë.10 Ne e presim me padurim mbretërimin mijëvjeçar të Mesias.

Pavarësisht nga ky vegim i mbretërimit mijëvjeçar, ne e dimë se paqja dhe harmonia e botës nuk mbizotërojnë në kohën tonë.11 Gjatë gjithë jetës sime, nuk kam parë kurrë një mungesë më të madhe qytetarie [sesa sot]. Po na bombardon gjuha e zemërimit, e grindjes dhe veprimet provokuese, shkatërruese që e rrënojnë paqen dhe qetësinë.

Paqja në botë nuk na premtohet ose sigurohet deri në Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit. Shpëtimtari i udhëzoi Apostujt e Tij se misioni i Tij në tokë nuk do të arrinte paqen e përbotshme. Ai dha mësim: “Mos mendoni se unë erdha të sjell paqen mbi tokë”12. Paqja e përbotshme nuk ishte pjesë e shërbesës fillestare të Shpëtimtarit në vdekshmëri. Paqja e përbotshme nuk ekziston sot.

Megjithatë, paqja vetjake mund të arrihet pavarësisht nga zemërimi, grindja dhe përçarja që e sëmurin dhe e ndotin botën tonë sot. Nuk ka qenë kurrë me rëndësishme [se sot] që të kërkojmë paqe vetjake. Një himn i ri, i bukur dhe i dashur, i shkruar për rininë e sotme nga Vëllai Nik Deji, i titulluar “Paqe Gjejm’ në Krisht” deklaron: “Kur paqe n’tok’ më s’ka, paqe gjejm’ në Krisht”13. Ne jemi të bekuar që e kishim këtë himn pikërisht përpara pandemisë mbarëbotërore të COVID-19.

Ky himn reflekton në një mënyrë të bukur aspiratën për paqe dhe e thekson siç duhet se paqja e ka spirancën në jetën dhe misionin e Jezu Krishtit. Presidenti Jozef F. Smith deklaroi: “Botës kurrë nuk mund t’i vijë ai shpirt paqeje dhe dashurie … derisa njerëzimi ta marrë të vërtetën e Perëndisë dhe mesazhin e Perëndisë … e ta pranojë fuqinë dhe autoritetin e Tij, i cili është hyjnor”14.

Ndërkohë që nuk do të sprapsemi kurrë nga përpjekjet për të arritur paqe të përbotshme, kemi marrë sigurinë se mund të kemi paqe vetjake sikurse jep mësim Krishti. Ky parim shtjellohet te Doktrina e Besëlidhje: “Por mësoni se ai që bën veprat e drejtësisë, duhet ta marrë shpërblimin e tij, madje paqe në këtë botë dhe jetë të përjetshme në botën që vjen”15.

Cilat janë disa nga “veprat e drejtësisë” që do të na ndihmojnë t’i përballojmë debatet, t’i zbusim grindjet dhe të gjejmë paqe në këtë botë? Të gjitha mësimet e Krishtit të çojnë në këtë drejtim. Do të përmend disa që besoj se janë veçanërisht të rëndësishme.

I Pari: Ta Duam Perëndinë, t’i Jetojmë Urdhërimet e Tij dhe të Falim Çdokënd

Presidenti Xhorxh Albert Smith u bë Presidenti i Kishës në vitin 1945. Ai qe bërë i njohur gjatë viteve të tij si Apostull si një udhëheqës paqedashës. Gjatë 15 vjetëve që i paraprinë kohës para se të bëhej President, sfidat dhe sprovat e një depresioni të pamasë mbarëbotëror që u pasuan nga vdekje dhe shkatërrime prej Luftës II Botërore, kishin qenë gjithçka përveçse paqësore.

Në përfundim të Luftës II Botërore, gjatë konferencës së tij të parë të përgjithshme si President në tetor 1945, Presidenti Smith u kujtoi shenjtorëve ftesën e Shpëtimtarit për t’i dashur të afërmit e tyre dhe për t’i falur armiqtë e tyre dhe më pas dha mësim: “Ajo është fryma që të gjithë shenjtorët e ditëve të mëvonshme duhet të synojnë të zotërojnë nëse shpresojnë që një ditë të qëndrojnë në praninë e Tij dhe të marrin prej Tij një mirëseardhje të lavdishme në shtëpi”16.

