2007
Për Forcën e të Gjithëve: Bisedë me Presidencinë e Përgjithshme të të Rejave
Tetor 2007


Për Forcën e të Gjithëve: Bisedë me Presidencinë e Përgjithshme të të Rejave

Presidencia e përgjithshme e të Rejave — Suzan W. Taner, presidente (në qendër), Xhuli B. Bek, këshilltare e parë (majtas) dhe Elen S. Dalton, këshilltare e dytë (djathtas) — flasin për mënyrat me të cilat prindërit dhe udhëheqësit mund të ndihmojnë rininë të rrisë dëshirën dhe vendosmërinë për të jetuar sipas standardeve të ungjillit. Që nga koha e bisedës, Motra Bek është thirrur si presidente e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës dhe Meri N. Kuk është thirrur në presidencinë e përgjithshme të të Rejave.

Pamja
Pamja
Pamja

Mbi çfarë mund të përqendrohen prindërit dhe udhëheqësit kur u flasin të rinjve për standarde?

Motra Suzan W. Taner: Ne kemi një moto si presidenci: “Unë mund të bëj gjëra të vështira”. Këshilltari ynë priftëror, Plaku Xhon B. Dikson, na sugjeroi ta ndryshonim atë në “Kur e di se cila jam, mund të bëj çdo gjë që Ai më kërkon”. Ne mendojmë plotësisht që, në rast se të rinjtë e kuptojnë se cilët janë si fëmijë të Perëndisë, atëherë do t’i zbatojnë standardet. Kuptimi për identitetin që ata kanë u jep vetëbesim.

Motra Elen S. Dalton: Të flasësh për standarde, nuk është të flasësh për rregulla; standardet flasin se si të cilësohesh për shoqërimin e Frymës së Shenjtë. Standardet flasin se si të qëndrosh në vende të shenjta, që të jeni i denjë për të pasur shoqërimin e anëtarit të tretë të Kreut-Perëndi. Ai do të jetë udhëheqësi juaj nëpër shtegun ku ju hytë gjatë pagëzimit dhe konfirmimit — shtegun që çon drejt tempullit.

Motra Xhuli B. Bek: Më kujtohet një reportere që i sulmoi standardet tona si gjëra kufizuese. Ajo kishte lexuar librin “Për Forcën e Rinisë” dhe mendonte se ishte i gjithi vetëm rregulla. Prandaj, i fola për sigurinë dhe alternativat dhe përdora fjalët çliroj, shpengoj dhe mbroj. I thashë, për shembull, që, në qoftë se një e re i bindet standardit tonë duke mos pirë alkool ose të mos marrë droga, ajo nuk do të jetë kurrë skllave ndaj atyre prirjeve. Do të jetë e lirë dhe aftësia e saj në të zgjedhur do të shumëfishohet, ngaqë ajo nuk do të ketë problemin e vartësisë. Reporterja filloi të pohonte me kokë kur e kuptoi se standardet nuk janë gardh për të na mbajtur brenda. Standardet janë ato që na ndihmojnë të dalim dhe të jemi efektivë në një botë me plot alternativa. Ne mund të kontribuojmë në këtë botë dhe të jetojmë jetë të lumtura e prodhimtare, sepse jemi të mbrojtur.

Si mund t’ua shtien në zemër standardet të rinjve prindërit dhe udhëheqësit?

Motra Taner: Nganjëherë vështrojmë nga vështirësitë me të cilat përballen të rinjtë dhe kemi një parashikim aty për aty, në vend të atij afatgjatë. Është interesante të lexosh “Për Forcën e Rinisë” në kërkim të premtimeve; është interesante të lexosh shkrimet e shenjta në kërkim të premtimeve. Kurdoherë që na jepet këshillë për të bërë diçka, ajo përgjithësisht ndiqet nga një premtim. Prindërit dhe udhëheqësit që i kanë vënë në jetë standardet, janë një shembull i madh. Të rinjtë mund të shohin që gjëra të mira na kanë ndodhur në jetë, që kemi qenë në gjendje të krijojmë familje të përjetshme. Ato janë premtime të plotësuara në jetën tonë.

