Liahona
Kërkoni me Zell dhe Do të Gjeni
Janar 2024


“Kërkoni me Zell dhe Do të Gjeni”, Liahona, janar 2024.

Kërkoni me Zell dhe Do të Gjeni

Zoti ka zbuluar se si mund ta kërkojmë të vërtetën dhe drejtimin në jetën tonë.

Pamja
xham zmadhues

Kur unë dhe bashkëshortja ime, Rexhina, u kthyem në shtëpi, në Brazil, pasi shërbyem në Misionin e Luandës në Angola nga viti 2016 deri në vitin 2019, kishim një vendim të rëndësishëm për të marrë. Ne e kishim shitur shtëpinë tonë përpara misionit. Një vit pasi u kthyem në shtëpi, na duhej të zgjidhnim midis blerjes apo marrjes me qira të një shtëpie. Si do ta zgjidhnim atë që ishte e drejtë për ne?

Ky lloj vendimi është mes detyrave, veprimtarive dhe shqetësimeve të shumta të jetës së përditshme që na vijnë të gjithëve ne. Nganjëherë, ato mund të na shpërqendrojnë nga bekimet dhe privilegjet e lavdishme që vetëm ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit na i ofron. Përballë kaq shumë zotimeve dhe përgjegjësive, mund të jetë sfiduese të dimë se çfarë është e vërtetë ose cilin drejtim duhet të marrim. Kjo mund të na bëjë që papritmas të ndihemi të mbingarkuar nga moria e kërkesave.

Fatmirësisht, Aty ynë i dashur Qiellor nuk na ka lënë të vetëm të zgjidhim se çfarë është e vërtetë ose se çfarë duhet të bëjmë.

Burimi i Gjithë së Vërtetës

Para se të largohej nga kjo tokë, Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, i premtoi dishepujve të Tij se Ati do të dërgonte Ngushëlluesin ose Frymën e Shenjtë për t’i bekuar ata. Jezusi tha se Ngushëlluesi “do t’ju mësojë çdo gjë dhe do t’ju kujtojë të gjitha këto” (Gjoni 14:26).

Një rol kyç i Frymës së Shenjtë është të jetë zbuluesi i së vërtetës (shih te Gjoni 16:13). Ati ynë Qiellor është burimi i gjithë të vërtetës së zbuluar, qoftë nëse vjen nëpërmjet profetëve, shikuesve e zbuluesve ose te ne individualisht nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Teksa përpiqemi të kemi shoqërimin e Frymës së Shenjtë, Ati ynë Qiellor do të na udhërrëfejë edhe përmes kohëve më sfiduese.

Lypni, Kërkoni dhe Trokitni

Për shkak se Ati ynë Qiellor dëshiron të na frymëzojë, mësojë, udhëzojë dhe të na ndërtojë [shpirtërisht], neve na bëhet ftesa: “Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju çelet” (Mateu 7:7; shih edhe te Lluka 11:9; 3 Nefi 14:7).

Kur Nefi i dëgjoi fjalët e atit të tij, Lehit, në lidhje me vegimin e Lehit për pemën e jetës, Nefi tha se ai “kish[te] dëshirë që të mund të shih[te] dhe të dëgjo[nte] dhe të di[nte] për këto gjëra, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, që është dhurata e Perëndisë te të gjithë ata që e kërkojnë atë me zell” (1 Nefi 10:17).

Kërkimi i së vërtetës kërkon zell. Kur jemi të zellshëm, ne përpiqemi vazhdimisht, sinqerisht dhe me rigorozitet ta dimë të vërtetën dhe vullnetin e Zotit për jetën tonë. Zelli për kërkimin e së vërtetës nga Zoti na sjell më afër Tij në të gjitha fazat e jetës sonë.

