Konferenca e Përgjithshme
Dhe Ata Kërkuan të Shihnin se Kush Ishte Jezusi
konferenca e përgjithshme e tetorit 2022


Dhe Ata Kërkuan të Shihnin se Kush Ishte Jezusi

Unë dëshmoj se Jezusi jeton, se Ai na njeh dhe se Ai ka fuqinë për të shëruar, për të shndërruar dhe për të falur.

Vëllezër, motra dhe miq, në vitin 2013, unë, bashkë me gruan time, Lorelin, u thirrëm të shërbenim si udhëheqës të misionit në Misionin e Çekisë/Sllovakisë. Të katër fëmijët tanë shërbyen me ne.1 U bekuam si familje me misionarë të shkëlqyer dhe me shenjtorë të mrekullueshëm çekë e sllovakë. Ne i duam ata.

Kur familja jonë hyri në fushën e misionit, morëm me vete diçka që e dha mësim Plaku Xhozef B. Uirthlin. Në një bisedë të titulluar “Urdhërimi i Madh”, Plaku Uirthlin pyeti: “A e doni Zotin?” Këshilla e tij për ata prej nesh që do të përgjigjeshin “po” ishte e thjeshtë dhe e thellë: “I kushtoni kohë Atij. Meditoni për fjalët e Tij. Merrni mbi vete zgjedhën e Tij. Përpiquni të kuptoni dhe të bindeni.”2 Më pas, Plaku Uirthlin u premtoi bekime shndërruese atyre që ishin të gatshëm t’i kushtonin kohë dhe bënin vend Jezu Krishtit.3

I morëm seriozisht këshillën dhe premtimin e Plakut Uirthlin. Bashkë me misionarët tanë, shpenzuam kohë të gjatë me Jezusin, duke studiuar te librat Mateu, Marku, Lluka dhe Gjoni nga Dhiata e Re dhe 3 Nefi nga Libri i Mormonit. Në fund të çdo mbledhjeje me misionarët, u gjendëm përsëri në ato që u referoheshim si leximi, diskutimi, marrja në shqyrtim dhe të mësuarit rreth Jezusit nga “Pesë Ungjijtë”4.

Për mua, për Lorelin dhe për misionarët tanë, kalimi i kohës me Jezusin në shkrimet e shenjta ndryshoi gjithçka. Ne fituam një vlerësim më të thellë për faktin se kush ishte Ai dhe çfarë ishte e rëndësishme për Të. Së bashku morëm në shqyrtim faktin se si dha mësim Ai, çfarë dha mësim Ai, mënyrat se si Ai tregoi dashuri, çfarë bëri Ai për të bekuar dhe shërbyer, mrekullitë e Tij, si reagoi Ai ndaj tradhtisë, çfarë bëri Ai me emocionet e vështira njerëzore, titujt dhe emrat e Tij, se si Ai dëgjoi, se si Ai e zgjidhi konfliktin, botën në të cilën jetoi Ai, shëmbëlltyrat e Tij, se si Ai inkurajoi unitet e dashamirësi, aftësinë e Tij për të falur dhe për të shëruar, predikimet e Tij, lutjet e Tij, flijimin e Tij shlyes, Ringjalljen e Tij, ungjillin e Tij.

Shpeshherë ndihemi si Zakeu “shtatshkurtër” që vrapoi për të hipur në një pemë fiku ndërsa Jezusi kaloi nëpër Jeriko sepse, siç e përshkroi Lluka, ne “kërkon[im] të shih[nim se] kush ishte Jezusi”5. Jezusi nuk ishte si Ai që donim ose dëshironim që Ai të ishte, por përkundrazi Jezusi siç ishte dhe është në të vërtetë.6 Ashtu siç kishte premtuar Plaku Uirthlin, ne mësuam në një mënyrë shumë reale se “ungjilli i Jezu Krishtit është një ungjill i shndërrimit. Ai na merr ne si burra dhe gra të tokës dhe na pastron duke na bërë njerëz të përjetësitë.”7

Ato ishin ditë të veçanta. Ne arritëm të besonim se “me Perëndinë asgjë s’është e pamundshme”8. Pasditet e shenjta në Pragë, Bratislavë ose Bërno, duke përjetuar fuqinë dhe realitetin e Jezusit, vazhdojnë të kenë ndikim të fuqishëm në të gjithë jetën tonë.

