2013
Përse na Nevojitet Libri i Mormonit
Prill 2013


Përse na Nevojitet Libri i Mormonit

Pamja
Bibla e Shenjtë, Libri i Mormonit

Ilustrim nga Bryan Beach; regjistruar në video © 2001 IRI

Disa njerëz mund t’ju pyesin përse na nevojitet Libri i Mormonit, kur ne tashmë e kemi Biblën. Në fakt, Jezu Krishti dëshmoi se kjo do të ndodhte (shih 2 Nefi 29:3). Ka shumë arsye përse Libri i Mormonit është i rëndësishëm në jetën tonë (për shembull, shih 2 Nefi 29:7–11). Këto janë vetëm pak arsye përse ai është thelbësor.

Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit

Shkrimet e shenjta na tregojnë një model të përdorimit të dëshmitarëve të shumtë për të themeluar të vërtetën në Kishën e Krishtit. Libri i Mormonit i shton një dëshmitar të dytë Biblës si një dëshmi për Krishtin. Plaku Mark E. Petersen (1900–1984), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dikur tha: “Arsyeja kryesore që e kemi Librin e Mormonit, është që në gojën e dy ose tre dëshmitarëve do të qëndrojnë të gjitha gjërat. (Shih 2 Korintasve 13:1.) Ne kemi Biblën; ne gjithashtu kemi Librin e Mormonit. Ata përbëjnë dy zëra – dy vëllime shkrimesh të shenjta – nga dy popuj të lashtë gjerësisht të veçuar, që të dy duke dhënë dëshmi për hyjninë e Zotit Jezu Krisht.”1 Presidenti Ezra Taft Benson (1899–1994) ka shtuar: “Nuk duhet të harrojmë se Zoti Vetë e dha Librin e Mormonit si dëshmitarin e Tij kryesor”2.

Plotësia e Ungjillit

Ne e dimë se “gjërat e qarta dhe të çmueshme … janë hequr prej” Biblës gjatë historisë (1 Nefi 13:40). Libri i Mormonit e qartëson doktrinën e Krishtit dhe sjell plotësinë e ungjillit në tokë përsëri (shih 1 Nefi 13:38–41). Për shembull, Libri i Mormonit na ndihmon të dimë se pagëzimi duhet të kryhet me anë të zhytjes (shih 3 Nefi 11:26) dhe se fëmijët e vegjël nuk kanë nevojë të pagëzohen (shih Moroni 8:4–26).

Qendror për Kishën e Rivendosur

Jozef Smithi dëshmoi se Libri i Mormonit është “gurthemeli i besimit tonë”3. Ngaqë e dimë këtë, nuk duket rastësi që Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme u krijua më 6 prill 1830, vetëm 11 ditë pasi Libri i Mormonit u vu në dispozicion për herë të parë për shitje në publik më 26 mars 1830. Kisha nuk u organizua derisa shkrimi gurthemel i shenjtë ishte në dispozicion të anëtarëve të saj.

Një Bekim në Jetën Tonë

Lidhur me Librin e Mormonit, Jozef Smithi tha se “një njeri do t’i afrohet më shumë Perëndisë duke iu bindur porosive të tij, se nga ndonjë libër tjetër”4. Ka fuqinë për të ndryshuar jetë – përfshirë tuajën dhe jetën e atyre me të cilët e ndani Librin e Mormonit. Presidenti Henri B. Ajring, Këshilltar i Parë i Presidencës së Parë, ka dëshmuar: “Efekti i Librit të Mormonit në karakterin, fuqinë dhe guximin tuaj për të qenë dëshmitar i Perëndisë është i sigurt. Doktrina dhe shembujt e guximshëm në atë libër do t’ju lartësojnë, udhëzojnë dhe do t’ju japin guxim. …Studimi me lutje i Librit të Mormonit do të ndërtojë besim në Perëndinë, Atin, në Birin e Tij të Dashur dhe në ungjillin e Tij. Ai do të ndërtojë besimin tuaj te profetët e Perëndisë, të lashtët dhe të kohës sonë. … Ai mund t’ju afrojë më shumë me Perëndinë se çdo libër tjetër. Ai mund ta ndryshojë jetën për më mirë.”5

Shënime

  1. Mark E. Petersen, “Evidence of Things Not Seen”, Ensign, maj 1978, f. 63.

  2. The Teachings of Ezra Taft Benson (1988), f. 204.

  3. Jozef Smith, në parathënien e Librit të Mormonit.

  4. Jozef Smith, në parathënien e Librit të Mormonit.

  5. Henri B. Ajring, “Një Dëshmi”, Liahona, nëntor 2011, f. 69–71.

Mësime të së Dielës

Tema e Këtij Muaji: Braktisja dhe Rivendosja