Instituti
Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 10: Besëlidhja e Re dhe e Përjetshme e Martesës


“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 10: Besëlidhja e Re dhe e Përjetshme e Martesës” Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme (2022)

“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 10”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme

Pamja
një çift i martuar jashtë Tempullit të Manilës, Filipine

Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 10

Besëlidhja e Re dhe e Përjetshme e Martesës

mësimin 6, mësuam se martesa shugurohet nga Perëndia. Presidenti Rasëll M. Nelson ka dhënë mësim gjithashtu që martesa çelestiale është “lloji më i lartë dhe më rezistent i martesës që Krijuesi ynë mund të ofrojë për fëmijët e Tij”, që “sjell mundësi më të mëdha për lumturi sesa çfarëdo [marrëdhënieje] tjetër” (“Martesa Çelestiale”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 92, 93). Ndërsa e studioni këtë material, merrini parasysh vetë ndjenjat tuaja rreth martesës së përjetshme dhe atë që mund të bëni për të jetuar të denjë për të.

Pjesa 1

Pse duhet të përpiqem fort të kem një martesë të përjetshme?

Teksa mendoni rreth martesave të njerëzve që njihni, mund të pyetni veten si ndryshon martesa në tempull nga martesa civile.

Ne besojmë se “plani hyjnor i lumturisë bën të mundur që marrëdhëniet familjare të vazhdojnë përtej varrit” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, ChurchofJesusChrist.org). Marrëdhëniet e përjetshme familjare bëhen të mundura me anë të Jezu Krishtit. Presidenti Nelson dha mësim: “Shlyerja e Jezu Krishtit … e bëri ringjalljen një realitet për të gjithë njerëzit dhe e bëri jetën e përjetshme të mundur për ata që pendohen për mëkatet e tyre dhe i marrin e i mbajnë ordinancat dhe besëlidhjet themelore” (“Marrja e Fuqisë së Jezu Krishtit në Jetën Tonë”, Ensign ose Liahona, maj 2017, f. 40). Në ditët e mëvonshme, Zoti ka rivendosur autoritetin, ordinancat dhe besëlidhjet që mundësojnë ndërtimin e martesave të përjetshme.

Pamja
ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 131:1–4, duke kërkuar atë që dha mësim Jozef Smithi rreth besëlidhjes së martesës së përjetshme. (Shënim: Shkalla më e lartë e mbretërisë çelestiale është jeta e përjetshme, ose ekzaltimi.)

Sikurse përdoret te vargu 2, fjala e re do të thotë që besëlidhja është rivendosur rishtas në periudhën tonë ungjillore. Besëlidhja është gjithashtu e përhershme për shkak se është e përjetshme dhe ka ekzistuar “përpara krijimit të botës” (Doktrina e Besëlidhje 132:5). Ajo ishte pjesë e besëlidhjes që Perëndia bëri me Abrahamin dhe bashkëshorten e tij, Sarën, kohë më parë.

Ne mësojmë nga Bible Dictionary [Fjalori Biblik] që “Abrahami së pari e mori ungjillin me anë të pagëzimit (që është besëlidhja e shpëtimit). Më pas atij iu dha priftëria më e lartë dhe ai hyri në një martesë çelestiale (që është besëlidhja e ekzaltimit), duke marrë në këtë mënyrë sigurinë se ai do të kishte rritje të përjetshme [pasardhës të panumërt]” (Bible Dictionary, “Abraham, covenant of”).

Zoti i premtoi Abrahamit: “Do të shumoj pasardhësit e tu si yjet e qiellit dhe si rëra që ndodhet në brigjet e detit” (Zanafilla 22:17). Martesa çelestiale përfshin bekimin e “pasjes së fëmijëve në … lavdi çelestiale” (Joseph Smith, në History, 1838–1856 [Manuscript History of the Church], vëllimi D-1, 1551 [josephsmithpapers.org]).

