2013
Rreth Kishës
Prill 2013


Rreth Kishës

Kërkesë për Fotografi të Rinisë

Tema e Aktiviteteve të Përbashkëta për këtë vit është “Qëndroni në vende të shenjta dhe mos lëvizni” (DeB 87:8). Të rinj e të reja, Liahona po kërkon fotografi në të cilat ju po qëndroni në vende të shenjta. Fotografitë mund t’ju tregojnë ju duke kaluar kohë me familjen tuaj, duke shërbyer, duke bërë punë misionare, duke bërë vepra arti, duke studiuar ungjillin, duke bërë kërkime në natyrë dhe të tjera! Ja si ta dorëzoni fotografinë tuaj:

  • Merrni dikë që t’ju bëjë një fotografi tuajën duke qëndruar në një vend të shenjtë.

  • Dërgojeni fotografinë tuaj me rezolucion të lartë nëpërmjet postës elektronike në adresën liahona@ldschurch.org.

  • Shtoni një mesazh rreth arsyes përse ky është një vend i shenjtë për ju.

  • Në mesazhin tuaj elektronik, ju lutemi të përfshini emrin tuaj të plotë, datën e lindjes, emrin e lagjes apo të kunjit (ose të degës apo të distriktit) dhe një adresë elektronike të prindërve tuaj.

Fotografitë e të rinjve nga e gjithë bota do të vendosen në numrin e ardhshëm.

Apostulli Viziton Marokun

Në dhjetor të 2012-ës, pasi krijoi kunjin e 3.000-të të Kishës në Sierra-Leone të Afrikës Perëndimore, Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i bëri një vizitë të veçantë një dege të vogël e të largët të Kishës në Rabat të Marokut.

Te një takim shpirtëror i një mbrëmjeje të veçantë të diele, Plaku Holland shprehu dashurinë që udhëheqësit e Kishës kanë për çdo anëtar të Kishës anembanë botës, pavarësisht sa të paktë në numër apo të largët në vendndodhje mund të jenë ata.

“Juve nuk ju kanë harruar dhe ju jeni pjesë e një pune të mrekullueshme teksa Zoti e shquan dhe e nxit mbledhjen e Izraelit në këtë periudhë të fundit e të madhe ungjillore”, tha ai.

Përkushtohet Tempulli i Tegusigalpës në Honduras

Të dielën, më 17 mars 2013, pas një kremtimi kulturor dhe një shtëpie të hapur trijavore, Tempulli i Tegusigalpës në Honduras u përkushtua në tri sesione, që u transmetuan në të gjitha njësitë e Kishës në Honduras dhe Nikaragua.

Anëtarët e Hondurasit, që zakonisht kanë udhëtuar me orë të tëra për në Tempullin e Guatemalës, në qytetin e Guatemalës, u gëzuan kur panë të përkushtohej tempulli i parë në vendin e tyre. Tempulli u njoftua së pari në shkresën zyrtare nga Presidenca e Parë më 9 qershor 2006 dhe punimet nisën në vendndodhjen e caktuar më 12 shtator 2009.

Presidenti Monson Viziton Gjermaninë

Në fund të 2012-ës Presidenti Tomas S. Monson udhëtoi për në Gjermani për t’u takuar me anëtarët e Kishës në Hamburg, Berlin, Mynih dhe Frankfurt në Gjermani dhe për t’i këshilluar ata të ndjekin Jezu Krishtin.

“Ai dha mësim për faljen duke falur”, u tha ai anëtarëve në Frankfurt. “Ai dha mësim për mëshirën duke qenë i mëshirshëm. Ai dha mësim për përkushtimin duke dhënë Veten.”

Rinia përqark botës tregon se si po qëndron në vende të shenjta.