2007
Presidenti Xhejms E. Faust
Tetor 2007


Në Kujtim të Tij – Shtojcë për Liahonën

Presidenti Xhejms E. Faust

Bariu i Dashur

31 KORRIK 1920 – 10 GUSHT 2007

Pamja

Xhejms E. Faust e kujtonte gjithnjë blegërimën e qengjit të tij të trembur. Kur ishte djalë i vogël, ai harroi ta fuste në hangar qengjin e tij një natë kur nisi stuhia.

“E dija që duhet ta ndihmoja qengjin tim, por desha të rrija në shtrat i sigurt, ngrohtë-ngrohtë dhe pa u lagur. Nuk u ngrita siç duhej të kisha vepruar”, kujtonte ai gjatë një sesioni të priftërisë të konferencës së përgjithshme. “Mëngjesin tjetër dola jashtë dhe gjej qengjin tim të ngordhur. Një qen e kishte dëgjuar gjithashtu blegërimën e tij qarëse dhe e kishte mbytur.”

“M’u copëtua zemra”, tha ai. Ai kuptoi se nuk kishte qenë bari i mirë. Qortimi i dashur i të atit e lëndoi edhe më tepër: “Bir, nuk mund të të besoja të përkujdeseshe për një qengj të vetëm?”1

Atë ditë Xhejmsi vendosi se do të përpiqej më së miri të mos e linte pas dore kujdestarinë, po të kishte rastin të ishte përsëri bari. Si misionar kohëplotë në Brazil, si bashkëshort dhe baba i devotshëm, avokat i suksesshëm, udhëheqës politik, anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dhe si Këshilltar i Dytë në Presidencinë e Parë ai e mbajti mend vendimin e tij. Deri në fund të shërbesës së tij, e cila u mbyll më 10 gusht 2007, kur vdiq për shkak të moshës, Presidenti Faust mbeti i përkushtuar ndaj këshillës së Zotit: “Kulloti qengjat e mi!” (Gjoni 21:15).

Familja dhe Besimi

Xhejms Ezdras Faust lindi në Delta të Jutës më 31 korrik 1920, njëri nga të pestë bijtë e Xhorxh A. dhe Emi Finlinson Faust. Më vonë familja u vendos në Salt Lejk Siti, ku Xhorxhi punonte si noter dhe gjyqtar në gjykatën e rajonit. Në shtëpi dhe në fermat e gjyshërve të tij në Jutën qendrore, Xhejmsi i ri gëzonte dashurinë dhe përkrahjen e një familjeje të përqendruar tek Krishti dhe mprehu virtytet e ndershmërisë, të punës së palodhur dhe të shërbimit.

“Asnjë njeri nuk ka patur ndonjëhere një atë më të mirë, sesa unë”2, thoshte ai. Për nënën e tij kujtonte: “Ishte një grua thellësisht e përshpirtshme me natyrë shenjtoreje, e cila ilustronte plotësisht jetesën e Krishtit”3.

Në moshë të rritur Presidenti Faust përpiqej të nderonte dhe të arrinte prindërit e tij, duke i dhënë gjithnjë përparësi familjes dhe Kishës. “Nuk ka përgjegjësi më të madhe se të jesh bashkëshort dhe baba”4, mësoi ai. Për Kishën dhe misionin e saj ai shpalli: “Asgjë në botë nuk barazohet me këtë punë”5.

Pas shkollës së mesme, ku shkëlqeu në futboll amerikan dhe në pistën e vrapimit, ai u thirr të shërbejë në Misionin e Brazilit nga viti 1939 deri 1942. Ndërsa ishte në Brazil, u zhvillua dashuria e tij për fëmijët e Perëndisë dhe mirëqenien e tyre. “Kam lindur me verbëri të pjesshme ndaj ngjyrës”, tha ai. “Kam mësuar t’i dua të gjithë njerëzit në vendet ku kam qenë si misionar, si ushtar ose si Autoritet i Përgjithshëm, pavarësisht nga ngjyra e lëkurës së tyre. Shpresoj të jem një dishepull … veçanërisht për të përulurit, të shtypurit, të varfërit, të pikëlluarit, nevojtarët dhe të varfërit në shpirt. Jam i ndërgjegjshëm se, në qoftë se i harrojmë këta, nuk mund të jemi në asnjë mënyrë dishepujt e [Zotit]”6.

