Konferenca e Përgjithshme
Ndiqeni Jezu Krishtin me Hapa Besimi
konferenca e përgjithshme e tetorit 2022


Ndiqeni Jezu Krishtin me Hapa Besimi

Krishti mund të na mbartë sot gjatë kohëve të vështira. Ai e bëri këtë për pionierët e hershëm dhe Ai e bën atë tani për secilin prej nesh.

Falënderoj korin që këndoi këngën “Faith in Every Footstep” [“Besim në Çdo Hap”]. Muzika dhe fjalët e asaj kënge u shkruan në vitin 1996 nga vëllai Njuëll Deili1 në përgatitje për kremtimin e përvjetorit të 150‑të të mbërritjes së pionierëve të hershëm në luginën e Solt‑Lejkut në vitin 1847.

Ndonëse kjo këngë u shkrua në përgatitje për atë kremtim, mesazhi i saj gjen zbatim për të gjithë botën.

Më ka pëlqyer gjithnjë shumë refreni:

“Me besim në çdo hap, ndjekim Krishtin Zot,

Dhe plot shpresë prej dashurisë së Tij të pastër, njëzëri këndojmë”2.

Vëllezër dhe motra, dëshmoj se, ndërsa e ndjekim Jezu Krishtin me hapa besimi, ka shpresë. Ka shpresë te Zoti Jezu Krisht. Ka shpresë për të gjithë në këtë jetë. Ka shpresë për t’i kapërcyer gabimet tona, hidhërimet tona, mundimet tona dhe sprovat e telashet tona. Ka shpresë te pendimi dhe të qenit të falur dhe te falja e të tjerëve. Dëshmoj se ka shpresë dhe paqe në Krisht. Ai mund të na mbartë sot gjatë kohëve të vështira. Ai e bëri këtë për pionierët e hershëm dhe Ai do ta bëjë këtë tani për secilin prej nesh.

Ky vit shënon përvjetorin e 175‑të të mbërritjes së pionierëve të hershëm në luginën e Solt‑Lejkut, gjë që më ka bërë të reflektoj mbi paraardhësit e mi, disa prej të cilëve ecën në këmbë nga Navuja drejt luginës së Solt‑Lejkut. Kam stërgjyshër që ecën në këmbë përmes rrafshinave të Amerikës në rininë e tyre. Henri Ballardi ishte 20 vjeç3; Margaret Mek-Nili ishte 13 vjeçe4 dhe Jozef F. Smithi, që më vonë u bë Presidenti i gjashtë i Kishës, ishte veç 9 vjeç kur mbërriti në luginën e Solt‑Lejkut5.

Ata u përballën me zvetënim të çdo lloji përgjatë rrugës, të tilla si dimra të ftohtë, sëmundje dhe mungesë të ushqimit e veshmbathjeve të përshtatshme. Për shembull, kur Henri Ballardi hyri në Luginën e Solt‑Lejkut, ai u gëzua kur e pa “Tokën e Premtuar”, por jetonte me frikën se dikush mund ta shihte atë për shkak se veshja që kishte, ishte aq e grisur sa nuk ia mbulonte trupin plotësisht. Ai u fsheh prapa ferrave gjithë ditën deri pasi u errësua. Pastaj shkoi në një shtëpi dhe lypi veshmbathje që të mund ta vazhdonte udhëtimin dhe të gjente prindërit. Ai i qe mirënjohës Perëndisë që kishte arritur i sigurt në shtëpinë e tij të ardhshme.6

Stërgjyshërit e mi e ndoqën Jezu Krishtin me hapa besimi gjatë secilës nga sprovat e tyre. U jam mirënjohës atyre që nuk u dorëzuan kurrë. Hapat e tyre të besimit më kanë bekuar mua dhe brezat pasues, njësoj si hapat tuaj të besimit sot do të bekojnë pasardhësit tuaj.

Fjala pionier nënkupton një emër dhe një koncept. Si emër mund të nënkuptojë një person i cili është nga të parët që eksploron ose vendoset në një territor të ri. Si koncept, mund të nënkuptojë hapjen ose përgatitjen e udhës për t’u ndjekur nga të tjerët.7

Ndërsa mendoj rreth pionierëve që kanë përgatitur udhën për të tjerët, mendoj së pari për Profetin Jozef Smith. Jozefi qe një pionier për shkak se hapat e tij të besimit e udhëhoqën atë drejt një korijeje pemësh, ku u gjunjëzua në lutje dhe na hapi udhën që të kemi plotësinë e ungjillit të Jezu Krishtit. Besimi i Jozefit për të “kërk[uar] nga Perëndia”8 atë mëngjes pranvere në vitin 1820, hapi udhën për Rivendosjen e plotësisë së ungjillit të Jezu Krishtit, që përfshiu profetë dhe apostuj të thirrur për të shërbyer në tokë sërish.9 Unë e di se Jozef Smithi është një profet i Perëndisë. E di se hapat e tij plot besim e çuan drejt gjunjëzimit në praninë e Perëndisë, Atit, dhe Birit të Tij të Dashur, Jezu Krishtit.

