Konferenca e Përgjithshme
A Jeni Ende të Gatshëm?
konferenca e përgjithshme e tetorit 2022


A Jeni Ende të Gatshëm?

Gatishmëria jonë për ta ndjekur Jezu Krishtin është në përpjesëtim të drejtë me sasinë e kohës që zotohemi të japim për të qenë në vende të shenjta.

Një të diel, ndërsa po përgatitesha për të marrë sakramentin pas disa javësh me detyra nga konferenca e kunjit, një mendim interesant dhe i fuqishëm më kaloi ndër mend.

Ndërsa prifti filloi të bënte bekimin e bukës, fjalët që i kisha dëgjuar shumë herë më parë depërtuan fuqishëm në mendjen dhe zemrën time. “Dhe të mund të të dëshmojnë ty, O Perëndi, Ati i Amshuar, se ata janë të gatshëmmarrin mbi vete emrin e Birit tënd dhe gjithmonë ta kujtojnë atë e të zbatojnë urdhërimet që ai u ka dhënë atyre, që të mund të kenë gjithmonë Shpirtin e tij me ta.”1 Sa herë i kemi dëshmuar Perëndisë se jemi të gatshëm?

Teksa përsiatja rëndësinë e atyre fjalëve të shenjta, fjala të gatshëm më bëri përshtypje si asnjëherë më parë. Një vërshim përvojash të ëmbla dhe të shenjta ma mbushën mendjen dhe zemrën me dashuri dhe mirënjohje për flijimin shlyes të Shpëtimtarit dhe rolin e Tij vendimtar në planin e Atit për shëlbimin tim dhe të familjes sime. Më pas dëgjova dhe i ndjeva fjalët përshkuese të lutjes për ujin: “Që ata të mund të të dëshmojnë ty … se gjithmonë e kujtojnë atë”2. E kuptova qartësisht në atë çast se mbajtja e besëlidhjeve të mia duhet të jetë më tepër se qëllime të mira.

Marrja e sakramentit nuk është një rit fetar pasiv që nënkupton thjesht miratimin tonë. Sakramenti është një kujtues i fuqishëm i realitetit të Shlyerjes së pafundme të Shpëtimtarit dhe nevojës për ta kujtuar gjithmonë Atë e për t’i zbatuar urdhërimet e Tij. Gatishmëria për t’u përqendruar te Shpëtimtari është aq thelbësore saqë është mesazhi qendror i dy shkrimeve të shenjta më të cituara të Kishës: lutjeve të sakramentit. Të kuptuarit e së vërtetës së asaj që Ati Qiellor ia ofron me kaq gatishmëri secilit prej nesh nëpërmjet Birit të Tij të Vetëmlindur, duhet të ngjallë si rrjedhim përpjekjet tona më të mëdha për të qenë gjithmonë të gatshëm.

A është i ndërtuar themeli ynë shpirtëror fort mbi Jezu Krishtin?

Nëse themeli ynë shpirtëror është i cekët ose sipërfaqësor, ne mund të priremi ta bazojmë gatishmërinë tonë te një analizë shoqërore e kostos dhe fitimit ose tek treguesi i parehatisë vetjake. Dhe nëse e mbështetim idenë se Kisha përbëhet kryesisht nga rregullore shoqërore të vjetruara ose të pasakta politikisht, kufizime joreale vetjake dhe zotime që njerëzit të japin kohë, atëherë do të çalojnë edhe konkluzionet tona për gatishmërinë. Ne nuk duhet të presim që parimi i gatishmërisë të anojë pozitivisht në përputhje me personat me ndikim publik në mediat shoqërore ose me entuziastët e TikTok‑ut. Parimet e njerëzve rrallëherë përputhen me të vërtetën hyjnore.

Kisha është një vend mbledhjeje për individë të papërsosur të cilët e duan Perëndinë dhe janë të gatshëm ta ndjekin Zotin Jezu Krisht. Ajo gatishmëri është e rrënjosur në realitetin se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë. Kjo e vërtetë hyjnore mund të njihet vetëm me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë. Prandaj, gatishmëria jonë është në përpjesëtim të drejtë me sasinë e kohës që zotohemi të japim për të qenë në vende të shenjta ku është i pranishëm ndikimi i Frymës së Shenjtë.

Do të bënim mirë të shpenzonim më shumë kohë me bashkëbisedime kuptimplota duke diskutuar për shqetësimet tona me Atin e dashur në Qiell dhe më pak kohë për kërkimin e opinioneve të zërave të tjerë. Ne mund të zgjedhim gjithashtu që t’i ndryshojmë rubrikat tona të njoftimeve të çdo dite me fjalët e Krishtit në shkrimet e shenjta dhe me fjalët profetike të profetëve të Tij të gjallë.

