Konferenca e Përgjithshme
Të Zhvillohemi më Shumë në Krisht: Shëmbëlltyra e Pjerrësisë
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2021


Të Zhvillohemi më Shumë në Krisht: Shëmbëlltyra e Pjerrësisë

Në kohën e Zotit, nuk është vendi ku fillojmë, por vendi për ku jemi drejtuar që ka më shumë rëndësi.

Kur isha djalë i vogël, kisha aspirata të mëdha. Një ditë pas shkollës, pyeta: “Mami, çfarë duhet të jem kur të rritem: një lojtar profesionist i basketbollit apo një yll i muzikës rok?” Fatkeqësisht, Klarku, ëndërrimtari “pa talent”, nuk shfaqte asnjë shenjë të atletit të ardhshëm apo lavdisë muzikore. Pavarësisht nga përpjekjet e shumta, në mënyrë të përsëritur m’u mohua pranimi në programin akademik të përparuar në shkollën time. Më së fundi, mësuesit e mi sugjeruan që thjesht duhej të përqendrohesha në klasën ku zhvillohej mësimi standard. Me kalimin e kohës, zhvillova zakone studimi që i ekuilibronin këto mungesa. Por aftësitë e mia intelektuale dhe shpirtërore nuk i ndjeva të fillonin të shfaqeshin deri në misionin tim në Japoni. Vazhdova të punoja fort. Për herë të parë në jetën time, e përfshiva sistematikisht Zotin në zhvillimin tim dhe kjo solli tërë ndryshimin.

Pamja
Plaku Gilbert kur ishte djalë i vogël
Pamja
Plaku Gilbert kur ishte misionar

Vëllezër e motra, në këtë Kishë, ne besojmë në potencialin hyjnor të të gjithë fëmijëve të Perëndisë dhe në aftësinë tonë që të bëhemi diçka më shumë në Krisht. Në kohën e Zotit, nuk është vendi ku fillojmë, por vendi për ku jemi drejtuar që ka më shumë rëndësi.1

Për ta demonstruar këtë parim, do të përdor ca matematikë bazë. Tani, mos shkaktoni panik ngaqë dëgjuat fjalën “matematikë” në konferencën e përgjithshme. Profesorët e matematikës tek UBJ–Ajdaho më siguruan se edhe fillestari do ta rrokë këtë koncept qendror. Ai fillon me formulën e një drejtëze. Pikënisja, për qëllimet tona, është fillimi i drejtëzës sonë. Pikënisja mund të ketë një pikë fillimi qoftë të lartë ose të ulët. Pjerrësia e drejtëzës atëherë mund të drejtohet për lart ose për poshtë.

Pamja
Slopes and intercepts

Ne të gjithë kemi pikënisje në jetë; e fillojmë në vende të ndryshme me dhurime të ndryshme në jetë. Disa njerëz linden me pikënisje të larta, plot me mundësi. Të tjerët përballen me rrethana fillestare që janë sfiduese dhe duken të padrejta.2 Më pas ne përparojmë përgjatë një pjerrësie të përparimit vetjak. E ardhmja jonë do të përcaktohet shumë më pak nga pikënisja jonë dhe shumë më tepër nga pjerrësia e lëvizjes sonë. Jezu Krishti sheh potencial hyjnor pavarësisht nga vendi ku fillojmë. Ai e pa atë te lypësi, mëkatari dhe i pafuqishmi. Ai e pa atë te peshkatari, tagrambledhësi dhe madje zeloti. Pavarësisht se nga e fillojmë, Krishti merr parasysh se çfarë bëjmë me atë që na është dhënë.3 Ndërkohë që bota përqendrohet te pikënisja jonë, Perëndia përqendrohet te pjerrësia e lëvizjes sonë. Në matematikën e Zotit, Ai do të bëjë gjithçka mundet për të na ndihmuar që t’i kthejmë pjerrësitë e lëvizjeve tona drejt qiellit.

