2012
A nuk Mund të Pagëzohem edhe Unë?
Tetor 2012


A nuk Mund të Pagëzohem edhe Unë?

“Fëmijët … do të pagëzohen për heqjen e mëkateve të tyre, kur të bëhen tetë vjeç” (DeB 68:27).

“Nuno dhe Miriam, a do të ndiqni shembullin e Jezu Krishtit dhe të pagëzoheni të shtunën tjetër?” pyeti Motra Silva.

Paulo nuk mund t’u besonte veshëve. Motrat misionare sapo kishin ftuar vëllanë dhe motrën e tij 10-vjeçare që të pagëzoheshin!

“Po! Po!” thanë binjakët me lumturi.

Miriami nuk mund të ndalte së buzëqeshuri. Nuno toku dorën me Motrën Lopez. Gjyshja rrëzëllente buzagaz nga kolltuku i saj i madh e i kuq në cep.

Për disa javë motrat misionare kishin mësuar Paulon dhe vëllain e motrën e tij te shtëpia e Gjyshes, në ishullin e gjelbër e të freskët të San-Migelit, 1.000 milje (1.600 km) larg kontinentit, Portugalisë. Paulos i pëlqente të hapte gjysmën e sipërme të derës së përparme të shtëpisë së Gjyshes dhe të ndiente flladin e detit tek ndiqte me sy Motrën Lopez dhe Motrën Silva të bënin rrugën për ta mësuar atë rreth ungjillit.

Motrat misionare thanë se sot do të ishte një mësim i veçantë. Tani Paulo e mori vesh arsyen. Nuno dhe Miriami do të pagëzoheshin, pikërisht siç dha mësim Jezusi! Edhe Paulo dëshironte që të ndiqte shembullin e Shpëtimtarit.

“Motra, a mund të pagëzohem edhe unë të shtunën tjetër?” pyeti padurueshëm, duke e shtrënguar Librin e Mormonit me ilustrime më pranë vetes.

Motra Silva buzëqeshi por tundi kokën. “Më vjen keq, Paulo. Zoti na ka treguar se ne të gjithë duhet të pagëzohemi por vetëm pasi të bëhemi tetë vjeç. Ngaqë je vetëm gjashtë vjeç, ti ende nuk je përgjegjës për zgjedhjet e tua.”

“Por motra”, kundërshtoi Paulo, “unë jam lutur dhe kam lexuar Librin e Mormonit me familjen time, ashtu siç më mësuat ju. Unë shkoj në Fillore çdo javë me Gjyshen dhe Xhaxha Márion. Unë e di se Kisha është e vërtetë! A nuk mund të pagëzohem me Nunon dhe Miriamin?”

“Ti ke bërë një gjë kaq të mirë duke jetuar urdhërimet dhe duke mësuar rreth ungjillit”, tha Motra Lopez. “Por ende duhet të presësh dy vjet përpara se të mund të pagëzohesh.”

Fyti i Paulos filloi të digjte dhe lot të nxehtë mbushën sytë e tij. Ai u ngrit hopthi dhe vrapoi te dhoma e vet në papafingo, ku flinte me vëllanë dhe motrën e tij.

Pasi qau mbi jastëkun e vet për disa minuta, Paulo dëgjoi dikë të ngjiste shkallët e papafingos. Xhaxha Mário u ul në shtratin e Paulos.

“Çfarë ndodhi, Paulo?” pyeti Xhaxha Mário.

“Motra Silva dhe Motra Lopez thanë se unë nuk mund të pagëzohem, por Nuno dhe Miriami munden”, tha Paulo. “Unë dua të jem anëtar i Kishës! Mua më pëlqen të këndoj himnet në mbledhjen e sakramentit dhe të mësoj rreth shkrimeve të shenjta në Fillore. Nuk dua që të mbetem mbrapa.”

“Paulo, ti ende mund të jesh pjesë e Kishës, megjithëse nuk je mjaftueshëm i madh në moshë që të pagëzohesh”, tha me butësi Xhaxha Mário.

“Si?” rrufiti hundët mbi jastëkun e vet Paulo.

“Mirë, ti e di që Fillorja po përgatit një program të mbledhjes së sakramentit”, tha Xhaxha Mário. “Mësuesja jote e Fillores më tha se po kërkon vullnetarë që të ndajnë dëshmitë e tyre në program. Kjo është një mënyrë se si mund të marrësh pjesë në kishë”, shpjegoi Xhaxha Mário.

“Me të vërtetë?” Paulo u ngrit dhe ktheu fytyrën nga xhaxhai i vet. Ai u mendua një çast. “Ndoshta mund të ndaj dëshminë time edhe në pagëzimin e Nunos dhe Miriamit!”

“Kjo është një ide e mrekullueshme!” tha Xhaxha Mário. “Megjithëse je tepër i vogël që të pagëzohesh, prapë mund të kesh një dëshmi.”

Paulo hovi nga krevati dhe nxitoi teposhtë shkallëve.

“Ku po shkon, Paulo?” thirri Xhaxha Mário.

“Po shkoj të praktikoj dhënien e dëshmisë sime me misionaret!” thirri me gëzim si përgjigje Paulo. “Do ta jap atë teksa pres që të pagëzohem!”

Ilustrimet nga Jared Beckstrand