2007
Durimi gjer në Fillim
Tetor 2007


Durimi gjer në Fillim

Kërkoi shtatë vjet, por ia vleu pritja.

Cilët janë mësuesit?” e pyeta shoqen time kur po ecnim rrugës një të shtunë në mëngjes në shkurt të vitit 2000. Ishim 14 vjeçe atëherë.

“Ata janë miq të mi dhe ndodhen këtu për një mision a diçka të tillë”, tha ajo. Nuk kishim folur asnjëherë më parë për besim fetar, edhe pse ishim shoqe të ngushta. Ajo më tha se po shkonim të merrnim pjesë në kursin e anglishtes që miqtë e saj mësonin falas. E dinte që unë do të tregoja interes, sepse shkoja në një shkollë të mesme për anglisht.

Kur hymë në ndërtesë, sytë m’u ngulën tek fotot nëpër mure. Të ishte kishë kjo? Nuk ngjante si Kisha Ortodokse bullgare, të vetmen kishë që kisha vizituar më parë. Shumica e njerëzve e konsiderojnë çdo kishë tjetër si kult. Dhe gjithashtu, kur Bullgaria ishte nën komunizëm deri më 1989, besimi fetar dënohej dhe shumë njerëz akoma e shihnin fenë si diçka pa vend.

Shoqja më pyeti nëse dëshiroja të vija në kishë të nesërmen. Iu përgjigja se po, më tepër nga kurioziteti sesa nga devocioni. E dija që, përderisa ajo shkonte, nuk kishte ndonjë të keqe këtu.

Fillova të shkoj në kishë rregullisht. Dëshiroja të dija më tepër për mësimet e saj. Doja të dija pse ata të rinj që mbanin etiketa me emrin e tyre, kishin lënë vendin e tyre për të ardhur në Bullgari dhe të hynin brenda mjedisit fetar armiqësor të këtushëm. Edhe pse nuk isha besimtare në atë kohë, diçka më bënte të vazhdoja të shkoja në veprimtaritë e Kishës. Më pëlqente shumë shpirti miqësor i misionarëve dhe buzëqeshjet e ngrohta të anëtarëve.

U miqësova me të rejat e degës. U mahnita nga besimi i tyre dhe dëshira e madhe për t’u shërbyer të tjerëve. Mbaj mend kohën kur thashë lutjen time të parë tek klasa e të Rejave. Nuk isha lutur kurrë më parë dhe nuk e dija sa e fuqishme mund të ishte lutja. Nuk kisha ndier atë lidhje të fortë me Atin tonë Qiellor që sjell lutja. Nuk e dija që isha bija e Tij. Kurrë nuk kam pushuar së luturi mbas kësaj. Sa herë që më duhej të kapërceja një vështirësi, e dija se mund t’i kërkoja drejtim Atit tim Qiellor. Shpeshherë ato lutje do të më sillnin lotë në sy, ngaqë ndieja sigurinë nga Shpirti i Shenjtë se Perëndia më do. Fillova të vë besimin tek Zoti.

Kur u shfaqën tundimet e viteve të adoleshencës, tashmë kisha besim të paepur tek Jezu Krishti, gjë e cila më dha forcë për t’i kapërcyer këto tundime. Arrija të shihja si i tundonte moshatarët e mi Satani me gjërat e botës dhe se si lëshimet e vogla të çonin drejt të mëdhave. Ishte e vështirë të dilja në mbrojtje të parimeve të mia, por lidhja që kisha me Atin tim në Qiell përmes lutjes, më ndihmoi t’u qëndroja larg tundimeve. Kisha vendosur të jetoja sipas parimeve të planit të shpëtimit. E dija pa asnjë dyshim që një ditë do të bekohesha.

Fatkeqësisht, nuk mund të bashkohesha me Kishën atë kohë. Prindërit e mi kundërshtuan me forcë, veçanërisht babai. Por mund ta kuptoja atë. Prindërit e tij nuk e çuan asnjëherë atë në kishë; ai u rrit në një kohë kur vendi ishte nën regjimin komunist. Megjithatë, e dija që Zoti kishte përgatitur një rrugë që unë një ditë të bashkohesha me Kishën. Tashmë e dija se ajo rrugë do të ishte shumë e vështirë. Por kisha mësuar nga shkrimet e shenjta që vuajtjet mund të jenë për të mirën tonë.