Shpesh studiuam vargjet te Marku 2:1–12. Historia atje të ngjall kureshtjen. Dua të lexoj një pjesë të saj drejtpërdrejt nga Marku dhe pastaj të tregoj si kam arritur ta kuptoj pas një studimi dhe diskutimi gjithëpërfshirës me misionarët tanë dhe të tjerë.9

“Pas disa ditësh [Jezusi] erdhi përsëri në Kapernaum dhe u muar vesh se ai gjendej në shtëpi;

dhe menjëherë u mblodhën aq shumë njerëz, sa nuk gjeje më vend as përpara derës; dhe ai u predikonte Fjalën.

Atëh[e]rë i erdhën disa që i paraqitën një të paralizuar, që po e bartnin katër vetë.

Por, duke qenë se nuk mund t’i afroheshin për shkak të turmës, zbuluan çatinë në vendin ku ndodhej Jezusi dhe, mbasi hapën një vrimë, e lëshuan vigun mbi të cilin rrinte shtrirë i paralizuari.

Jezusi, kur pa besimin e tyre, i tha të paralizuarit: ‘O bir, mëkatet e tua të janë falur!’”

Pas një shkëmbimi me disa njerëz në turmë10, Jezusi e shikon burrin e paralizuar dhe e shëron fizikisht, duke thënë:

“Unë po të them (i tha të paralizuarit): Çohu, merre vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde!

Dhe ai u ngrit menjëherë, mori vigun e vet dhe doli përjashta në praninë e të gjithëve dhe kështu të gjithë u habitën dhe lëvduan Perëndinë duke thënë: ‘Një gjë të tillë s’e kemi parë kurrë!’”11

Tani do të tregoj si kam arritur ta kuptoj historinë: Në fillim të shërbesës së Tij, Jezusi u kthye në Kapernaum, një fshat i vogël peshkimi që ndodhej në bregun verior të detit të Galilesë.12 Kohët e fundit, Ai kishte kryer një sërë mrekullish duke shëruar të sëmurë dhe duke dëbuar frymërat e liga.13 Të etur për ta dëgjuar dhe për ta përjetuar nga afër njeriun që quhej Jezus, banorët e fshatit u mblodhën në shtëpinë ku u përhap fjala se Ai qëndronte.14 Ndërsa u mblodhën, Jezusi filloi të jepte mësim.15

Në atë kohë, shtëpitë në Kapernaum ishin banesa me çati të sheshtë dhe njëkatëshe, të grupuara së bashku.16 Çatia dhe muret ishin një ndërthurje e gurit, drurit, argjilës dhe kashtës, tek të cilat mund të hipje nga një palë shkallë të thjeshta anash shtëpisë.17 Turma në shtëpi u shtua shpejt, mbushi dhomën ku po jepte mësim Jezusi dhe u përhap deri në rrugë.18

Historia përqendrohet te burri “i paralizuar” dhe katër miqtë e tij.19 Paraliza është një formë bllokimi, shpesh e shoqëruar me dobësi trupore dhe dridhje.20 E imagjinoj njërin nga të katërt që u thotë të tjerëve: “Jezusi është në fshatin tonë. Të gjithë e dimë për mrekullitë që Ai ka kryer dhe ata që Ai i ka shëruar. Sikur të mund ta çonim mikun tonë te Jezusi, ndoshta edhe ai mund të shërohet.”

Prandaj, secili kap një cep të shtrojës ose shtratit të mikut të tyre dhe fillojnë ta mbajnë atë nëpër rrugët dredha-dredha, të ngushta e të pashtruara të Kapernaumit.21 Me muskujt që iu dhembnin, ata marrin kthesën e fundit vetëm për të zbuluar se grumbulli ose, siç e quan shkrimi i shenjtë, “turm[a]” e njerëzve të mbledhur për të dëgjuar është kaq e madhe, saqë është e pamundur të shkojnë te Jezusi.22 Me dashuri dhe besim, të katërt ata nuk dorëzohen. Përkundrazi, i ngjitin shkallët për në çatinë e sheshtë, e ngrenë me kujdes mikun me gjithë shtratin e tij, e prishin çatinë mbi dhomën ku Jezusi po jep mësim dhe e ulin poshtë mikun e tyre.23

Merreni parasysh se, në mes të atij që duhet të ketë qenë një çast serioz mësimdhënieje, Jezusi dëgjon një zhurmë gërvishtëse, ngre sytë dhe sheh një vrimë që sa vinte e zmadhohej në tavan, ndërsa pluhuri dhe kashta bien në dhomë. Më pas burrin e paralizuar mbi shtrat e zbresin në dysheme. Në mënyrë të jashtëzakonshme, Jezusi e sheh qartë se kjo nuk është një ndërprerje, por përkundrazi diçka që ka rëndësi. Ai e vështron burrin në shtrat, i fal publikisht mëkatet e tij dhe e shëron fizikisht.24

