Konferenca e Përgjithshme
Paqja e Krishtit e Shuan Armiqësinë
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2021


Paqja e Krishtit e Shuan Armiqësinë

Kur dashuria për Krishtin e mbështjell jetën tonë, ne u qasemi mosmarrëveshjeve me butësi, durim dhe dashamirësi.

Të dashur vëllezër e motra të mia, gjatë një prove ushtrimore për stresin, ngarkesa e zemrës rritet. Zemrat që mund ta përballojnë ecjen, mund ta kenë të vështirë t’i përmbushin kërkesat e vrapimit në ngjitje. Në këtë mënyrë, prova për stresin mund të zbulojë sëmundje të fshehura që ndryshe nuk shfaqen. Çdo problem që identifikohet më pas mund të trajtohet përpara se të shkaktojë probleme të rënda në jetën e përditshme.

Pandemia nga COVID-19 sigurisht ka qenë një provë globale për stresin! Prova ka treguar rezultate të përziera. Janë zhvilluar vaksina të sigurta dhe të efektshme.1 Profesionistët e mjekësisë, mësuesit, kujdestarët dhe të tjerë kanë sakrifikuar në mënyrë heroike dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë. Shumë njerëz kanë treguar bujari dhe dashamirësi dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë. Megjithatë, situata të pafavorshme të fshehura janë shfaqur. Individët e cenueshëm kanë vuajtur dhe vazhdojnë të vuajnë. Ata që punojnë për t’i trajtuar këto pabarazi të fshehura duhen inkurajuar dhe falënderuar.

Pandemia gjithashtu është një provë shpirtërore për stresin për Kishën e Shpëtimtarit dhe anëtarët e saj. Rezultatet janë të përziera edhe këtu. Jeta jonë është bekuar nga dhënia e shërbesës në një “mënyrë më të lartë dhe më të shenjtë”2, nga programi mësimor Eja, Më Ndiq dhe ungjilli i përqendruar te shtëpia dhe i përkrahur nga Kisha. Shumë njerëz kanë dhënë ndihmë dhe ngushëllim me dhembshuri gjatë këtyre kohëve të vështira dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë.3

Sidoqoftë, në disa raste, prova shpirtërore për stresin ka treguar prirje për grindje dhe përçarje. Kjo sugjeron se kemi punë për të bërë që t’i ndryshojmë zemrat tona dhe të bëhemi të bashkuar si dishepuj të vërtetë të Shpëtimtarit. Kjo nuk është një sfidë e re, por është një sfidë vendimtare.4

Kur Shpëtimtari i vizitoi nefitët, Ai dha mësim: “Nuk do të ketë grindje mes jush. … Ai që ka shpirtin e grindjes nuk është i imi, por është i djallit i cili është ati i grindjes dhe ai nxit zemrat e njerëzve, që të grinden me zemërim me njëri-tjetrin”5. Kur ne grindemi me zemërim me njëri-tjetrin, Satani qesh dhe Perëndia i qiellit vajton.6

Satani qesh dhe Perëndia vajton për të paktën dy arsye. Së pari, grindja e dobëson dëshminë tonë kolektive ndaj botës për Jezu Krishtin dhe shëlbimin që vjen nëpërmjet “meritave … mëshirës dhe hirit” të Tij7. Shpëtimtari tha: “Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin. … Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin”8. E ndërsjella është gjithashtu e vërtetë – gjithkush e di se ne nuk jemi dishepujt e Tij kur nuk tregojmë dashuri për njëri-tjetrin. Puna e Tij e ditëve të mëvonshme dobësohet kur grindja ose armiqësia9 ekziston mes dishepujve të Tij.10 Së dyti, grindja është e pashëndetshme shpirtërisht për ne si individë. Ajo na grabit paqen, gëzimin dhe prehjen si dhe na dobëson aftësinë tonë për ta ndier Shpirtin.

