Konferenca e Përgjithshme
Përgjigjja Është Jezusi
konferenca e përgjithshme e tetorit 2022


Përgjigjja Është Jezusi

Pavarësisht sa të vështira apo pështjelluese mund të jenë sfidat, ju gjithmonë mund të mbani mend se përgjigjja është e thjeshtë; është gjithmonë Jezusi.

Çfarë nderi t’ju flas në këtë sesion konference. Sot ju drejtohem si miq. Në Ungjillin sipas Gjonit, Shpëtimtari dha mësim se ne jemi miqtë e Tij nëse bëjmë atë që Ai na kërkon të bëjmë.1

Është dashuria jonë individuale dhe kolektive për Shpëtimtarin, si dhe besëlidhjet tona me Të, që na lidhin së bashku. Siç dha mësim Presidenti Henri B. Ajring: “Juve, dua t’ju them se sa shumë Zoti ju do dhe ju [mirëbeson]. Dhe, për më tepër, unë dua t’ju tregoj se sa shumë Ai mbështetet tek ju.”2

Kur u thirra si Autoritet i Përgjithshëm nga Presidenti Rasëll M. Nelson, u mbusha me emocione. Ishte shumë emocionuese. Bashkëshortja ime, Xhuli, dhe unë e pritëm me ankth sesionin e pasdites të së shtunës të konferencës së përgjithshme. Ishte një përvojë përulëse që të mbështetesha [për thirrjen]. Numëroja me kujdes hapat për në ndenjësen time të caktuar, që të mos rrëzohesha në detyrën time të parë.

Në përfundim të atij sesioni, ndodhi diçka që pati një ndikim të thellë tek unë. Anëtarët e kuorumit formuan një rresht dhe i përshëndetën një e nga një Autoritetet e reja të Përgjithshme. Secili tregoi dashurinë dhe mbështetjen e vet. Me një abrazo [përqafim] të përzemërt ata thanë: “Mos u shqetëso – ti përket”.

Në marrëdhënien tonë me Shpëtimtarin, Ai shikon zemrën dhe “nuk tregohet i anshëm”3. Merrni parasysh se si Ai i zgjodhi Apostujt e Tij. Ai nuk iu kushtoi vëmendje pozitës apo pasurisë. Ai na fton ta ndjekim Atë dhe besoj se Ai na jep siguri që ne të përkasim me Të.

Ky mesazh gjen zbatim veçanërisht për rininë e Kishës. Unë shoh te ju atë që Presidenti Nelson sheh te ju. Ai tha se “ka diçka pamohueshmërisht të veçantë te ky brez rinie. Ati juaj Qiellor duhet të ketë besim të madh tek ju që t’ju dërgojë në tokë në këtë kohë. Ju keni lindur për madhështi!”4

Jam mirënjohës për atë që mësoj nga rinia. Jam mirënjohës për atë që më mësojnë fëmijët e mi, për atë që më mësojnë misionarët tanë dhe për atë që më mësojnë mbesat dhe nipat e mi.

Jo shumë kohë më parë, po punoja në fermën tonë me nipin tim, Neshin. Ai është gjashtë vjeç dhe ka një zemër të kulluar. Është nipi im i parapëlqyer me emrin Nesh dhe besoj se jam xhaxhai i tij i parapëlqyer që flet sot në konferencë.

Ndërsa më ndihmoi të gjeja një zgjidhje për projektin tonë, unë thashë: “Nesh, kjo është një ide e mrekullueshme. Si u bëre kaq i zgjuar?” Ai më pa me një shprehje në sy që thoshte: “Xhaxha Rajën, si nuk e di përgjigjen e kësaj pyetjeje?”

Thjesht ngriti supet, buzëqeshi dhe tha me vetëbesim: “Jezusi”.

Neshi më kujtoi atë ditë këtë mësim të thjeshtë e prapëseprapë të thellë. Përgjigjja për pyetjet më të thjeshta dhe për problemet më të ndërlikuara është përherë e njëjtë. Përgjigjja është Jezu Krishti. Çdo zgjidhje gjendet tek Ai.

Në Ungjillin sipas Gjonit, Shpëtimtari u tha dishepujve të Tij se Ai do të përgatiste një vend për ta. Thomai u pështjellua dhe i tha Shpëtimtarit:

“Zot, ne nuk e dimë se ku po shkon; pra, si mund ta njohim udhën?