Zoti i premtoi më tej Abrahamit se të gjitha këto bekime do t’u ofroheshin pasardhësve të tij në vdekshmëri (shih Doktrina e Besëlidhje 132:29–31; Abraham 2:6–11). Pjesët e besëlidhjes me Abrahamin që i përkasin martesës së përjetshme dhe rritjes së përjetshme përtërihen me çdo individ që hyn në “besëlidhjen e re dhe të përjetshme të martesës” (shih Doktrina e Besëlidhje 131:2). Me fjalë të tjera, nëpërmjet ordinancës vulosëse të martesës, neve na premtohen të njëjtat bekime si Abrahamit.

Pamja
dhomë vulosjeje e tempullit në Romë, Itali

Kur një burrë dhe një grua vulosen në tempull, ata bëjnë besëlidhje të shenjta me Perëndinë dhe me njëri-tjetrin. Këto përfshijnë besëlidhjet për t’i qëndruar besnikë njëri-tjetrit dhe Perëndisë, për të jetuar në mënyra të ngjashme me Krishtin, për t’i respektuar të gjitha besëlidhjet e ungjillit të cilat i kanë bërë, dhe për t’u shumuar e për të mbushur tokën.

Pamja
besëlidhja e martesës e ilustruar si një trekëndësh

Merreni parasysh domethënien e kësaj figure për lidhjen që ka me besëlidhjen e martesës së përjetshme. Në lidhje me këtë marrëdhënie në besëlidhje, Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

“Zoti Jezu Krisht është pika qendrore në një marrëdhënie besëlidhëse të martesës. Ju lutem, vini re mënyrën se si Shpëtimtari është vendosur te kulmi i këtij trekëndëshi, me një grua në bazën e njërit kënd dhe një burrë në bazën e këndit tjetër. Tani merrni parasysh atë që ndodh në marrëdhënien midis burrit dhe gruas kur ata individualisht dhe në mënyrë të qëndrueshme ‘[vijnë] te Krishti’ dhe përpiqen të ‘përsos[en] në [T]ë’ (Moroni 10:32). Për shkak të Shëlbuesit dhe nëpërmjet Tij, burri dhe gruaja vijnë më afër së bashku.” (“Marriage Is Essential to His Eternal Plan”, Ensign, qershor 2006, f. 86.)

Pamja
një çift i kapur për dore jashtë tempullit
Pamja
ikonë, diskutoni

Diskutoni në Përgatitje për Orën Mësimore

Nëse është e mundur, diskutoni për pyetjet vijuese me dikë që është vulosur me bashkëshorten ose bashkëshortin e vet në tempull, të tillë si një prind, gjysh, udhëheqës në Kishë ose mik/e. Nëse jeni i/e martuar, mund ta bëni këtë bashkëbisedim me bashkëshorten/in tuaj. Ejani në klasë gati për të treguar diçka që mësuat.

  • Si ishte për ty të vuloseshe në tempull?

  • Si të ka bekuar ty dhe bashkëshortin/en tënd/e deri tani hyrja në besëlidhjen e re dhe të përjetshme të martesës?

  • Si ju kanë ndihmuar ty dhe bashkëshortin/en tënd/e përpjekjet tuaja individuale për t’u afruar më shumë me Perëndinë që të afroheni më shumë me njëri-tjetrin?

Pjesa 2

Çfarë zgjedhjesh nevojitet të bëj që martesa ime të jetë e përjetshme?

Zoti zbuloi që nëse një burrë dhe një grua nuk martohen sipas ligjit të tij (duke hyrë në besëlidhjen e re dhe të përjetshme të martesës) dhe me autoritetin e Tij, atëherë martesa e tyre “nuk ka vlerë kur ata të vdesin” (Doktrina e Besëlidhje 132:15). Sidoqoftë, thjesht vulosja në tempull nuk është garanci për një martesë të përjetshme.

