Konferenca e Përgjithshme
Ejani te Krishti dhe Mos Ejani Vetëm
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2021


Ejani te Krishti dhe Mos Ejani Vetëm

Mënyra më e mirë që ju ta përmirësoni botën është ta përgatitni botën për Krishtin duke i ftuar të gjithë ta ndjekin Atë.

Kohët e fundit mora një letër nga një e re me shumë pyetje. Ajo shkruante: “Kam ngecur në vend. … Nuk jam e sigurt se kush jam, por e ndiej se jam këtu për diçka të madhërishme.”

A e keni pasur ndonjëherë atë ndjenjë hulumtuese, duke e pyetur veten a e di Ati Qiellor se kush jeni dhe a ka Ai nevojë për ju? Të rinj dhe të rejat e mia të dashura, dhe të gjithëve, ju dëshmoj se përgjigjja është po! Zoti ka një plan për ju. Ai ju ka përgatitur për këtë ditë, pikërisht tani, që të jeni një forcë dhe fuqi për mirë në veprën e Tij të fuqishme. Ne kemi nevojë për ju! Ajo thjesht nuk do të jetë aq e madhërishme pa ju!

Nën rrethana të shenjta, profeti ynë i dashur, Presidenti Rasëll M. Nelson, dikur m’i kujtoi këto dy të vërteta të thjeshta që janë themelore për punën tuaj të madhërishme dhe të lavdishme.

Kur isha e ulur në divan me bashkëshortin tim, profeti ynë e afroi karrigen, sa takoi pothuajse gju më gju me ne, dhe më vështroi me sytë e tij depërtues ngjyrë blu. Nuk isha e sigurt a po më rrihte fort zemra apo u ndal fare kur ai më thirri të shërbeja si Presidente e Përgjithshme e Të Rejave. Ai më bëri një pyetje që ende jehon në zemrën time: “Boni, cila është gjëja më e rëndësishme që [të rinjtë e të rejat] kanë nevojë të dinë?”

Përsiata për një çast dhe thashë: “Kanë nevojë të dinë se kush janë”.

“PO!” – thirri ai, “dhe ata kanë nevojë të dinë qëllimin e tyre.”

Identiteti Ynë Hyjnor

Ju jeni një fëmijë i shtrenjtë dhe i dashur i Atit Qiellor. Ai ju do me kaq përsosuri saqë Ai dërgoi Birin e Tij, Jezu Krishtin, për të shlyer për ju dhe për mua.1 Dashuria e Shpëtimtarit për ne është e pashtershme – madje edhe kur ne dështojmë! Asgjë nuk mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë.2 Të kujtuarit e kësaj dashurie mund t’ju ndihmojë ta zmbrapsni pështjellimin e botës që përpiqet ta dobësojë vetëbesimin tuaj për identitetin tuaj hyjnor dhe t’ju errësojë sytë përpara potencialit tuaj.

Në një konferencë FSY-je, u takova me dy të reja që kishin qenë në vështirësi. Të dyja të rejat përmendën se u drejtuan te bekimi i tyre patriarkal për të rizbuluar dashurinë dhe udhërrëfimin e Zotit për secilën personalisht. Gjejeni bekimin tuaj patriarkal, shkundjani pluhurin nëse duhet, por studiojeni atë shpesh. Nëse nuk e keni një të tillë, merreni një së shpejti. Mos e vononi zbulimin e asaj që dëshiron t’ju thotë Zoti tani rreth faktit se kush jeni.

Qëllimi Ynë i Përjetshëm

E vërteta e dytë që na tha Presidenti Nelson atë ditë është që ta dimë qëllimin tonë. Kjo është detyra jonë madhështore dhe fisnike.

Shumë vjet më parë, im bir, Taneri ishte pesë vjeç kur luajti në ndeshjen e tij të parë të futbollit. Ishte i emocionuar!

Kur arritëm te ndeshja, kuptuam që skuadra e tij po përdorte një portë futbolli me madhësi standarde, jo një portë disi të vogël të lëvizshme, dhe një rrjetë aq të gjerë sa dukej tepër e madhe për pesëvjeçarët.