Ky parim duhet t’u japë ngushëllim atyre që hasin vështirësi, dhe pushim për të menduar atyre që duket se kanë çdo epërsi. Më lejoni ta filloj duke iu drejtuar individëve me rrethana të vështira në fillim, përfshirë varfërinë, qasjen e kufizuar në shkollim dhe situatat sfiduese familjare. Të tjerë përballen me sfida fizike, kufizime të shëndetit mendor ose paraprirje të forta gjenetike.4 Për cilëndo betejë me pika të vështira nisjeje, ju lutem, dijeni se Shpëtimtari i di betejat tona. Ai “[mori] përsipër dobësitë [tona], që zemra e tij të mund të mbushet me mëshirë … që ai të mund të dijë … se si [të na] ndihmojë … sipas dobësive [tona]”5.

Më lejoni të tregoj për dy fusha inkurajimi për ata që përballen me rrethana të vështira nisjeje. Së pari, përqendrohuni te pika për ku jeni drejtuar dhe jo tek ajo nga filluat. Do të ishte gabim t’i shpërfillnit rrethanat tuaja, ato janë reale dhe është e nevojshme të trajtohen. Por përqendrimi i tepërt në një pikë të vështirë nisjeje, mund të bëjë që ajo pikë të përcaktojë se kush jeni dhe madje ta kufizojë aftësinë tuaj për të zgjedhur.6

Pamja
të rinj në Boston

Vite më parë shërbeva me një grup rinie nga lagjet e varfra të Bostonit në Masaçusets, të cilët ishin tepër të rinj në njohurinë e ungjillit dhe gjërave që priteshin nga Kisha. Ishte tunduese ta ngatërroja dashamirësinë dhe interesimin tim për gjendjen e tyre me një dëshirë për t’i ulur standardet e Perëndisë.7 Më së fundi e kuptova se mënyra më e fuqishme për ta treguar dashurinë time, ishte të mos i ulja kurrë pritshmëritë e mia. Me gjithçka që dija të bëja, ne u përqendruam së bashku te potenciali i tyre dhe secili prej tyre filloi t’i lartësonte pjerrësitë e tij të lëvizjes. Rritja e tyre në ungjill ishte hap pas hapi por e qëndrueshme. Sot, ata kanë shërbyer në misione, janë diplomuar në kolegje, janë martuar në tempull dhe kanë pasur jetë mbresëlënëse personale dhe profesionale.

Pamja
të rinj nga Bostoni [tanimë] të rritur

Së dyti, përfshijeni Zotin në procesin e lartësimit të pjerrësisë së lëvizjes suaj. Teksa shërbeja si presidenti i programit UBJ–Pathway Mbarëbotëror, më kujtohet që isha i ulur në një takim shpirtëror me shumë pjesëmarrës në Limë të Perusë, ku folësi ishte Plaku Karlos A. Godoi. Teksa hidhte vështrimin mbi bashkësinë, ai dukej i mahnitur që vërente aq shumë studentë besimtarë që ishin brezi i parë në universitet. Ndoshta duke reflektuar për shtegun e vet përmes rrethanave të tilla të vështira, Plaku Godoi tha plot emocion: “Zoti do t’ju ‘ndihmojë më shumë sesa mund ta ndihmoni veten tuaj. [Prandaj] përfshijeni Zotin në këtë proces.’”8 Profeti Nefi dha mësim “se ne shpëtohemi nëpërmjet hirit, pas gjithçkaje që ne mund të bëjmë”9. Ne duhet të bëjmë përpjekjen tonë më të mirë10, gjë që përfshin pendimin, por është vetëm nëpërmjet hirit të Zotit që mund ta arrijmë potencialin tonë hyjnor.11

Pamja
Takim shpirtëror i UBJ-Pathway në Limë, Peru
Pamja
Plaku Godoi duke folur në Limë, Peru

Së fundi, më lejoni të flas për dy fusha këshille për njerëzit me pika të larta nisjeje. Së pari, a mund të tregojmë ca përulësi për rrethanat që mund të mos i kemi krijuar vetë? Siç ua citoi studentëve të tij ish‑presidenti i UBJ‑së, Reks E. Li: “Ne të gjithë kemi pirë ujë nga puse që nuk i gërmuam dhe jemi ngrohur nga zjarre që nuk i ndezëm”12. Ai më pas u bëri thirrje studentëve të tij që t’u jepnin të njëjtat mundësi të tjerëve dhe t’i rimbushnin puset arsimore që i kishin ndërtuar pionierët e mëparshëm. Mosarritja për t’i rimbushur me fara fushat e mbjella nga të tjerët, mund të jetë e barabartë me kthimin e një talenti pa e shtuar atë.

