Konferenca e Përgjithshme
Kujdestaria Jonë Tokësore
konferenca e përgjithshme e tetorit 2022


Kujdestaria Jonë Tokësore

Bekime të mëdha shpirtërore u premtohen atyre që e duan dhe kujdesen për tokën dhe bashkëqeniet e tyre burra e gra.

Ndërkohë që vizitonim vendin tonë të lindjes në Francë, bashkëshortja ime dhe unë patëm së fundi kënaqësinë që t’i çonim disa nga nipërit e mbesat tona për të eksploruar një kopsht të mrekullueshëm që ndodhet në qytetin e vogël të Zhivërnisë. E shijuam ecjen përgjatë shtigjeve duke admiruar lulishtet e bukura, zambakët elegantë të ujit dhe reflektimin e dritës në moçale.

Pamja
Kopshti i Zhivërnisë

Ky vend i mahnitshëm është rezultat i pasionit krijues të një njeriu: piktorit të madh Klod Mone, i cili për 40 vjet, e modeloi dhe e kultivoi kopshtin e tij me aq përkujdesje, për ta bërë atë hapësirën e tij të punës për të pikturuar. Moneja u zhyt në shkëlqimin e natyrës, pastaj, me penelin e tij, ai i përçoi mbresat që ndjeu me përdorimin e ngjyrave dhe dritës. Me kalimin e viteve, ai krijoi një përmbledhje të jashtëzakonshme të qindra pikturave, të frymëzuara drejtpërdrejt nga kopshti i tij.

Pamja
Pikturë e kopshtit të Monesë

Zambakë uji dhe ura japoneze, 1899, nga Klod Mone

Vëllezër e motra, ndërveprimet tona me bukuritë e natyrës rreth nesh mund të prodhojnë disa nga përvojat më frymëzuese dhe më të këndshme në jetë. Emocionet që ndiejmë, ndezin brenda nesh një ndjenjë të thellë mirënjohjeje për Atin tonë Qiellor dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin, i cili krijoi këtë tokë të mrekullueshme, me male dhe përrenj, bimë dhe kafshë dhe me prindërit tanë të parë, Adamin dhe Evën.1

Puna e krijimit nuk është një qëllim në vetvete. Ajo është një pjesë thelbësore e planit të Perëndisë për fëmijët e Tij. Qëllimi i saj është të sigurojë mjedisin në të cilin burrat dhe gratë të mund të provohen, të ushtrojnë lirinë e tyre të zgjedhjes, të gjejnë gëzim dhe të mësojnë e përparojnë, që ata të mund të kthehen një ditë në praninë e Krijuesit të tyre dhe të trashëgojnë jetë të përjetshme.

Këto krijime të mrekullueshme u përgatitën tërësisht për të mirën tonë dhe janë provë e gjallë e dashurisë që ka Krijuesi për fëmijët e Tij. Zoti shpalli: “Po, gjithë gjërat që vijnë nga toka … bëhen për të mirën dhe për përdorimin e njeriut, si për të kënaqur syrin, edhe për të gëzuar zemrën”2.

Megjithatë, dhurata hyjnore e krijimit nuk vjen pa detyra dhe përgjegjësi. Këto detyra përshkruhen më së miri me konceptin e kujdestarisë. Në termat e ungjillit, fjala kujdestari tregon një përgjegjësi të shenjtë shpirtërore ose materiale për t’u kujdesur në lidhje me diçka që i përket Perëndisë, për të cilën ne jemi përgjegjës.3

Siç na mësohet në shkrimet e shenjta, kujdestaria jonë tokësore përfshin parimet vijuese:

Parimi i parë: E gjithë toka, përfshirë e gjithë jeta në të, i përket Perëndisë.

