Liahona
Të Bëhesh Dëshmitar/e
Janar 2024


“Të Bëhesh Dëshmitar/e”, Liahona, janar 2024.

Eja, Më Ndiq

Faqet e Parathënies së Librit të Mormonit

Të Bëhesh Dëshmitar/e

Pamja
Moroni duke i treguar Meri Uitmerit fletët prej ari

Mary Whitmer and Moroni [Meri Uitmeri dhe Moroni], nga Robert Pack

Në pranverën e vitit 1829, Meri dhe Piter Uitmeri i mirëpritën në shtëpinë e tyre Jozef e Ema Smithin dhe Oliver Kaudërin që të mund të përfundonte përkthimi i fletëve prej ari. Kërkesat që parashtronte jeta për kohën e Merit ishin të larta. Ajo kujdesej për nëntë veta në shtëpinë e saj dhe ndihmonte fëmijët e saj të martuar që jetonin aty pranë.

Pesë bijtë e Merit si dhe të dy dhëndurët (e ardhshëm) të saj u bënë dëshmitarë zyrtarë të fletëve prej ari në qershor 1829. Po atë muaj, Meri mori një dëshmi vetjake.

Jashtë shtëpisë së saj, një burrë me flokë të thinjura me një çantë shpine mbi supin e vet iu afrua Merit dhe i tha: “Quhem Moroni. Je lodhur shumë me gjithë punën shtesë që të duhet të bësh.” Duke e hequr çantën e shpinës nga supi i vet, Moroni vijoi: “Ke qenë shumë besnike dhe e zellshme në punët e tua. Si rrjedhojë, është me vend që ti duhet të marrësh një dëshmi që besimi yt të mund të forcohet.” Më pas, ai ia zbuloi atë që kishte në çantën e shpinës – fletët e arta.1

Meri u bë dëshmitare e fletëve të arta, si Tre Dëshmitarët dhe Tetë Dëshmitarët, dëshmitë e të cilëve gjenden në faqet e parathënies së Librit të Mormonit. Përulësia dhe zelli i Merit e përgatitën atë që të ishte dëshmitare. Dëshmia e saj nuk është e shkruar në faqet e parathënies së Librit të Mormonit dhe emri i saj nuk është as mbi pllaka përkujtimore, monumente apo mendjen e shumë shenjtorëve që jetuan pas saj. Ndonëse ndihmesat e saj të përditshme në shtëpinë dhe familjen e saj me gjasë nuk u vunë re nga shumë njerëz, ato ishin të ditura për Perëndinë.

Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

“Zoti gjykon kaq shumë ndryshe nga mënyra se si gjykojmë ne. Ai është i kënaqur me shërbëtorin fisnik, jo me fisnikun që i shërben vetes.

Ata që janë të përulur në këtë jetë do të mbajnë kurora lavdie në tjetrën.”2

Anali i Moronit tani është i përkthyer si Libri i Mormonit dhe ne mund të marrim një dëshmi për vërtetësinë e tij sipas premtimit që la Moroni në faqet e tij të fundit: “Do t’ju këshilloja që të pyesni Perëndinë, Atin e Amshuar, në emrin e Krishtit, në qoftë se këto gjëra nuk janë të vërteta; dhe në qoftë se ju do të kërkoni me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë duke pasur besim në Krisht, ai do t’ju tregojë të vërtetën [e tij], nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë” (Moroni 10:4).

A ndieni ndonjëherë sikur barrët tuaja janë të mëdha, por që përpjekjet tuaja kalojnë pa u vënë re? Ati Qiellor ju njeh dhe Ai i di të mirat që bëni ju. Ndërsa shkoni e bëni mirë (shih te Veprat e Apostujve 10:38), duke shërbyer pa fanfarë dhe duke hulumtuar shkrimet e shenjta, Fryma e Shenjtë mund t’jua pohojë të vërtetën e ungjillit.

Fëmijët e Mary dhe Peter Whitmer Plakut

Christian Whitmer

Jacob Whitmer

John Whitmer

David Whitmer

Catherine Whitmer (Page)

Peter Whitmer

Elizabeth Ann Whitmer (Cowdery)

Njëri nga Tetë Dëshmitarët

Njëri nga Tetë Dëshmitarët

Njëri nga Tetë Dëshmitarët

Njëri nga Tre Dëshmitarët

U martua me Hiram Page‑in, njërin nga Tetë Dëshmitarët

Njëri nga Tetë Dëshmitarët

U martua me Oliver Cowdery‑in, njërin nga Tre Dëshmitarët

Shënime

  1. Shih te Shenjtorët: Historia e Kishës së Jezu Krishtit në Ditët e Mëvonshme, vëll. 1, Standardi i së Vërtetës, 1815–1846 (2018), f. 70–71.

  2. Diter F. Uhtdorf, “Ngrini Atje ku Ndodheni”, Liahona, nëntor 2008, f. 54–55.