I Dyti: Të Kërkojmë Frytet e Frymës

Apostulli Pal, në letrën e tij drejtuar galatasve, shtjellon kontrastin mes veprave të drejtësisë që na kualifikojnë për të trashëguar mbretërinë e Perëndisë, dhe veprave që, pa pendim, mund të na shkualifikojnë. Mes atyre që na kualifikojnë, janë frytet e Frymës: “Dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia [dhe] vetëkontrolli”17. Pali gjithashtu përfshin mbajtjen e barrëve të njëri-tjetrit dhe [këshillën] për të mos u lodhur së bëri mirë.18 Mes atyre veprave që nuk janë të drejta, ai përfshin armiqësimin, mëritë dhe zënkat.19

Njëri nga mësimet e mëdha në periudhën e Dhiatës së Vjetër lidhet me Atë Abrahamin. Abrahami dhe Loti, nipi i tij, ishin të kamur por zbuluan se nuk mund të banonin në të njëjtin vend. Për të eliminuar zënkat, Abrahami i lejoi Lotit të zgjidhte tokën që dëshironte. Loti zgjodhi fushën e Jordanit, e cila ishte e pasur me ujë dhe e bukur. Abrahami mori fushën më pak pjellore të Mamres. Te shkrimet e shenjta lexojmë që Abrahami më pas ngriti çadrën dhe ndërtoi “një altar kushtuar Zotit”20. Loti, nga ana tjetër, “ngr[iti] çadrat e tij deri në Sodomë”21. Për të pasur marrëdhënie paqësore, mësimi është i qartë: Ne duhet të jemi të gatshëm të bëjmë kompromis dhe të eliminojmë zënkat në lidhje me çështjet që nuk përfshijnë drejtësinë. Sikurse dha mësim mbreti Beniamin: “Ju nuk do të keni një mendje për të dëmtuar njëri‑tjetrin, por për të jetuar në paqe”22. Por në sjelljet që lidhen me drejtësinë dhe urdhrat doktrinorë, nevojitet të qëndrojmë të vendosur dhe të patundur.

Nëse duam të kemi paqen që është shpërblimi i veprave të drejtësisë, nuk do t’i ngremë çadrat tona në drejtim të botës. Do t’i ngremë çadrat tona në drejtim të tempullit.

I Treti: Të Ushtrojmë Lirinë e Zgjedhjes për të Zgjedhur Drejtësinë

Paqja dhe liria e zgjedhjes janë të ndërthurura si elemente thelbësore të planit të shpëtimit. Siç përshkruhet për temën “Liria e Zgjedhjes dhe Përgjegjshmëria” te Temat e Ungjillit: “Liria e zgjedhjes është aftësia dhe privilegji që Perëndia na jep për të zgjedhur dhe vepruar për veten tonë”23. Pra, liria e zgjedhjes është në zemër të rritjes vetjake dhe përvojës që na bekon teksa e ndjekim Shpëtimtarin.24

Liria e zgjedhjes ishte një problem parësor në Këshillin në Qiell para lindjes dhe konflikti mes atyre që zgjodhën të ndiqnin Krishtin, dhe ndjekësve të Satanit.25 Heqja dorë nga krenaria, kontrolli dhe zgjedhja e Shpëtimtarit do të na lejonte të kishim dritën e Tij dhe paqen e Tij. Por paqja vetjake do të sfidohej kur njerëzit të ushtronin lirinë e tyre të zgjedhjes në mënyra të dëmshme dhe lënduese.

Kam besim se siguria plot paqe që ndiem në zemrat tona, u forcua nga njohuria që kishim për atë që Shpëtimtari i botës do të përmbushte në emrin tonë. Kjo shtjellohet bukur te manuali Predikoni Ungjillin Tim: “Kur mbështetemi në Shlyerjen e Jezu Krishtit, Ai mund të na ndihmojë të durojmë sprovat, sëmundjet dhe dhembjet tona. Ne mund të mbushemi me gëzim, paqe dhe ngushëllim. Gjithçka që është e padrejtë në jetë, mund të ndreqet me anë të Shlyerjes së Jezu Krishtit.”26