Krijuesi i ka mirëbesuar burimet e tokës dhe të gjitha format e jetës në kujdesin tonë, por ato janë nën zotërimin e Tij të plotë. Ai tha: “Unë, Zoti, i shtriva qiejt dhe ndërtova tokën, pikërisht me punën e duarve të mia; dhe gjithë gjërat në to janë të miat”4. Gjithçka që është në tokë i përket Perëndisë, përfshirë familjet tona, trupat tanë fizikë, madje edhe vetë jetët tona.5

Parimi i dytë: Si kujdestarë të krijimeve të Perëndisë, ne kemi detyrimin që t’i nderojmë dhe kujdesemi për to.

Si fëmijë të Perëndisë, ne kemi marrë përgjegjësinë për të qenë kujdestarë, mirëmbajtës dhe rojtarë të krijimeve të Tij hyjnore. Zoti tha se Ai e bëri “këdo të përgjegjshëm, si kujdestar mbi bekime tokësore, të cilat i kam bërë dhe i kam përgatitur për krijesat e mia”6.

Ati ynë Qiellor na lejon t’i përdorim burimet tokësore sipas vullnetit tonë të lirë. Sidoqoftë liria jonë e zgjedhjes nuk duhet interpretuar si lejë zyrtare për t’i përdorur ose konsumuar pasuritë e kësaj bote pa mençuri ose kufizime. Zoti dha këtë këshillë: “Dhe Perëndia gëzohet që ia ka dhënë gjithë këto gjëra njeriut; sepse për këtë qëllim u bënë ato të përdoreshin, me gjykim, pa e tepruar, pa detyruar”7.

Presidenti Rasëll M. Nelson vërejti dikur: “Si përfitues të Krijimit hyjnor, çfarë duhet të bëjmë? Ne duhet të kujdesemi për tokën, të jemi kujdestarë të mençur të saj dhe ta ruajmë atë për brezat e ardhshëm.”8

Përtej faktit të të qenit vetëm një nevojë shkencore ose politike, kujdesi për tokën dhe për mjedisin tonë natyror është një përgjegjësi e shenjtë që na është mirëbesuar nga Perëndia, e cila duhet të na mbushë me një ndjenjë të thellë detyrimi dhe përulësie. Është edhe një përbërës thelbësor i dishepullimit tonë. Si mund ta nderojmë dhe duam Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin pa i nderuar dhe dashur krijimet e Tyre?

Ka shumë gjëra që mund të bëjmë kolektivisht dhe individualisht që të jemi kujdestarë të mirë. Duke marrë parasysh rrethanat tona individuale, secili prej nesh mund t’i përdorë burimet e shumta të tokës me më shumë nderim dhe maturi. Ne mund të përkrahim përpjekjet nga komuniteti për t’u kujdesur për tokën. Mund të përvetësojmë stile vetjake të jetesës dhe sjellje që i respektojnë krijimet e Perëndisë dhe i bëjnë hapësirat tona të jetesës më të rregullta, më të bukura dhe më frymëzuese.9

Kujdestaria jonë ndaj krijimeve të Perëndisë përfshin, mbi gjithçka, edhe një detyrë të shenjtë për t’i dashur, respektuar dhe kujdesur për të gjitha qeniet njerëzore me të cilët bashkëjetojmë në këtë tokë. Ata janë bij dhe bija të Perëndisë, motrat dhe vëllezërit tanë dhe lumturia e tyre e përjetshme është vërtet qëllimi i punës së krijimit.

