Konferenca e Përgjithshme
Të Shohim Më Shumë nga Jezu Krishti në Jetën Tonë
konferenca e përgjithshme e tetorit 2022


Të Shohim Më Shumë nga Jezu Krishti në Jetën Tonë

Shpëtimtari na fton ta shohim jetën tonë nëpërmjet Tij, me qëllim që të shohim më shumë prej Tij në jetën tonë.

Vëllezër e motra, sa e përulur jam që të qëndroj përpara jush këtë mëngjes. E bashkoj zemrën time me tuajat në mirënjohje që jemi mbledhur, kudo ku ju jeni nëpër botë, për të dëgjuar mesazhe nga profetë, apostuj, shikues, zbulues dhe udhëheqës në mbretërinë e Perëndisë. Në mënyrë figurative, ne bëhemi si njerëzit e kohës së mbretit Beniamin, që i ngremë çadrat tona, duke i pasur dyert tona të hapura dhe të drejtuara nga Profeti i Perëndisë në tokë1, Presidenti Rasëll M. Nelson.

Unë kam pasur shikim të dobët për aq kohë sa mund ta mbaj mend dhe gjithmonë më është dashur ndihma e syzeve që të më rregullohej shikimi. Kur i hap sytë çdo mëngjes, bota shfaqet shumë çorientuese. Çdo gjë është e turbullt, e paqartë dhe e shtrembëruar. Edhe bashkëshorti im i dashur është më shumë një kujtesë e një portreti abstrakt sesa figura plot dashuri e ngushëlluese që ai është në të vërtetë. Nevoja ime instinktive, përpara se të bëj ndonjë gjë tjetër kur nis ditën time, është të zgjat dorën drejt syzeve që ato të më ndihmojnë të dalloj gjërat që më rrethojnë, dhe të gëzoj një përvojë më gjallëruese teksa më ndihmojnë për të manovruar gjatë gjithë ditës.

Përgjatë viteve, kam arritur të dalloj se kjo sjellje ilustron varësinë time të përditshme ndaj dy gjërave: së pari, një mjeti që më ndihmon për t’u qartësuar, për t’u përqendruar dhe për ta parë botën përreth meje siç është; dhe së dyti, një nevoje për udhërrëfim të prekshëm për të më treguar vazhdimisht drejtimin e duhur. Kjo praktikë e thjeshtë, rutinë pasqyron tek unë një vrojtim të rëndësishëm rreth marrëdhënies sonë me Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin.

Në jetën tonë që shpesh është e mbushur me pyetje, shqetësime, trysni dhe mundësi, dashuria e Shpëtimtarit tonë për ne individualisht dhe si fëmijë të Tij të besëlidhjes, dhe gjithashtu mësimet dhe ligjet e Tij, janë burime të përditshme në dispozicion ku mund të mbështetemi, që të jenë një “drit[ë] që shkëlqen, … që i ndriçon sytë [tanë dhe] e përshpejton të kuptuari[n tonë]”2. Teksa kërkojmë bekimet e Shpirtit në jetën tonë, ne do të jemi në gjendje, ashtu siç dha mësim Jakobi, që t’i shohim “gjëra[t] ashtu siç janë në të vërtetë dhe … ashtu siç do të jenë në të vërtetë”3.

Si fëmijë besëlidhës të Perëndisë, ne jemi bekuar në mënyrë të pashoqe me një furnizim të bollshëm të mjeteve të caktuara në mënyrë hyjnore për ta përmirësuar shikimin tonë shpirtëror. Fjalët dhe mësimet e Jezu Krishtit, siç shënohen në shkrimin e shenjtë dhe mesazhet nga profetët e Tij të zgjedhur, dhe Shpirti i Tij i marrë nëpërmjet lutjes së përditshme, frekuentimit të rregullt të tempullit dhe ordinancës së përjavshme të sakramentit, mund të ndihmojnë për të rivendosur paqe dhe për të siguruar dhuratën e nevojshme të dallimit që sjell dritën e Krishtit dhe të kuptuarin e Tij në të gjitha skajet e jetës sonë dhe në një botë që mund të jetë e vrenjtur. Shpëtimtari gjithashtu mund të jetë busulla jonë dhe piloti ynë, teksa manovrojmë përmes ujërave të qeta si dhe të trazuara të jetës. Ai mund ta bëjë të qartë shtegun e duhur që na çon drejt fatit tonë të përjetshëm. Pra, çfarë do Ai që ne të shohim dhe ku do Ai që ne të shkojmë?