Duke e pasur në mendje këtë tregim te Marku 2, disa të vërteta të rëndësishme bëhen të qarta për Jezusin si Krishti. Së pari, kur përpiqemi ta ndihmojmë dikë që e duam të vijë te Krishti, mund ta bëjmë këtë me sigurinë se Ai ka aftësinë ta heqë barrën e mëkatit dhe të falë. Së dyti, kur i sjellim te Krishti sëmundjet fizike, emocionale ose sëmundje të tjera, mund ta bëjmë këtë duke e ditur se Ai ka fuqinë të shërojë dhe ngushëllojë. Së treti, kur bëjmë përpjekje si ata katër burra për t’i çuar të tjerët te Krishti, mund ta bëjmë këtë me sigurinë se Ai i sheh qëllimet tona të vërteta dhe do t’i nderojë në mënyrën e duhur.

Mos harroni, mësimdhënia e Jezusit u ndërpre nga shfaqja e një vrime në çati. Në vend që t’i qortonte ose dëbonte për ndërprerjen ata të katërt që bënë vrimën, shkrimi i shenjtë na thotë se “Jezusi [e] pa besimin e tyre”25. Ata që e dëshmuan mrekullinë më pas “u çuditën dhe lëvdonin Perëndinë, që u kishte dhënë pushtet të tillë njerëzve”26.

Vëllezër dhe motra, më lejoni ta mbyll me dy vëzhgime të tjera. Qoftë si misionarë, shërbestarë, presidente të Shoqatave të Ndihmës, peshkopë, mësues, prindër, vëllezër e motra ose miq, të gjithë jemi të përfshirë si dishepuj shenjtorë të ditëve të mëvonshme në veprën e sjelljes së të tjerëve te Krishti. Ndaj, cilësitë e shfaqura nga ata katër miq ia vlejnë të mbahen parasysh dhe të merren si shembull.27 Ata janë të guximshëm, njerëz që përshtaten, elastikë, krijues, të zhdërvjellët, plot shpresë, të vendosur, besnikë, optimistë, të përulur dhe të qëndrueshëm.

Veç këtyre, ata të katërt e vënë theksin te rëndësia shpirtërore e komunitetit dhe shoqërimit.28 Për ta sjellë mikun e tyre te Krishti, secili nga ata të katërt duhet të mbajë cepin e vet. Nëse njëri e lëshon, gjërat bëhen më të vështira. Nëse dy veta heqin dorë, detyra menjëherë bëhet e pamundur. Secili prej nesh ka një rol për të luajtur në mbretërinë e Perëndisë.29 Ndërsa e përmbushim atë rol dhe bëjmë pjesën tonë, ne e mbajmë cepin tonë. Qoftë në Argjentinë ose Vietnam, në Akra ose Brisbejn, në një degë apo lagje, në një familje ose një dyshe misionarësh, secili prej nesh ka një cep për të mbajtur. Ndërsa e bëjmë atë, dhe nëse do ta bëjmë, Zoti na bekon të gjithëve. Sikurse Ai e pa besimin e tyre, ashtu do ta shohë besimin tonë dhe do të na bekojë si popull.

Në periudha të ndryshme unë kam mbajtur cepin e një shtrati dhe në raste të tjera kam qenë unë atij të cilit ia kanë mbajtur cepin të tjerët. Pjesë e fuqisë së kësaj historie të jashtëzakonshme të Jezusit është se na kujton se sa shumë kemi nevojë për njëri‑tjetrin, si vëllezër e motra, që të vijmë te Krishti dhe të shndërrohemi.

Këto janë disa nga gjërat që kam mësuar nga kalimi i kohës me Jezusin te Marku 2.

“Dhëntë Perëndia që të mund të jemi në gjendje ta [mbajmë cepin tonë], që të mos i bëjmë bisht, që të mos druhemi, por që të mund të jemi të fortë në besimin tonë dhe të vendosur në punën tonë, për t’i përmbushur qëllimet e Zotit!”30

Unë dëshmoj se Jezusi jeton, se Ai na njeh dhe se Ai ka fuqinë për të shëruar, për të shndërruar dhe për të falur. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Ivi, Uillsoni, Hajrëmi dhe Xhorxhi.

