Konferenca e Përgjithshme
Mrekulli të Ungjillit të Jezu Krishtit
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2021


Mrekulli të Ungjillit të Jezu Krishtit

Unë e di që ungjilli i Tij mund të na sjellë shpresë, paqe dhe gëzim, jo vetëm tani, por ai do të bekojë gjithashtu njerëz të tjerë të panumërt në brezat e ardhshëm.

Mabuhaj! Ju sjell dashuri dhe buzëqeshje miqësore nga shenjtorët e mrekullueshëm të Filipineve. Ky vit shënon 60 vjet që kur misionarët e parë mbërritën në ishujt e Filipineve. Sot ka 23 misione dhe mbi 800 000 anëtarë të Kishës në 123 kunje. Ka tashmë shtatë tempuj në funksionim, në ndërtim ose të njoftuar. Kjo është vërtet një mrekulli. Ne po shohim përmbushjen e profecisë te 2 Nefi 10:21: “Të mëdha janë premtimet e Zotit për ata që janë në ishujt e detit”.

Pamja
Presidenti Hinkli në Filipine

Kjo mrekulli është gjithashtu një përmbushje e profecisë së dhënë në një lutje nga Gordon B. Hinkli, që në atë kohë ishte në detyrën e Plakut, në Manila në vitin 1961. Në atë lutje, Plaku Hinkli shpalli: “Ne lutemi për bekimet e Tua mbi popullin e kësaj toke, që ata njerëz do të jenë miqësorë dhe mikpritës, dhe të mirë, dhe të hirshëm ndaj atyre që do të vijnë këtu, dhe që shumë, po, Zot, ne lutemi që do të ketë [shumë], me mijëra vetë që do ta marrin këtë mesazh dhe do të bekohen në këtë mënyrë. I bekofsh ata me mendje të hapura dhe zemra kuptuese dhe me besim për t’i marrë dhe me kurajë për t’i jetuar parimet e ungjillit” (lutje përkushtimi te Varrezat Përkujtimore Amerikane të Luftës, Filipine, 28 prill 1961).

Pamja
Familja Reviljo

Përtej shumë, shumë prej mijërave shenjtorëve besnikë të ditëve të mëvonshme, mrekullia e ungjillit ka sjellë ndryshime pozitive ndaj vendit dhe njerëzve të tij. Unë jam një dëshmi e gjallë e kësaj. Isha gjashtë vjeç kur prindërit e mi u bashkuan me Kishën në ishullin jugor të Mindanaos. Në atë kohë, kishte vetëm një mision në të gjithë vendin dhe asnjë kunj. Jam përjetësisht mirënjohës për guximin dhe zotimin e prindërve të mi për ta ndjekur Shpëtimtarin. Unë i nderoj ata dhe të gjithë pionierët e Kishës në Filipine. Ata e shtruan rrugën që brezat e ardhshëm të mund të bekohen.

Mbreti Beniamin në Librin e Mormonit tha: “Dhe për më tepër, unë do të doja që ju të keni parasysh gjendjen e bekuar dhe të lumtur të atyre që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë. Pasi vini re, ata janë të bekuar në të gjitha gjërat, qoftë tokësore ashtu edhe shpirtërore” (Mosia 2:41).

Teksa i jetojmë dhe u bindemi parimeve dhe ordinancave të ungjillit, ne bekohemi, ndryshohemi dhe kthehemi në besim për t’u bërë më shumë si Jezu Krishti. Kjo ishte mënyra se si ungjilli i ndryshoi dhe i bekoi shenjtorët filipinas, përfshirë edhe familjen time. Ungjilli është vërtet udha drejt një jete të lumtur dhe të begatë.

Parimi i parë i ungjillit është besimi në Zotin Jezu Krisht. Shumë filipinas e kanë një besim të natyrshëm në Perëndi. Është e lehtë për ne që t’i mirëbesojmë Jezu Krishtit dhe të dimë se mund të marrim përgjigje për lutjet tona.

Pamja
Familja Obedoza

Familja Obedoza është një shembull i shkëlqyer i kësaj. Vëllai Obedoza ishte presidenti im i degës kur isha djalosh. Dëshira më e madhe e vëllait dhe motrës Obedoza ishte të vuloseshin me familjen e tyre në tempullin e Manilës. Ata jetonin në qytetin Xhenerëll‑Santos, 1 600 kilometra larg Manilës. Për familjen prej 9 pjesëtarësh, bërja e udhëtimit drejt tempullit dukej e pamundur. Por si tregtari që shkoi dhe shiti gjithçka kishte për të blerë një perlë me vlerë të madhe (shih Mateu 13:45–46), ky çift vendosi ta shiste shtëpinë e tij që të paguante udhëtimin. Motra Obedoza ishte e shqetësuar ngaqë ata nuk do të kishin një shtëpi ku të ktheheshin. Por vëllai Obedoza e siguroi atë se Zoti do të gjente një mënyrë për ta.

