2013
Ku Mund ta Gjej një Revistë si Kjo?
Prill 2013


Ku Mund ta Gjej një Revistë si Kjo?

Sherën Rejthër, Nevada, SHBA

Gjatë një udhëtimi me familjen time nga Nevada, SHBA, për në Alaska, SHBA, fillova një bisedë me një zonjë të gjatë, tërheqëse dhe miqësore, të ulur në anën tjetër të sediljeve.

Më pyeti se ku po shkoja dhe i thashë se ishim nisur për në Xhuno, Alaska, për të vizituar djalin tonë dhe familjen e tij. Më tha se ishte nga Las Vegasi. Më pas, duke u mallëngjyer, ajo shtoi se po shkonte në Xhuno për të vizituar familjen e burrit të saj që të kishin një shërbesë përkujtimore për bashkëshortin e saj, me të cilin kishte qenë e martuar për 20 vjet. Ai kishte vdekur kohët e fundit nga kanceri.

Hodha sytë nga ana tjetër e ulëseve dhe mendova se sa me fat isha që e dija planin e shpëtimit dhe që isha punonjëse tempulli në tempullin e Las Vegasit në Nevada. Mendova se ç’mund të bëja për këtë grua, që t’i ngrija humorin.

Pa pritur, aq qartë sa tingulli i një këmbane, m’u kujtua një citim nga Profeti Jozef Smith që kisha shpërndarë në Shoqatën e Ndihmës. Kur organizoi Shoqatën e Ndihmës, ai vëzhgoi se motrat “do të fluturo[nin] në ndihmë të të huajit; ato do t’ia la[nin] me vaj dhe me verë zemrën e plagosur të pikëlluarit; do të tha[nin] lotët e jetimit dhe do ta bë[nin] të gëzojë zemrën e së vesë” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2007], f. 482).

E hodha edhe një herë vështrimin në anën tjetër të ulëseve. Pashë një të huaj në shqetësim, një të ve me një zemër të plagosur. M’u kujtua se më herët, atë ditë, kisha lexuar Ensign-in e korrikut 2011. Përmbante disa artikuj frymëzues, që mendova se mund t’i jepnin asaj pak inkurajim dhe ngushëllim.

Mora guxim, e hapa revistën te një artikull dhe i kërkova asaj ta lexonte. Po e vëreja nga afër dhe u habita që ajo i lexoi vargjet një e nga një – plot qëllim. Kur e mbaroi, ajo lexoi një artikull tjetër.

Në mënyrë të dukshme diçka që kishte lexuar, e preku në zemër. E përqafoi fort revistën në kraharor dhe pastaj fshiu një lot nga syri.

“Ku mund ta gjej një revistë si kjo?” më pyeti ajo. I thashë se mund ta mbante. Atëherë ajo lexoi më shumë.

Kur arritëm në Xhuno, ajo ma kapi dorën, më pa drejt e në sy dhe tha: “Faleminderit”.

Pata një mësim të madh nga ajo përvojë. Ne rrethohemi nga të huaj me zemra të plagosura, të cilëve u nevojitet një fjalë e mirë inkurajimi dhe të cilët kanë nevojë të dinë atë që ne, si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, e dimë.