Motra Dalton: Nuk kam takuar asnjëherë ndonjë që nuk i donte premtimet e librit “Për Forcën e Rinisë”: “Ju do të mund ta kryeni detyrën e jetës suaj me më shumë urtësi e mjeshtëri”, ju do të mund t’i “duroni provat me kurajo më të madhe”, ju “do të keni ndihmën e Frymës së Shenjtë”, “do të ndiheni mirë rreth vetes”, “do të ushtroni një ndikim pozitiv në jetën e të tjerëve” dhe “do të jeni të denjë të shkoni në tempull” (faqe 2-3).

Motra Bek: Në qoftë se nuk ndiheni të turpëruar për bekimet, atëherë nuk mund të ndiheni të turpëruar mbi atë që ju sjell bekime.

Motra Dalton: Nganjëherë prindërit mendojnë se një standard është gjë e vogël. Ata thonë: “Nuk do të luftoj në atë betejë ose të vdes për atë kështjellë”. Por kjo nuk është për kështjella; është për shenjtërinë. Një standard është për të kuptuar se kush jeni si bir ose bijë e Perëndisë.

Si mund ta mposhtin prindërit dhe udhëheqësit frikën se mos i ofendojnë ose armiqësohen me të rinjtë?

Motra Bek: Mendoj për disa shkrime të shenjta: “Mos ki frikë para tyre, sepse unë jam me ty” (Jeremia 1:8) dhe “Hape gojën tënde dhe ajo do të mbushet” (Moisiu 6:32). Zoti pret që udhëheqësit e Tij — dhe çdo prind është një udhëheqës — të thonë të vërtetën.

Motra Taner: Seksioni 121 i Doktrinës e Besëlidhjeve thotë se, kur “[qortoni] në kohën e duhur me mprehtësi”, tregoni “më pas rritje të dashurisë” (vargu 43). Nëse të rinjtë e dinë fillimisht që ju i doni, ata janë më të gatshëm të dëgjojnë. Dhe, në rast se ju vazhdoni të punoni me dashuri, mund të thoni edhe gjëra që janë të vështira për t’ua thënë.

Motra Bek: Mendoj se ne i nënvlerësojmë të rinjtë. Ata janë në një moshë kërkuese — është mosha e “pse”-së. Ka arsye për këtë: Zoti dëshiron që ata të marrin dëshminë e tyre vetjake. Është punë për udhëheqësit dhe prindërit që t’u japin atyre “përse”-të doktrinore dhe të përforcojnë standardet duke u mësuar arsyen pse ato janë dhënë. Kujtoj disa bashkëbisedime që kisha me vajzën, për veshjen e së dielës. I shpjegova ç’mendoja unë se si të vishej për të marrë pjesë në mbledhjen e sakramentit. I mësova mbi sakramentin gjithashtu dhe thashë dëshminë time pse ne shkojmë në kishë. Kjo gjë u bë me dashuri. Ajo nuk e ndryshoi mënyrën e veshjes që atë të diel apo javën më pas. Por shumë shpejt ajo përvetësoi një standard më të rregullt të veshjes për mbledhjen e sakramentit. Tregova durim ndërkohë që ajo merrte pohimin nga vetvetja. Dhe ajo nuk iu kthye më kurrë mënyrës së mëparshme të veshjes. I ishte mësuar doktrina dhe “pse”-ja e saj mori përgjigje.

Si mund t’i ndihmojë libri “Për Forcën e Rinisë” prindërit dhe udhëheqësit që t’u përgjigjen “pse”-ve?

Motra Taner: E dua librin “Për Forcën e Rinisë”, sepse bazohet mbi doktrinën. Doktrina është e vërteta e përjetshme, e caktuar përpara themelimit të botës. Dhe standardet bazohen mbi doktrinën, prandaj as standardet nuk do të ndryshojnë. Ato nuk janë diçka e shkëputur nga realiteti që të rriturit i krijuan vetëm për ta bërë më të vështirë jetën. Libri “Për Forcën e Rinisë” shpall doktrina dhe standarde mbase më qartë se çdo burim tjetër. Ai flet edhe për rrjedhoja. Kështu ju mund të shihni se ç’është e vërteta e përjetshme, ç’gjë duhet të bëjmë ose të mos bëjmë dhe pse duhet apo nuk duhet bërë. Ky libër mund të jetë një ndihmë vigane për prindërit. Nganjëherë kur mendoj: “Dua ta shpjegoj këtë saktë me fjalë të kuptueshme”, shkoj tek libri dhe ideja që më duhet është e përmbledhur në një fjali.