Gjashtë javë pas kthimit të tij nga misioni, Presidenti Faust hyri tek U.S. Army Air Corps [Trupat e Forcës Ajrore të ShBA]. Kur ishte me pushime në 1943, ai u martua në Tempullin e Salt Lejkut me Ruth Rajt, të cilën e kishte njohur që në shkollën e mesme. Në kohën që ndodhej larg, gjatë Luftës II Botërore, ai i shkruante asaj një letër çdo ditë7. Për marrëdhënien e bashkëshortëve Faust, Plaku Jozef B. Uirthlin, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha: “Shembulli i tyre është një model absolut i një martese të mrekullueshme”8.

Përkushtimi i tij i thellë ndaj Ruthit dhe të pesë fëmijëve, 25 nipërve e mbesave dhe 27 stërnipërve e stërmbesave të tyre dhe mbështetja e saj e pandryshueshme për të, ishin të dukshme për të gjithë ata që i njihnin.

“Dëshiroj me gjithë zemër që fëmijët e mi ta dinë se unë nuk mund t’ia dal mbanë në këtë thirrje, po të mos ia dilja gjithashtu mbanë si baba i tyre, dhe se ata do të jenë përherë më të rëndësishmit në jetën time”9, tha ai pasi u thirr Asistent për Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve më 1972. Mbas mbështetjes së tij për në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve pas gjashtë vitesh, të parin mendim që pati ishte të takonte Ruthin10, për të cilën ai tha se ështe “po aq shumë pjesë e imja, sa edhe zemra dhe shpirti im”11.

Busull Morali

Shpejt pas kërkesës për të hyrë në shkollën e kandidatit për oficer, më 1942, Presidenti Faust u thirr të pyetej para një komisioni. Gati të gjitha pyetjet që i bëri komisioni, përqendroheshin mbi standardet dhe se çfarë besonte. E pinte duhanin? A pinte alkool? A lutej? Megjithëse trembej se mos shkaktonte fyerje, Presidenti Faust iu përgjigj çdo pyetjeje pa lënë paqartësi. Pastaj u pyet nëse kodi i moralit duhej zbutur në kohë lufte.

“E kuptova se këtu ishte një rast mbase për të fituar ca pikë dhe për t’u dukur me horizont”, tha ai. “Dyshova se mos njerëzit që po më bënin këtë pyetje, nuk jetonin me standardet që m’u mësuan mua. Një mendim më vetëtiu në mendje se mbase unë mund të thoja që kisha besime të miat për këtë, por që nuk dëshiroja t’ua imponoja ato të tjerëve. Por m’u duk sikur më vetëtinë përpara mendjes fytyrat e shumë njerëzve të cilëve u kisha mësuar ligjin e dëlirësisë kur isha misionar. Në fund thashë thjesht: ‘Unë nuk besoj se ka standard të dyfishtë për moralin’.”12

Për habinë e tij, ai e kaloi pyetësorin dhe u zgjodh për shkollën e kandidatit të oficerëve.

“Në të gjitha vitet e gjata të jetës sime, jam përpjekur të mos e fsheh cili jam dhe çfarë besoj”, tha ai në konferencën e përgjithshme të fundit ku mori pjesë. “Nuk arrij të kujtoj një rast të vetëm kur pranimi me përulësi se jam anëtar i kësaj kishe, më lëndoi karierën ose më humbi miq të çmuar.”13

Ndershmëria, të cilën Presidenti Faust e quante “busull morali”, i shërbeu mjaft gjatë praktikës 24-vjeçare si noter. Integriteti i tij – ndërthurur me famën për paanësi, marrje vendimesh të mençura dhe shfaqje të dhembshurisë e të shqetësimit për të tjerët – e shquante ndërmjet kolegëve të tij dhe çoi drejt mundësive për shërbim profesional, qytetar dhe komunitar. Ai shërbeu në parlamentin e Jutës nga viti 1949 deri 1951, si president i Utah Bar Association [Shoqata e Avokatëve të Certifikuar] nga 1962 deri 1963, në Komitetin e Avokatëve Për të Drejtat Civile dhe Konfliktin Racial, të presidentit të ShBA, Xhon F. Kenedi, dhe si anëtar i Komisionit të Rishikimit të Kushtetutës së Jutës.