Jezusi i tha: ‘Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje’.”5

Shpëtimtari u mësoi dishepujve të Tij se Ai është “udha, e vërteta dhe jeta”. Ai është përgjigjja për pyetjen se si të vijmë tek Ati Qiellor. Fitimi i një dëshmie për rolin e Tij hyjnor në jetën tonë ishte diçka që e mësova kur isha i ri.

Teksa po shërbeja si misionar në Argjentinë, Presidenti Hauard W. Hanter na ftoi të bënim diçka që pati një ndikim të thellë në jetën time. Ai tha: “Ne duhet ta njohim Krishtin më mirë sesa e njohim; ne duhet ta kujtojmë Atë më shpesh sesa e kujtojmë; ne duhet t’i shërbejmë Atij më me guxim sesa i shërbejmë tani”6.

Në atë kohë, isha i shqetësuar se si të bëhesha një misionar më i mirë. Kjo ishte përgjigjja: ta njihja Krishtin, ta kujtoja Atë dhe t’i shërbeja Atij. Misionarët kudo në botë janë të bashkuar në këtë qëllim: t’i “ftojnë të tjerët të vijnë te Krishti duke i ndihmuar ata të marrin ungjillin e rivendosur nëpërmjet besimit [tek Ai] dhe Shlyerjes së Tij” si dhe nëpërmjet “pendimit, pagëzimit, marrjes së dhuratës së Frymës së Shenjtë dhe durimit deri në fund”7. Miqve tanë të cilët po i dëgjojnë misionarët, u shtoj ftesën time për të ardhur te Krishti. Së bashku ne do të përpiqemi fort ta njohim Atë, ta kujtojmë Atë dhe t’i shërbejmë Atij.

Shërbimi në një mision ishte një kohë e shenjtë e jetës sime. Në intervistën time të fundit me të si misionar kohëplotë, Presidenti Bler Pinkok foli për ndryshimin e ardhshëm në udhëheqësit e misionit, pasi ai dhe bashkëshortja e tij ishin gjithashtu pranë përfundimit të shërbimit të tyre. Ishim të dy të trishtuar që po linim diçka që e donim aq shumë. Mund ta shihte se isha i shqetësuar kur mendoja se nuk do të isha më një misionar kohëplotë. Ishte një njeri me besim të madh dhe më mësoi me dashuri ashtu si më kishte mësuar për dy vjet. Tregoi me gisht drejt fotografisë së Jezu Krishtit mbi tavolinën e tij dhe tha: “Plaku Olsen, gjithçka do të jetë mirë, sepse kjo është vepra e Tij”. Fitova sërish siguri duke e ditur se Shpëtimtari do të na ndihmojë, jo vetëm kur po shërbejmë, por gjithmonë, nëse do ta lejojmë Atë.

Motra Pinkok na mësoi nga thellësia e zemrës së saj me frazat më të thjeshta në spanjisht. Kur ajo thoshte: “Jesucristo vive” [“Jezu Krishti jeton”], e dija se ishte e vërtetë dhe se Ai jetoi. Kur ajo thoshte: “Elderes y hermanas, les amo” [“Eldëra dhe motra, ju dua”], e dija se ajo na donte dhe dëshironte që ne ta ndiqnim gjithmonë Shpëtimtarin.

Bashkëshortja ime dhe unë u bekuam kohët e fundit që të shërbenim si udhëheqës misioni për të punuar me misionarët e shkëlqyer në Uruguai. Do të thosha se këta ishin misionarët më të mirë në botë dhe kam besim se çdo udhëheqës misioni ndihet kështu. Këta dishepuj na mësonin çdo ditë rreth ndjekjes së Shpëtimtarit.

Gjatë intervistave të rregullta, njëra nga motrat tona të mrekullueshme misionare hyri në zyrë. Ajo ishte një misionare e suksesshme, një trajnuese e shkëlqyer dhe një udhëheqëse e përkushtuar. Shoqet e saj i kishin sytë tek ajo dhe njerëzit e donin. Ishte e bindur, e përulur dhe me besim te vetja. Takimet tona të mëparshme u përqendruan te zona e saj dhe njerëzit që ajo po i mësonte. Këtë herë ishte ndryshe. Kur e pyeta se si po kalonte, mund ta dalloja se ishte e shqetësuar. Ajo tha: “Presidenti Olsen, nuk e di nëse mund ta bëj këtë. Nuk e di nëse do të jem ndonjëherë mjaftueshëm e mirë. Nuk e di nëse mund të jem misionarja që Zoti ka nevojë që unë të jem.”

