Konferenca e Përgjithshme
Me Gjithë Zemër
konferenca e përgjithshme e tetorit 2022


Me Gjithë Zemër

Ne duhet të jemi pasues të Jezusit plot gëzim dhe me gjithë zemër në udhëtimin tonë vetjak të dishepullimit.

Nganjëherë, të ndihmon kur e di se çfarë të presësh.

Afër përfundimit të shërbesës së Tij, Jezusi u tha Apostujve të Tij se kohë të vështira do të vinin. Por Ai gjithashtu tha: “Ruhuni të mos shqetësoheni”1. Po, Ai do të largohej, por nuk do t’i linte të vetëm.2 Ai do të dërgonte Shpirtin e Tij për t’i ndihmuar që të mbanin mend, të qëndronin të palëkundur dhe të gjenin paqe. Shpëtimtari i përmbush premtimet e Tij që të jetë me ne, dishepujt e Tij, por ne duhet të shohim vazhdimisht tek Ai për të na ndihmuar që ta dallojmë praninë e Tij dhe të kënaqemi në praninë e Tij.

Dishepujt e Krishtit gjithmonë kanë hasur kohë të vështira.

Një mikja ime e dashur më dërgoi një artikull të vjetër nga Nebraska Advertiser, një gazetë e shteteve qendrore në Shtetet e Bashkuara, e datës 9 korrik 1857. Në të shkruhej: “Këtë mëngjes herët një kompani mormonësh kaloi këtej gjatë udhëtimit të tyre drejt Solt‑Lejkut. Gratë (jo shumë delikate sigurisht) tërhiqnin karroca dore si të ishin kafshë, një [grua] u rrëzua në këtë baltë të zezë që shkaktoi një ndalesë të shkurtër për karvanin, fëmijët e vegjël ecnin plot mundim me rrobat e tyre të huaja [të çuditshme] në pamje po aq të vendosur sa nënat e tyre.”3

Kam menduar shumë rreth kësaj gruaje të ndotur me baltë. Përse po e tërhiqte e vetme karrocën? A ishte një nënë e vetme? Çfarë ishte ajo që i dha forcën e brendshme, vendosmërinë, këmbënguljen për të bërë një udhëtim aq dërrmues nëpër baltë, duke tërhequr të gjitha zotërimet e veta brenda një karroce dore drejt një shtëpie të panjohur në shkretëtirë – duke u përqeshur me raste nga vëzhguesit?4

Presidenti Jozef F. Smith foli për forcën e brendshme të këtyre grave pioniere, duke thënë: “A mund t’ua ndryshonit këtyre grave bindjet e tyre për Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme? A mund t’ua errësonit mendjen e tyre lidhur me misionin e Profetit Jozef Smith? A mund t’i verbonit për sa i përket misionit hyjnor të Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë? Jo, kurrë në botë nuk mund ta bënit këtë. Pse? Sepse ato e dinin atë. Perëndia ua zbuloi dhe ato e kuptuan atë, dhe asnjë fuqi mbi tokë nuk mund t’i kthente mbrapsht nga ajo që e dinin se ishte e vërtetë.”5

Vëllezër e motra, të jemi burra dhe gra të tilla është thirrja për kohën tonë – dishepuj që përpiqemi me gjithë sa mundemi për të gjetur forcë që të vazhdojmë të tërheqim kur thirremi të ecim përmes vendit të shkretë, dishepuj me bindje që na janë zbuluar nga Perëndia, pasues të Jezusit plot gëzim dhe me gjithë zemër në udhëtimin tonë vetjak të dishepullimit. Si dishepuj të Jezu Krishtit, ne besojmë dhe mund ta shtojmë njohurinë në tri të vërteta të rëndësishme.

Së Pari, ne Mund t’i Mbajmë Besëlidhjet Tona, edhe Kur Nuk Është e Lehtë.

Kur besimi juaj, familja juaj ose e ardhmja juaj të sfidohen, kur të pyetni veten përse jeta është kaq e vështirë kur po bëni gjithçka mundeni për ta jetuar ungjillin, mbani mend se Zoti na tha të presim shqetësime. Shqetësimet janë pjesë e planit dhe nuk do të thotë se jeni braktisur; ato janë pjesë e asaj që do të thotë të jeni të Tijët.6 Ai ishte, në fund të fundit, “njeri i dhembjeve, njohës i vuajtjes”7.