Shkova në seminar dhe më vonë në institut, ndoqa aktivitetet e Kishës dhe madje fillova edhe Programin e Përparimit Personal. Mezi prisja të shkoja në aktivitetet e të Rejave. Nuk do t’i harroj asnjëherë orët që kalonim duke gatuar, duke bërë kartolina ose librashenjuese, zbukurimin e klasës sonë, lojërat si edhe shpirtin e mrekullueshëm të miqësisë mes nesh. Çdo aktivitet më ndihmonte të kuptoja natyrën time hyjnore dhe rolin tim në jetë.

Një nga projektet më të vështira të Përparimit Personal ishte të mësoje përmendësh deklaratën “Krishti i Gjallë”1. Kur e pashë tekstin, mendova se do të ishte sfidë e madhe ta mësoje përmendësh. Afro dy javë më pas, arrita të kuptoja përse ai projekt përfshihej tek vlera e Besimit. Ai ishte një provë e besimit dhe durimit, një provë me përfundime shpërblyese. Dëshmia e Apostujve më ndihmoi të forcoja besimin dhe dëshminë. Duke i mbajtur mend fjalët e tyre frymëzuese për jetën dhe shërbesën hyjnore të Krishtit, mora guxim të dëshmoj vetë për Të.

Kur isha rreth 16 vjeçe, patëm një aktivitet se si të jemi misionarë kohëplotë. Ne u ndamë në dyshe dhe jetuam si misionarët për një javë. Ajo ishte hera e parë që unë mësova sa e rëndësishme është t’ua tregosh dëshminë tënde të tjerëve. Ky aktivitet më ndihmoi jo vetëm të kuptoj sa vështirësi ka t’i shërbesh Zotit, por edhe gëzimin që ndiejmë duke përhapur ungjillin dhe duke parë se si e ndryshojnë jetën e dikujt mësimet e Krishtit. Ai më ndihmoi të kuptoj se ç’do të thotë të “[qëndrosh si dëshmitare e] Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet” (Mosia 18:9).

Duke qenë “joanëtare aktive”, ashtu siç më quanin të gjithë, mësova të kem durim dhe shpresë se një ditë do të bëhesha anëtare e Kishës. E dija se kjo ishte provë e besimit dhe e durimit tim. Thoja me vete sa do të zgjasë para se të pastrohem dhe të filloj një jetë të re.

Ajo ditë erdhi pothuajse shtatë vjet pasi shoqja ime më mori në kishë atë mëngjes të ftohtë shkurti të vitit 2000. U pagëzova në moshën 21 vjeçe në shtëpinë e misionit në Sofie. Dita e pagëzimit tim ishte një nga ditët më të lumtura të jetës sime. Në atë çast ndjeva dashurinë e madhe shëlbuese që Ati Qiellor ka për mua. E ndjeva atë edhe më tepër kur mora sakramentin ditën tjetër. Nuk mund t’i mbaja lotët. Djegia e Shpirtit përbrenda meje më thoshte se pritja ia vleu. Më në fund munda të gëzoj dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe bekimet e tjera të anëtarësimit në Kishë.

Jam mirënjohëse që jam bekuar me njohurinë e ungjillit të rivendosur. E di se mund t’i mposhtim vështirësitë e jetës nëpërmjet besimit dhe durimit. Nuk kemi asnjë privilegj tjetër më të madh e më shpërblyes, sesa të jemi anëtarë të Kishës së vetme të vërtetë mbi tokë. Asgjë nuk sjell lumturi më të madhe se njohuria që kemi se mund të jetojmë me Perëndinë përsëri, kur jemi anëtarë të denjë të Kishës.

Shënime

  1. Shih “Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve dhe Profëtëve”, Liahona, prill 2000, faqe 2.