I Katërti: Të Ndërtojmë Sionin në Zemrat dhe Shtëpitë Tona

Ne jemi fëmijë të Perëndisë dhe pjesë e familjes së Tij. Ne jemi gjithashtu pjesë e familjes në të cilën kemi lindur. Institucioni i familjes është themeli edhe i lumturisë, edhe i paqes. Presidenti Rasëll M. Nelson na ka mësuar – dhe gjatë kësaj pandemie kemi mësuar – se respektimi i riteve fetare të përqendruara te shtëpia dhe të përkrahura nga Kisha mund “ta çlirojë forcën e familjeve … për t[’i] shndërr[uar] shtëpi[t]ë [tona] në një shenjtërore besimi”27. Nëse e kemi këtë respektim të riteve fetare në shtëpitë tona, do të kemi edhe paqen e Shpëtimtarit.28 Ne jemi në dijeni se shumë prej jush nuk i kanë bekimet e shtëpive të drejta dhe grinden rregullisht me ata që zgjedhin padrejtësinë. Shpëtimtari mund të japë mbrojtje dhe paqe për t’ju udhërrëfyer përfundimisht drejt sigurisë dhe strehës nga stuhitë e jetës.

Ju siguroj se gëzimi, dashuria dhe përmbushja e përjetuar në familjet e dashura e të drejta prodhon edhe paqe, edhe lumturi. Dashuria dhe dashamirësia janë në qendër të pasjes së Sionit në zemrat dhe shtëpitë tona.29

I Pesti: Të Ndjekim Paralajmërimet Aktuale të Profetit Tonë

Paqja jonë zgjerohet shumë kur e ndjekim profetin e Zotit, Presidentin Rasëll M. Nelson. Ne pas pak do të kemi mundësinë për të dëgjuar nga ai. Ai u përgatit që prej themelimit të botës për këtë thirrje. Përgatitja e tij vetjake ka qenë tejet mbresëlënëse.30

Ai na ka mësuar që ne mund të “ndiejmë paqe dhe gëzim të qëndrueshëm, edhe gjatë kohëve të turbullta”, ndërsa përpiqemi të bëhemi më shumë si Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti.31 Ai na ka këshilluar të “pendohemi çdo ditë” që të marrim “fuqinë … pastruese, shëruese dhe forcuese” të Zotit32. Jam vetë dëshmitar që zbulesa është marrë dhe vazhdon të merret nga qielli prej profetit tonë të dashur.

Ndërkohë që e nderojmë dhe e mbështetim atë si profetin tonë, ne adhurojmë Atin Qiellor dhe Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin. Ne marrim shërbesë nga Fryma e Shenjtë.

Unë dëshmoj dhe jap dëshminë time personale apostolike se Jezu Krishti, Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i botës, e udhëheq dhe e udhërrëfen Kishën e Tij të rivendosur. Jeta dhe misioni i Tij shlyes janë burimi i vërtetë i paqes. Ai është Princi i Paqes. Jap dëshminë time të sigurt dhe solemne se Ai jeton. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. “Njerëzve në Indipendëns nuk u pëlqente që shenjtorët u predikonin indianëve të Amerikës dhe nuk e miratonin skllavërinë” (Saints: The Story of the Church of Jesus Christ in the Latter Days, vëll. 1, The Standard of Truth, 1815–1846 [2018], f. 172).

  2. Doktrina e Besëlidhje 121:1.

  3. Doktrina e Besëlidhje 121:3.

  4. Doktrina e Besëlidhje 121:7–8.

  5. Shih 2 Nefi 2:11–15.

  6. Doktrina e Besëlidhje 121:7.

  7. Gjoni 13:34

  8. Gjoni 14:27.

  9. Isaia 9:6; 2 Nefi 19:6. Shpëtimtari, te Lumturitë e Tij, gjithashtu dha mësim: “Lum ata që përpiqen për paqen, sepse ata do të quhen bij të Perëndisë” (Mateu 5:9).

  10. “Me gjykim dhe me drejtësi … përgjithmonë” (shih Isaia 9:6–7; 2 Nefi 19:6–7; shih edhe Galatasve 5:22).

  11. Shih Doktrina e Besëlidhje 1:35. Presidenti Uillford Udraf deklaroi këtë në vitin 1894 dhe sërish në 1896 (shih The Discourses of Wilford Woodruff, përzgj. G. Homer Durham [1946], f. 251–252; shih edhe Marion G. Romney, në Conference Report, prill 1967, f. 79–82; Ezra Taft Benson, “The Power of the Word”, Ensign, maj 1986, f. 79–80; Dallin H. Oaks, “Preparation for the Second Coming”, Liahona, maj 2004, f. 9).

  12. Mateu 10:34.

  13. Nik Day, “Paqe Gjejm’ në Krisht”, kënga për temën e Aktiviteteve të Përbashkëta 2018, Liahona, janar 2018, f. 54–55; New Era, janar 2018, f. 24–25. Himni “Paqe Gjejm’ në Krisht” na mëson:

    Kur jetojm’ si Ai jetoi,

    Paqe gjejm’ në Krisht.