Po mësoj se Ati Qiellor është më i interesuar në rritjen time si dishepulle e Jezu Krishtit sesa është i interesuar për rehatinë time. Mund të mos dua gjithmonë që të jetë ashtu – por është!

Të jetuarit në rehati nuk sjell fuqi. Fuqia që na nevojitet për ta përballuar nxehtësinë e kohës sonë, është fuqia e Zotit dhe fuqia e Tij rrjedh përmes besëlidhjeve tona me Të.8 Të përgjigjemi me besim kur përballemi me erëra të forta, të përpiqemi fort sinqerisht çdo ditë për të bërë atë që besëlidhëm me Shpëtimtarin se do ta bënim, madje veçanërisht kur jemi të lodhur, të shqetësuar dhe duke u munduar me pyetje dhe çështje shqetësuese, do të thotë që dalëngadalë të marrim dritën e Tij, forcën e Tij, dashurinë e Tij, Shpirtin e Tij, paqen e Tij.

Arsyeja e ecjes në shtegun e besëlidhjeve është që t’i afrohemi Shpëtimtarit. Ai është arsyeja, jo përparimi ynë i përsosur. Kjo nuk është një garë dhe nuk duhet ta krahasojmë udhëtimin tonë me atë të tjerëve. Edhe kur pengohemi, Ai është atje.

Së Dyti, ne Mund të Veprojmë me Besim.

Si dishepuj të Jezu Krishtit, ne e kuptojmë se besimi tek Ai kërkon veprim, veçanërisht në kohë të vështira.9

Shumë vjet më parë, prindërit e mi vendosën ta ndryshonin tapetin e shtëpisë. Natën përpara se të vinte tapeti i ri, nëna u kërkoi vëllezërve të mi që të lëviznin mobiliet dhe të hiqnin tapetin e dhomës së gjumit që të mund të vendosej tapeti i ri. Emilia, motra ime shtatëvjeçare në atë kohë, ishte tashmë në gjumë. Kështu, teksa ajo flinte, ata me qetësi i hoqën të gjitha mobiliet nga dhoma e saj, përveç krevatit dhe më pas hoqën tapetin. Epo, siç bëjnë ngandonjëherë vëllezërit më të mëdhenj, ata vendosën të bënin një shaka. I hoqën të gjitha gjërat e saj nga dollapi dhe muret, duke e lënë dhomën të zbrazët. Pastaj shkruan një shënim dhe e ngjitën në mur: “E dashur Emili, ne u shpërngulëm. Do të të shkruajmë pas ca ditësh dhe do të të themi se ku jemi. Me dashuri, familja jote.”

Të nesërmen në mëngjes kur Emilia nuk erdhi të hante mëngjesin, vëllezërit shkuan ta gjenin – ja tek ishte, e trishtuar dhe e vetme mbrapa një dere të mbyllur. Më vonë Emilia tregoi lidhur me këtë përvojë: “M’u bë zemra copë. Por çfarë do të kishte ndodhur sikur ta kisha hapur derën? Çfarë do të kisha dëgjuar? Çfarë do të kisha nuhatur? Do ta kisha ditur që nuk isha vetëm. Do ta kisha ditur që vërtet më donin. As që më vajti mendja të bëja diçka lidhur me gjendjen time. Thjesht u dorëzova dhe qëndrova në dhomë duke qarë. Dhe ah sikur thjesht ta kisha hapur derën.”10

Motra ime bëri një hamendësim nisur nga ajo që pa, por ajo nuk ishte një pasqyrim i mënyrës se si gjërat ishin aktualisht. A nuk është interesante që ne, si Emilia, mund të rëndohemi kaq shumë nga trishtimi, apo lëndimi, apo shkurajimi, apo shqetësimi, apo vetmia, apo zemërimi, apo acarimi, saqë as nuk na shkon në mendje thjesht të bëjmë diçka, të hapim derën, të veprojmë me besim te Jezu Krishti?

