2013
Gjetja e Gëzimit në Jetë
Prill 2013


Gjetja e Gëzimit në Jetë

Karen Rokud, Ajdaho, SHBA

Në një rast unë po lexoja një bisedë të një konference të përgjithshme nga Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Edhe pse e kisha dëgjuar dhe lexuar këtë bisedë më përpara, një frazë ma tërhoqi vëmendjen dhe më ngeli në mendje.

Disa orë më vonë biri im, që jetonte në një apartament me shokët e tij, erdhi për vizitë. Ai kishte shërbyer një mision me kohë të plotë dhe kishte ndjekur pak semestra në kolegj. Nuk ishte i sigurt se çfarë drejtimi arsimor duhej të ndërmerrte dhe çfarë udhe të karrierës duhej të vazhdonte. Ngaqë kishte qenë i mërzitur dhe ndiente se shkolla, për tani, ishte një humbje kohe dhe parash, ai i vuri studimet mënjanë dhe filloi të punonte me kohë të plotë.

Më tha se një nga shokët e tij kishte sugjeruar që të shkonin në një ishull në Bahamas ose në Karaibet, që të gjenin punë dhe të bënin qejf për pak muaj. Biri im ishte i emocionuar për mundësinë. Mund ta kuptoja lehtësisht se sa joshëse mund të ishte një përvojë e tillë, e shkujdesur për një të ri.

Pikërisht atëherë, më erdhi në mendje mesazhi që më kishte lënë mbresë nga Plaku Skot. Mora revistën Ensign dhe i lexova sa vijon birit tim: “Ju jeni këtu në tokë për një qëllim hyjnor. Nuk është që të argëtohemi pafundësisht ose të jemi vazhdimisht në kërkim të plotë të kënaqësisë. Ju jeni këtu që të viheni në provë, ta provoni veten me qëllim që të mund të merrni bekimet shtesë që Perëndia ka për ju. Duhet efekti farkëtues i durimit” (“Finding Joy in Life”, Ensign, maj 1996, f. 25).

Pa asnjë fjalë, biri im e mori revistën, shkoi më tutje dhe e lexoi të gjithë bisedën. Më vonë, gjithçka që tha, ishte se ai nuk do ta ndërmerrte aventurën e tij në ishull.

Me kohë, ai hyri në akademinë e policisë, një shteg që e çoi të takonte bashkëshorten e tij të ardhshme. Ata u martuan të tempullin e Mesës në Arizona dhe sot po rrisin tre fëmijë të mrekullueshëm. Në vitin 2010, biri im mbaroi universitetin dhe me të vërtetë “gjeti gëzim në jetë”.

Aventura e propozuar e birit tim mund të kishte qenë një përvojë e mirë; nga ana tjetër, mund të kishte qenë e rrezikshme shpirtërisht. Sa herë që mendoj për këtë përvojë, Shpirti ma prek zemrën.

Jam mirënjohëse për fjalët e profetëve dhe që u nxita të kujtoja një bisedë që më ndihmoi të jepja udhërrëfim. Jam gjithashtu mirënjohëse që biri im e dëgjoi një lajmëtar të Zotit dhe e lejoi Shpirtin të ndikonte tek ai. E di se vijnë shumë bekime dhe mëshira të dhembshura, kur ne e dëgjojmë Shpëtimtarin dhe shërbëtorët e Tij dhe i ndjekim mësimet e tyre.