Liahona
Gjetja e Dritës së Shpëtimtarit në Librin e Mormonit
Janar 2024


“Gjetja e Dritës së Shpëtimtarit në Librin e Mormonit”, Liahona, janar 2024.

Për Prindërit

Gjetja e Dritës së Shpëtimtarit në Librin e Mormonit

Pamja
familje duke lexuar së bashku

Të Dashur Prindër,

Botimi i këtij muaji jep ide rreth Librit të Mormonit si programi mësimor për Eja, Më Ndiq për vitin 2024. Artikujt më poshtë diskutojnë mbi pika kyç për gjetjen e dritës dhe të së vërtetës në një botë shpesh të mbushur me errësirë e pështjellim.

Diskutimet mbi Ungjillin

Kërkimi i Dritës së Shpëtimtarit

Merrni parasysh të ndani disa ide me familjen tuaj nga artikulli i Presidentit Ajring në faqen 4 dhe të diskutoni mbi rolin që luan ajo dritë në jetën tonë. Shqyrtoni historinë e Kamrinës se si e gjeti Shpëtimtarin në errësirë. Si mund ta gjejë familja juaj dritën e Shpëtimtarit nëpërmjet studimit të Librit të Mormonit këtë vit?

Ku të Kërkojmë për të Vërtetën

Perëndia është burimi i gjithë së vërtetës dhe ne mund ta mësojmë të vërtetën e Tij duke e kërkuar atë me zell. Plaku dhe Motra Silva kishin nevojë të vendosnin se ku të jetonin pasi u kthyen nga misioni, kështu që kërkuan udhërrëfim nga Zoti (shih faqen 20). Kur jua ka dhënë Zoti udhërrëfimin që ju nevojitej?

Shikoni më Shumë në Studimin Tuaj të Ungjillit

Kur vizitojnë një muze arti, njerëzit shpesh nxitojnë të shohin gjithçka munden, duke bërë që me gjasë ata ta humbasin bukurinë e artit. Po kësisoj, lexuesit e Librit të Mormonit mund të humbasin të vërteta të rëndësishme nëse nxitojnë gjatë leximit. Çfarë strategjish mund të na ndihmojnë që t’i hedhim një vështrim të kujdesshëm këtij libri të shkrimit të shenjtë? Shihni faqen 12 për disa ide.

Argëtimi Familjar me Programin Eja, Më Ndiq

Shtegu i Ngushtë e i Ngushtuar

1 Nefi 8; 11; 15

Ngrënia e frutës së pemës së jetës është një simbol i zgjedhjes së jetës së përjetshme nëpërmjet Jezu Krishtit (shih te 1 Nefi 15:36; Doktrina e Besëlidhje 14:7). Provojeni këtë veprimtari për të mësuar se si na drejton shufra e hekurit (fjala e Perëndisë) te kjo dhuratë, më e madhja e Perëndisë.

  1. Ngjiteni në mur një figurë të pemës së jetës.

  2. Ngjiteni me skoç një fije spango (që përfaqëson shufrën e hekurit) poshtë figurës dhe vëreni dikë që të qëndrojë në anën tjetër të dhomës duke mbajtur skajin tjetër të spangos.

  3. Matni se sa kohë i duhet një fëmije me sytë e mbyllur që të ecë nga njëri skaj i dhomës deri te pema e jetës pa u mbajtur te spangoja.

  4. Tani matni se sa kohë duhet për të mbërritur te pema e jetës ndërkohë që mbahet te spangoja.

Diskutim: Çfarë mund të bëjmë që të mbahemi te shufra e hekurit dhe të mos e lëshojmë kurrë atë?