2007
Shikimi i një lidhjeje
Tetor 2007


Shikimi i një lidhjeje

Çen, Jang Su-ijan ka qenë e verbër që nga viti 1981, kur pati ndërlikime pas një operacioni për heqjen e perdeve të syrit. Por humbja e shikimit e ndihmoi të gjente ungjillin dhe rrjedhimisht e ndihmoi atë të shihte rëndësinë e punës së tempullit dhe historisë familjare.

Për shkak se para pak kohësh ajo kishte humbur shikimin, motra Çin nuk e kuptoi se të dy vajzat e reja që ndodheshin në derën e saj dhe i kishin kërkuar një gotë ujë, ishin misionare. Ftesa që ajo u bëri për të hyrë brenda, e ndryshoi plotësisht jetën e saj.

“Shumica e njerëzve më konsideronin të pavlerë, meqë isha e verbër”, thotë motra Çen. “Por kjo nuk ishte ajo që donte të më thoshte Perëndia. Ai më dërgoi misionarë pasi humba shikimin, për të më mësuar se të gjithë jemi fëmijë të Perëndisë dhe se ai na shëlbeu me një çmim të madh. E mësova vlerën time për shkak të çmimit që Jezusi pagoi. Unë jam tepër e çmuar.”

Që atëherë motra Çen ka shërbyer në shumë thirrje në lagjen e Parë të Çung Li të kunjit Tao Juan, Taivan, si dhe ka shërbyer në tempull që nga viti 1992.

Por humbja e shikimit të saj nuk do të ishte e vetmja sprovë me të cilën motra Çen do të përballej. Në vitin 1987 ajo thuajse vdiq pas zhvillimit të një cisti të madh që kërkoi heqjen e një brinje. Ajo mbijetoi, por faturat mjekësore i morën të gjitha kursimet e jetës së saj. Ajo pyeste veten përse Perëndia nuk e kishte marrë atë.

Ajo tha se përgjigjja e Tij ishte: “Ke akoma shumë gjëra për të bërë”.

Jo shumë kohë më pas, ajo ndjeu thirrjen e historisë familjare.

“Pyesja veten, si mund të bëj gjenealogji nëse nuk mund të shoh?” thotë ajo. “Por ndjenja nuk u largua.”

Me ndihmën e një mikeshe të dashur ajo ka kërkuar 22 breza të prejardhjes së saj familjare dhe i ka kryer vetë të gjitha ordinancat për gratë. Ajo tani po punon me degët e tjera të pemës së saj familjare. Përgjatë këtij procesi ajo ka arritur të vlerësojë lidhjen e pandashme ndërmjet punës së tempullit dhe historisë familjare.

“Ka shumë ordinanca që marrim në tempull dhe të gjitha janë të rëndësishme”, thotë motra Çen. “Por duhet të bëjmë historinë tonë familjare. Ne nuk mund t’ua japim këto ordinanca paraardhësve tanë pa kryer gjenealogjinë tonë.”

“Puna e tempullit dhe historisë familjare janë një punë”, thotë Plaku Denis B. Nojenshvander i të Shtatëdhjetëve. “Kërkimi i historisë familjare duhet të jetë burimi kryesor i emrave për ordinanca tempulli dhe ordinancat e tempullit janë arsyeja kryesore për kërkimin e historisë familjare.”1

Motra Çen po lufton tani me një sëmundje të re dhe pasojat e një krize të vogël zemre. Njëzet vjet pasi e pyeti për herë të parë Perëndinë se përse Ai e kishte kursyer, ajo u gjend duke i bërë të njëjtën pyetje—dhe duke marrë të njëjtën përgjigje. “A nuk ta kam thënë tashmë?” ndjeu t’i thoshte Ai. “Akoma ke punë për të bërë në tempull.”

Kështu që motra Çen vazhdon të kalojë në tempull një javë në muaj.

“Këto janë gjëra që duhet të bëjmë për paraardhësit tanë të cilat ata nuk mund t’i bëjnë për veten e tyre”, thotë ajo. “Për shkak të gjendjes time, nuk kam të njëjtat impenjime si të tjerët me punë dhe gjëra të tilla. Duhet të punoj fort tani për sa kohë që mundem.”

Shënim

  1. “Bridges and Eternal Keepsakes,” Liahona, korrik 1999, 100.