  2. Xhozef B. Uirthlin, “Urdhërimi i Madh”, Liahona, nëntor 2007, f. 30.

  3. Bekimet e përcaktuara nga Plaku Uirthlin përfshijnë një aftësi më të madhe për dashuri, gatishmërinë për të qenë të bindur dhe për t’iu përgjigjur urdhërimeve të Perëndisë, dëshirën për t’u shërbyer të tjerëve dhe prirjen për të bërë mirë vazhdimisht.

  4. “Ungjijtë … janë një paraqitje e katërfishtë sipas emrave të katër ungjilltarëve të ndryshëm ose shkruesve të Ungjillit për jetën dhe mësimet e Jezusit dhe për vuajtjet, vdekjen dhe ringjalljen e Tij” (Anders Bergquist, “Bible”, në John Bowden, red., Encyclopedia of Christianity [2005], f. 141). The Bible Dictionary [Fjalori Biblik] shton se “fjala ungjill do të thotë ‘lajm i mirë’. Lajmi i mirë është se Jezu Krishti ka bërë një shlyerje të përsosur për njerëzimin që do ta shëlbojë të gjithë njerëzimin. … Analet për jetën e Tij në vdekshmëri dhe ngjarjet që kanë të bëjnë me shërbesën e Tij quhen Ungjijtë” (Bible Dictionary, “Gospels”). 3 Nefi, i shkruar nga Nefi, nipi i Helamanit, përmban një anal të shfaqjes dhe mësimdhënies nga Jezu Krishti i ringjallur në kontinentin amerikan pikërisht pas kryqëzimit të Tij dhe, për këtë arsye, atij mund t’i referohemi gjithashtu si një “Ungjill”. Ungjijtë janë veçanërisht tërheqës, sepse shënojnë ngjarje dhe rrethana në të cilat Vetë Jezusi jep mësim dhe merr pjesë në mënyrë aktive. Ato janë një pikënisje vendimtare për të kuptuar Jezusin si Krishti, marrëdhënien tonë me Të dhe ungjillin e Tij.

  5. Shih vargjet te Lluka 19:1–4; shih edhe vargun te Jakobi [LiM] 4:13 (që shpjegon se Shpirti “flet për gjëra ashtu siç janë në të vërtetë dhe për gjëra ashtu siç do të jenë në të vërtetë”) dhe te Doktrina e Besëlidhje 93:24 (që e përcakton të vërtetën si “dituri për gjërat siç janë dhe siç ishin, dhe siç do të jenë”).

  6. Presidenti J. Ruben Klark në mënyrë të ngjashme nxiti studimin e “jetës së Shpëtimtarit si një personalitet i mirëfilltë”. Ai i ftoi të tjerët të jenë pjesë e ndodhive në shkrimet e shenjta për jetën e Jezu Krishtit, të përpiqen dhe “të ecin përkrah Shpëtimtarit, të jetojnë me Të, ta lejojnë Atë të jetë një njeri i mirëfilltë, gjysmë hyjnor, sigurisht, por gjithsesi duke lëvizur siç lëvizte një njeri në ato kohë”. Më tej, ai premtoi se një përpjekje e tillë “do t’ju japë një pikëpamje të tillë për Të, një afërsi të tillë me Të, sa mendoj se nuk mund ta merrni në asnjë mënyrë tjetër. … Mësoni se çfarë bëri Ai, çfarë mendoi Ai dhe çfarë dha mësim Ai. Bëni atë që bëri Ai. Jetoni siç jetoi Ai, me aq sa mundeni. Ai ishte njeriu i përsosur” (Behold the Lamb of God [1962], f. 8, 11). Për pikëpamje në lidhje me vlerën dhe arsyet për studimin e Jezusit në kontekstin e historisë, shihni N. T. Wright dhe Michael F. Bird, The New Testament in Its World (2019), f. 172–187.

  7. Xhozef B. Uirthlin, “Urdhërimi i Madh”, f. 29.

  8. Lluka 1:37.

  9. Përveç diskutimit të rregullt dhe të gjerë për vargjet te Marku 2:1–12 me misionarët e Misionit të Çekisë/Sllovakisë, jam gjithashtu mirënjohës për mësimet që nxora duke marrë parasysh këtë tekst me të rinjtë dhe të rejat e klasës së përgatitjes së misionarëve të Kunjit Hajlend të Solt‑Lejkut dhe udhëheqësit e anëtarët e Kunjit të Pionierëve TRMMB të Solt‑Lejkut.