Profeti ynë i dashur na ka mësuar se “përqendrimi ynë duhet të ngulitet te Shpëtimtari dhe ungjilli i Tij” dhe se ne duhet të bëjmë “një përpjekje të madhe mendore që të shoh[im] tek Ai në çdo mendim”4. Presidenti Nelson gjithashtu ka premtuar se “asgjë nuk e fton më shumë Shpirtin sesa ta fiksoni përqendrimin tuaj te Jezu Krishti. … Ai do t’ju udhëheqë dhe do t’ju udhërrëfejë ju në jetën tuaj vetjake, nëse do të gjeni kohë për Të në jetën tuaj – në secilën [ditë] dhe për çdo ditë.”5 Miq, Jezu Krishti është si qëllimi i përqendrimit tonë ashtu edhe synimi i fatit tonë. Për të na ndihmuar që të qëndrojmë të përqendruar dhe duke shkuar në drejtimin e duhur, Shpëtimtari na fton ta shohim jetën tonë nëpërmjet Tij, me qëllim që të shohim më shumë prej Tij në jetën tonë. Kam arritur të mësoj më shumë rreth kësaj ftese të veçantë nëpërmjet studimit prej meje të Dhiatës së Vjetër.

Ligji i Moisiut iu dha izraelitëve të hershëm si një ungjill përgatitor, i hartuar për ta përgatitur popullin për një marrëdhënie më të lartë besëlidhëse me Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit.6 Ligji, i pasur me simbolizëm dhe duke i drejtuar besimtarët që të “pritnin me padurim ardhjen” dhe Shlyerjen e Jezu Krishtit7, kishte për qëllim t’i ndihmonte njerëzit e Izraelit që të përqendroheshin te Shpëtimtari duke ushtruar besim tek Ai, te flijimi i Tij, te ligjet dhe urdhërimet e Tij në jetën e tyre8 – kishte për qëllim që t’i sillte drejt një të kuptuari më të madh për Shëlbuesin e tyre.

Ashtu si ne sot, populli i lashtë i Perëndisë u ftua ta shihte jetën e vet nëpërmjet Tij me qëllim që të shihte më shumë nga bekimet dhe udhërrëfimi i Tij në jetën e vet. Por deri në kohën e shërbesës së Shpëtimtarit, izraelitët nuk shihnin më nga Krishti në respektimin nga ana e tyre të ligjit, duke e lënë Atë mënjanë dhe duke i shtuar ligjit praktika të paautorizuara të cilat nuk kishin simbolikë udhëzuese që tregonte drejt burimit të vërtetë dhe të vetëm të shpëtimit dhe shëlbimit të tyre – Jezu Krishtit.9

Bota e përditshme e izraelitëve ishte bërë e çorientuar dhe e mugët. Fëmijët e Izraelit, në këtë gjendje, besonin se praktikat dhe ritet e ligjit ishin shtegu drejt shpëtimit vetjak dhe pjesërisht e katandisën ligjin e Moisiut në një grumbull protokollesh të administruara për të sunduar jetën civile.10 Kjo kërkoi që Shpëtimtari të rivendoste përqendrim dhe qartësi tek ungjilli i Tij.

Përfundimisht, një pjesë e madhe e izraelitëve e refuzuan mesazhin e Tij, madje duke shkuar deri atje sa ta akuzonin Shpëtimtarin – Atë që e dha ligjin dhe që shpalli se Ai ishte “ligji dhe drita”11 – se po e shkelte atë ligj. Prapëseprapë, Jezusi në Predikimin e Tij në Mal, duke folur për ligjin e Moisiut, shpalli: “Mos mendoni se unë erdha për të shfuqizuar ligjin ose profetët; unë nuk erdha për t’i shfuqizuar, po për t’i plotësuar”12. Atëherë Shpëtimtari, nëpërmjet Shlyerjes së Tij të përjetshme, u dha fund udhëzimeve, rregulloreve dhe praktikave ceremoniale që respektoheshin nga populli i Izraelit në atë kohë. Flijimi i Tij përfundimtar udhëhoqi kalimin nga olokaustet sakrifikuese drejt dhënies nga ana jonë të “një zem[re] të thyer dhe një shpirt[i] të penduar”13, nga ordinanca e flijimit drejt ordinancës së sakramentit.