Rëndësia që i japim respektimit të ditës së Shabatit, pagimit të një të dhjete të ndershme, mbajtjes së një rekomandimi aktual tempulli, frekuentimit të tempullit dhe nderimit të besëlidhjeve tona të shenjta të tempullit, janë të gjithë tregues të fuqishëm të gatishmërisë sonë dhe provë e zotimit tonë. A jemi ne të gatshëm të bëjmë një përpjekje më shumë se sipërfaqësore për forcimin e besimit tonë te Krishti?

Ati Qiellor na do përsosurisht, por ajo dashuri vjen me pritshmëri madhore. Ai pret që ne ta vëmë me gatishmëri Shpëtimtarin pikërisht në qendër të jetës sonë. Shpëtimtari është shembulli ynë i përkryer i gatishmërisë për t’iu nënshtruar Atit në të gjitha gjërat. Ai është “udha, e vërteta dhe jeta”3. Ai shleu me gatishmëri për mëkatet tona. Ai me gatishmëri na i lehtëson barrët, na e zbut frikën, na jep forcë dhe i sjell paqe e kuptueshmëri zemrave tona në kohë shqetësimi dhe pikëllimi.

Megjithatë, besimi te Jezu Krishti është një zgjedhje. “Në qoftë se [ne] nuk mund të bë[jmë] më shumë sesa të dëshiro[jmë] të beso[jmë]”4 në fjalët e Tij, ne kemi një pikë nisjeje nga ku ta fillojmë ose rifillojmë udhëtimin tonë të besimit. Fjalët e Tij, nëse mbillen në zemrën tonë si një farë dhe ushqehen me kujdes të madh, do të zënë rrënjë dhe besimi ynë do të rritet në siguri dhe do të bëhet një parim veprimi e fuqie. Libri i Mormonit është burimi ynë më i fuqishëm për rritjen dhe rivendosjen e besimit tonë. Gatishmëria është katalizatori i besimit.

Jeta në vdekshmëri, sipas modelit hyjnor, nuk është e lehtë dhe nganjëherë mund të jetë e mundimshme. Megjithatë, “[ne] j[emi], që … të mund të ke[mi] gëzim”!5 Përqendrimi te Shpëtimtari dhe besëlidhjet tona sjellin gëzim të qëndrueshëm. Qëllimi i jetës në vdekshmëri është për të vërtetuar gatishmërinë tonë. “Detyra më e madhe e jetës dhe [kostoja e dishepullimit] është të mësojmë vullnetin e Zotit dhe më pas ta bëjmë atë.”6 Dishepullimi i vërtetë çon në një plotësi të gëzimit. A jemi të gatshëm ta paguajmë çmimin e dishepullimit?

Shtegu i besëlidhjeve nuk është thjesht një listë detyrash; ai është një proces i rritjes shpirtërore dhe zotimit që thellohet te Zoti Jezu Krisht. Qëllimi qendror i çdo urdhërimi, parimi, besëlidhjeje dhe ordinance është të ndërtojë besim e mirëbesim në Krisht. Vendosmëria jonë për ta qendërzuar jetën tonë te Krishti, si rrjedhim, duhet të jetë e vazhdueshme, jo e kushtëzuar, rastësore apo sipërfaqësore. Nuk e kemi luksin që të bëjmë pushime zyrtare ose të marrim pushim për veten nga gatishmëria jonë për të “qëndr[uar] si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet”7. Dishepullimi nuk ka çmim të lirë, për shkak se shoqërimi i Frymës së Shenjtë është i paçmueshëm.

Sigurisht, Zoti po mendonte për kohën tonë teksa Ai dha mësim për shëmbëlltyrën e dhjetë virgjëreshave. Për pesë prej tyre që ishin të mençura, Ai tha se ato e “kanë marrë Shpirtin e Shenjtë si udhëzuesin e tyre, dhe nuk janë mashtruar”8 ndërsa llambat e budallaçkave janë “fik[ur]” nga mungesa e vajit.9 Ndoshta fjalët e Nefit i përshkruajnë më së miri këta anëtarë të atëhershëm besnikë të Kishës: “Dhe të tjerë ai do t’i paqësojë dhe do t’i përkundë në siguri trupore, që ata do të thonë: Gjithçka është mirë në Sion”10.