Shkrimet e shenjta janë të mbushura me shembuj burrash dhe grash, dishepuj të Krishtit, që, kur u përballën me të pamundurën, thjesht vepruan – të cilët u ngritën në këmbë me besim dhe ecën.11

Lebrosëve që kërkuan shërim, Krishti u tha: “‘Shkoni e paraqituni te priftërinjtë’. Dhe ndodhi që, ndërsa ata po shkonin, u pastruan.”12

Ata shkuan që t’u tregonin priftërinjve veten e tyre sikur të ishin shëruar tashmë dhe në procesin e veprimit, ata u shëruan.

Gjithashtu dëshiroj të them, nëse mendimi i ndërmarrjes së veprimit mes dhembjes suaj ju duket i pamundur, ju lutem, le të jetë veprimi juaj që të kërkoni ndihmë nga një mik, një pjesëtar i familjes, një udhëheqës i Kishës, një njeri profesionist. Ky mund të jetë një hap i parë drejt shpresës.

Së Treti, ne Mund të Jemi me Gjithë Zemër dhe Plot Gëzim në Përkushtimin Tonë.13

Kur vijnë kohë të vështira, përpiqem të mbaj mend se unë zgjodha ta ndiqja Krishtin përpara se të vija në tokë dhe se sfidat ndaj besimit tim, shëndetit tim dhe qëndrueshmërisë sime janë të gjitha pjesë të arsyes përse jam këtu. Dhe sigurisht unë nuk duhet të mendoj kurrë që sprova e të sotmes vë në pikëpyetje dashurinë e Perëndisë për mua ose ta lejoj që ta kthejë në dyshim besimin tim tek Ai. Sprovat nuk janë tregues se plani po dështon; ato janë pjesë e planit dhe kanë për qëllim të më ndihmojnë për ta kërkuar Perëndinë. Unë bëhem më shumë si Ai kur duroj me qëndrueshmëri dhe, me shpresë, ashtu si Ai, kur jam në agoni, unë lutem më me zell.14

Jezu Krishti ishte shembulli i përsosur i dashurisë për Atin tonë me gjithë zemrën e Tij, i bërjes së vullnetit të Tij, pavarësisht nga çmimi.15 Unë dua ta ndjek shembullin e Tij duke bërë të njëjtën gjë.

Frymëzohem nga dishepullimi me gjithë zemër, me gjithë shpirt i së vesë që hodhi dy monedhat e veta në thesarin e tempullit. Ajo dha gjithë sa kishte.16

Jezu Krishti dalloi bollëkun e gjithçkaje që kishte ajo, kur të tjerët panë vetëm pamjaftueshmërinë e saj. E njëjta gjë është e vërtetë me secilin prej nesh. Ai nuk e sheh pamjaftueshmërinë tonë si dështim, por përkundrazi si një mundësi për të ushtruar besim dhe për t’u rritur.

Përfundimi

Bashkëdishepujt e mi të Jezu Krishtit, me gjithë zemrën time unë zgjedh të qëndroj me Zotin. Unë zgjedh të qëndroj me shërbëtorët e Tij të zgjedhur, Presidentin Rasëll M. Nelson dhe Apostujt bashkëpunëtorë të tij, sepse ata flasin për Atë dhe janë kujdestarë të ordinancave dhe besëlidhjeve që më lidhin me Shpëtimtarin.

Kur të pengohem, do të vazhdoj të ngrihem në këmbë, duke u mbështetur te hiri dhe fuqia aftësuese e Jezu Krishtit. Do të qëndroj në besëlidhjen time me Të dhe do t’u jap përgjigje pyetjeve të mia nëpërmjet studimit të fjalës së Perëndisë, nëpërmjet besimit dhe me ndihmën e Frymës së Shenjtë, tek udhërrëfimi i të cilit kam mirëbesim. Do ta kërkoj Shpirtin e Tij çdo ditë duke bërë gjërat e vogla dhe të thjeshta.

Ky është shtegu im i dishepullimit.

Dhe deri në ditën kur plagët e përditshme të vdekshmërisë të shërohen, unë do të pres për Zotin dhe do t’i mirëbesoj Atij – kohës së Tij, urtësisë së Tij, planit të Tij.17

Krah për krah me ju, unë dëshiroj të qëndroj me Të përherë. Me gjithë zemër. Duke e ditur se, kur e duam Jezu Krishtin me gjithë zemrën tonë, Ai na jep gjithçka në shkëmbim.18 Në emrin e Jezu Krishtit, amen.