Presidenti M. Rasëll Ballard, duke dhënë mësim për këtë temë, tha: “Në një kuptim, sakrifica ndryshoi nga oferta tek ofruesi14. Kur ia sjellim ofertën tonë Shpëtimtarit, ne po ftohemi që të shohim më shumë nga bekimet dhe udhërrëfimi i Jezu Krishtit në jetën tonë, teksa ia nënshtrojmë me përulësi vullnetin tonë Atij, si pranim dhe mirëkuptim për nënshtrimin e Tij të përsosur ndaj vullnetit të Atit. Kur e fiksojmë vështrimin tonë te Jezu Krishti, ne e dallojmë dhe e kuptojmë se Ai është i vetmi burim dhe e vetmja udhë për të marrë falje dhe shëlbim, madje jetë të përjetshme dhe ekzaltim.

Si një pasuese e ungjillit që herët, unë u ndesha me shumë njerëz që i vëzhguan dhe i kuptuan ndryshimet në sjelljet, praktikat dhe zgjedhjet e mia pasi u bashkova me Kishën. Ata ishin kureshtarë rreth “përse‑ve” të gjërave që po shihnin – përse zgjodha të pagëzohesha dhe të bashkohesha me këtë bashkësi besimtarësh, madje Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme; përse nuk i bëj disa praktika të caktuara në Shabat; përse jam besnike në mbajtjen e Fjalës së Urtësisë; përse e lexoj Librin e Mormonit; përse besoj në mësimet e profetëve dhe apostujve të kohëve moderne dhe përse i përfshij ato mësime në jetën time; përse frekuentoj mbledhje të përjavshme të Kishës; përse i ftoj të tjerët që të “vijnë e të shohin, të vijnë e të ndihmojnë[,]të vijnë e të qëndrojnë15 dhe “të vi[jnë] dhe të k[enë] përkatësi”16.

Në atë kohë, ato pyetje më bënë të ndihesha e mbingarkuar dhe, ta them haptazi, nganjëherë e akuzuar. Por ndërkohë që luftova me këqyrjen hetuese nga ana e njerëzve, arrita të kuptoj se hetimi prej tyre, në fakt, ishte ftesa ime e parë për të marrë e për të vënë një palë syze shpirtërore për të qartësuar, qendërzuar dhe forcuar atë që i dha shtysë besnikërisë sime ndaj praktikave dhe standardeve të ungjillit. Cili ishte burimi i dëshmisë sime? A po zbatoja vetëm “rregulla të jashtme” pa i lejuar ato praktika të lidhura me ligjet e Perëndisë që ta “përforconin besimin [tim] në Krisht[in]”17 ose që të demonstronin të kuptuarit se Jezu Krishti është burimi i vetëm i fuqisë së respektimit prej meje [të ligjeve të Perëndisë]?

Nëpërmjet përpjekjes rigoroze për të parë te Jezu Krishti dhe për ta kërkuar Atë në çdo mendim dhe veprim nga ana ime, sytë e mi u ndriçuan dhe të kuptuarit e mi u përshpejtua për të dalluar se Jezu Krishti po më bënte thirrje që të “vija tek” Ai.18 Nga kjo periudhë e hershme e dishepullimit tim në rininë time, mund të kujtoj një ftesë që ma bënë misionarët për t’u bashkuar me ta ndërkohë që ia dhanë mësim ungjillin një grupi të rejash të moshës sime. Një mbrëmje, teksa ishim ulur në shtëpinë e njërës prej këtyre të rejave, pyetja e tyre e dhembshur lidhur me përse unë besoj, ma ngacmoi zemrën dhe më lejoi t’u dëshmoja për shtysat shpirtërore të dishepullimit tim, me kuptueshmëri të thelluar të konceptit rreth Zotit, dhe që nga ajo kohë e ka përmirësuar dëshminë time.

Mësova atëherë, ashtu sikurse e di tani, se Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, i drejton këmbët tona drejt shtëpive të mbledhjeve çdo javë që të marrim sakramentin e Tij, drejt shtëpisë së Zotit që të bëjmë besëlidhje me Të, drejt shkrimeve të shenjta dhe mësimeve të profetëve që të mësojmë prej fjalëve të Tij. Ai e drejton gojën tonë që të dëshmojë për Të, duart tona që të ngrenë moralisht e të shërbejnë siç do të ngrinte moralisht e do të shërbente Ai, sytë tanë që t’i shohin botën dhe njëri‑tjetrin siç i sheh Ai – “ashtu siç janë në të vërtetë, dhe … ashtu siç do të jenë në të vërtetë”19. Dhe kur e lejojmë Atë që të na drejtojë në të gjitha gjërat, ne marrim dëshmi se “të gjitha gjërat tregojnë se ka një Perëndi”20, sepse atje ku kërkojmë për Të, ne do ta gjejmë Atë21, në secilën ditë dhe për çdo ditë. Këtë e dëshmoj, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.