Siguria trupore kërkon dhe mirëbeson te gjërat e botës në vend të Krishtit, me fjalë të tjera, sheh përmes thjerrave laikë në vend të thjerrave shpirtërorë. Fryma e Shenjtë na jep aftësinë për t’i parë “gjëra[t] ashtu siç janë në të vërtetë dhe … ashtu siç do të jenë në të vërtetë”11. Vetëm “nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, [ne] mund të di[më] të vërtetën e të gjitha gjërave”12 dhe të mos mashtrohemi. Ne e vëmë Krishtin në qendër të jetës sonë dhe ia zotojmë Atij gatishmërinë tonë për t’iu bindur urdhërimeve të Tij, jo ngaqë jemi të verbuar por sepse mund të shohim.13

Po virgjëreshat budallaçka? Përse nuk ishin të gatshme që të mbanin një enë me vaj shpirtëror? A e shtynë thjesht për më vonë? Ndoshta ato ishin tepër rastësore ngaqë ishte diçka e pavolitshme për to ose u dukej e panevojshme. Cilado të jetë arsyeja, ato u mashtruan për rolin vendimtar të Krishtit. Ky është mashtrimi kryesor i Satanit dhe shkaku pse llambat e tyre të dëshmisë u shuan si përfundim për shkak të mungesës së vajit shpirtëror. Kjo shëmbëlltyrë është një metaforë për kohën tonë. Shumë veta largohen nga Shpëtimtari dhe besëlidhjet e tyre përpara se të largohen nga Kisha e Tij.

Jetojmë në kohë të paprecedentë të parashikuar shumë kohë më parë nga profetët e lashtë, një kohë kur Satani do të tërbohet “në zemrat e fëmijëve të njerëzve dhe do t’i nxitë në zemërim kundër asaj që është e mirë”14. Kaq shumë prej nesh jetojnë në një botë virtuale plot me materiale zbavitëse dhe mesazhe armiqësore ndaj identitetit hyjnor dhe besimit te Krishti.

Ndikimi më i fuqishëm shpirtëror në jetën e një fëmije është shembulli i drejtë i prindërve dhe gjyshërve të dashur, të cilët i mbajnë me besnikëri besëlidhjet e tyre të shenjta. Prindërit e ndërgjegjshëm u mësojnë fëmijëve të tyre besimin te Zoti Jezu Krisht, që edhe ata “të mund dinë se cilit burim t’i drejtohen për heqjen e mëkateve të tyre”15. Mbajtja e besëlidhjeve në mënyrë rastësore dhe të paqëndrueshme çon në rastësi shpirtërore. Dëmi shpirtëror shpesh është më i madh te fëmijët dhe nipërit e mbesat tona. Prindër dhe gjyshër, a jemi ende të gatshëm?

Presidenti Rasëll M. Nelson ka paralajmëruar se “në ditët e ardhshme, nuk do të jetë e mundur të mbijetojmë shpirtërisht pa ndikimin udhërrëfyes, drejtues, ngushëllues dhe të vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë”16. Ky është një paralajmërim i qartë dhe i pagabueshëm për t’i përgatitur llambat tona dhe rritur rezervat tona të vajit shpirtëror. A jemi ende të gatshëm t’i ndjekim profetët e gjallë? Cili është niveli i vajit shpirtëror në llambën tuaj? Cilat ndryshime në jetën tuaj personale do të bënin të mundur që të keni ndikimin e Frymës së Shenjtë më vazhdimisht?

Sot, ashtu si në kohët e Jezusit, do të ketë nga ata që do të kthejnë shpinën, që nuk do të jenë të gatshëm ta pranojnë çmimin e dishepullimit. Ndërkohë që niveli i kritikave të ashpra dhe me urrejtje ndaj Kishës së Shpëtimtarit dhe ndaj atyre që e ndjekin Atë rritet, dishepullimi ynë do të kërkojë gatishmëri më të madhe për ta drejtuar dhe forcuar shtyllën tonë shpirtërore dhe për të mos ua vënë veshin atyre.17

Nëse themeli ynë shpirtëror ndërtohet fort mbi Jezu Krishtin, ne nuk do të biem dhe nuk ka përse të kemi frikë.

“Vini re, Zoti kërkon zemrën dhe një mendje të gatshme; dhe të gatshmit dhe të bindurit do të hanë të mirat e tokës së Sionit në këto ditë të fundit.”18

Qofshim gjithmonë të gatshëm! Në emrin e shenjtë të Zotit Jezu Krisht, amen.