2013
Rritje në Tokë Pjellore: Të Rinjtë Besnikë në Ugandë
Prill 2013


Rritje në Tokë Pjellore: Të Rinjtë Besnikë në Ugandë

Sindi Smith jetoi në Ugandë, ndërkohë që bashkëshorti i saj punonte atje dhe tani jeton në Juta, SHBA.

Ndërsa pranojnë dhe jetojnë ungjillin e Jezu Krishtit, të rinjtë në Ugandë po i shohin besimin dhe shpresën të rriten kudo përreth tyre.

Pamja

Në zemër të Afrikës Lindore, vendi i bukur i Ugandës është bekuar me kodra të valëzuara me kallamë sheqeri dhe pemë bananesh – dhe me të rinj gati për të pranuar dhe jetuar ungjillin e Jezu Krishtit.

Kunji i parë në Ugandë u organizua në 2010. Kisha po rritet me shpejtësi, me shumë të rinj dhe të reja në secilën lagje dhe degë.

Ngritja e një Flamuri, të Qenit një Shembull

Të rejat në një lagje u frymëzuan nga mësimet e motrës Elen S. Dalton, presidente e përgjithshme e Të Rejave, lidhur me virtytin: “Tani është koha që secila prej nesh të ngrihet e t’i shpalosë botës një flamur, duke bërë thirrje për kthim tek virtyti”1. Të rejat iu ngjitën një kodre që shihte mbi qytet dhe ngritën flamuj ngjyrë ari, duke simbolizuar betimin e tyre që të ishin shembuj të virtytit. Së bashku ato kënduan “Lart në Majën e Malit” (Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 30).

Këto të reja kanë ngritur standardet e tyre personale të drejtësisë. Bindja e tyre i ka forcuar dëshmitë e tyre dhe ka ndikuar tek të tjerët. Motra Dalton ka thënë: “Kurrë mos e nënvleftësoni fuqinë e ndikimit tuaj të drejtë”2. Dhe si një flamur, shembulli i këtyre të rejave ngjatjeton gjithë botën.

Pamja

Sandra

Si shumë të reja në Ugandë, Sandra ecën më shumë se 1,6 km për në kishë, ndihmon në pastrimin e shtëpisë së mbledhjes të premteve dhe ndjek seminarin të shtunave. Gjatë javës, ajo ngrihet para orës 5:00 të mëngjesit për të lexuar librat e shkollës dhe më pas ecën për në shkollë, duke u kthyer në shtëpi pas orës 6:00 të pasdites. Ajo humbi një vit shkollor për shkak të vështirësive financiare, por i përballon sfidat e saj me një qëndrim pozitiv: “Ungjilli më ka ndihmuar vërtet të qëndroj e patundur dhe e palëvizur”.

Sandra është e vetmja anëtare e Kishës në shtëpinë e saj, por prindërit e saj e mbështesin shërbimin e saj në Kishë, në mënyrë të tillë si duke ndihmuar kur lagjja pastroi vendin përreth një jetimoreje lokale. Familja e saj e kupton se si ungjilli e ka ndihmuar atë të jetë e fortë, edhe kur përballet me probleme të pazgjidhura. Duke reflektuar rreth burimit të asaj force, Sandra thotë: “Kur shkoj në kishë, ndihem sikur kam veshur armatimin e Perëndisë” (shih Efesianëve 6:11–17).

Një e kthyer në besim më e fundit, Suzana, e do Kishën. Me origjinë nga Sudani Jugor, familja e saj u largua nga vështirësitë dhe u bekua t’i takonte misionarët në Ugandë. Si refugjate, ajo gjeti paqe dhe mbrojtje në ungjillin. Të dielave ajo do t’i sillte motrat dhe vëllezërit e saj më të vegjël në kishë, së bashku me deri në 10 fëmijë të tjerë që nuk ishin anëtarë të Kishës. Pas vdekjes së papritur të një anëtari të familjes, ajo u kthye në Sudanin Jugor, ku pret për Kishën që të ngrihet në zonën e saj. Suzana dhe Sandra, që të dyja, përballen me sfida, por ato mbështeten te Perëndia dhe gëzojnë frytet e të jetuarit të ungjillit të Jezu Krishtit (shih Alma 32:6–8, 43).

Sakrifikimi për të Shërbyer një Mision

Të rinjtë në Ugandë fillojnë të luajnë futboll kur janë djem të vegjël, duke përdorur si top degë të lidhura fort. Që kur ishte shumë i vogël, Denisi pati dhunti për sportin dhe shkolla e mesme i dha bursë për të luajtur me skuadrën e tyre. Pasi mbaroi shkollën e mesme, një skuadër profesioniste i ofroi atij pagesë, vend për të ndenjur dhe ushqim. Ishte realizimi i një ëndrre, por Denisi e dinte se kjo do të binte ndesh me planet e tij për të shkuar në mision më vonë atë vit.