Gërshetimi unik i ndjeshmërisë dhe i aftësisë së Presidentit Faust e ndihmoi gjithashtu të shërbente me efektshmëri si peshkop, këshilltar i lartë, president i kunjit, përfaqësues rajonal, Asistent i të Dymbëdhjetëve, i Shtatëdhjetë dhe Apostull. “Në secilën prej këtyre thirrjeve”, vërente Plaku Nil A. Maksuell (1926–2004), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, “ai vërtetoi se një udhëheqës i mirë është gjithnjë dëgjues i mirë.”14

Në Ndërtim të Urave Lidhëse

Megjithëse pa pretendime dhe i shpejtë në kalimin e meritës tek të tjerët, Presidenti Faust dha për Kishën shumë kontribute domethënëse përmes dekadave të shërbesës. Si anëtar i Komitetit të Çështjeve Publike për Kishën ai përdori mjeshtërinë e tij ligjore në disa çështje politike që kishin nënkuptime morale, duke përfshirë sistemin e propozuar të barazisë në bastin e garave me kuaj në Juta. Gjithashtu përkrahu ndryshimin e logos së Kishës për theksimin e emrit të Jezu Krishtit. Veç kësaj, ndihmoi të udhëhiqej vendimi i Kishës drejt angazhimit të shërbimeve të një firme mbarëbotërore të marrëdhënieve publike, e cila ka ndihmuar Kishën të përhapë mesazhin e saj, të ndreqë ide të gabuara për të dhe të përmirësojë marrëdhëniet me mjetet e informimit.

Ai punoi për të ndërtuar ura lidhëse me pjesëtarë dhe udhëheqës të besimeve të tjera. Në ato përpjekje ai ishte i ngadaltë të ndihej i fyer, por i shpejtë në shfaqjen e durimit, të dashamirësisë dhe të mirëkuptimit.

Në një ngjarje të komunitetit, ku merrnin pjesë ai dhe Motra Faust, një drejtues i një besimi tjetër e kritikoi Kishën. Motra Faust sillte ndër mend: “Fillova të zemërohesha gjithnjë e më shumë teksa ai vazhdonte të fliste, por Xhimi vetëm e dëgjonte me durim. Më pas, shkoi drejt këtij njeriu dhe i tha: ‘Atëherë, Hirësi, nëse ju mendoni ashtu, ne po bëkemi diçka gabim. Do të dëshiroja që të hanim së bashku, që kështu të më lejoni të di se çfarë ju shqetëson.’ Ashtu bënë dhe që të dy kanë qenë miq të mirë që nga ajo kohë.”15

Në vitet ’80 Presidenti Faust punoi nga afër me Presidentin Hauard W. Hanter (1907– 1995), atëherë i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe Plakun Xhefri R. Holland, atëherë president i Universitetit Brigam Jang, që ta shndërronin në realitet idenë e tyre për një “Jerusalem Center for Near Eastern Studies” [Qendër e Jeruzalemit për Studime të Lindjes së Afërme] të UBJ. Presidenti Faust dhe Presidenti Hanter çanë përmes bisedimeve të shumta dhe kundërshtimit të zgjatur në marrjen e tokës me qera dhe mbikqyrjen e ndërtimit të qendrës.

Një dëshmitar okular i këtij procesi tha: “Plaku Faust ishte vërtet njeri i paqes, përherë në kërkim të mënyrave për të qetësuar miqtë tanë judenj shpesh të shqetësuar, që kërkonin fundin e pranisë sonë në Jeruzalem, apo për të qetësuar ujërat e turbullta mes shenjtorëve të ditëve të mëvonshme në Jeruzalem të cilët nganjëherë ndiheshin të fyer nga kundërshtimi.”16

Në Ndihmë të të Tjerëve

Qoftë duke punuar në Brazil si Mbikqyrës Zonal për Amerikën e Jugut nga viti 1975 deri 1977, qoftë duke kryesuar mbi Misionin Ndërkombëtar më 1977 si anëtar i Presidencisë së Kuorumit të Parë të të Shtatëdhjetëve, qoftë duke u shërbyer anëtarëve të Kishës si Apostull që nga viti 1978 ose duke shërbyer si Këshilltar i Dytë për Presidentin Gordon B. Hinkli që nga viti 1995, Presidenti Faust u përpoq gjithnjë të vijë në ndihmë me shpirt dashamirësie dhe vëllazërie.

Bisedat e tij në konferenca shpesh pasqyrojnë dy urdhërimet e mëdha të Shpëtimtarit: ta duash e t’i shërbesh Perëndisë dhe të duash e t’u shërbesh fëmijëve të Tij. Me ngrohtësi, mprehtësi dhe urtësi Presidenti Faust sillte në foltore një hir atëror, duke bekuar jetën e të gjithë atyre që dëgjonin dëshminë e tij dhe mbanin parasysh këshillën e tij.