Autori Antua dë San‑Ekzyperi tregoi se një ditë ndërsa udhëtonte me tren, e gjeti veten të ulur mes një grupi refugjatësh. I prekur thellë nga mungesa e shpresës që pa në fytyrën e një fëmije të vogël, ai thirri: “Kur në kopsht çel një trëndafil i ri hibrid, të gjithë kopshtarët gëzohen. Ata e izolojnë trëndafilin, kujdesen për të, i bëjnë shërbimin. Por për njerëzit nuk ka kopshtarë.”10

Vëllezërit e motrat e mia, a nuk duhet të jemi ne kopshtarët e bashkëqenieve tona burra e gra? A nuk jemi ne rojtarët e vëllezërve tanë? Jezusi na urdhëroi ta duam të afërmin tonë porsi vetveten.11 Nga goja e Tij, fjala i afërm nuk do të thotë thjesht afërsi gjeografike, ajo nënkupton një afërsi të zemrës. Ajo përfshin të gjithë banorët e këtij planeti, qoftë nëse jetojnë afër nesh apo në vende shumë të largëta, pavarësisht nga origjina, formimi vetjak apo rrethanat e tyre.

Si dishepuj të Krishtit, ne kemi një detyrë solemne të punojmë pa u lodhur për paqen dhe harmoninë ndërmjet të gjitha kombeve të tokës. Duhet të bëjmë më të mirën tonë për t’i mbrojtur dhe për t’i sjellë ngushëllim e lehtësim të dobëtit, nevojtarit dhe të gjithë atyre që vuajnë ose janë të shtypur. Mbi të gjitha, dhurata më e madhe e dashurisë që mund t’u ofrojmë bashkëqenieve tona është të ndajmë me ta gëzimin e ungjillit dhe t’i ftojmë ata të vijnë te Shpëtimtari i tyre nëpërmjet besëlidhjeve dhe ordinancave të shenjta.

Parimi i tretë: Ne ftohemi të marrim pjesë në punën e krijimit.

Procesi hyjnor i krijimit nuk është ende i plotë. Çdo ditë, krijimet e Perëndisë vazhdojnë të rriten, zgjerohen dhe shumëfishohen. Gjëja më e mrekullueshme është se Ati ynë Qiellor na zgjat një ftesë për të marrë pjesë në punën e Tij krijuese.

Ne marrim pjesë në punën e krijimit sa herë që kultivojmë tokën ose ia shtojmë ndërtimet tona kësaj bote, për aq kohë sa tregojmë respekt ndaj krijimeve të Perëndisë. Kontributet tona mund të shprehen nëpërmjet krijimit të veprave së artit, arkitekturës, muzikës, letërsisë dhe kulturës, të cilat e stolisin planetin tonë, na i zgjojnë shqisat dhe na e ndriçojnë jetën. Ne japim kontribut edhe nëpërmjet zbulimeve shkencore dhe mjekësore që e ruajnë tokën dhe jetën në të. Presidenti Tomas S. Monson e përmblodhi këtë koncept me këto fjalë të bukura: “Perëndia e la tokën të papërfunduar që njeriu të ushtrojë zotësinë e vet … që njeriu të mund t’i njohë gëzimet dhe lavditë e krijimit”12.

Në shëmbëlltyrën e Jezusit për talentat, kur i zoti u kthye nga udhëtimi i tij, ai i përgëzoi dhe i shpërbleu të dy shërbëtorët që i kishin shtuar dhe shumuar talentat e tyre. Ndryshe nga ata, ai e quajti shërbëtorin që e fshehu talentin e tij të pashoq në tokë “të pavlefshëm” dhe ia hoqi edhe atë që kishte marrë.13

Po kështu, roli ynë si kujdestarë të krijimeve të tokës nuk është thjesht që t’i konservojmë ose t’i ruajmë ato. Zoti pret nga ne që të punojmë me zell, sipas drejtimit nga Shpirti i Tij i Shenjtë, për t’u rritur, për të përparuar dhe për t’u përmirësuar në bazë të burimeve që Ai na i ka mirëbesuar, jo vetëm për të mirën tonë por edhe për të bekuar të tjerët.