Profeti Jozef Smith mësoi herët në jetën e tij se njëra nga mënyrat më të efektshme për ta gjetur të vërtetën është t’i kërkosh përgjigjet e pyetjeve me besnikëri (shih te Joseph Smith – Historia 1:10, 18). Ne mund të shtrojmë pyetjet vijuese ndërsa kërkojmë për të vërtetën. Përgjigjet paraqesin një model që mund ta ndjekim për të ditur të vërtetën.

Pamja
grua duke mbajtur shkrimet e shenjta dhe duke u lutur

Te Kush të Drejtohemi për të Vërtetën?

Në fund të Librit të Mormonit, profeti Moroni e fton gjithsecilin të kërkojë nga Perëndia me një zemër të sinqertë dhe me qëllim të vërtetë e besim në Krisht, “në qoftë se këto gjëra nuk janë të vërteta”. Moroni dëshmon se Perëndia “do t’ju[a] tregojë të vërtetën [e Librit të Mormonit], nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë. Dhe nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, ju mund të dini të vërtetën e të gjitha gjërave” (Moroni 10:4–5).

Perëndia, Ati ynë i Amshuar, ka krijuar një mënyrë praktike dhe të arritshme se si fëmijët e Tij mund t’i kërkojnë Atij (shih te Jakob [Bibël] 1:5) dhe të vijnë më pranë Tij çdo ditë, çdo orë, madje kurdoherë. Kjo mënyrë e thjeshtë por sidoqoftë e fuqishme është lutja.

Mësimet e Almës ndaj birit të tij, Helamanit, gjejnë plotësisht zbatim për ne: “Përgjëroju Perëndisë, për gjithë mbështetjen tënde”. Në “të gjitha veprimet e tua … dhe kudo që të shkosh, … le të jenë të gjitha mendimet e tua të drejtuara te Zoti; po, le të jetë dashuria e zemrës sate e vendosur përgjithnjë te Zoti” (Alma 37:36). Alma dha gjithashtu mësim: “Këshillohu me Zotin për të gjitha veprimet e tua dhe ai do të të drejtojë për të mirë” (Alma 37:37). Ne nuk na duhet një kohë ose vend i caktuar për t’u lutur. Ndonëse mund të mos jemi gjithnjë në gjendje të lutemi me zë të lartë, ne gjithmonë mund të kemi një lutje në zemrën tonë (shih tek Alma 34:27).

Përgjigjet që marrim për lutjet tona mund të mos jenë përherë ato që presim. Nganjëherë, mund të jenë edhe të kundërta me vullnetin tonë. Lutjet tona mund të kërkojnë më shumë kohë për të marrë përgjigje nga sa ne dëshirojmë. Nganjëherë, mund të marrim vetëm heshtje për ca kohë. Por Ati Qiellor është i vetëdijshëm për nevojat tona. Përgjigjet e Tij do të jenë gjithnjë për të mirën tonë. Ne thjesht duhet të ecim përpara me besim te Jezu Krishti. (Shih te Lluka 11:9–13.)1

Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë ka shpallur se ne nuk do ta arrijmë kurrë Atin Qiellor veçse po të jetë nëpërmjet Tij. “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta”, tha Jezusi. “Askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje” (Gjoni 14:6). Kjo heq çdo mundësi tjetër, ose madje çfarëdo pengese, në komunikimin tonë me Perëndinë. Prandaj të gjitha lutjet, bisedat, dëshmitë, klasat dhe shumë gjëra të tjera që bëjmë – në kishë, në shtëpi me familjet tona ose individualisht – bëhen në emrin e Jezu Krishtit.

Çfarë Qëndrimi Duhet të Kemi?

Për ta gjetur të vërtetën, ne duhet të jemi të sinqertë dhe të kemi qëllime të vërteta. Kur e thërrasim përulësisht Atin Qiellor, ne bëhemi të gatshëm për të vepruar sipas përgjigjeve që marrim dhe e rritim aftësinë tonë për ta bërë këtë.