Pamja

Denisi

Dëshira e Denisit që të bënte atë që Ati i tij Qiellor donte që ai të bënte, ishte kaq e fortë sa ai as nuk donte të tundohej që të qëndronte në skuadër, kur koha do të vinte për të për të shërbyer në mision. Shumë njerëz e vunë në dyshim zgjedhjen e tij, por Denisi është i sigurt që ai mori vendimin e drejtë – për vete dhe për të tjerët. “Dy vëllezërit e mi të vegjël dhe motra ime e vogël sapo u pagëzuan”, thotë ai. “Nuk mendoja kurrë se motra ime do ta dëgjonte ungjillin. Kur e shoh Perëndinë duke bërë mrekulli për familjen time, më jepet shpresë e shkëlqyeshme për të ardhmen time.”

Në lagjen e Denisit të rinjtë studiojnë Predikoni Ungjillin Tim çdo javë. Ata janë bërë si një skuadër, duke punuar ngushtë me misionarët me kohë të plotë dhe duke sjellë shokë në mbledhjet e së dielës dhe aktivitete të tjera, duke përfshirë ndeshjet e basketbollit dhe futbollin gjatë javës. Priftërinjtë kanë pagëzuar miq dhe të tjerë, për të cilët ndihmuan t’i mësonin së bashku me misionarët. Për një periudhë disa vjeçare, kjo skuadër të rinjsh e ka forcuar të gjithë lagjen dhe katër prej tyre, përfshirë Denisin, morën thirrje në misionin e Nairobit në Kenia.

Ata kanë ndjekur këshillën e Plakut Dejvid A. Bednar, të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, për t’u “bërë misionarë kohë përpara se të dorëzoni letrat tuaja të misionit”.3 Ata e bënë këtë duke punuar së bashku si kuorum, një skuadër më e mirë se ndonjë skuadër tjetër.

Që të katër misionarët kapërcyen sfida me qëllim që të shërbenin. Uilberfors shpjegon: “Po e humbja shpresën e të shkuarit në mision [për shkak të kostos], por më pas lexova Mateu 6:19–20: ‘Mos mblidhni për vete thesare mbi tokë … përkundrazi mblidhni për vete thesare në qiell’. Kështu me zell dhe zotim, isha në gjendje ta plotësoj qëllimin tim për të shërbyer një mision me kohë të plotë. E dua shërbimin misionar. Asgjë nuk është më e mirë sesa kërkimi së pari i mbretërisë së qiellit.”

Shpresë për të Ardhmen

Të rinjtë e Ugandës po ndihmojnë për të ndërtuar mbretërinë e Perëndisë këtu, me shpresë të madhe për të ardhmen. Edhe pse nuk ka tempull në Afrikën Lindore, të rinjtë mezi presin kohën kur ata do të martohen në një tempull të largët. Një aktivitet kunji u përqendrua në përgatitjen për të hyrë në tempull dhe në përfundim, një anëtar i presidencës së kunjit dha dëshminë e tij: “Perëndia ju do. Ju jeni e ardhmja e Kishës në Ugandë.” Këta të rinj të drejtë janë tashmë duke pasur një ndikim të madh.

Të rinjtë dhe të rejat e Ugandës po sakrifikojnë gjërat e botës për bekime që do të zgjasin përgjithmonë. Ata e kanë mbjellë farën e besimit dhe po e ushqejnë atë me kujdes (shih Alma 32:33–37). Si një pemë e mbushur me fruta (shih Alma 32:42), rinia ndan gëzimin e ungjillit në këtë tokë pjellore.

Shënime

  1. Elen S. Dalton, “A Return to Virtue,” Liahona, nëntor 2008, f. 80.

  2. Elen S. Dalton, “A Return to Virtue,” Liahona, nëntor 2008, f. 80.

  3. Plaku David A. Bednar, “Becoming a Missionary”, Liahona, nëntor 2005, f. 45.

Në krye: Të rinjtë ndjekin së bashku një mbledhje rreth vatrës së kunjit.

Lart: Suzana (qendër), një refugjate në Ugandë, gjeti paqe në ungjill dhe solli vëllezërit, motrat e saj dhe fëmijë të tjerë në kishë.

Qendër: Të reja të kësaj lagjeje gëzohen duke punuar për Përparimin Personal.

Djathtas: Denisi hoqi dorë nga një vend në skuadrën profesioniste të futbollit për të predikuar ungjillin. Ai dhe të rinj të tjerë në kuorumin e tij të priftërinjve sakrifikuan dhe kapërcyen sfida për të shërbyer misione.

Fotografi nga Christina Smith