Mes gjithë arritjeve të njeriut, asnjë nuk mund të barazohet me përvojën e bërjes bashkëkrijues me Perëndinë duke i dhënë jetë ose duke e ndihmuar një fëmijë që të mësojë, rritet e lulëzojë – qoftë si prindër, mësues, udhëheqës apo në ndonjë rol tjetër. Nuk ka kujdestari më të shenjtë, më përmbushëse dhe gjithashtu më kërkuese, sesa ajo e bashkëpjesëmarrjes me Krijuesin tonë për të siguruar trupa fizikë për fëmijët e Tij shpirtërorë dhe më pas për t’i ndihmuar ata që të arrijnë potencialin e tyre hyjnor.

Përgjegjësia e bashkëkrijimit shërben si një kujtues i vazhdueshëm se jeta dhe trupi i çdo njeriu janë të shenjta, se ato nuk i përkasin askujt tjetër veçse Perëndisë dhe se Ai na ka bërë rojtarë për t’i respektuar, mbrojtur dhe kujdesur për to. Urdhërimet e Perëndisë, të cilat qeverisin fuqitë e krijimit dhe themelimin e familjeve të përjetshme, na udhëheqin në këtë kujdestari të shenjtë, e cila është kaq vendimtare për planin e Tij.

Vëllezërit e motrat e mia, ne duhet të kuptojmë se gjithçka është shpirtërore për Zotin, përfshirë aspektet më materiale të jetës sonë. Dëshmoj se bekime të mëdha shpirtërore u premtohen atyre që e duan dhe kujdesen për tokën dhe bashkëqeniet e tyre burra e gra. Teksa qëndroni besnikë në këtë kujdestari të shenjtë dhe i nderoni besëlidhjet tuaja të përjetshme, ju do të rriteni në njohurinë e Perëndisë dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit dhe do ta ndieni dashurinë e Tyre dhe ndikimin e Tyre më me bollëk në jetën tuaj. Të gjitha këto do t’ju përgatitin që të jetoni me Ta dhe të merrni fuqi krijuese shtesë14 në jetën që do të vijë.

Në fund të kësaj ekzistence tokësore, Mësuesi do të na kërkojë që t’i japim llogari për kujdestarinë tonë të shenjtë, përfshirë mënyrën se si jemi kujdesur për krijimet e Tij. Unë lutem që ne t’i dëgjojmë më pas fjalët e Tij të përzemërta të pëshpëritin në zemrën tonë: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik; ti u tregove besnik në gjëra të vogla, unë do të të vë mbi shumë gjëra; hyr në gëzimin e zotit tënd”15. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Toka dhe të gjitha gjërat në të (me përjashtim të Adamit dhe Evës) u krijuan nga Jezu Krishti nën drejtimin e Atit, Adami dhe Eva, prindërit tanë të parë, u krijuan nga Perëndia, Ati (shih te Gjoni 1:1–3; Moisiu 2:1, 26–27).

  2. Doktrina e Besëlidhje 59:18.

  3. Shih Spencer W. Kimball, “Welfare Services: The Gospel in Action”, Ensign, nëntor 1977, f. 76–79.

  4. Doktrina e Besëlidhje 104:14.

  5. Shih Spencer W. Kimball, “Welfare Services”, f. 76–79.

  6. Doktrina e Besëlidhje 104:13.

  7. Doktrina e Besëlidhje 59:20.

  8. Russell M. Nelson, “The Creation”, Liahona, korrik 2000, f. 104.

  9. Shih Gospel Topics, “Environmental Stewardship and Conservation”, topics.ChurchofJesusChrist.org.

  10. Antoine de Saint-Exupéry, Terre des Hommes (1939), f. 214; shih edhe Wind, Sand and Stars (1939) në Airman’s Odyssey (1984), f. 206.

  11. Shih te Marku 12:31.

  12. Thomas S. Monson, “In Search of an Abundant Life”, Tambuli, gusht 1988, f. 3.

  13. Shih te Mateu 25:14–30.

  14. Shih David A. Bednar and Susan K. Bednar, “Moral Purity” (takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang – Ajdaho”, 7 janar 2003), byui.edu.

  15. Mateu 25:21.