Sinqeriteti dhe qëllimi i vërtetë na shtyjnë të bëjmë gjëra që Ati Qiellor do të donte të bënim, jo ato që duam ne të bëjmë. Ne qartësisht ia tregojmë mirëbesimin tonë Atit Qiellor kur jemi [si një fëmijë] “i nënshtruar, i bindur, i përulur, i duruar, plot me dashuri, i gatshëm t’u nënshtrohet të gjitha gjërave që Zoti i sheh të përshtatshme të shkaktojë mbi [ne]” (Mosia 3:19). Nëpërmjet këtyre cilësive, ne arrijmë të kuptojmë e të mirëbesojmë se Ati Qiellor do të bëjë gjithnjë atë që është më e mira për ne.

Pamja
një person i ulur dhe duke parë malin lart

Fotografia nga Lee Michael Ragsdale

Si Do të Vijnë Përgjigjet?

Në lidhje me vendimin për të blerë ose marrë me qira një shtëpi, unë dhe bashkëshortja ime u lutëm, përsiatëm dhe biseduam shumë rreth kësaj. Si përfundim, në mendje dhe zemër na erdhi një ndjenjë se nuk duhet ta blinim shtëpinë. Ne vijuam me besim sipas përgjigjes që morëm, duke mos e ditur se çfarë do të ndodhte në jetën tonë.

Rreth 18 muaj më vonë, në prill 2022, u thirra si Autoritet i Përgjithshëm i Shtatëdhjetë. Pas konferencës së përgjithshme të prillit 2022, ne kishim vetëm tri javë kohë për t’u larguar nga Brazili për detyrën tonë të parë. Jetesa në një shtëpi të marrë me qira në atë kohë e bëri procesin e shpërnguljes shumë më të lehtë. Sot, unë dhe Rexhina mund ta shohim qartësisht se Zoti na udhërrëfeu në vendimin tonë.

Nefi gjithashtu mori sipas dëshirës së tij. Duke kërkuar me zell të vërtetën dhe duke besuar e mirëbesuar se Ati Qiellor do t’ia zbulonte atij të vërtetën, Nefi u bekua të shihte gjërat që pa ati i tij. Ai pa pemën e jetës, e cila përfaqëson dashurinë e Perëndisë, dashurinë që “është më e dëshirueshmja mbi të gjitha gjërat” dhe “më e gëzueshmja për shpirtin” (1 Nefi 11: 22, 23).

Nëpërmjet Frymës së Shenjtë, Ati ynë Qiellor zbulon të vërtetën që është në dispozicion për të gjithë fëmijët e Tij. Zoti zbuloi nëpërmjet Profetit Jozef Smith, se Fryma e Shenjtë mund t’i flasë mendjes dhe zemrës sonë (shih te Doktrina e Besëlidhje 8:2), “ndikon në ndjenjat [tona]” (Doktrina e Besëlidhje 128:1), bën që kraharori ynë “të digjet përbrenda” (Doktrina e Besëlidhje 9:8), e mbush shpirtin tonë me gëzim, na e ndriçon mendjen ose i flet paqe zemrës sonë të shqetësuar (shih te Doktrina e Besëlidhje 11:13; 6:14–15, 22–23).

Dëshmoj se e vërteta e Perëndisë e davarit dyshimin dhe frikën dhe na i forcon dëshmitë. Me Nefin, unë shpall: “Pasi, ai që kërkon me zell do të gjejë” (1 Nefi 10:19). Perëndia do ta zbulojë të vërtetën nëse e kërkojmë atë me zell, pasi Ai “është shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë atë” me zell (Hebrenjve 11:6). Këtë Ai do ta bëjë aq qartë saqë nuk do të lërë asnjë dyshim se dora e Tij e udhëheq jetën tonë.

Shënim

  1. Shih te Riçard G. Skot, “Përdorimi i Dhuratës Hyjnore të Lutjes”, Liahona, [Konferenca e Përgjithshme], prill 2007, f. 5–8.