“Kauza më e madhe nga të gjitha kauzat në botë [është] shpëtimi i secilit fëmijë të Atit tonë”17, tha ai. “Arritja më e madhe në jetë vjen nga shërbimi ndaj të tjerëve.”18

Në Mesazhin e Presidencisë së Parë të gushtit 2007, dhënë prej tij, Presidenti Faust tha se shpresonte “t’u ofronte mundësi për zhvillim dhe lumturi të gjithë anëtarëve, qofshin të martuar ose beqarë”. Duke rikujtuar shëmbëlltyrën e bariut të mirë, ai shtoi: “Të përpiqesh të gjesh dikë që i nevojitet ndihma jonë, përfshin ardhjen në ndihmë në mënyra të shumta”19.

Në bisedën e tij të fundit të konferencës së përgjithshme ai dëshmoi për fuqinë shëruese të faljes. “Për të gjithë ne që i falim ‘ata që mëkatojnë ndaj nesh’ [Përkthimi i Jozef Smithtit, Mateu 6:13], madje edhe ata që kanë kryer krime të rënda, Shlyerja sjell një madhësi paqeje dhe ngushëllimi”, tha ai. “Le të mbajmë mend se ne kemi nevojë të falim që të falemi. … Me gjithë zemrën dhe shpirtin tim besoj tek fuqia shëruese që mund të na vijë kur ndjekim këshillën e Shpëtimtarit për ‘t’i [falur] të gjithë njerëzit’ [DeB 64:10].”20

Dëshmia

Gjatë shërbesës së tij Presidenti Faust dha shpesh dëshmi për Librin e Mormonit, Rivendosjen, Profetin Jozef Smith dhe për çelësat dhe autoritetin që mbajtën Presidentët e Kishës. “Është zëri i Presidentit Hinkli ai zë që nevojitet të dëgjojmë sot, këshilla e tij ajo që nevojitet të ndjekim”, shpalli ai, “me qëllim që gjërat më të mira të na ngjasin.”21

Presidenti Faust dha gjithashtu një dëshmi të flaktë për Shpëtimtarin, duke shkruar tekstin për këngën “This Is the Christ” [“Ky Është Krishti”] dhe duke dëshmuar: “Ata nga ne të cilët mbajmë apostullimin e shenjtë, dëshirojnë përherë të plotësojnë përgjegjësinë që kemi, duke dëshmuar për natyrën hyjnore të Shpëtimtarit. Ndiej një detyrim për të vepruar kështu. Kam patur një dëshmi gjithë jetën time. Së fundmi, megjithëkëtë, më ka ardhur në shpirt një dëshmi mbizotëruese për natyrën hyjnore të kësaj pune të shenjtë. Kjo dëshmi e sigurt është më e padyshimtë se kurrë më parë në jetën time.”22

Presidenti Faust nuk e harroi kurrë qengjin e trembur të djalërisë së tij. Dhe nuk e harroi kurrë vendosmërinë si një kujdestar i grigjës. Duke u përpjekur të arrijë Bariun e Mirë, për të cilin kishte një dëshmi “të patundur”23, ai i priu një jete që u bë predikimi i tij më i mirë – predikimi i një bariu të dashur.

MOMENTE HISTORIKE NË JETËN E PRESIDENTIT XHEJMS E. FAUST

31 korrik 1920

Lindur në Delta, Juta, prindërve Xhorxh A. dhe Emi Finlinson Faust

1937–1939

Ndoqi Universitetin e Jutës në Salt Lejk Siti

1939–1942

Shërben në misionin e Brazilit

21 prill 1943

Martohet me Ruth Rajt në Tempullin e Salt Lejkut

1942–1945

Shërben në Trupat e Forcës Ajrore të ShBA gjatë Luftës II Botërore, i liruar me nder si një lejtnant i parë

1948

Diplomohet nga Universiteti i Jutës me gradët e diplomantit dhe të Doktorit të Ligjit; fillon praktikimin e ligjit në Salt Lejk Siti

8 maj 1949

Mbështetet peshkop i Lagjes Big Cottonwood

1949–1951

Shërben në Ndërtesën e Përfaqësuesve të Jutës

18 mars 1956

Mbështetet president i Kunjit Cottonwood

31 maj 1962

Zgjidhet president i Shoqatës së Avokatëve të Certifikuar

1962

Caktohet nga presidenti i ShBA, Xhon F. Kenedi, në Komitetin e Avokatëve Për të Drejtat Civile dhe Konfliktin Racial