Ata u vulosën si familje për kohën dhe gjithë përjetësinë në tempull në vitin 1985. Në tempull ata gjetën gëzim të pakrahasueshëm – perlën e tyre të paçmuar. Dhe pikërisht sipas fjalëve të vëllait Obedoza, Zoti siguroi vërtet një mënyrë. Pasi kthimit të tyre nga Manila, njerëz të njohur e të mirë iu dhanë atyre vende ku të qëndronin dhe familja më pas bleu shtëpinë e vet. Zoti kujdeset për ata që e tregojnë besimin e tyre në Të.

Parimi i dytë i ungjillit është pendimi. Pendimi është largimi nga mëkati dhe kthimi te Perëndia për falje. Është një ndryshim i mendjes dhe i zemrës. Siç dha mësim Presidenti Rasëll M. Nelson, është “të bër[it] dhe … të qenit pak më i mirë çdo ditë” (“Ne Mund të Bëjmë më Mirë dhe të Jemi më të Mirë”, Liahona, maj 2019, f. 67).

Pendimi ngjan shumë me sapunin. Kur isha inxhinier kimist i ri në moshë, punoja në një fabrikë sapuni në Filipine. Mësova se si të bëja sapun dhe procesin se si funksionon ai. Kur përzien vajrat me një bazë alkaike dhe shton agjentët antibakterialë, krijohet një lëndë e fuqishme që mund t’i eliminojë bakteret dhe viruset. Ashtu si sapuni, pendimi është një agjent pastrues. Ai na lejon mundësinë që të zhdukim papastërtitë tona dhe mbeturinat tona të vjetra, në mënyrë që të jemi të denjë për të qenë me Perëndinë, sepse “asgjë e papastër nuk mund të trashëgojë mbretërinë e [Perëndisë]” (Alma 11:37).

Nëpërmjet pendimit, ne marrim nga fuqia pastruese dhe shenjtëruese e Jezu Krishtit. Ai është një pjesë kyç e procesit të kthimit në besim. Kjo është ajo që iu ndodhi anti-nefi-lehitëve në Librin e Mormonit. Ata ishin lamanitë që u kthyen aq plotësisht në besim sa “nuk hoqën dorë kurrë nga besimi i tyre” (shih Alma 23:6–8). Ata i groposën armët e tyre të luftës dhe nuk i morën më kurrë ato. Ata parapëlqenin më mirë të vdisnin se sa ta thyenin atë besëlidhje. Dhe ata dhanë prova për këtë. Ne të gjithë e dimë që sakrifica e tyre solli mrekulli, mijëra njerëz që luftuan kundër tyre, i hodhën poshtë armët dhe u kthyen në besim. Vite më vonë bijtë e tyre, të cilët ne i njohim si luftëtarët e rinj të fuqishëm, patën mbrojtje në betejë përkundër të gjitha gjasave [për fitore]!

Pamja
Babai i Plakut Reviljo

Familja ime dhe shumë shenjtorë filipinas kaluan një proces të ngjashëm të kthimit në besim. Kur e pranuam ungjillin e Jezu Krishtit dhe u bashkuam me Kishën, ne i ndryshuam zakonet tona dhe kulturën tonë për t’i përputhur me ungjillin. Na duhej të hiqnim dorë nga traditat e gabuara. E pashë këtë gjë tek im atë kur ai mësoi rreth ungjillit dhe u pendua. Ai ishte një duhanpirës i rregullt, por ai i flaku tej cigaret e tij dhe nuk preku më asnjë me dorë. Për shkak të vendimit të tij për të ndryshuar, katër breza pas tij janë bekuar.

Pamja
Brezat e familjes Reviljo

Pendimi na çon drejt bërjes dhe mbajtjes së besëlidhjeve nëpërmjet ordinancave të shenjta. Ordinanca e parë e shpëtimit dhe ekzaltimit është pagëzimi me zhytje për heqjen e mëkateve. Pagëzimi na lejon të marrim dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe të hyjmë në një besëlidhje me Zotin. Ne mund ta përtërijmë këtë besëlidhje të pagëzimit çdo javë teksa marrim sakramentin. Kjo është një mrekulli gjithashtu!

Vëllezër dhe motra, unë ju ftoj ta sillni këtë mrekulli në jetën tuaj. Ejani te Jezu Krishti dhe zgjidhni të ushtroni besimin tuaj në Të, të pendoheni dhe të bëni e mbani besëlidhjet e gjendura në ordinancat e shpëtimit dhe të ekzaltimit. Kjo do t’ju lejojë që të jeni në një zgjedhë me Krishtin dhe të merrni fuqinë dhe bekimet e perëndishmërisë (shih Doktrina e Besëlidhje 84:20).

Unë dëshmoj për realitetin e Jezu Krishtit dhe se Ai jeton dhe e do secilin prej nesh. E di që ungjilli i Tij mund të na sjellë shpresë, paqe dhe gëzim, jo vetëm tani, por ai do të bekojë gjithashtu njerëz të tjerë të panumërt në brezat e ardhshëm. Kjo është arsyeja e buzëqeshjeve të bukura dhe miqësore të shenjtorëve filipinas. Është mrekullia e ungjillit dhe e doktrinës së Krishtit. Jap dëshmi për këto gjëra në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.