  10. Shih te Marku 2:6–10.

  11. Marku 2:11–12.

  12. Shih Bruce M. Metzger dhe Michael D. Coogan, red., The Oxford Companion to the Bible (1993), f. 104; James Martin, Jesus: A Pilgrimage (2014), f. 183–184.

  13. Shih te Marku 1:21–45.

  14. Shih te Marku 2:1–2.

  15. Shih te Marku 2:2.

  16. Shih Metzger and Coogan, The Oxford Companion to the Bible, f. 104; William Barclay, The Gospel of Mark (2001), f. 53.

  17. Shih Barclay, The Gospel of Mark, f. 53; shih edhe Martin, Jesus: A Pilgrimage, f. 184.

  18. Shih te Marku 2:2, 4; shih edhe Barclay, The Gospel of Mark, f. 52–53. Barklei shpjegon se “jeta në Palestinë ishte shumë publike. Në mëngjes dera e shtëpisë hapej dhe kushdo që dëshironte mund të dilte e të hynte brenda. Dera nuk mbyllej asnjëherë përveç nëse dikush dëshironte qëllimisht privatësi; një derë e hapur nënkuptonte një ftesë të hapur që të gjithë të hynin brenda. Në [shtëpitë] më të përulura sikurse duhet të ketë qenë [ajo e përcaktuar te Marku 2], nuk kishte korridor; dera e hapur të nxirrte drejt … e në rrugë. Kështu, sa hap e mbyll sytë, një turmë e kishte mbushur plotësisht shtëpinë dhe e kishte bllokuar kalldrëmin rreth derës; dhe të gjithë po dëgjonin me ëndje atë që Jezusi kishte për të thënë.”

  19. Marku 2:3.

  20. Shih Medical Dictionary of Health Terms, “palsy”, health.harvard.edu.

  21. Shih Martin, Jesus: A Pilgrimage, f. 184.

  22. Marku 2:4.

  23. Shih te Marku 2:4; shih edhe Julie M. Smith, The Gospel according to Mark (2018), f. 155–171.

  24. Shih te Marku 2:5–12.

  25. Marku 2:5; theksimi i shtuar.

  26. Mateu 9:8; shih edhe te Marku 2:12; Lluka 5:26.

  27. Vargu te Doktrina e Besëlidhje 62:3 shpjegon se shërbëtorët e Zotit janë “të bekuar, sepse dëshmia që ju keni dhënë, shënohet në qiell … dhe mëkatet tuaja ju janë falur”.

  28. Shih M. Rasëll Ballard, “Shpresë te Krishti”, Liahona, maj 2021, f. 55–56. Presidenti Ballard shënon se “ndjesia e përkatësisë” është e rëndësishme si për shëndetin fizik edhe atë shpirtëror, dhe ai vëren se “çdo anëtar/e në kuorumet, organizatat, lagjet dhe kunjet tona ka dhunti dhe talente të dhëna nga Perëndia, të cilat mund të ndihmojnë për ta ndërtuar mbretërinë e Tij tani”. Shih edhe David F. Holland, Moroni: A Brief Theological Introduction (2020), f. 61–65. Holland diskuton për kapitullin te Moroni 6 dhe mënyrat se si pjesëmarrja dhe shoqërimi në një komunitet fetar ndihmojnë në lehtësimin e llojit të përvojës vetjake shpirtërore që na lidh më ngushtë me qiellin.

  29. Shih Diter F. Uhtdorf, “Ngrini Atje Ku Ndodheni”, Liahona, nëntor 2008, f. 56. Plaku Uhtdorf shpjegon se “asnjë prej nesh nuk mundet, ose nuk duhet, ta çojë përpara punën e Zotit i vetëm. Por nëse ne të gjithë qëndrojmë pranë së bashku në vendin ku Zoti na ka caktuar dhe ngremë aty ku qëndrojmë, asgjë nuk mund ta pengojë këtë punë hyjnore që të rritet dhe të ecë përpara.” Shih edhe Çi Hong (Sam) Uong, “Shpëtoni në Unitet”, Liahona, nëntor 2014, f. 15. Plaku Uong u referohet vargjeve te Marku 2:1–5 dhe na mëson se “me qëllim që ta ndihmojmë Shpëtimtarin, ne duhet të punojmë së bashku në unitet dhe harmoni. Çdo njeri, çdo pozicion dhe çdo thirrje është e rëndësishme.”

  30. Oscar W. McConkie, në Conference Report, tetor 1952, f. 57.