Instituti
Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 25: Pendimi dhe Falja në Jetën Familjare


“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 25: Pendimi dhe Falja në Jetën Familjare”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme (2022)

“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 25”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme

Pamja
The Prodigal Son, nga Clark Kelley Price

Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 25

Pendimi dhe Falja në Jetën Familjare

“Martesat dhe familjet e suksesshme ngrihen dhe ruhen me parimet” e ungjillit të Jezu Krishtit (Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”, ChurchofJesusChrist.org). Dy nga këto parime janë pendimi dhe falja. Çfarë roli kanë luajtur këto parime në jetën tuaj familjare? Teksa e studioni këtë material, merrni parasysh se si Jezu Krishti mund t’ju ndihmojë në përpjekjet tuaja për t’u penduar për gabimet ose fyerjet që mund të keni kryer kundrejt pjesëtarëve të familjes suaj. Gjithashtu merrni parasysh se si Shpëtimtari mund t’ju ndihmojë që të falni pjesëtarë të familjes që mund t’ju fyejnë ose lëndojnë.

Pjesa 1

Si mund ta bekojë pendimi im familjen time?

Ndërsa shërbente në Presidencën e Përgjithshme të Fillores, Motra Sheril A. Esplin dha mësim:

Pamja
Motra Sheril A. Esplin

“Familjet janë shkolla e Zotit në tokë për të na ndihmuar ta mësojmë dhe ta jetojmë ungjillin.” (“T’i Mbushim Shtëpitë Tona me Dritë dhe të Vërtetë”, Liahona, maj 2015, f. 8)

Ndërkohë që përpiqemi fort ta mësojmë dhe jetojmë ungjillin e Shpëtimtarit në shtëpitë tona, do të ketë raste kur bëjmë gabime. Ndonëse mosmarrëveshjet dhe fyerjet ndodhin në çdo familje, kjo nuk do të thotë që pjesëtarët e familjes përjashtohen nga të qenit si Krishti në mënyrën se si e trajtojnë njëri‑tjetrin. Në vend të kësaj, gabimet tona na japin mundësi për të ushtruar parimet e ungjillit për pendimin dhe faljen në familjet tona.

Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se çfarë do të thotë pendimi:

Pamja
Plaku Diter F. Uhtdorf

“Pendimi do të thotë një ndryshim i mendjes dhe i zemrës – ne ndalemi së bëri gjëra që janë të gabuara dhe fillojmë të bëjmë gjëra që janë të drejta. Kjo sjell një qëndrim të ri ndaj Perëndisë, ndaj vetes dhe ndaj jetës në përgjithësi.” (“Pikë Kthimi të Sigurt”, Liahona, maj 2007, f. 100)

Shpëtimtari tregoi një shëmbëlltyrë rreth një biri i cili kishte nevojë të pendohej për shkak të zgjedhjeve që e dëmtuan atë vetë dhe familjen e tij. Ky bir e mori trashëgiminë e vet para kohe dhe e prishi duke bërë një jetë moskokëçarëse. I varfëruar dhe i uritur, ai si punë filloi të ushqente derrat dhe madje ishte aq i pashpresë sa të hante ushqimin e derrave. (Shih Lluka 15:11–16.)

Pamja
ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni te Lluka 15:17–24 dhe merrni parasysh të shenjoni parime që i mësoni rreth pendimit në jetën familjare.

Pamja
babai vrapon që të përqafojë djalin plangprishës

Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim rreth mënyrës se si ne dhe pjesëtarët e familjeve tona mund të bekohen nëpërmjet pendimit tonë:

Pamja
Plaku Nil L. Andersen

“Pendimi jo vetëm na ndryshon ne, por gjithashtu bekon familjet tona dhe ata që i duam. Me pendimin tonë të ndershëm, në kohën e duhur të Zotit, krahët e shtrira të Shpëtimtarit do të na rrethojnë jo vetëm ne, por edhe do të zgjaten në jetën e fëmijëve dhe të pasardhësve tanë. Pendim do të thotë kurdoherë se ka një lumturi më të madhe përpara.” (“Pendohuni … që të Mund t’Ju Shëroj”, Liahona, nëntor 2009, f. 42)

Ndërsa shërbente si anëtar i Të Shtatëdhjetëve, Plaku L. Uitni Klejton dha mësim se si analizimi i rregullt i vetvetes dhe pendimi pa vonesë mund t’i bekojnë martesat. Merreni parasysh se si këto praktika mund të ndihmojnë në të gjitha marrëdhëniet e familjes suaj:

Pamja
Plaku L. Uitni Klejton

“Kam mësuar se martesat e lumtura mbështeten te dhurata e pendimit. Ai është një element thelbësor në çdo marrëdhënie të mirë martesore. Bashkëshortët dhe bashkëshortet të cilët rregullisht bëjnë vetanalizim të ndershëm dhe sakaq ndërmarrin hapat e nevojshëm për t’u penduar dhe përmirësuar, përjetojnë një balsam shërues në martesat e tyre.” (“Martesa: Shikoni dhe Mësoni”, Liahona, maj 2013, f. 84)

Pamja
i ri në moshë madhore që po përsiat
Pamja
ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Përdorni disa minuta për të kryer një analizim të ndershëm të vetvetes. A keni nevojë të pendoheni për ndonjërën prej zgjedhjeve që i kanë dëmtuar ose po i dëmtojnë marrëdhëniet me cilindo pjesëtar të familjes? Nëse po, çfarë mund të bëni për t’u kthyer te Zoti dhe për ta filluar këtë proces? Gjithashtu merrni parasysh zgjedhjet që po bëni, të cilat i bekojnë marrëdhëniet tuaja me pjesëtarët e familjes suaj dhe mënyrën se si mund të vazhdoni të bëni zgjedhje të ngjashme.