Pamja
ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 132:19–20 dhe merrni parasysh shenjimin e asaj që kërkohet përtej një ceremonie vulosjeje në tempull për të pasur një martesë të përjetshme.

Pamja
një çift i martuar e i lumtur të kapur për dore

Mund ta keni vënë re te vargu 19 që martesat në tempull duhet të “vulose[n] me anë të Shpirtit të Shenjtë të premtimit” që të jenë të përjetshme. Nga Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta mësojmë se “Fryma e Shenjtë është Shpirti i Shenjtë i Premtimit (Veprat e Apostujve 2:33). Ai pohon si të pranueshme nga Perëndia veprimet, ordinancat dhe besëlidhjet e drejta të njerëzve. Shpirti i Shenjtë i Premtimit i dëshmon Atit se ordinancat shpëtuese janë kryer siç duhet dhe se besëlidhjet që i shoqërojnë ato, janë mbajtur” (“Shpirt i Shenjtë i Premtimit”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org).

Kur bashkëshortët e “duro[jnë] besëlidhjen” (Doktrina e Besëlidhje 132:19) Fryma e Shenjtë, në rolin e Tij si Shpirti i Shenjtë i Premtimit, i konfirmon Perëndisë që ata i kanë mbajtur besëlidhjet e tyre dhe martesa e tyre bëhet e përjetshme. Për ta “dur[uar] besëlidhjen”, të dy bashkëshortët duhet t’i respektojnë me besnikëri kërkesat dhe kushtet e besëlidhjeve të vulosjes. Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim rreth rëndësisë së respektimit të këtyre besëlidhjeve:

Pamja
Plaku Robert D. Hejls

“Sikurse u dha mësim në këtë shkrim të shenjtë [Doktrina e Besëlidhje 132:19], një lidhje e përjetshme nuk ndodh thjesht si rezultat i besëlidhjeve të vulosjes që bëjmë në tempull. Mënyra si sillemi në këtë jetë do ta përcaktojë atë që do të ndodhë në të gjitha përjetësitë që do të vijnë. Që të marrim bekimet e vulosjes të cilat na i ka dhënë Ati ynë Qiellor, ne duhet t’i zbatojmë urdhërimet dhe të sillemi në mënyrë të tillë që familjet tona do të duan të jetojnë me ne në përjetësitë.” (“The Eternal Family”, Ensign, nëntor 1996, f. 65.)

Në përpjekjen për të qenë njerëzit më të mirë që mund të jemi e për t’i mbajtur besëlidhjet tona, mund të shohim nga shembulli i Jezu Krishtit. Ashtu si Plaku Ronald A. Rasband, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

Pamja
Plaku Ronald A. Rasband

“Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, është Shembulli ynë i madh kur bëhet fjalë për bërjen dhe mbajtjen e premtimeve dhe të besëlidhjeve. Ai erdhi në tokë duke premtuar se do të bënte vullnetin e Atit. Ai i dha mësim parimet e ungjillit me fjalë e me vepra. Ai shleu për mëkatet tona që ne të mund të jetojmë sërish. Ai e ka mbajtur çdo premtim të Tij.

… Mbajtja e premtimeve nuk është një zakon; është një karakteristikë e të qenit dishepull i Jezu Krishtit. …

Pyetja ime sot është, a i mbajmë premtimet dhe besëlidhjet tona apo ndonjëherë ato janë zotime me gjysmë zemre, të bëra rastësisht dhe prandaj thyhen me lehtësi?” (“Mbajtja e Premtimeve dhe Besëlidhjeve Tona”, Ensign ose Liahona, nëntor 2019, f. 53, 54.)

Pamja
ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Si mund të jeni më shumë si Shpëtimtari në mbajtjen e besëlidhjeve të shenjta dhe të premtimeve që i keni bërë Perëndisë? Çfarë tjetër mund të bëni që t’i mbani ose që të përgatiteni për t’i mbajtur besëlidhjet vulosëse?