Hapat me besim të Profetit Jozef i mundësuan të ishte mjeti i Zotit për nxjerrjen në dritë të Librit të Mormonit, i cili është një dëshmi tjetër e Jezu Krishtit dhe e hirit të Tij shlyes.

Nëpërmjet besimit dhe ngulmit të Jozef Smithit përballë vështirësive dhe kundërshtimeve të jashtëzakonshme, ai qe në gjendje të ishte një mjet në duart e Zotit për themelimin e Kishës së Jezu Krishtit edhe një herë në tokë.

Gjatë konferencës së fundit të përgjithshme, fola rreth faktit se si më bekoi shërbimi im misionar kohëplotë. U bekova ndërsa jepja mësim rreth planit të lavdishëm të Atit tonë Qiellor për shpëtimin, rreth Vegimit të Parë të Jozef Smithit dhe përkthimit prej tij të Librit të Mormonit. Këto mësime dhe kjo doktrinë e rivendosur udhërrëfyen hapat e mi të besimit kur u jepja mësim atyre që qenë të gatshëm ta dëgjonin mesazhin e Rivendosjes së ungjillit.

Misionarët tanë sot janë pionierë bashkëkohorë për shkak se ata ua shpërndajnë këtë mesazh të lavdishëm njerëzve përqark botës, duke e hapur kështu udhën për fëmijët e Atit tonë Qiellor që ata ta njohin Atë dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin. Pranimi i ungjillit të Jezu Krishtit ia hap udhën gjithkujt që të përgatitet dhe të marrë ordinancat dhe bekimet e Kishës dhe tempullit.

Në konferencën e përgjithshme të shkuar, Presidenti Rasëll M. Nelson ripohoi “se Zoti i ka kërkuar çdo të riu të denjë dhe të aftë të përgatitet dhe të shërbejë në një mision” dhe se “misioni është gjithashtu një mundësi e fuqishme, por me dëshirë” për “motrat e reja dhe të afta”10.

Të dashur të rinj e të reja, hapat tuaj me besim do t’ju ndihmojnë ta pranoni ftesën e Zotit për të shërbyer në misione, për të qenë pionierë bashkëkohorë, duke ua hapur udhën fëmijëve të Perëndisë që ta gjejnë dhe të qëndrojnë në shtegun e besëlidhjeve që i kthen në praninë e Tij të lavdishme.

Presidenti Nelson ka qenë një pionier në Kishë. Si Apostull, ai ka udhëtuar në shumë toka dhe i ka hapur ato për predikimin e ungjillit. Pak pasi u bë profeti dhe Presidenti i Kishës, ai na u lut ta “rrit[im] aftësinë [tonë] shpirtërore për të marrë zbulesë”11. Ai vazhdon të na mësojë që t’i forcojmë dëshmitë tona. Në një takim shpirtëror për të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore, ai tha:

“Ju përgjërohem që ta merrni mbi vete përgjegjësinë për dëshminë tuaj. Punoni për të. Zotërojeni atë. Kujdesuni për të. Kultivojeni me qëllim që ajo të rritet. …

[Pastaj] vëzhgoni për mrekulli që do të ndodhin në jetën tuaj.”12

Ai po na mëson si të bëhemi më të mbështetur te vetja nga ana shpirtërore. Ai ka thënë se “në ditët e ardhshme, nuk do të jetë e mundur të mbijetojmë shpirtërisht pa ndikimin udhërrëfyes, drejtues, ngushëllues dhe të vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë”13.

Unë dëshmoj se Presidenti Rasëll M. Nelson është profeti i Perëndisë në tokë sot.

Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, është pionieri kryesor në përgatitjen e udhës. Njëmend, Ai është “udha”14 që të përmbushet plani i shpëtimit në mënyrë që ne të mund të pendohemi dhe, nëpërmjet besimit tek Ai, të kthehemi tek Ati ynë Qiellor.