Në ç’mënyra të tjera mund ta përdorin prindërit dhe udhëheqësit librin “Për Forcën e Rinisë”?

Motra Bek: Ju mund të diskutoni nga një standard në mbrëmjen familjare në shtëpi dhe në çdo seksion shënoni doktrinën, standardet dhe rrjedhojat. Si mësues në Kishë, ju mund ta përdornit në çdo mësim. Kjo më ka ndihmuar të mësoj përmendësh disa thënie kyçe që unë vërtet dëshiroj t’i theksoj dhe unë konstatoj se, kur jam duke u folur të rinjve, ato fjali veç kur më vijnë ndërmend.

Motra Dalton: Për shembull, një thënie kyçe është kjo: “Satani do që ju të mendoni se nuk mund të pendoheni, por …”

Motra Dalton dhe Motra Bek së bashku: “… kjo nuk është në asnjë mënyrë e vërtetë” (faqe 30)!

Motra Taner: Shpesh të rinjtë janë mësuesit më të mirë të njëri-tjetrit. Një nga gjërat që na pëlqen shumë të bëjmë kur flasim me të rinjtë, është t’u japim një libër “Për Forcën e Rinisë” dhe t’u themi: “Dëshiroj që ju të zgjidhni cilindo nga këto standarde dhe brenda pak minutave të jepni një bisedë të shkurtër mbi të”. Më ka ndodhur që aq shumë biseda të paplanifikuara kanë mbushur dhomën me Shpirtin. Kur të rinjtë tregojnë përvojat e tyre dhe thonë dëshmitë, ata ndiejnë Shpirtin dhe fillojnë të mësojnë për fuqinë e librit.

Motra Bek: Nuk mjafton t’u kushtosh standardeve vetëm një natë në vit. Mund ta përdorim “Për Forcën e Rinisë” tek kampi; mund ta përdorim atë tek konferenca e të rinjve dhe në rrethana formale dhe joformale. Ai libër është një burim që duhet të ndodhet përherë përballë të rinjve tanë. Dhe prindërit e udhëheqësit duhet të jetojnë në harmoni me të. Ju s’mund të jeni udhëheqësi që u thotë të rinjve çfarë filmash të shmangin dhe pastaj të shkoni tek ata filma. Nuk mund të jeni nëna që thotë: “Mos vish atë veshje të turpshme” e pastaj ju vishni një të tillë. Nuk mund të jeni ai baba që thotë: “Paguaje të dhjetën”, por vetë jo.

Atëherë, a luan rol libri “Për Forcën e Rinisë” për njerëzit që nuk janë të rinj?

Motra Dalton: Unë e quaj atë “Për Forcën ‘Tuaj’”. Ai gjen zbatim për ne të gjithë.

Motra Bek: Libri që kam unë, ka emrin tim mbi të dhe ka shënime për mua. Standardet nuk kanë veçori gjinore ose moshe; ato janë për fëmijët e Perëndisë.

Cilat janë disa nga bekimet e menjëhershme që marrim duke jetuar standardet e Zotit ashtu siç mësohen tek libri “Për Forcën e Rinisë”?

Motra Dalton: Paqe në mendje.

Motra Bek: Shoqërimi nga Fryma e Shenjtë.

Motra Dalton: Dhe siguri brenda vetes. Kjo lidhet edhe me temën e përbashkët të të Rinjve për 2007-ën: “Virtyti duhet t’i stolisë mendimet e tua pa pushim; atëherë do të forcohet vetbesimi yt në prani të Perëndisë” (DeB 121:45). Ato bekime të menjëhershme janë me rëndësi, sepse nganjëherë të rinjtë mendojnë: “Po të zgjedh këtë gjë, nuk do të kem asnjë shok”. Për fat të keq, ashtu mund të jetë.