Pjesa 2

Si mund ta fal një pjesëtar të familjes që ka qenë i padrejtë ndaj meje?

Në shëmbëlltyrën e Shpëtimtarit për djalin plangprishës, biri më i madh refuzoi të merrte pjesë në festën e mbajtur për nder të kthimit të vëllait të tij më të vogël (shih Lluka 15:25–32). Si ky bir më i madh, mund të ketë raste kur neve na nevojitet të zbatojmë këshillën vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

“Lejojini njerëzit të pendohen. Lejojini njerëzit të rriten. Besoni që njerëzit mund të ndryshojnë dhe të përmirësohen.” (“‘Remember Lot’s Wife’: Faith Is for the Future” [takim shpirtëror i Universitetit “Brigam Jang”, 13 janar 2009], speeches.byu.edu)

Ashtu siç mund të ketë raste kur ju keni nevojë t’i kërkoni falje një pjesëtari të familjes, nganjëherë juve mund t’u nevojitet t’ia shtrini faljen një pjesëtari të familjes që ju ka fyer ose lënduar.

Pamja
një çift duke biseduar
Pamja
ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni vargjet te Doktrina e Besëlidhje 64:8–11, duke kërkuar atë që Zoti u dha mësim shenjtorëve të ditëve të mëvonshme rreth faljes së të tjerëve.

Pasi citoi pjesë të këtij fragmenti të shkrimit të shenjtë, Plaku Holland shpjegoi:

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

“Është e rëndësishme për disa prej jush që jetojnë në ankth të vërtetë, që të vëreni atë që [Zoti] nuk tha. Ai nuk tha: ‘Nuk ju lejohet të ndieni dhembje të vërtetë ose brengë të vërtetë nga përvojat shkatërruese që i keni pasur për shkak të një personi tjetër’  dhe as nuk tha: ‘Me qëllim që të falni plotësisht, ju duhet të hyni sërish në një marrëdhënie helmuese ose të ktheheni në një rrethanë keqtrajtuese dhe shkatërruese’. Por pavarësisht nga fyerjet më të tmerrshme që mund të na vijnë, ne mund të ngrihemi mbi dhembjen tonë vetëm kur i vendosim këmbët tona në shtegun e shërimit të vërtetë. Ai shteg është shtegu i faljes nëpër të cilin eci Jezusi i Nazaretit, që i bën thirrje secilit prej nesh: ‘Eja e më ndiq’ [Lluka 18:22].” (“Shërbesa e Pajtimit”, Liahona, nëntor 2018, f. 79).

Pamja
e re në moshë madhore duke u lutur

Nganjëherë mund të ndiheni ngurrues ose të paaftë për të falur. Ose mund të ndieni se largësia midis jush dhe një pjesëtari të familjes është shumë e madhe që marrëdhënia juaj të pajtohet. Merrni parasysh se si këshilla vijuese nga Presidenti Xhejms E. Faust, i Presidencës së Parë, mund t’ju ndihmojë në përpjekjet tuaja për të falur:

Pamja
Presidenti Xhejms E. Faust

“Ne duhet t’i njohim dhe pranojmë ndjenjat e zemërimit. Do të duhet përulësi për ta bërë këtë, por nëse do të biem në gjunjë dhe do t’i kërkojmë Atit Qiellor për një ndjenjë faljeje, Ai do të na ndihmojë. …

… Nuk është e lehtë të heqim dorë prej saj dhe ta boshatisim zemrën nga ndjenjat e fyerjeve torturuese. Shpëtimtari na ka ofruar të gjithëve një paqe të çmuar nëpërmjet Shlyerjes së Tij, por kjo mund të vijë vetëm kur jemi të gatshëm t’i dëbojmë ndjenjat negative të zemërimit, mërisë ose hakmarrjes.” (“Fuqia Shëruese e Faljes”, Liahona, maj 2007, f. 69)

Plaku Masimo De Feo, i Të Shtatëdhjetëve, gjithashtu theksoi rëndësinë e të përqendruarit te Shpëtimtari:

Pamja
Plaku Masimo De Feo

“Vëllezërit e motrat e mia të dashura, nëse po hasni vështirësi që të gjeni forcën për të falur, mos mendoni për atë që të tjerët kanë bërë ndaj jush, por mendoni për atë që Zoti ka bërë për ju, dhe do të gjeni paqe nga bekimet shëlbuese të Shlyerjes së Tij.” (“Dashuria e Pastër: Shenja e Vërtetë e Çdo Dishepulli të Vërtetë të Jezu Krishtit”, Liahona, maj 2018, f. 82)

Falja dhe shërimi mund të kërkojnë kohë. Jini të duruar ndaj vetes suaj teksa kërkoni ndihmën e Zotit dhe dhuratën e Tij të shërimit.

Pamja
ikonë, shënoni

Shënojini Mendimet Tuaja

Merrni parasysh atë që keni mësuar dhe ndier ndërsa e studiuat këtë material. Shënoni dëshirat ose synimet tuaja që lidhen me pendimin dhe faljen në jetën tuaj familjare. Si do ta ftoni Shpëtimtarin që t’ju ndihmojë në përpjekjet tuaja?