Liahona
Kurset e Mbështetjes te Vetja: Lidhja e Financave me të Vërtetat e Ungjillit
Janar 2024


“Kurset e Mbështetjes te Vetja: Lidhja e Financave me të Vërtetat e Ungjillit”, Liahona, janar 2024.

Kurset e Mbështetjes te Vetja: Lidhja e Financave me të Vërtetat e Ungjillit

Kurset e mbështetjes te vetja i ndihmojnë pjesëmarrësit t’i përdorin idetë shpirtërore për nevojat e tyre financiare.

Pamja
grup njerëzish të ulur e duke biseduar

Disa nga udhëzimet më të hershme të Zotit ndaj fëmijëve të Tij ishin rreth punës dhe mbështetjes te vetja. Në Dhiatën e Vjetër, Ai e udhëzoi Adamin dhe Evën kështu: “Do të hash bukën me djersën e ballit” (Zanafilla 3:19). Dhe izraelitëve, Ai u tha: “Do të punosh gjashtë ditë” (Eksodi 20:9).

Sot, grupet e mbështetjes te vetja të financuara nga Kisha në mbarë botën po i ndihmojnë fëmijët e Perëndisë ta përmirësojnë arsimimin e tyre, të bëhen më të qëndrueshëm emocionalisht, të gjejnë punë më të mira, të hapin biznese dhe, siç e tregojnë përvojat më poshtë, t’i administrojnë më mirë financat e tyre.

Pamja
grua duke parë letrat

Pagimi i së Dhjetës nga të Ardhura të Vogla

Gjatë martesës së saj, Debora, nga Miçigani, SHBA, nuk e kishte kurrë problem administrimin e financave të saj. Por pasi u shkurorëzua nga bashkëshorti, faturat u bënë më të vështira për t’u paguar. Edhe pse Debora e kishte shijuar frekuentimin rregullisht të tempullit, ajo filloi ta kishte të vështirë të paguante të dhjetën dhe e ndërpreu vajtjen në tempull.

Ajo i kërkoi ndihmë peshkopit, i cili i tregoi rreth klasës së Kishës së mbështetjes te vetja mbi administrimin e financave vetjake, që po zhvillohej në kunjin e saj. Debora pranoi të shkonte, por në fillim nuk e kuptonte pse duhej të merrte pjesë: “Të them të vërtetën, i thashë vetes: ‘Nuk e di pse jam këtu. Unë di si ta bëj buxhetin e parave të mia. E kam bërë buxhetin gjithë jetën time.’”

Debora u takua me grupin dhe një ndërmjetës. Për dy orë çdo javë, ata mësuan si për aspektet materiale të qëndrueshmërisë financiare (të tilla si organizimi i një buxheti) edhe për aspektet shpirtërore të qëndrueshmërisë financiare (të tilla si të qenit një kujdestar/e besnik/e i/e të ardhurave). “Nuk i kisha lidhur kurrë këto të dyja së bashku ashtu siç i lidhte kjo klasë”, pranon Debora.

Debora ndjeu se lidhja e saj besëlidhëse me Atin Qiellor e ndihmoi atë të mësonte se si ta përfshinte Atë në vendimet e saj financiare. “Ati im Qiellor më ka qëndruar gjithmonë pranë. … Unë duhet ta përfshij Atë në gjithçka.”

Kur Debora veproi sipas nxitjeve dhe udhëzimit që mori nga grupi i saj i mbështetjes te vetja, ajo qe në gjendje të vinte para mënjanë për të dhjetën, të paguante faturat e saj dhe madje të kursente para, të gjitha këto pa i rritur të ardhurat e saj.

Presidenti Hiber J. Grant (1856–1945) dëshmoi se mund të bëhet më shumë me pjesën e mbetur të të ardhurave pas pagimit të së dhjetës sesa mund të bëhet me të gjithë shumën e parave para pagimit të së dhjetës: “Jap dëshmi … se burrat dhe gratë që kanë qenë plotësisht të ndershëm me Perëndinë, që e kanë paguar të dhjetën e tyre … dëshmojnë … se Perëndia u ka dhënë atyre urtësi duke i aftësuar t’i shfrytëzojnë mirë nëntë të dhjetat [9/10] e mbetura, dhe kjo ka qenë me vlerë më të madhe për ta, dhe ata kanë arritur më shumë gjëra me to nga ç’mund të arrinin po të mos kishin qenë të ndershëm me Zotin”1.

Debora mori bekime “qoftë tokësore ashtu edhe shpirtërore” (Mosia 2:41) teksa e respektoi ligjin e së dhjetës dhe i vuri në zbatim parimet e ungjillit në buxhetin e saj. Udhëzimi nga grupi i saj i mbështetjes te vetja dhe frymëzimi nga Fryma e Shenjtë i dhanë asaj një mundësi që të merrte një rekomandim tempulli dhe të rikthehej në tempull. “Çdo gjë që thashë se nuk mund ta bëja, Ai më tregoi që mund ta bëja atë dhe kaq shumë më tepër”, dëshmon ajo. “Ajo që bëni sot përcakton të ardhmen tuaj, dhe unë dua që e ardhmja ime të jetë e tillë që të mund të hyj në atë Tempullin e Detroitit dhe të filloj të bëj sërish punën për paraardhësit e mi.”