Motra Taner: Kështu më ndodhi mua në klasën e shtatë. Unë isha e ndershme, gjë që ishte e kundërta e asaj që kërkohej prej meje nga një grup i njohur vajzash. Për atë shkak unë nuk kisha shoqe dhe trishtohesha, por kisha bindjen se ajo që kisha bërë ishte e drejtë. Dhe jam e sigurt se ishte kjo që më forcoi përmes një periudhe kohe. E dija se mund t’i dilja ballas kujtdo që vërtet më duhej t’i dilja ashtu — Atit tim Qiellor dhe familjes sime. Por madje edhe ajo njohuri nuk nënkupton se nuk lëndohesh.

Motra Dalton: “Për Forcën e Rinisë” nuk premton një jetë pa probleme kur jetoni standardet, por thotë se “ju do të … duroni provat me kurajo më të madhe” (faqe 2). Megjithëse nuk e kuptova këtë atë natë kur dola nga festa dhe i mbylla derën gjithë të ardhmes sime shoqërore — ata fëmijë të njohur më mohuan që atëherë e tutje — e di tashmë se, të jetosh standardet, të jep aftësi të jesh ti ajo që prin. Një e re ose një i ri me guxim për t’i jetuar këto standarde dhe me guximin për të ikur nga një rrethanë e papërshtatshme, u jep të tjerëve guximin që ta ndjekin pas.

Cilat janë bekimet afatgjata të të jetuarit me standardet e librit “Për Forcën e Rinisë”?

Motra Bek: Javën e kaluar po bëja pazarin me mbesat e mia. Vura re një shitëse që po vështronte se sa po argëtoheshim. Më vonë i dhashë asaj një kartë-ftesë nga të Kishës. Ajo më tha: “Jam në një pikë të tillë në jetën time, ku po përpiqem të marr përgjegjësi dhe nuk di se si”. Kështu që ne folëm. Thënia ime përmbyllëse drejtuar asaj ishte: “Nëse e dëshiron këtë gjë, kur të jesh sa mosha ime” — dhe tregova nga mbesat e mia të vogla — “duhet të jesh shumë e kujdesshme ndaj gjërave që zgjedh tani. Zgjedhjet që kam bërë në moshën tuaj, përcaktuan se cila jam tani.”

Motra Dalton: Bekimet afatgjata përhapen nëpër breza dhe një gjë e vogël që ju e bëni drejt tani, mund të përbëjë një ndryshim të madh në atë se ku përfundoni ju dhe se ku përfundojnë brezat të cilët ju ndjekin pas. Dhe ne s’mund të harrojmë që brezat para nesh sakrifikuan që ne të kishim ungjillin dhe të njihnim standardet.

Si mund t’i bëjnë ballë tundimit të rinjtë dhe të marrin bekime të menjëhershme dhe ato afatgjata?

Motra Dalton: Kur i pyes të rinjtë: “Cila është gjëja më e vështirë që bëni?” shumë thonë: “Të shkosh nëpër festa dhe të të ofrohet për të pirë dhe të mos pish”. Prandaj unë i pyes: “Pse ndodheni ju aty në festë?” Dhe ata thonë: “Shkoj që të jem një shembull i mirë për të tjerët”. Atëherë u përgjigjem gjithnjë: “Silleni shoqërinë tuaj në vende ku ata mund të ndiejnë Shpirtin. Mos hyni asnjëherë në vende ku nuk hyn Shpirti. I shmangni ato!”

Motra Bek: Plaku Lin G. Robins, i të Shtatëdhjetëve, përdor një analogji. Ai thotë se, në rast se mbani dietë që jua ndalon biskotat me çokollatë, por hyni në kuzhinë pikërisht kur biskotat janë pjekur — ndihet aroma e këndshme dhe ju mund ta përfytyroni çokollatën që shkrin sapo e ndani biskotën më dysh — sa kohë duhet që ju të provonit njërën prej tyre? Sa të fortë jeni ju në të vërtetë? Kjo është të rezistosh ose të përpiqesh të rezistosh. Por, në qoftë se mbani dietë që jua ndalon biskotat me çokollatë, nuk hyni në kuzhinën ku ato piqen dhe nuk i piqni vetë ato, atëherë ju po shmangni tundimin. Kjo është më e lehtë!

Çfarë mund arrijnë të përmbushin të rinjtë që i jetojnë këto standarde të drejta?

