Liahona
Leximi i Ngadaltë: Të Shohësh Shpëtimtarin në Shkrimet e Shenjta
Janar 2024


“Leximi i Ngadaltë: Të Shohësh Shpëtimtarin në Shkrimet e Shenjta”, Liahona, janar 2024.

Leximi i Ngadaltë: Të Shohësh Shpëtimtarin në Shkrimet e Shenjta

Huazimi i kësaj mënyre qasjeje nga arti mund të na ndihmojë që ta shohim Jezu Krishtin në Librin e Mormonit.

Pamja
skulpturë e Marisë duke mbajtur trupin e Jezusit pas Kryqëzimit

La Pietà [Mëshira], nga Michelangelo

Mikelanxhelos iu desh më shumë se një vit për të krijuar La Pietà [Mëshira], një skulpturë mahnitëse e Marisë duke mbajtur trupin e Jezusit pas Kryqëzimit. Leonardo Da Vinçi shpenzoi një kohë edhe më të gjatë, gati tre vjet, për të pikturuar portretizimin e tij të famshëm të The Last Supper [Darka e Fundit].

Nëse do t’ju duhej ta hamendësonit, sa kohë do të thoshit se shpenzon një vizitor në një muze arti, mesatarisht, duke vështruar çdo vepër arti?

Përgjigja është 17 sekonda, sipas një studimi.1

Përfytyrojeni: 17 sekonda duke vështruar një vepër arti që artisti mund të ketë shpenzuar vite për ta krijuar.

Është e kuptueshme. Ka qindra piktura dhe skulptura në një muze dhe ne jemi njerëz të zënë me punë. Ndaj, ne nxitojmë dhe rrokim aq sa mundemi. Për ironi, të shtyrë nga frika se mos humbasim diçka, ne përfundojmë duke humbur vetë qëllimin e artit – emocionet dhe mendimet që artisti ka dashur që ne të përjetonim. Ne ia hedhim sytë çdo vepre arti në muze, por në të vërtetë nuk shohim asnjërën prej tyre. Pastaj largohemi nga muzeu të rraskapitur dhe të pafrymëzuar. Ne madje mund ta pyesim veten se çfarë shohin njerëzit tek arti tek e fundit – të bindur, ndoshta, se arti është për njerëzit shumë të arsimuar, jo për çdokënd.

Soditja e Ngadaltë

Për ta trajtuar këtë problem, muzetë e artit në mbarë botën po i nxitin vizitorët të ushtrojnë diçka që atë e quajnë “soditje e ngadaltë”2. Ata i ftojnë njerëzit të zgjedhin një vepër arti në muze, të rehatohen dhe ta shqyrtojnë atë me kujdes për ca kohë, për 5 deri në 10 minuta. Ta vështrojnë atë nga kënde të ndryshme. Të afrohen te piktura për të vënë re detaje. Të largohen nga piktura dhe ta shohin atë të plotë. Nganjëherë, vizitorëve u thuhet që të mos e lexojnë shenjën interpretuese të muzeut që analizon veprën e artit, të paktën, jo derisa ata të kenë pasur mundësinë të krijojnë vetë opinionet e tyre dhe të bëjnë vetë zbulimet e tyre.

Soditja e ngadaltë e ka shndërruar përvojën e shumë njerëzve me muzetë e artit. Disa, që nuk e konsideronin kurrë veten dashamirës të artit, janë bërë të dhënë pas artit. Ata krijojnë vetëbesimin se mund të zbulojnë domethënien në çdo vepër arti, dhe gjejnë gëzim tek ajo që zbulojnë. Ata mësojnë se nuk u duhet një diplomë universiteti në histori arti që të emocionohen nga arti; atyre thjesht u nevojitet ta ngadalësojnë ritmin dhe t’i japin artit një mundësi për të bërë atë që u krijua të bënte.

A mund të gjejnë zbatim vallë po të njëjtat parime për leximin e shkrimeve të shenjta, për shembull, në studimin tonë të Librit të Mormonit përmes programit Eja, Më Ndiq këtë vit?

Ne e dimë se Libri i Mormonit, si një dëshmi tjetër e Jezu Krishtit, u shkrua me qëllimin që ta forconte besimin tonë te Shpëtimtari (shih te 1 Nefi 6:4). Ne e dimë se ai u shkrua nga profetë të frymëzuar nga Perëndia, veçanërisht për kohën tonë (shih, për shembull, te Mormoni 8:35). Ne e dimë se profetët e lashtë që e shkruan Librin e Mormonit, e bënë këtë me sakrificë të madhe vetjake. Vetë procesi i gdhendjes së fjalëve në fletë metali kërkonte tepër kujdes dhe mundim (shih te Jakobi [LiM] 4:1). Disa prej tyre madje rrezikuan jetën për ta ruajtur analin që ne të mund ta kishim në dispozicion sot (shih te Mormoni 6:6; Moroni 1).

