2007
Kujtesa e Xhaxha Gilbertos
Tetor 2007


Kujtesa e Xhaxha Gilbertos

Kur fillova të mësoj për punën e ordinancave për të vdekurit, u frymëzova nga dashuria e madhe që bashkëshorti im tregonte për gjyshen e tij, duke u kujdesur që asaj t’i kryheshin ordinancat e tempullit. Kjo më motivoi që të mësoja më tepër mbi vetë paraardhësit e mi. Në vitet që kanë kaluar që atëherë, shumë vëllezër dhe motra, përfshirë edhe ata të qendrës së historisë familjare pranë shtëpisë sime në Guadalahara, Meksikë, më kanë ndihmuar të mësoj si të bëj punën për paraardhësit e mi.

Më 1991 mora bekimin tim patriarkal dhe u udhëzova të merakosesha për të afërmit e mi të vdekur dhe t’u përkushtohesha atyre. E vendosa këtë si qëllim, gjë e cila çoi në diskutime të përditshme me prindërit e mi, të cilët nuk ishin anëtarë të Kishës. Shpesh pyesja lidhur me familjen time, por nëna ime mund të më tregonte vetëm lidhur me gjyshërit e mi.

Një ditë nëna më tha se Xhaxha Gilberto, vëllai i babait tim, kishte pësuar një krizë zemre. “E di se ai do të kishte shumë dëshirë të fliste me ty”, tha nëna. “Ai ka një kujtesë të fortë dhe mund të të japë goxha të dhëna mbi familjen.”

Kur i telefonova qendrës së përkujdesjes ku ndodhej ai, gruaja e tij u përgjigj dhe më tha se xhaxhai ishte keq dhe nuk mund të fliste. I urova shërim të shpejtë dhe i thashë asaj se do të lutesha për ta dhe familjen e tyre.

Të nesërmen telefonova përsëri qendrën e përkujdesjes. Për habinë time, u përgjigj në telefon xhaxhai im.

“Xhaxha Gilberto!” i thashë. “Telefonova që të të them se jam lutur me zjarr për shërimin tënd dhe se të dua.”

“Të falemnderit shumë, Bibi”, u përgjigj ai. “Këtë mëngjes u zgjova shumë më mirë. Më thuaj si po ia kalon ti.”

I tregova për padurimin tim për të ditur emrat e pjesëtarëve të familjes që ishin nga Arabia dhe Libani. Nëna ime kishte të drejtë për kujtesën e xhaxhait tim. Ai dinte emra, data dhe vende për katër breza të familjes nga ana e babait tim.

Kur mbylla telefonin, ndjeva që bashkëbisedimi ynë do të ishte i fundit që do të kishim në këtë jetë. Pata të drejtë. Por Zoti na kishte bekuar të dyve, prandaj arrita të fitoj të dhënat që më nevojiteshin për të bashkuar familjen tonë — për tani dhe në përjetësi.