Motra Bek: Satani u vjen të rinjve tanë nga të gjitha anët. Por ne kemi mbrojtje, prandaj nuk është nevoja të frikësohemi. Ne mund t’u besojmë premtimeve të Zotit. Ai thotë që të rinj e të reja do të shohin ëndrra dhe do të kenë vegime, se Ai do të derdhë Shpirtin e Tij mbi ta në ditët e fundit dhe Ai do ta përmbytë tokën me drejtësinë dhe të vërtetën (shih Joeli 2:28-32; Moisiu 7:62). Nuk ka asgjë që s’mund ta bëjnë të rinjtë e drejtë!

Motra Dalton: Të rinjtë tanë janë lojtarët kryesorë në kohën e skenave përmbyllëse të tokës. Lexojmë për fatkeqësitë dhe gjërat që do të ndodhin, por të jetuarit e standardeve të ungjillit tek libri “Për Forcën e Rinisë”, do t’i ruajë, mbrojë dhe forcojë të rinjtë tanë në një mënyrë të tillë që ata do të jenë në gjendje të shërbejnë dhe të bëjnë atë që askush tjetër nuk do të jetë në gjëndje ta bëjë.

Motra Taner: Të rinjtë e sotëm janë si ushtria e Helamanit! Ata të rinj u rritën për të shpëtuar atë brez të nefitëve dhe të rinjtë tanë po rriten për ta shpëtuar këtë brez.

Në ndihmë të të rinjve për të gjetur forcë

Një rrugë për të filluar t’i bëjmë mësimet e librit “Për Forcën e Rinisë” (nr. i artikullit 36550) pjesë të jetës sonë — dhe për t’i çuar ato në zemrën e të rinjve — është të përcaktojmë doktrinat, standardet dhe rrjedhojat në çdo seksion të këtij libri. Për shembull, merrni seksionin “Pastërtia Seksuale”.

Doktrina i përgjigjet pyetjes “Pse i jetojmë ne këto standarde?” “Intimiteti fizik midis burrit dhe gruas është i bukur dhe i shenjtë. Ai është shuguruar nga Perëndia për krijimin e fëmijëve dhe për shprehjen e dashurisë midis burrit dhe gruas. Perëndia ka urdhëruar që intimiteti seksual të rezervohet vetëm për martesën” (faqe 26).

Standardet na mësojnë se çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet të bëjmë: “Mos kini marrëdhënie seksuale para martesës dhe jini plotësisht besnikë ndaj bashkëshortit/-tes tuaj pas martesës” (faqe 26).

Rrjedhojat janë përfundime pozitive ose negative sipas të jetuarit të standardeve: “Kur i bindeni urdhërimit të Perëndisë që të jeni seksualisht të pastër, ju përgatiteni për të bërë dhe për të mbajtur besëlidhjet e shenjta në tempull. Ju përgatisni veten të ndërtoni një martesë të fortë dhe të sillni në botë fëmijë si pjesë e një familjeje të dashur. Ju mbroheni nga dëmet emocionale që vijnë gjithmonë si pasojë e ndarjes së intimitetit seksual me dikë jashtë martesës” (faqe 26).

Përhapja e standardeve

Pamja

Një e re që njoh unë, ndihej disi e shkurajuar që miqtë ia vinin në dyshim standardet e saj: “Pse nuk mund të takohesh me djem para moshës 16 vjeçe?” “Pse nuk pi pije?” Kur ajo u lut se si ta trajtonte këtë situatë, i erdhi në mendje kjo ide: “Do ta vë librin ‘Për Forcën e Rinisë’ në xhepin e pantallonave të mia. Kur njerëzit të më pyesin, për shembull, për takimet me djem, do t’u jap librin e do t’u them të lexojnë seksionin mbi takimet.”

Kjo rezultoi një ide e madhe! Brenda tre muajve ajo dha 52 kopje të librit “Për Forcën e Rinisë”. Dhe tre miq të rinj të saj filluan të merrnin pjesë në kishë bashkë me të.

Kjo e re kishte guxim në një mënyrë miqësore dhe nuk u shfajësua për standardet e saj. Kur të rinjtë i jetojnë standardet me qartësi dhe pa u shfajësuar, të tjerët do t’i respektojnë ata dhe do të shohin nga shembulli i tyre.

Meri N. Kuk, këshilltare e dytë në presidencinë e përgjithshme të të Rejave.