Megjithatë ndonjëherë, në jetën tonë të ngarkuar, ne nxitojmë me leximin e Librit të Mormonit. Mbase i hedhim një sy disa vargjeve kur hamë mëngjesin ose rrugës për në punë. Mund t’ia hedhim sytë çdo fjale në kapitull, por jo shumë nga ai na mbetet në mendje. Jo çdo herë, por nganjëherë, ne e mbyllim librin ose programin elektronik pa një ndjesi ndryshe nga ajo që ndiem kur filluam.

Leximi i Ngadaltë

Nëse një vepër e bukur arti e meriton të vlerësohet nëpërmjet soditjes së ngadaltë, ndoshta Libri i Mormonit e meriton “leximin [tonë] të ngadaltë”. Kjo nuk do të thotë medoemos se studimi ynë i shkrimeve të shenjta duhet të zgjatë më shumë, vetëm që të mund të përfitojmë nga një ndryshim i ritmit. Në vend që të nxitojmë për ta mbaruar një kapitull, ndoshta studimi i sotëm le të përqendrohet vetëm te tre apo katër vargje. Por, ama, ne zhytemi vërtet tek ato vargje. Vëmë re detaje, fjalë dhe fraza. Përsiatim se përse secila prej tyre mund të jetë e rëndësishme – a më mëson vallë diçka për Shpëtimtarin? A e thellon dashurinë time për Të dhe besimin tim tek Ai? A ka ndonjë gjë që Ai dëshiron që unë ta di?

Leximi i ngadaltë na lejon të vëmë re gjëra në Librin e Mormonit që nuk do t’i vinim re ndryshe. Më e rëndësishmja, ai mund të na ndihmojë ta shohim Shpëtimtarin më shpesh në këtë libër që u shkrua për të dëshmuar rreth Tij. Leximi i ngadaltë është një mënyrë për të na hapur sytë, mendjen dhe zemrën ndaj dëshmisë së fuqishme të Librit të Mormonit për Jezu Krishtin. Një vepër arti frymëzuese, kur marrim kohë që ta shohim me tërë mend atë, mund të jetë jetëndryshuese. Në mënyrë edhe më të thellë, të shikuarit e Shpëtimtarit në shkrimet e shenjta mund të ndikojë thellë te mendimet e ndjenjat tona – dhe rrjedhimisht, te jeta jonë.

Për shembull, supozoni se po lexoni kapitullin 1 te 1 Nefi. Jua tërheq vëmendjen vargu 6, ndaj ju e ngadalësoni ritmin dhe qëndroni aty për ca kohë. Mund t’ju tërheqë “shtyll[a e] zjarri[t]” që pa Lehi, e cila “qëndroi mbi një shkëmb”. Kjo është dukuri e pazakontë e zjarrit. Çfarë mund të nënkuptojë kjo? Mendimet mund t’ju shkojnë te shtylla të tjera zjarri që përmenden në shkrimet e shenjta (poshtëshënimet mund t’ju ndihmojnë për këtë gjë). Mund të përsiatni se përse prania e Zotit kaq shpesh krahasohet me zjarrin. Çfarë na tregon kjo rreth Tij? A ka qenë Ai ndonjëherë si një shtyllë zjarri në jetën tuaj?

Ka shumë për të menduar rreth kësaj. Dhe ju as që e keni mbaruar ende vargun.

Sigurisht, ka vlerë në leximin e shpejtë të Librit të Mormonit. Mund të na ndihmojë të mësojmë rrjedhën e përgjithshme të historisë dhe t’i kapim temat e gjera e të përsëritura. Por ka shumë për të mësuar rreth Jezu Krishtit në detajet e Librit të Mormonit dhe nganjëherë, mënyra më e mirë për t’i parë ato detaje është që të ngadalësojmë ritmin dhe të shohim me kujdes.

Nefi tha për fjalët që shkroi te Libri i Mormonit: “Këto fjalë … janë fjalët e Krishtit; dhe ai m’i ka dhënë ato mua; dhe … Krishti do t’ju tregojë, me fuqi dhe lavdi të madhe, se ato janë fjalët e tij” (2 Nefi 33:10–11). Nuk është nevoja të jeni një lexues i zoti për t’i gjetur fjalët e Shpëtimtarit te Libri i Mormonit. Thjesht duhet të ngadalësoni ritmin dhe t’i jepni një mundësi Librit të Mormonit të bëjë atë që ishte krijuar të bënte – t’jua ndërtojë besimin te Jezu Krishti.

Shënime

  1. Shih Trent Morse, “Slow Down, You Look Too Fast”, ARTnews, 1 prill 2011, artnews.com.

  2. Shih “Slow Art Day”, slowartday.com/about.