    Ai jep shpres’,

    Kur nuk shpresojm’.

    Ai jep forc’,

    Kur s’mund të vazhdojm’.

    Ai jep strehim

    Në t’jetës stuhi.

    Kur paqe n’tok’ më s’ka,

    Paqe gjejm’ në Krisht.

  14. Teachings of Presidents of the Church: Joseph F. Smith (1998), f. 400.

  15. Doktrina e Besëlidhje 59:23.

  16. Shih George Albert Smith, në Conference Report, tetor 1945, f. 169–170.

  17. Galatasve 5:22–23.

  18. Shih Galatasve 6:2, 9.

  19. Shih Galatasve 5:20.

  20. Zanafilla 13:18.

  21. Zanafilla 13:12.

  22. Mosia 4:13.

  23. Gospel Topics, “Agency and Accountability”, topics.ChurchofJesusChrist.org; shih edhe Të Vërtetë ndaj Besimit, “Liri e Zgjedhjes”, f. 76–77.

  24. Ne jemi “të lirë të zgjedhi[m] lirinë dhe jetën e përjetshme, nëpërmjet Ndërmjetësit të madh të të gjithë njerëzve” (2 Nefi 2:27). Liria e zgjedhjes gjithashtu lejon që zgjedhjet e liga rrënuese të të tjerëve të shkaktojnë dhembje e vuajtje dhe nganjëherë edhe vdekje. Shkrimet e shenjta e bëjnë të qartë që Zoti Perëndi dha liri zgjedhjeje që njeriu të mund të zgjidhte të mirën ose të keqen (shih 2 Nefi 2:16).

  25. Shih Gospel Topics, “Agency and Accountability”, topics.ChurchofJesusChrist.org; shih edhe Të Vërtetë ndaj Besimit, “Liri e Zgjedhjes”, f. 76–77.

  26. Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shërbimin Misionar (2005), f. 52, ChurchofJesusChrist.org; theksimi i shtuar.

  27. Rasëll M. Nelson, “Të Bëhemi Shenjtorë Shembullorë të Ditëve të Mëvonshme”, Liahona, nëntor 2018, f. 113.

  28. Shih Doktrina e Besëlidhje 19:23.

  29. Pata fatin që u rrita në një shtëpi ku mbizotëronte paqja. Kjo ishte kryesisht falë ndikimit të nënës sonë, e cila ishte një anëtare besnike e Kishës. Babai im ishte i jashtëzakonshëm nga çdo anë, por ishte më pak aktiv. Nëna e nderonte babanë tonë dhe e shmangte grindjen. Ajo na mësoi kur ishim fëmijë që të luteshim e të shkonim në kishë. Ajo gjithashtu na mësoi ta donim e t’i shërbenim njëri-tjetrit (shih Mosia 4:14–15). Rritja në një shtëpi të tillë siguroi paqe dhe ka qenë një bekim i madh në jetën time.

  30. Rasëll M. Nelsoni u diplomua në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Jutës si i pari i klasës në moshën 22-vjeçare. Ai kishte dëshiruar prej kohësh që të ishte kirurg dhe mori trajnimin më të mirë që ishte në dispozicion në institucione të rëndësishme të mjekësisë. Ai i përmbushi me besnikëri zotimet ushtarake në Kore dhe Japoni. Për shumë vjet ishte pionier në kirurgjinë e zemrës së hapur dhe u njoh në mbarë botën. Sado mbresëlënëse që ishte kjo përgatitje për t’i bekuar njerëzit në të gjithë botën me aftësitë e tij në mjekësi, përgatitja shpirtërore e Presidentit Nelson qe edhe më e rëndësishme se ajo. Ai është babai i një familjeje të madhe me fëmijë, nipër e mbesa dhe stërnipër e stërmbesa. Ai i ka shërbyer me besnikëri familjes së tij dhe Kishës gjatë gjithë jetës.

  31. Shih Rasëll M. Nelson, “Mesazhi i Hapjes”, Liahona, maj 2020, f. 6; shih edhe Rasëll M. Nelson, “Gëzimi dhe Mbijetesa Shpirtërore”, Liahona, nëntor 2016, f. 81–84.

  32. Rasëll M. Nelson, “Mesazhi i Hapjes”, f. 6.