Ndeshja mori përmasa mitike kur e pashë Tanerin të zinte vendin e portierit. Unë u habita pa masë. A e kuptonte ai vërtet qëllimin e tij për ta mbrojtur rrjetën?

Ra bilbili dhe ne u përfshimë kaq shumë në lojë sa e harruam fare Tanerin. Papritur njëri nga pjesëtarët e skuadrës kundërshtare e mori topin dhe eci me të shpejtë me top drejt tij. Pashë në drejtim të Tanerit për t’u siguruar që ai ishte gati për t’i bërë ballë e për ta mbrojtur portën. Pashë diçka që nuk e prisja.

Pamja
një djalë duke luajtur si portier

Në një pikë të caktuar të lojës, Taneri e kishte humbur përqendrimin dhe kishte filluar të fuste krahun e majtë nëpër disa vrima të rrjetës. Më pas ai bëri të njëjtën gjë me krahun e tij të djathtë. Më pas, me këmbën e majtë. Më së fundi, edhe me këmbën e djathtë. Taneri kishte ngecur tërësisht në rrjetë. E kishte harruar qëllimin e tij dhe atë që i ishte besuar të bënte.

Pamja
një djalë i ngecur në rrjetë

Ndërkohë që karriera e Tanerit në futboll nuk zgjati shumë, mësimi i tij për mua atë ditë nuk do të venitet kurrë. Ne të gjithë me raste shpërqendrohemi nga arsyeja pse jemi këtu dhe ua ndryshojmë drejtimin energjive tona për diku tjetër. Njëra nga armët më të fuqishme të Satanit është të na shpërqendrojë me kauza të mira e më të mira të cilat, në kohë nevoje, mund të na verbojnë e të na lidhin duke na mbajtur larg nga kauza më e mirë nga të gjitha, vetë puna që na thirri në këtë botë.3

Qëllimi ynë i përjetshëm është të vijmë te Krishti dhe t’i bashkohemi aktivisht Atij në punën e Tij të madhe. Është aq e thjeshtë sa bërja e asaj që dha mësim Presidenti Nelson: “Në çfarëdo kohe që bëjmë çfarëdo gjëje që e ndihmon cilindo … që të bëjë dhe të mbajë besëlidhjet e veta me Perëndinë, ne po ndihmojmë për ta mbledhur Izraelin”4. Kur e bëjmë punën e Tij bashkë me Të, ne arrijmë ta njohim e ta duam Atë më shumë.

Ne vazhdimisht kërkojmë t’i afrohemi më shumë Shpëtimtarit nëpërmjet besimit, pendimit të çmuar dhe zbatimit të urdhërimeve. Ndërsa e lidhim veten me Të nëpërmjet besëlidhjeve dhe ordinancave, jeta jonë mbushet me vetëbesim5, mbrojtje6 dhe gëzim të thellë që zgjat7.

Ndërsa vijmë tek Ai, ne i shohim të tjerët përmes syve të Tij.8 Ejani te Krishti. Ejani tani, por mos ejani vetëm!9

Ungjilli i Jezu Krishtit nuk është thjesht i mirë; ai është thelbësor për të gjithë. “Nuk ka udhë ose mjet tjetër, nëpërmjet të cilit [ne] mund të shpëtoj[m]ë, por vetëm në dhe nëpërmjet Krishtit.”10 Ne kemi nevojë për Jezu Krishtin! Bota ka nevojë për Jezu Krishtin.11

Mbajeni mend, mënyra më e mirë që ju ta përmirësoni botën është ta përgatitni botën për Krishtin duke i ftuar të gjithë ta ndjekin Atë.

Ka një histori në Librin e Mormonit që flet fuqimisht për Shpëtimtarin e ringjallur që kalon kohë me nefitët. A mund ta përfytyroni se si do të kishte qenë [përvoja]?

Kur Krishti lajmëroi se Ai duhej të kthehej tek Ati, “ai hodhi prapë sytë rreth e përqark12. Kur pa lot në sytë e njerëzve, Ai e dinte se zemrat e tyre përmalloheshin që Ai të rrinte më gjatë.

