2013
Dhjetë Mënyra për ta Ditur se Jeni Kthyer në Besim
Prill 2013


Dhjetë Mënyra për ta Ditur se JeniKthyer në Besim

Tajlër Orton jeton në Xhava, Indonezi.

Pamja

Unë mësova në mbledhjen e priftërisë se një nga qëllimet e Priftërisë Aarone është të na ndihmojë të “bëhemi të kthyer në besimin tek ungjilli i Jezu Krishtit dhe të jetojmë sipas mësimeve të tij”1. Nuk isha i sigurt se çfarë do të thoshte të “bëhe[sha] i kthyer në besimin tek ungjilli i Jezu Krishtit”. I pyeta prindërit dhe motrat e vëllezërit më të mëdhenj se çfarë do të thoshte dhe së bashku diskutuam një numër mënyrash se si mund të shihni nëse po bëheni i kthyer në besim.

Mund të ketë edhe të tjera, por këto janë 10 mënyrat që ne përmendëm. Përderisa kthimi në besim është një proces që vazhdon gjatë gjithë jetës, nuk na nevojitet të jemi të përsosur në secilën nga këto fusha tani, por ato mund të na ndihmojnë të dimë nëse po përparojmë.

  1. Kur je i kthyer në besim, jo vetëm e di se çfarë duhet të bësh, por gjithashtu dëshiron të bësh gjërat e drejta. Nuk mjafton thjesht t’i shmangesh bërjes gabim, ngaqë ke frikë se mos të kapin ose të ndëshkojnë. Kur je i kthyer me të vërtetë në besim, dëshiron vërtet të zgjedhësh të drejtën.

  2. Një shenjë tjetër e bërjes i kthyer në besim, është që të mos kesh më dëshirë të bësh gabim. Anti-nefi-lehitët janë një shembull i shkëlqyer i kësaj. Kur u kthyen në besim tek ungjilli i Krishtit, ata “kishin hyrë në një besëlidhje me Perëndinë për t’i shërbyer atij dhe për të zbatuar urdhërimet e tij” (Mosia 21:31). Si nefitët që morën mësim nga mbreti Beniamin, ata nuk kishin “më prirje të bë[nin] keq” (Mosia 5:2). Ata u kthyen me të vërtetë në besimin tek ungjilli i Krishtit dhe tundimet e Satanit nuk patën fuqi mbi ta.

    Pamja

    Për të treguar se do të ishin të vërtetë ndaj besëlidhjes së tyre për të jetuar ungjillin, lamanitët e kthyer në besim i varrosën armët e tyre (shih Alma 24).

  3. Kur je i kthyer në besim, shqetësohesh më shumë rreth asaj që mendon Perëndia, sesa asaj që mendojnë të tjerët për ty. Në shkollën time në Indonezi, nxënësit kanë prirje të pijnë shumë. Nganjëherë mund të jetë tunduese të shkosh në mbrëmje argëtimi, kur të gjithë të tjerët janë duke e bërë atë dhe duke u tallur me ty ngaqë nuk shkon. Vëllai im u ftua të pinte dhe të shkonte në mbrëmje disa herë, por ai s’e bëri kurrë – ai mbrojti atë çka besonte. Ishte e vështirë dhe ai kaloi shumë net i vetëm në shtëpi. Kur nxënësit po i thonin njëri-tjetrit lamtumirë në ceremoninë e diplomimit, disa vetë i thanë atij se sa të habitur ishin, që ai kishte mundur t’i bënte ballë presionit të shoqërisë dhe t’u qëndronte i vërtetë standardeve të tij. I thanë se sa shumë e vlerësonin atë për shkak të kësaj. Ai tregoi se ishte kthyer në besim nëpërmjet bërjes ballë presionit të shoqërisë.

  4. Kur je i kthyer në besim, përpiqesh ta jetosh ungjillin gjithmonë – jo vetëm të dielave ose kur të duket e përshtatshme, por gjatë gjithë kohës. Veprimet e tua nuk ndryshojnë në varësi se me kë je apo se kush po të sheh. Kur shokët e tu tregojnë shaka të pahijshme ose duan të shohin një film të fëlliqur, nuk e bën atë thjesht ngaqë nuk po të sheh njeri. Përkundrazi, ti mbron atë që beson.