Jezu Krishti shpjegoi se doktrina e Tij nuk ishte “që të nxis[te] zemrat e njerëzve në zemërim, njëri kundër tjetrit; por, [që] doktrina [e Tij] është kjo, që gjëra të tilla duhet të zhduken”11. Nëse fyhem shpejt apo përgjigjem ndaj mendimeve ndryshe duke u zemëruar ose duke u bërë gjykues, kam “dështuar” në provën shpirtërore për stresin. Kjo provë e dështuar nuk do të thotë se unë jam i pashpresë. Përkundrazi, kjo vë në dukje se kam nevojë të ndryshoj. Është gjë e mirë që ta dimë këtë.

Pas vizitës së Shpëtimtarit në kontinentin amerikan, njerëzit ishin të bashkuar, “nuk kishte grindje në gjithë vendin”12. A mendoni se njerëzit ishin të bashkuar sepse ishin të gjithë njësoj apo sepse nuk kishin mendime ndryshe? Dyshoj për këtë. Përkundrazi, grindja dhe armiqësia u zhdukën sepse ata e vunë dishepullimin e tyre ndaj Shpëtimtarit mbi gjithçka tjetër. Ndryshimet e tyre u zbehën në krahasim me dashurinë e tyre të treguar për Shpëtimtarin dhe ishin të bashkuar si “trashëgimtarë të mbretërisë së Perëndisë”13. Rezultati ishte se “nuk mund të kishte një popull më të lumtur … të krijuar nga dora e Perëndisë”14.

Uniteti kërkon përpjekje.15 Ai zhvillohet kur ne kultivojmë dashuri për Perëndinë në zemrat tona16 dhe përqendrohemi te fati ynë i përjetshëm17. Neve na bashkon identiteti ynë i përbashkët parësor si fëmijë të Perëndisë18 dhe zotimi ynë ndaj të vërtetave të ungjillit të rivendosur. Për rrjedhojë, dashuria jonë për Perëndinë dhe dishepullimi ynë ndaj Jezu Krishtit prodhojnë një shqetësim të çiltër për të tjerët. Ne e vlerësojmë kaleidoskopin e karakteristikave, këndvështrimeve dhe talenteve të të tjerëve.19 Nëse nuk jemi në gjendje që ta vëmë dishepullimin tonë ndaj Jezu Krishtit mbi interesat dhe pikëpamjet personale, ne duhet t’i rishqyrtojmë përparësitë tona dhe të ndryshojmë.

Mund të jemi të prirur të themi: “Sigurisht që mund të kemi unitet – sikur të bije dakord me mua!” Një qasje më e mirë është të pyesësh: “Çfarë mund të bëj që të ushqej unitet? Si mund të përgjigjem për ta ndihmuar këtë person që të vijë më pranë Krishtit? Çfarë mund të bëj që ta zbut grindjen dhe të ndërtoj një komunitet të Kishës më të dhembshur dhe më përkujdesës?”

Kur dashuria për Krishtin e mbështjell jetën tonë20, ne u qasemi mosmarrëveshjeve me butësi, durim dhe dashamirësi21. Ne shqetësohemi më pak rreth ndjeshmërive tona dhe më shumë rreth ndjeshmërive të të afërmve tanë. Ne kërkojmë “të arrijmë marrëveshje dhe të krijojmë unitet”22. Ne nuk përfshihemi në “qort[ime] për mendimet”, nuk i gjykojmë ata me të cilët nuk biem dakord apo nuk përpiqemi që t’i bëjmë ata të pengohen.23 Përkundrazi, ne hamendësojmë që ata me të cilët nuk biem dakord të jenë duke bërë më të mirën që munden me përvojat jetësore që kanë.

Bashkëshortja ime e ka ushtruar avokatinë për më shumë se 20 vjet. Si avokate, ajo ka punuar shpesh me të tjerë që kanë mbrojtur qartë pikëpamje kundërshtuese. Por ajo mësoi të mos binte dakord pa u treguar e pasjellshme apo e zemëruar. Ajo mund t’i thoshte avokatit kundërshtar: “E shoh që nuk do të biem dakord për këtë çështje. Më pëlqen ti. E respektoj opinionin tënd. Shpresoj që të më ofrosh të njëjtën mirësjellje.” Shpesh kjo lejonte një respekt të ndërsjellë dhe madje një miqësi pavarësisht nga ndryshimet.