14 dhjetor 1968

Thirret si përfaqësues zonal

Janar 1970

Caktohet në bordin e drejtuesve të Deseret News

6 tetor 1972

Mbështetet Asistent i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve

1 tetor 1976

Mbështetet në Presidencinë e Kuorumit të Parë të Shtatëdhjetëve

Qershor 1977

Thirret të kryesojë mbi Misionin Ndërkombëtar

30 shtator 1978

Mbështetet në Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve

12 mars 1995

Veçohet Këshilltar i Dytë në Presidencinë e Parë

27 prill 1998

Merr një çmim kombëtar qytetarie nga Brazili – një nder i dhënë vetëm pak udhëheqësve të botës

2000

Dedikon shtatë tempuj: Oaksaka Meksiko, Tukstla Gutierrez Meksiko, Medford Oregon, Memfis Tenezi, Nashvil Tenezi, San Hoze Kosta Rika dhe Oklahoma Siti Oklahoma

10 gusht 2007

Vdes në Salt Lejk Siti, Juta, në moshën 87-vjeçare

NDERIME NË FUNERAL NGA PRESIDENCIA E PARË

“Urtësia e tij ishte e thellë dhe e gjerë. Ajo erdhi nga një përvojë e gjatë në shumë fusha. Ai solli me vete mendjen e një avokati dhe dhembshurinë e një udhëheqësi të Kishës. … Besimi i tij tek e vërteta e ungjillit të rivendosur ishte i palëkundur. Nuk kishte asnjë dyshim në mendjen e tij lidhur me thirrjen profetike të Jozef Smithit. Ai nuk kishte dyshim për vlefshmërinë e Librit të Mormonit. …

Ikja i tij qe një ikje paqeje, dashurie dhe drite. Paqe i qoftë kujtimit të tij. Ne të gjithë jemi më të pasur prej shoqërimit tonë me të.”

President Gordon B. Hinkli

“Ai ishte njeri i përvojës, njeri i urtësisë, njeri i dashurisë. Ai ishte njeri i besimit, njeri i lutjes, por, më shumë se të gjitha, ishte njeri i Perëndisë. Nuk kishte asnjë të çarë në parzmoren e tij; nuk kishte asnjë mashtrim në shpirtin e tij; nuk kishte asnjë cen në karakterin e tij.

Presidenti Faust e deshi Zotin me gjithë zemër dhe shpirt dhe i shërbeu Atij me të gjithë fuqinë deri në fund fare të jetës së tij të vdekshme. … Ai ishte mësues i së vërtetës. Ai la pas një trashëgim nderi dhe një trashëgimi dashurie. Perëndia e bekoftë kujtimin e tij.”

President Tomas S. Monson, Këshilltar i Parë në Presidencinë e Parë

Shënime

  1. “Responsibilities of Shepherds,” Ensign, maj 1995, fq. 46.

  2. “To Become One of the Fishers,” Ensign, janar 1973, fq. 81.

  3. In Wm. Grant Bangerter, “Elder James E. Faust,” Ensign, tetor 1986, fq. 7.

  4. Ensign, maj 1995, fq. 46.

  5. “Finding the Abundant Life,” Liahona, nëntor 2000, fq. 5.

  6. “Response to the Call,” Ensign, nëntor 1978, fq. 20.

  7. Shih Neal A. Maxwell, “President James E. Faust: ‘Pure Gold,’ ” Liahona, tetor 1995, fq. 21.

  8. Në James P. Bell, In the Strength of the Lord: The Life and Teachings of James E. Faust (1999), fq. 229.

  9. Ensign, janar 1973, fq. 81.

  10. Shih “Elder James E. Faust of the Quorum of the Twelve,” Ensign, nëntor 1978, fq. 95.

  11. Ensign, nëntor 1978, fq. 20.

  12. “Honesty—a Moral Compass,” Ensign, nëntor 1996, fq. 42; shih edhe “Stand up and Be Counted,” Tambuli, tetor 1982, fq. 22–23.

  13. “Message to My Grandsons,” Liahona, maj 2007, fq. 56.

  14. Liahona, tetor 1995, fq. 21.

  15. In the Strength of the Lord, fq. 178.

  16. David Galbraith, në In the Strength of the Lord, fq. 207.

  17. “Go Bring Them in from the Plains,” Liahona, nëntor 1997, fq. 7.

  18. “What’s in It for Me?“ Liahona, nëntor 2002, fq. 22.

  19. “Welcoming Every Single One,” Liahona, gusht 2007, fq. 3, 5.

  20. “The Healing Power of Forgiveness,” Liahona, maj 2007, fq. 69.

  21. “It Can’t Happen to Me,” Liahona, korrik 2002, fq. 54.

  22. “The Weightier Matters of the Law: Judgment, Mercy, and Faith,” Ensign, nëntor 1997, fq. 59.

  23. Thomas S. Monson, in Liahona, tetor 1995, fq. 19.