Pamja
bashkëshort e bashkëshorte me librin e kursit

Fotografia me mirësinë e Berry dhe Light Chu

Dalja nga Borxhi

Beri Çuit, nga Kunji i Taipeit të Mesëm në Tajvan, i nevojitej urtësi përtej kuptueshmërisë së saj pasi bëri një investim që nuk shkoi mirë, duke e lënë me një borxh të madh. Për pak kohë, situata e paralizoi Berin për të bërë përpara. Por Beri e përuli veten dhe e kërkoi Atin Qiellor në lutje. Nga ajo lutje, ajo mori guximin t’ia tregonte bashkëshortit të saj atë që kishte ndodhur. Me zemërbutësi dhe përulësi, bashkëshorti i Berit, Lajt Tsai, e qetësoi duke i thënë se do ta gjenin një zgjidhje dhe do ta mposhtnin borxhin. Së bashku, Lajti dhe Beri u lutën për të kërkuar udhërrëfimin e Zotit.

Beri dhe Lajti ndien se mund të përfitonin nga kursi i Kishës i mbështetjes te vetja për financat vetjake. Pavarësisht borxhit të madh, ata krijuan një plan për ta shlyer atë. Me ndihmë nga kursi, “[mësuam] t’i jepnim përparësi të dhjetës dhe …t’i administronin financat në një mënyrë të perëndishme,” thotë Beri. “Ne mësuam gjithashtu të bënim buxhetin dhe të vinim përparësi duke shpenzuar vetëm për gjërat e nevojshme”.

Beri dhe Lajti jo vetëm që mësuan se si të bënin buxhetin e të ardhurave të tyre me përgjegjshmëri, por grupi i tyre për financat vetjake e frymëzoi Berin që të ndërronte punë. [Ky] ndryshim i solli një pagë më të lartë, të cilën mund ta përdorte për të paguar borxhin e saj.

Të bashkuar në qëllimin e tyre, Beri dhe Lajti i përdorën të gjitha honoraret, investimet dhe të ardhurat e tyre shtesë nga punët e tyre me kohë të plotë e të pjesshme për të shlyer borxhin e Berit. Me ndihmën e Zotit, ata i mbuluan të gjitha shpenzimet dhe, më e rëndësishmja, prapëseprapë e paguan të dhjetën dhe dhanë oferta të tjera.

Zoti ka shpallur: “Është qëllimi im për të siguruar për shenjtorët e mi. … Por duhet të bëhet sipas mënyrës sime” (Doktrina e Besëlidhje 104:15–16). Individët dhe familjet anembanë botës po zbulojnë se si Ai siguron për ta teksa i vënë në praktikë parimet e mbështetjes shpirtërore dhe financiare te vetja.

Pamja
bashkëshort e bashkëshorte duke parë letra së bashku

Të Japim Mësim se “Si”, Jo Vetëm se “Çfarë”

Të dy, Kërtisi dhe Pshaunda Skoti, nga Teksasi, SHBA, donin të ishin të mençur me financat e tyre, por nuk binin dot dakord me mënyrën se si. Pshaunda e dinte se kishin nevojë për sigurim shëndetësor, por Kërtisi e dinte se nuk mund ta përballonin këtë. Ndonëse e donin njëri-tjetrin, këndvështrimet e tyre të ndryshme mbi financat krijuan një tension në martesën e tyre. “Kur vinte puna te financat”, kujton Pshaunda, “nuk binim në një mendje as për çështjet e mëdha, aq më pak për çështjet e vogla”.

Kërtisi e pohon këtë. “Paraja ishte gjithmonë një temë acaruese dhe kishte biseda të rëndësishme që ne nuk i bënim.”

Peshkopi i tyre i rekomandoi Pshaundës dhe Kërtisit që të fillonin të frekuentonin kursin e mbështetjes te vetja për financat vetjake që ofrohej në kunjin e tyre.

Kërtisi u habit nga fakti se sa mirë funksionoi për të formati i një diskutimi të hapur në klasën e tyre. Ai qe në gjendje të shpjegonte mendimet e tij dhe të merrte ide nga të tjerët që i kuptonin rrethanat e tij familjare. Diskutimet e grupit e ndihmuan Kërtisin të zbulonte jo vetëm parime të ungjillit, por edhe mënyra praktike për t’i vënë në zbatim ato. Gjatë gjashtë viteve që nga pagëzimi i tij, Kërtisin e kishin mësuar shpesh se ai duhet ta rriste besimin e tij, t’i përmirësonte lutjet dhe të afrohej më shumë me Shpëtimtarin, por ai ndjeu se kursi i mbështetjes te vetja e mësoi atë se si t’i bënte ato përmirësime.

Teksa Kërtisi mësoi se si t’i vinte në zbatim parimet e ungjillit për financat në shtëpinë e tij dhe në biznesin e tij, ai zbuloi më thellësisht dashurinë e Zotit për të. “Kjo në fakt ma ka forcuar bindjen time dhe kuptueshmërinë time për kujdesin dhe shqetësimin që ka Ati Qiellor për ne”, thotë ai.

Pshaunda ndjeu se aspekti shpirtëror i kursit të mbështetjes te vetja e ndihmoi atë të kuptonte se si edhe çështjet financiare mund të gjenin vend në planin e Perëndisë. “Kjo ma forcoi dëshminë … hap pas hapi, rresht pas rreshti.”

Përfshirja e mësimeve të Zotit në vendimet e tyre financiare bëri më në fund që Kërtisi dhe Pshaunda të binin në të njëjtën mendje [edhe] për çështjet e vogla. “Po bëhemi një skuadër”, thotë Pshaunda. “Nuk do të thosha që jemi të pasur ose madje që kemi më shumë para, por pa dyshim po shkojmë në drejtimin e duhur.”

Shënime

  1. Heber J. Grant, në Conference Report, prill 1912, f. 30.

  2. Mesazh nga Presidenca e Parë”, te Financat Vetjake për Mbështetjen te Vetja (2017).