Edhe armiqtë e mëparshëm mund të bëhen të bashkuar në dishepullimin e tyre ndaj Shpëtimtarit.24 Në vitin 2006, mora pjesë në përkushtimin e tempullit të Helsinkit në Finlandë për të nderuar babanë dhe gjyshërit e mi, të cilët kishin qenë të kthyerit e hershëm në besim të Kishës në Finlandë. Finlandezët, përfshirë edhe tim atë, kishin ëndërruar me dekada për një tempull në Finlandë. Në atë kohë, distrikti i tempullit mbulonte Finlandën, Estoninë, Letoninë, Lituaninë, Bjellorusinë dhe Rusinë.

Ditën e përkushtimit mësova diçka befasuese. Ditën e parë të funksionimit të përgjithshëm të tempullit ishte caktuar paraprakisht që anëtarët rusë të kryenin ordinanca tempulli. Është e vështirë të shpjegohet se sa mahnitëse ishte kjo gjë. Rusia dhe Finlanda kishin bërë shumë luftëra përgjatë shekujve. Babai im nuk u zinte besë dhe atij nuk i pëlqente jo vetëm Rusia, por të gjithë rusët. Ai i kishte shprehur të tilla ndjenja me zjarr të madh dhe ndjenjat e tij qenë tipike për armiqësinë e finlandezëve kundrejt Rusisë. Ai kishte mësuar përmendsh poema epike që tregonin ngjarjet e luftërave të shekullit të 19-të ndërmjet finlandezëve dhe rusëve. Përvojat e tij gjatë Luftës II Botërore, kur Finlanda dhe Rusia u bënë përsëri kundërshtare, nuk bënë asgjë për t’ia ndryshuar mendimet.

Një vit përpara përkushtimit të tempullit të Helsinkit në Finlandë, komiteti i tempullit, i përbërë vetëm nga anëtarë finlandezë, u takua për të diskutuar planet për përkushtimin. Gjatë mbledhjes, dikush vërejti që shenjtorët rusë do të udhëtonin për disa ditë për të marrë pjesë në përkushtim dhe mund të shpresonin që të merrnin bekimet e tyre të tempullit përpara se të ktheheshin në shtëpi. Kryetari i komitetit, Vëllai Sven Ekland, sugjeroi që finlandezët të mund të prisnin pak më gjatë, që rusët të mund të ishin anëtarët e parë që do të kryenin ordinancat e tempullit në tempull. Të gjithë anëtarët e komitetit ranë dakord. Shenjtorët besnikë finlandezë të ditëve të mëvonshme i shtynë për më vonë bekimet e tyre të tempullit për të mirëpritur shenjtorët rusë.

Presidenti i Zonës, i cili ishte i pranishëm në mbledhjen e komitetit të tempullit, Plaku Denis B. Nojenshvander, më vonë shkroi: “Nuk kam qenë kurrë më krenar për finlandezët sesa në këtë çast. Historia e vështirë e popullit finlandez me fqinjin e tij lindor … dhe emocioni i tyre që më në fund u ndërtua [një tempull] në tokën e vet, u lanë të gjitha mënjanë. Lejimi i rusëve që të hynin të parët në tempull [ishte] një dëftim i dashurisë dhe sakrificës.”25

Kur ia raportova këtë dashamirësi babait tim, atij iu këput zemra dhe qau, një ndodhi shumë e rrallë për atë finlandez stoik. Që nga ajo kohë e deri në vdekje tre vjet më vonë, ai nuk shprehu më kurrë as edhe një ndjenjë tjetër negative rreth Rusisë. I frymëzuar nga shembulli i bashkëvendësve të tij finlandezë, im atë zgjodhi ta vinte dishepullimin e tij ndaj Jezu Krishtit mbi gjithë interesat e tjerë. Finlandezët nuk u bënë më pak finlandezë; rusët nuk u bënë më pak rusë; asnjëri grup nuk e braktisi kulturën, historinë apo përvojat e veta për ta dëbuar armikun. Nuk kishin nevojë ta bënin. Përkundrazi, ata zgjodhën ta bënin dishepullimin e tyre ndaj Jezu Krishtit interesin e tyre parësor.26