Ajo ishte një misionare mbresëlënëse. E shkëlqyer në çdo drejtim. Ëndrra e një presidenti misioni. Kurrë nuk u shqetësova për aftësitë e saj si misionare.

Teksa e dëgjova, e pata të vështirë që të dija se çfarë të thosha. U luta në heshtje: “Atë Qiellor, kjo është një misionare e shquar. Ajo është e Jotja. Ajo po e bën çdo gjë siç duhet. Nuk dua ta prish këtë gjë. Të lutem më ndihmo që të di se çfarë të them.”

Fjalët më erdhën. Thashë: “Hermana [Motër], më vjen shumë keq që ndihesh në këtë mënyrë. Më lër të të bëj një pyetje. Nëse do të kishe një shoqe që po i jepje mësim, e cila ndihej kështu, çfarë do t’i thoshe?”

Ajo pa nga unë dhe buzëqeshi. Me atë shpirt dhe bindje të pagabueshme misionare, ajo tha: “President, kjo është e lehtë. Do t’i thosha asaj se Shpëtimtari e njeh atë në mënyrë të përsosur. Do t’i thosha asaj se Ai jeton. Ai të do. Je mjaftueshëm e mirë dhe mund t’ia dalësh mbanë në këtë gjë!”

Me pak nënqeshje ajo tha: “Mendoj që, nëse kjo gjen zbatim për miqtë tanë, atëherë gjen zbatim edhe për mua”.

Kur kemi pyetje ose dyshime, mund të mendojmë se zgjidhjet janë shumë të ndërlikuara ose se gjetja e përgjigjeve është shumë pështjelluese. Le të mbajmë mend se kundërshtari, madje ati i të gjitha gënjeshtrave, është arkitekti i pështjellimit.8

Shpëtimtari është Mësuesi i thjeshtësisë.

Presidenti Nelson ka thënë:

“Kundërshtari është i zgjuar. Për mijëvjeçarë ai ka bërë që e mira të duket e keqe dhe e keqja të duket e mirë. Mesazhet e tij priren të jenë të zhurmshme, të guximshme dhe mburracake.

Mirëpo, mesazhet nga Ati ynë Qiellor janë qartësisht të ndryshme. Ai komunikon me thjeshtësi, qetësi dhe me një qartësi të tillë mahnitëse saqë ne nuk mund ta keqkuptojmë Atë.”9

Sa mirënjohës jemi që Perëndia na deshi aq shumë sa dërgoi Birin e Tij. Ai është përgjigjja.

Presidenti Nelson kohët e fundit ka thënë:

“Ungjilli i Jezu Krishtit nuk është dashur kurrë më shumë sesa sot. …

… Kjo nënvizon nevojën urgjente që ne të ndjekim udhëzimin e Zotit ndaj dishepujve të Tij që të ‘d[alin] … në mbarë botën dhe [t’ia] prediko[jnë] ungjillin çdo krijese’.”10

Atyre që do të zgjedhin të shërbejnë, unë mund t’u dëshmoj për bekimet që do t’u vijnë teksa ia vënë veshin thirrjes së një profeti. Shërbimi nuk ka të bëjë me ju; ka të bëjë me Shpëtimtarin. Ju do të thirreni në një vend, por më e rëndësishmja do të thirreni në një popull. Ju do të keni përgjegjësinë dhe bekimin e madh për të ndihmuar miq të rinj që të kuptojnë se përgjigjja është Jezusi.

Kjo është Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe ky është vendi ku ne përkasim. Gjithçka që Presidenti Nelson na nxit me dashuri të bëjmë, do të na çojë më pranë Shpëtimtarit.

Të rinjve e të rejave tona madhështore, përfshirë edhe nipit tim Neshi, [u them:] Gjatë gjithë jetës suaj, pavarësisht sa të vështira apo pështjelluese mund të jenë sfidat, ju gjithmonë mund të mbani mend se përgjigjja është e thjeshtë: është gjithmonë Jezusi.

Siç i kam dëgjuar ata të cilët ne i mbështetim si profetë, shikues e zbulues, të thonë në shumë raste, edhe unë ju them se ne ju duam, ju falënderojmë dhe kemi nevojë për ju. Ky është vendi ku përkisni.

E dua Shpëtimtarin. Jap dëshmi për emrin e Tij, madje Jezu Krishtin. Dëshmoj se Ai është “autori dhe plotësonjësi i besimit tonë”11 dhe Ai është Mësuesi i thjeshtësisë. Përgjigjja është Jezusi. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.