Liahona
Frekuenca e Duhur
Janar 2024


“Frekuenca e Duhur”, Liahona, janar 2024.

Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Frekuenca e Duhur

Nuk e kuptoja se pse piloti i humbur nuk komunikonte me ne.

Pamja
aeroplan i vogël me kullën e kontrollit të trafikut ajror në sfond

Ilustrimi nga Roger Motzkusart

Një pasdite gjatë praktikës sime si kontrollor i trafikut ajror në aeroportin e Tihuanës, Meksikë, unë dhe instruktori im vumë re se aeroportin dhe një pjesë të madhe të qytetit e kishte mbuluar një brez mjegulle që vinte nga oqeani. Megjithatë, dukshmëria ishte brenda kufirit të lejuar për avionët që të uleshin në tokë dhe të ngriheshin në fluturim.

Shpejt, pikasëm në radar një aeroplan të tipit Cessna 172 që po vinte nga jugu përgjatë bregdetit, duke fluturuar sipas rregullave të fluturimit vizual (VFR). Sipas rregullave VFR, pilotët e përcaktojnë me sy vendndodhjen me pika referimi në tokë për të arritur në vendmbërritjen e tyre.

Fatkeqësisht, piloti kishte humbur në mjegull. Duke fluturuar në rrathë përqark zonës bregdetare, ai u përpoq që të pozicionohej në raport me aeroportin, por dukshmëria e dobët ia kufizonte shikimin. E pyeta instruktorin tim se çfarë mund të bënim për ta ndihmuar.

“Ai duhet të lidhet me frekuencën e valëve ajrore të kullës dhe të komunikojë me ne”, – u përgjigj ai. “Përndryshe, nuk mund të bëjmë dot asgjë për të.”

Nuk e kuptoja se pse piloti i humbur nuk komunikonte me ne. A kishte ndonjë problem me radion e tij? A mendonte se mund të dilte vetë nga rreziku?

Minutat kalonin. Më në fund, piloti u lidh me frekuencën e kullës. Me një ton të shqetësuar, ai kërkoi ndihmë. I dhamë atij menjëherë udhëzime për ta udhëhequr të sigurt drejt pistës së aeroportit. Ai thjesht duhet t’u mirëbesonte udhëzimeve tona dhe instrumenteve të aeroplanit të tij.

Të shihnim aeroplanin të dilte nga mjegulla pak minuta më vonë dhe më pas të ulej i sigurt në tokë na dha një gëzim të papërshkrueshëm.

Rrugës për në shtëpi, përsiata me vete atë që kishte përjetuar piloti. Thirrja që na bëri në frekuencën e duhur të valëve ajrore solli ndryshimin midis marrjes së ndihmës ose fluturimit në rrathë – apo më keq.

Ashtu si ky pilot, edhe unë humbas nganjëherë në “një mjegull errësire” (1 Nefi 8:23). Kur kam nevojë për udhërrëfimin e Perëndisë, Ai pret me padurim të ma dëgjojë zërin.

Pikërisht ashtu siç mund ta shihja unë aeroplanin e humbur në radar, Ati ynë Qiellor na sheh neve dhe sfidat tona. Jam mirënjohës që Ai na jep udhërrëfim. Ai siguron ndihmë nëpërmjet lutjes, shkrimeve të shenjta, profetëve të gjallë dhe dhuratës së Frymës së Shenjtë. Ai do të na udhëheqë larg nga rreziku fizik dhe shpirtëror nëse lidhemi me frekuencën e duhur, kërkojmë udhërrëfim dhe e dëgjojmë zërin e Tij.