Nëse ata mund ta bëjnë atë, edhe ne mundemi. Ne mund të sjellim trashëgiminë, kulturën dhe përvojat tona në Kishën e Jezu Krishtit. Samueli nuk pati ndrojtje nga trashëgimia e tij si lamanit27, as Mormoni nuk pati ndrojtje nga trashëgimia e tij si nefit28. Por secili e vuri dishepullimin e tij ndaj Shpëtimtarit të parin.

Nëse nuk jemi një, ne nuk jemi të Tijët.29 Ftesa ime është që të jemi trima duke e vënë dashurinë për Perëndinë dhe dishepullimin tonë ndaj Shpëtimtarit mbi të gjitha interesat e tjera.30 Le ta përkrahim besëlidhjen e pandarë nga dishepullimi ynë – besëlidhjen për të qenë një!

Le të ndjekim shembullin e shenjtorëve nga mbarë bota, të cilët po bëhen me sukses dishepuj të Krishtit! Ne mund të mbështetemi te Jezu Krishti, i cili është “paqja jonë, ai që … ka shembur murin e ndarjes, duke e prishur [me flijimin e Tij shlyes] armiqësinë”31. Dëshmia jonë ndaj botës për Jezu Krishtin do të forcohet dhe ne do të qëndrojmë të shëndetshëm shpirtërisht.32 Unë dëshmoj se teksa ne e “shmangim grindjen” dhe bëhemi “në një mendje me Zotin në dashuri dhe të bashkuar me Të në besim”, paqja e Tij do të jetë e jona.33 Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih “The First Presidency Urges Latter-day Saints to Wear Face Masks When Needed and Get Vaccinated Against COVID-19”, Newsroom, 12 gusht 2021, newsroom.ChurchofJesusChrist.org; “Vaccines Explained”, World Health Organization, who.int/emergencies/diseases/novel-coronavirus-2019/covid-19-vaccines/explainers; “Safety of COVID-19 Vaccines”, Centers for Disease Control and Prevention, 27 shtator 2021, cdc.gov/coronavirus/2019-ncov/vaccines/safety/safety-of-vaccines.html; “COVID‑19 Vaccine Effectiveness and Safety”, Morbidity and Mortality Weekly Report, Centers for Disease Control and Prevention, cdc.gov/mmwr/covid19_vaccine_safety.html.

  2. Rasëll M. Nelson, “Pjesëmarrja e Motrave në Mbledhjen e Izraelit”, Liahona, nëntor 2018, f. 69.

  3. Shih Doktrina e Besëlidhje 81:5.

  4. Shumë apostuj dhe profetë kanë folur për unitetin dhe grindjen përgjatë viteve. Shih, për shembull: Marvin J. Ashton, “No Time for Contention”, Ensign, maj 1978, f. 7–9; Marion G. Romney, “Unity”, Ensign, maj 1983, f. 17–18; Russell M. Nelson, “The Canker of Contention”, Ensign, maj 1989, f. 68–71; Russell M. Nelson, “Children of the Covenant”, Ensign, maj 1995, f. 32–35; Henry B. Eyring, “That We May Be One”, Ensign, maj 1998, f. 66–68; D. Tod Kristoferson, “Ejani në Sion”, Liahona, nëntor 2008, f. 37–40; Xhefri R. Holland, “Shërbesa e Pajtimit”, Liahona, nëntor 2018, f. 77–79; Kuentin L. Kuk, “Zemra të Thurura në Drejtësi dhe Bashkim”, Liahona, nëntor 2020, f. 18–22; Geri E Stivenson, “Zemra të Thurura në Bashkim”, Liahona, maj 2021, f. 19–23.

  5. 3 Nefi 11:28–29.