  5. Pamja

    Kur je i kthyer në besim, je më i mirë dhe më i dhembshur në të gjitha marrëdhëniet me të tjerët. Nuk gjykon ose kritikon, apo bën thashetheme. Bëhesh më i vëmendshëm për ndjenjat e të tjerëve dhe të bëhet e natyrshme të kërkosh mënyra se si të shërbesh dhe të ndihmosh. Nëse po ecën në korridorin e shkollës dhe dikujt i bien librat, s’ke pse të mendohesh se çfarë të bësh. Vetvetiu ndalesh për të ndihmuar.

  6. Pamja

    Kur je i kthyer në besim, dëshira jote për t’u lutur rritet dhe e ndien se vërtet po komunikon me Perëndinë kur lutesh. Gjithmonë do të gjesh kohë të lutesh, pavarësisht se si ndihesh apo çfarë po ndodh në jetën tënde. Presidenti Ezra Taft Benson (1899–1994) na tha: “Nëse ndiejmë se nuk na pëlqen të lutemi, atëherë duhet të lutemi derisa ta ndiejmë se na pëlqen të lutemi”2.

  7. Kur je i kthyer në besim, e pret të dielën me padurim, sepse është Shabati. Kur vjen e diela, në vend që të mendosh: “O, është dita që nuk mund të dal me shokët ose të shkoj në kinema”, mendon: “Sa mirë, një ditë që mund të ndjek kishën dhe të përqendrohem në gjëra shpirtërore e të kaloj kohë me familjen time!”

    Pamja
  8. Kur je i kthyer në besim, i mban urdhërimet dhe nuk kërkon justifikime, nuk e arsyeton sjelljen apo përpiqesh të gjesh fusha të paqarta. Nuk përpiqesh t’i largosh kufizimet; thjesht i mban urdhërimet, sepse e di se është udha më e mirë.

  9. Pamja

    Kur je i kthyer në besim, pret me padurim të paguash të dhjetën. E shikon atë si privilegj dhe e ndien se 10 përqind nuk është aq shumë, veçanërisht po të krahasohet me bekimet dhe kënaqësinë që fiton. Këto bekime kanë më shumë vlerë se sa paratë që pagove.

  10. Pamja

    Kur bëhesh i kthyer në besim, ke dëshirë të fortë të ndihmosh të tjerët, që ta njohin të vërtetën dhe lumturinë që ke gjetur vetë. Një shembull i mirë nga shkrimet e shenjta është ëndrra e Lehit, në të cilën ai pati dëshirë të fortë për ta ndarë frutin e shijshëm të pemës së jetës me familjen e tij. Kur mori nga fruti, mendimi i tij i parë nuk ishte të merrte më shumë për vete, por të kërkonte familjen e tij, me qëllim që edhe ata të mund të merrnin nga fruti dhe të kishin të njëjtën lumturi (shih 1 Nefi 8:12).

Si përmbledhje, e di se po bëhesh i kthyer në besim, kur fillon të jetosh një ligj më të lartë, ungjillin e Jezu Krishtit. E jeton ligjin jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra. E jeton ungjillin në të gjitha fushat e jetës tënde. E jeton ungjillin plotësisht, jo sepse të duhet ta jetosh, por sepse dëshiron ta jetosh. Je njeri më i lumtur e më i mirë dhe dëshiron të bëhesh njeriu që Ati Qiellor të do të jesh. Dëshiron të jesh si Jezu Krishti dhe ta ndjekësh shembullin e Tij. Kur bëhesh ai njeri, me të vërtetë je bërë i kthyer në besim.

Shënime

  1. Handbook 2: Administering the Church (2010), 8.1.3.

  2. Ezra Taft Benson, “Pray Always”, Liahona, qershor 1990, f. 4.

Fotoilustrime © IRI; Anti-Nefi-Lehitët Duke Varrosur Shpatat e Tyre, nga Del Parson © IRI

Në krye: fotoilustrim © IRI; monedha © isStockphoto.com/Thinkstock; VEGIMI I NEFIT I PEMËS SË JETËS nga Robin Luch © IRI