Së dyti, përqendrimi te një pikë më e lartë nisjeje shpesh mund të na zërë në kurth që të ndiejmë se po përparojmë, kur në fakt, pjerrësia jonë e brendshme mund të jetë duke qëndruar në të njëjtin vend. Profesori i universitetit të Harvardit, Klejton M. Kristenseni, dha mësim se shumica e njerëzve të suksesshëm janë më të përulurit, sepse ata kanë vetëbesim të mjaftueshëm që të korrigjohen dhe të mësojnë nga kushdo.13 Plaku D. Tod Kristoferson na këshilloi të “[gjejmë mënyra] me gatishmëri që ta pranojmë dhe madje ta kërkojmë korrigjimin”14. Edhe kur duket se gjërat po shkojnë mirë, ne duhet të kërkojmë mundësi për t’u përmirësuar nëpërmjet kërkesës plot lutje.

Pavarësisht nëse fillojmë në rrethana me bollëk apo të vështira, ne do ta kuptojmë potencialin tonë përfundimtar vetëm kur e bëjmë Perëndinë partnerin tonë. Kohët e fundit pata një bashkëbisedim me një arsimtar të shquar në SHBA, i cili po pyeste për suksesin e programit UBJ–Pathway. Ai ishte i shkëlqyer dhe kërkimi tij ishte i sinqertë, por ishte e qartë që ai dëshironte një përgjigje që nuk lidhej me fenë. I tregova për programet tona për t’i mbajtur studentët në shkollë dhe përpjekjet tona këshilluese. Por e përfundova duke thënë: “Këto të gjitha janë praktika të mira, por arsyeja e vërtetë pse studentët tanë po përparojnë, është ngaqë ne u mësojmë për potencialin e tyre hyjnor. Përfytyroje sikur gjatë gjithë jetës sate të të thuhej se nuk ke për t’ia dalë mbanë kurrë. Më pas merr parasysh ndikimin që ka kur të mësojnë që je bir ose bijë e Perëndisë me mundësi hyjnore.” Ai u ndal duke menduar, më pas u përgjigj thjesht: “Ajo është e fuqishme”.

Vëllezër e motra, njëra nga mrekullitë e kësaj, Kishës së Zotit, është që secili prej nesh mund të bëhet diçka më shumë në Krishtin. Nuk njoh asnjë organizatë tjetër që u jep anëtarëve të saj më shumë mundësi për të shërbyer, për të dhënë, për t’u penduar dhe për t’u bërë njerëz më të mirë. Qoftë nëse fillojmë në rrethana me bollëk apo të vështira, le t’i mbajmë vështrimin tonë dhe pjerrësitë tona të lëvizjes të drejtuara nga qielli. Kur e bëjmë këtë, Krishti do të na ngrejë drejt një vendi më të lartë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih Clark G. Gilbert, “The Mismeasure of Man” (takim shpirtëror i UBJ–Pathway Mbarëbotëror, 12 janar 2021), byupathway.org/speeches. Në këtë mesazh unë shqyrtova mënyrën se si bota shpesh nuk e mat siç duhet potencialin njerëzor. Edhe individët me qëllime të mira që mbështeten në vepra të rëndësishme të psikologëve udhëheqës, të cilët janë mbrojtës të koncepteve të vendosmërisë (Anxhela Dakuërth) dhe mendësisë së rritjes (Kerëll S. Duek), e nënvlerësojnë aftësinë e vërtetë njerëzore kur mbështeten vetëm mbi modelet e mësuara dhe shpërfillin potencialin tonë hyjnor në Krishtin.

  2. Shih Dejll G. Renland, “Padrejtësia Ndërkryese”, Liahona, maj 2021, f. 41–45.

  3. Shih Mateu 25:14–30. Në shëmbëlltyrën e talentave, secili shërbëtor mori një numër të ndryshëm talentash nga zotëria i vet. Por gjykimi nuk u përcaktua nga ajo që morën, por nga mënyra se si e trajtuan atë. Ishte rritja që e bëri Zotin të thoshte: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik; ti u tregove besnik në gjëra të vogla; unë do të të vë mbi shumë gjëra” (Mateu 25:21).

