Konferenca e Përgjithshme
Çfarë Është e Vërtetë?
konferenca e përgjithshme e tetorit 2022


Çfarë Është e Vërtetë?

Perëndia është burimi i gjithë së vërtetës. Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme e përqafon të gjithë të vërtetën që Perëndia ua përçon fëmijëve të Tij.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, faleminderit të gjithëve për këtë sesion frymëzues. Nga konferenca jonë prillin e kaluar, kemi qenë dëshmitarë të shumë ngjarjeve botërore, duke filluar nga ato që të thyejnë zemrën deri te më sublimet.

Jemi të kënaqur me raportet e konferencave të mëdha të të rinjve që po zhvillohen nëpër botë.1 Në këto konferenca, të rinjtë e të rejat tona fisnike po mësojnë se çfarëdo që të ndodhë në jetën e tyre, forca e tyre më e madhe vjen nga Zoti.2

Gëzohemi që më shumë tempuj po ndërtohen anembanë botës. Me përkushtimin e çdo tempulli të ri, një fuqi tjetër perëndishmërie vjen në botë për të na forcuar dhe për t’iu kundërvënë përpjekjeve të kundërshtarit që sa vijnë e shtohen.

Keqtrajtimi është vetë ndikimi i kundërshtarit. Është një mëkat brengosës.3 Si President i Kishës, i pohoj mësimet e Zotit Jezu Krisht për këtë çështje. Le të jem plotësisht i qartë: çdo lloj keqtrajtimi ndaj grave, fëmijëve ose kujtdo është një gjë e neveritshme për Zotin. Ai pikëllohet dhe unë pikëllohem sa herë që dikush lëndohet. Ai vajton dhe ne të gjithë vajtojmë për çdo njeri që ka rënë viktimë e keqtrajtimit të çdo lloji. Ata që i kryejnë këto akte të shëmtuara, jo vetëm që janë përgjegjës para ligjeve të njeriut, por gjithashtu do të përballen me zemërimin e Perëndisë së Plotfuqishëm.

Për dekada tashmë, Kisha ka marrë masa të gjera për t’i mbrojtur fëmijët, në veçanti, nga keqtrajtimi. Ka shumë burime ndihme në faqen zyrtare të Kishës. Ju ftoj t’i studioni.4 Këto orientime janë në radhë të parë për të mbrojtur të pafajshmin. E nxit secilin prej nesh të jetë syçelë për këdo që mund të jetë në rrezik nga keqtrajtimi, dhe të veprojë menjëherë për ta mbrojtur atë. Shpëtimtari nuk do ta tolerojë keqtrajtimin dhe si dishepuj të Tij, as ne nuk mund ta tolerojmë.

Kundërshtari ka taktika të tjera [që sjellin] shqetësim. Midis tyre janë përpjekjet e tij për ta mjegulluar vijën ndërmjet asaj që është e vërtetë dhe asaj që nuk është e vërtetë. Vërshimi i informacionit që është në dispozicion në majë të gishtave, për ironi, e bën gjithnjë e më të vështirë të përcaktosh se çfarë është e vërtetë.

Kjo sfidë më sjell ndërmend një përvojë që patëm me Motrën Nelson kur vizituam një dinjitar në një vend ku relativisht pak njerëz kanë dëgjuar për Jezu Krishtin. Ky mik i dashur në moshë të thyer, kohët e fundit kishte qenë mjaft i sëmurë. Ai na tha se gjatë ditëve të shumta që dergjej në shtrat, shpesh i ngulte sytë në tavan dhe pyeste: “Çfarë është e vërtetë?”

Shumë njerëz në tokë sot “mbahen larg nga e vërteta vetëm ngaqë nuk dinë se ku ta gjejnë atë”5. Disa do të na bëjnë të besojmë se e vërteta është relative, se çdo njeri duhet ta përcaktojë vetë se çfarë është e vërtetë. Një bindje e tillë nuk është veçse një dëshirë e kotë për ata që gabimisht mendojnë se nuk do të jenë gjithashtu përgjegjës para Perëndisë.

Të dashur vëllezër dhe motra, Perëndia është burimi i të gjithë së vërtetës. Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme e përqafon të gjithë të vërtetën që Perëndia ua përçon fëmijëve të Tij, qoftë e mësuar në një laborator shkencor ose e marrë nëpërmjet zbulesës së drejtpërdrejtë prej Tij.

Nga kjo foltore sot dhe nesër, ju do të vazhdoni të dëgjoni të vërtetën. Ju lutem, mbajini shënim mendimet që jua tërheqin vëmendjen dhe ato që ju vijnë në mendje dhe ju mbeten në zemër. Kërkojini Zotit me lutje t’jua vërtetojë se ajo që keni dëgjuar, është e vërtetë.

Ju dua, vëllezërit dhe motrat e mia të dashura. Lutem që kjo konferencë t’ju sigurojë gostinë shpirtërore që po kërkoni. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.