Pamja
Shpëtimtari duke i ftuar nefitët për t’i shëruar

Ai pyeti: “A ka mes jush ndonjë që është i sëmurë? Silleni këtu. A ka ndonjë që është i çalë ose i verbër, … i shurdhër, ose i prekur në ndonjë mënyrë? I sillni këtu dhe unë do t’i shëroj ata.”13

Ngaqë kishte dhembshuri të madhe, Ai nuk vuri kufij dhe bëri thirrje për të gjithë ata që ishin të “prekur në ndonjë mënyrë”. Më pëlqen shumë që asgjë nuk është shumë e madhe apo shumë e vogël që Jezu Krishti ta shërojë.

Ai po ashtu i di vuajtjet tona, dhe bën thirrje që të sjellim të shqetësuarit dhe të dëshpëruarit, të lodhurit, kryelartët dhe të keqkuptuarit, të vetmuarit ose ata që janë të “prekur në ndonjë mënyrë”.

Pamja
Shpëtimtari duke shëruar

Dhe të gjithë “shkuan para … ; dhe ai i shëroi, secilin. …

… Dhe të gjithë, qoftë ata që u shëruan dhe ata që ishin të shëndetshëm, u përulën [gjithashtu] te këmbët e tij dhe e adhuruan.”14

Sa herë që e lexoj këtë, e pyes veten: “Kë do të sjell te Krishti? Kë do të sillni ju?”

A mund të vështrojmë rreth e përqark përsëri, siç pa Jezusi, për t’u siguruar që askush nuk ka humbur dhe që gjithkush është i ftuar të vijë për ta njohur Atë?

Më lejoni të tregoj një shembull për mënyrën se sa e thjeshtë mund të jetë kjo. Mikja ime, 15-vjeçare, Pejtëni, pati një synim për të lexuar pesë vargje të shkrimit të shenjtë kur hante mëngjes çdo ditë, por ajo nuk e bëri atë e vetme. Duke vështruar përreth, Pejtëni ftoi prindërit dhe motrat e vëllezërit e saj, madje edhe vëllanë e saj pesëvjeçar. Ky veprim në dukje i vogël është ajo që po na mësonte Krishti kur bëri ftesën: “I sillni këtu”.

Kjo ftesë nga Zoti bëhet edhe sot. Të reja dhe të rinj, fillojeni tani, në vetë shtëpinë tuaj. A do t’i luteni dhe kërkoni Atit Qiellor se si mundeni ju t’i përkrahni prindërit tuaj ndërkohë që ata vazhdojnë të vijnë te Krishti? Ata kanë nevojë për ju po aq shumë sa ju keni nevojë për ta.

Më pas vështroni përsëri te motrat e vëllezërit tuaj, miqtë dhe fqinjët tuaj. Kë do të sillni te Krishti?

Shpëtimtari ynë shpalli: “Vini re, unë jam drita; unë kam vendosur një shembull për ju”15. Ne do ta ndiejmë dashurinë dhe paqen e Shpëtimtarit teksa i bashkohemi Atij në shpëtimin e familjes së Perëndisë, sepse Ai ka premtuar: “Kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës”16.

Çfarë kohe e lavdishme që të përfshihemi në kauzën e Krishtit!

Po, ju jeni këtu për diçka të madhërishme. Unë i bashkohem Presidentit Nelson, i cili tha: “Zoti ka nevojë që ju ta ndryshoni botën. Ndërsa e pranoni dhe e zbatoni vullnetin e Tij për ju, do ta shihni veten duke arritur të pamundurën!”17

Dëshmoj me guxim që Zoti e di se kush jeni dhe Ai ju do! Së bashku ne do ta çojmë përpara qëllimin e Tij deri në atë ditë të madhe kur Krishti Vetë të kthehet në këtë tokë dhe ta thërrasë secilin prej nesh që të vijë “këtu”. Plot gëzim do të mblidhemi së bashku, sepse ne jemi ata që vijnë te Krishti dhe nuk vijmë të vetëm. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.