  6. Shih Moisiu 7:26, 28, 33. Kjo nuk sugjeron se flijimi shlyes i Shpëtimtarit vijon apo që Ai po vazhdon të vuajë, Jezu Krishti e ka përfunduar Shlyerjen. Megjithatë, ndjeshmëria dhe dhembshuria e Tij e pafundme dhe e përsosur që Ai mori si rrjedhojë e përfundimit të flijimit të Tij shlyes e lejuan Atë që të ndiente zhgënjim dhe hidhërim.

  7. 2 Nefi 2:8.

  8. Gjoni 1:34, 35.

  9. Armiqësia është gjendja ose ndjenja e të qenit aktivisht kundër dikujt ose diçkaje; ajo nënkupton kundërshti, antagonizëm, antipati, mllef dhe mospëlqim të rrënjosur thellë ose keqdashje. Fjala greke që përkthehet “armiqësi” përkthehet edhe “urrejtje”. Ajo është e kundërta e fjalës agape, që përkthehet “dashuri”. Shih James Strong, The New Strong’s Expanded Exhaustive Concordance of the Bible (2010), pjesa greqisht e fjalorit, numër 2189.

  10. Shih Gjoni 17:21, 23.

  11. 3 Nefi 11:30.

  12. 4 Nefi 1:18.

  13. 4 Nefi 1:17.

  14. 4 Nefi 1:16.

  15. Presidenti Rasëll M. Nelson ka thënë: “Zotit i pëlqen shumë përpjekja” (në Xhoi D. Xhons, “Një Thirrje Veçanërisht Fisnike”, Liahona, maj 2020, f. 16).

  16. Shih 4 Nefi 1:15. Ka nga ata që e kanë arritur këtë lloj uniteti. Në kohën e Enokut, “Zoti e quajti popullin e tij SION, ngaqë ata ishin të një zemre dhe të një mendjeje dhe banuan në drejtësi; dhe nuk kishte të varfër mes tyre” (Moisiu 7:18).

  17. Shih Mosia 18:21.

  18. Shih Veprat e Apostujve 17:29; Psalmeve 82:6.

  19. Shih 1 Korintasve 12:12–27.

  20. Shih Moroni 7:47–48.

  21. Shih Doktrina e Besëlidhje 107:30–31.

  22. Dallin H. Ouks, “Mbrojtja e Kushtetutës Sonë të Frymëzuar në Mënyrë Hyjnore”, Liahona, maj 2021, f. 107.

  23. Shih Romakëve 14:1–3, 13, 21.

  24. Shpëtimtari i kritikoi “dishepujt e [Tij], në ditët e lashta, [të cilët] kërkuan rast kundër njëri-tjetrit dhe nuk e falën njëri-tjetrin në zemrat e tyre; dhe për këtë ligësi ata u brengosën dhe u ndëshkuan rreptësisht. Prandaj”, Jezusi i qortoi dishepujt e Tij të ditëve të mëvonshme: “Unë ju them se ju duhet ta falni njëri-tjetrin” (Doktrina e Besëlidhje 64:8–9).

  25. Plaku Denis B. Nojenshvander, komunikim personal.

  26. Në një mënyrë tipike finlandeze, kur Vëllai Ekland diskutoi për këtë vendim, ai tha se ishte thjesht diçka logjike. Në vend që të lavdëronte zemërgjerësinë e finlandezëve, ai shprehu vlerësim për rusët. Finlandezët ishin mirënjohës për kontributin domethënës të rusëve në punën që po bëhej në tempullin e Helsinkit në Finlandë. (Sven Ekland, komunikim personal.)

  27. Shih Helamani 13:2, 5.

  28. Shih 3 Nefi 5:13, 20.

  29. Shih Doktrina e Besëlidhje 38:27.

  30. Shih Lluka 14:25–33.

  31. Efesianëve 2:14–15.

  32. Shih Efesianëve 2:19.

  33. Shih Russell M. Nelson, “The Canker of Contention”, Ensign, maj 1989, f. 71.