  4. Shih Mosia 3:19. Një rezultat mund të jetë që ekspozimi ynë ndaj tërheqjes prej njeriut të natyrshëm mund të jetë i ndryshëm si rrjedhojë e paraprirjeve të ndryshme gjenetike. Pikërisht ashtu si secilit prej nesh i janë dhuruar dhunti të ndryshme, po ashtu ne kemi sfida të ndryshme fizike, mendore dhe emocionale, të cilat duhet të mësojmë se si t’i trajtojmë dhe kapërcejmë.

  5. Alma 7:11–12. Krishti jo vetëm që na ndihmon t’i kapërcejmë mëkatet tona nëpërmjet pendimit, por Ai e di se si të na ngushëllojë në vështirësitë e jetës sonë, sepse nëpërmjet Shlyerjes, Ai e ka ndier dhe e ka mposhtur gjithë vuajtjen njerëzore.

  6. Plaku Dejvid A. Bednar na kujton se ne jemi vetëveprues dhe duhet të veprojmë për veten tonë. Kur e përcaktojmë veten sipas etiketimeve të botës, e kufizojmë potencialin tonë hyjnor dhe, duke bërë kështu, e kufizojmë aftësinë tonë për të zgjedhur. Shih Dejvid A. Bednar, “Dhe Nuk Ka Asgjë Që Mund t’i Rrëzojë”, Konferenca e Përgjithshme, tetor 2006, f. 120–124.

  7. Shih Russell M. Nelson, “The Love and Laws of God” (takim shpirtëror i Universitetit “Brigam Jang”, 17 shtator 2019), speeches.byu.edu. Në këtë takim shpirtëror të UBJ-së, Presidenti Nelson jep mësim se ngaqë Perëndia dhe Biri i Tij na duan, Ata na kanë dhënë ligje dhe pritshmëri që do të na ndihmojnë. “Ligjet e Perëndisë pasqyrojnë dashurinë e Tij të përsosur për secilin prej nesh. Ligjet e Tij na mbajnë të sigurt shpirtërisht dhe na ndihmojnë që të përparojmë përjetësisht” (faqja 2).

  8. Carlos A. Godoy, konferencë e UBJ–Pathway Connections, Limë, Peru, 3 maj 2018.

  9. 2 Nefi 25:23.

  10. Prindërit e mi krijuan një moto të rrethit familjar Gilbert: “BËJ MË TË MIRËN TËNDE”. Një mënyrë tjetër si ta mendojmë shëmbëlltyrën e pjerrësisë, është të theksojmë që, nëse bëjmë më të mirën tonë, mund të mirëbesojmë që Perëndia do të ndërhyjë dhe do ta plotësojë pjesën e mbetur.

  11. Shih Clark G. Gilbert, “From Grit to Grace” (takim shpirtëror i UBJ–Pathway Mbarëbotëror, 25 shtator 2018), byupathway.org/speeches. Në këtë mesazh unë shqyrtoj idenë se, edhe pse duhet të mësojmë të punojmë shumë dhe të zhvillojmë modele të efektshme të disiplinës që të realizojmë potencialin tonë të vërtetë në Jezu Krishtin, ne duhet të mësojmë të marrim nga hiri i Tij.

  12. Rex E. Lee, “Some Thoughts about Butterflies, Replenishment, Environmentalism, and Ownership” (takim shpirtëror i Universitetit “Brigam Jang”, 15 shtator 1992), f. 2, speeches.byu.edu; shih edhe Ligji i Përtërirë 6:11.

  13. Shih Clayton M. Christensen, “How Will You Measure Your Life?” Harvard Business Review, korrik–gusht 2010, hbr.org. Ky mesazh u dha fillimisht si një bisedë në Ditën e Mësimit, e lidhur me diplomimin në Shkollën e Biznesit të Harvardit. Në mesazhin e tij, profesori Kristensen i paralajmëroi studentët e vet që të mos e shkëputnin vetëbesimin nga përulësia, duke u rikujtuar se që të vazhdonin të përparonin gjatë gjithë jetës, atyre do t’u nevojitej të ishin të përulur aq sa të kërkonin korrigjim dhe të mësonin nga të tjerët.

  14. D. Tod Kristoferson, “Unë të Gjithë Ata që i Dua, i Qortoj dhe i Ndëshkoj”, Liahona, maj 2011, f. 97.