Jezusi tha: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje”15. Ai ka premtuar të mos na lërë bonjakë; Ai do të vijë te ne gjatë sprovave tona.16 Ai na ka ftuar të “vij[m]ë tek [Ai] me qëllim të plotë të zemrës, dhe [Ai] do t[ë na] shëroj[ë]”17.

Unë dëshmoj se Jezu Krishti është Shpëtimtari ynë dhe Shëlbuesi ynë, Avokati ynë me Atin. Ati ynë Qiellor na ka hapur udhën që të kthehemi tek Ai duke e ndjekur Birin e Tij të Dashur, Jezu Krishtin, me besim në çdo hap.

Stërgjyshërit e mi dhe pionierë të tjerë të hershëm u përballën me shumë pengesa ndërsa erdhën me qerre, karroca dore dhe në këmbë në luginën e Solt‑Lejkut. Ne gjithashtu do të përballemi me sfida në rrugëtimet tona individuale gjatë jetës. Ne nuk po shtyjmë karroca dore e as po ngasim qerre të mbuluara nëpër male të thepisura dhe përmes pirgjesh të thella dëbore; ne po përpiqemi, sikurse ata, që t’i kapërcejmë shpirtërisht tundimet dhe sfidat e kohës sonë. Kemi shtigje për të shkelur; kemi kodra dhe nganjëherë male për t’i ngjitur. Ndonëse sprovat sot janë të ndryshme nga ato të pionierëve të hershëm, ato nuk janë më pak sfiduese për ne.

Është e rëndësishme ta ndjekim profetin dhe t’i mbajmë këmbët të ngulura me vendosmëri në shtegun e besëlidhjeve të besnikërisë, sikurse ishte për pionierët e hershëm.

Le ta ndjekim Jezu Krishtin me besim në çdo hap! Nevojitet që t’i shërbejmë Zotit dhe t’i shërbejmë njëri‑tjetrit. Nevojitet që të forcohemi shpirtërisht duke i mbajtur dhe nderuar besëlidhjet tona. Nuk duhet ta humbasim ndjesinë e ngutjes për të zbatuar urdhërimet. Satani përpiqet ta topitë zotimin tonë dhe dashurinë tonë për Perëndinë dhe për Zotin Jezu Krisht. Ju lutem, mbajeni mend se nëse ndokush mund ta humbasë udhën, ne kurrë nuk do të jemi të humbur për Shpëtimtarin tonë. Me bekimin e pendimit, ne mund t’i drejtohemi Atij. Ai do të na ndihmojë të mësojmë, të rritemi dhe të ndryshojmë ndërsa përpiqemi të qëndrojmë në shtegun e besëlidhjeve.

Ecshim përherë në hapat e Jezu Krishtit dhe, me besim në çdo hap tonin, u përqendrofshim tek Ai, duke i mbajtur këmbët të ngulura me vendosmëri në shtegun e besëlidhjeve, është lutja ime e përulur në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih K. Newell Dayley, “Faith in Every Footstep”, Ensign, janar 1997, f. 15; Liahona, shkurt 1997, f. 22–23.

  2. Dayley, “Faith in Every Footstep”, Ensign, janar 1997, f. 15; Liahona, shkurt 1997, f. 23.

  3. Shih Henry Ballard diary, L. Tom Perry Special Collections, Harold B. Lee Library, Brigham Young University, Provo, Utah, archives.lib.byu.edu/repositories/ltpsc/resources/upb_msssc998.

  4. Shih “A ‘Small Glimpse’ into Pioneer Experiences”, Church News, 15 qershor 1996, thechurchnews.com.

  5. Shih Teachings of Presidents of the Church: Joseph F. Smith (1998), f. xiv.

  6. Shih Douglas O. Crookston, red., Henry Ballard: The Story of a Courageous Pioneer, 1832–1908 (1994), f. 14–15.

  7. Shih Merriam-Webster.com Dictionary, “pioneer”.

  8. Jakob [Bibël] 1:5.

  9. Shih te Joseph Smith – Historia 1:5–20.

  10. Rasëll M. Nelson, “Preadikimi i Ungjillit të Paqes”, Liahona, maj 2022, f. 6; theksimi origjinal është hequr.

  11. Rasëll M. Nelson, “Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Liahona, maj 2018, f. 96.

  12. Rasëll M. Nelson, “Zgjedhjet për Përjetësinë” (takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë në moshë madhore, 15 maj 2022), broadcasts.ChurchofJesusChrist.org.

  13. Rasëll M. Nelson, “Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, f. 96.

  14. Gjoni 14:6.

  15. Gjoni 14:6.

  16. Shih te Gjoni 14:16–18.

  17. 3 Nefi 18:32.