2007
Uilrajt Caktohet Presidenti i Ri i UBJ të Havait
Tetor 2007


Uilrajt Caktohet Presidenti i Ri i UBJ të Havait

Presidenti Gordon B. Hinkli lajmëroi caktimin e Stiven C. Uilrajt, profesor dhe drejtues i respektuar i Shkollës së Biznesit të Harvardit, si president të Universitetit Brigam Jang të Havait, më 5 qershor 2007.

“E di se Presidenti Uilrajt do ta çojë UBJ të Havait drejt lartësive të reja”, tha Presidenti Hinkli nga Qendra e Konferencave në Salt Lejk Siti, Juta. “Nëpërmjet mjeshtërisë së tij dhe të shumë shoqatave, jam i bindur se ai do ta përhapë ndikimin e UBJ të Havait dhe do të bekojë jetën e të gjithë atyre që vijnë në këtë shkollë të shquar.”

Në vijim të lajmërimit Presidenti Uilrajt përshëndeti studentët e UBJ të Havait që po merrnin pjesë nëpërmjet satelitit, me një thirrje entuziaste “Aloha” dhe tha se ishte nder i madh që merrte një detyrë të tillë.

“Kam besim tek UBJ i Havait dhe tek misioni i tij, sepse ai ndërthur mësimin shpirtëror me atë jofetar dhe përqendrohet mbi zhvillimin e karakterit dhe të mirëkuptimit tek këta të rinj të mrekullueshëm”, tha Presidenti Uilrajt.

President Hinkli tha se, qëkurse UBJ i Havait u hap në fillim si kolegj, më 1955, është bërë brenda vendit universiteti me larminë më të madhe të kulturave, me një trupë studentore prej 2.400 vetësh nga 70 vende.

President Uilrajt ka pasur përvojë të gjerë në punën me studentë nga shumë kultura të ndryshme, duke përfshirë edhe zonat e Azisë. Si ish-dekan për programin e Masterit të Administrimit të Biznesit në Shkollën e Biznesit të Harvardit, ai punoi me studentë nga anembanë botës dhe ndihmoi shumë prej tyre që të vendoseshin në poste biznesi. Plaku Henri B. Ajring, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha se ky rrjet pune do t’i sillte dobi studentëve të UBJ të Havait, kur të ktheheshin në vendet e tyre të lindjes pasi të diplomoheshin.

Pas diplomimit nga Universiteti i Stenfordit me Masterin e Administrimit të Biznesit dhe me Doktoratë, Presidenti Uilrajt shpenzoi një vit në fakultetin e INSEAD-it, një shkollë ndërkombëtare biznesi në Fontenbló të Francës, pastaj e kaloi pjesën tjetër të karrierës së tij akademike në Harvard dhe Stenford.

Ishte Harvardi vendi ku afro 30 vjet më parë udhët e tij u kryqëzuan me ish-dekanin e Shkollës së Biznesit të Harvardit dhe president i tanishëm i UBJ të Idahos, Kim Klark. Presidenti Klark tha se Presidenti Uilrajt ka një shpirt të madh optimizmi dhe është një njeri që e do Zotin e është i patundur dhe i papërkulur në zotimin e tij ndaj Zotit.

“Ai e njeh qiellin dhe do të frymëzojë mirëbesim të pamasë për shkak të besimit”, tha Presidenti Klark.

Përpara tërheqjes së Presidentit Uilrajt nga Harvardi, në vjeshtë të vitit 2006, ai ishte Profesor i Administrimit të Biznesit, emërtuar si Edsel Brajant Ford, ishte një profesor i Fondacionit Bejkër, një bashkë-dekan i lartë dhe drejtues në Veprimtaritë Botuese të Shkollës së Biznesit të Harvardit. Ai ishte gjithashtu Profesor Menaxhimi, nën emërtesat Klajner, Perkins, Kofild dhe Bajers, në Shkollën e Diplomimit për Biznes të Universitetit të Stenfordit.

Kur ishte i ri, Presidenti Uilrajt i shërbeu Kishës si misionar në Skoci. Shërbeu gjithashtu si president i Misionit të Londrës, Angli, nga viti 2000 deri më 2003. Ai ka shërbyer si këshilltar në presidencinë e kunjit, si këshilltar i lartë dhe si peshkop. Që nga largimi nga Harvardi, ai dhe e shoqja kanë qenë misionarë shërbimi në UBJ të Idahos.

Presidenti Uilrajt u rrit në Salt Lejk Siti dhe kishte në zotërim një fermë gjedhësh në Star Velli, në Uajoming. Ai dhe e shoqja janë prindër të 5 fëmijëve dhe kanë 15 nipër e mbesa.

Presidenti Uilrajt zë vendin e Erik B. Shamuejit, i cili është tërhequr nga UBJ i Havait pasi ka shërbyer në shumë pozita që nga viti 1966 dhe, si president, që nga viti 1994.