2012
Si të Mbijetosh në Territor Armik
Tetor 2012


Si të Mbijetosh në Territor Armik

Nga një fjalim në transmetimin për njëqindvjetorin e seminarit të mbajtur më 22 janar 2012.

Pamja
Presidenti Bojd K. Paker

Ne festojmë 100-vjetorin e seminarit në Kishë. Unë kapem pas fillit të kujtimeve që kthehet te ditët e hershme kur burimet mbështetëse për këtë program ishin shumë të pakta.

Që nga ato fillime të përulura, ne tani kemi 375.008 studentë në klasat e seminarit në 143 vende, me mbi 38.000 mësues vullnetarë dhe me kohë të plotë në mbarë botën. Ne japim shumë për rininë tonë. Ne e dimë vlerën dhe potencialin tuaj.

Dituria do t’ju Ndihmojë të Luftoni Armikun

Unë flas si një njeri që e ka parë të shkuarën dhe do t’ju përgatisë për të ardhmen.

Ju po rriteni në territor armik. Kur të piqeni shpirtërisht, ju do të kuptoni se si kundërshtari ka depërtuar pa u ndier në botën rreth jush. Ai është nëpër shtëpi, në argëtim, te mjetet e komunikimit, në gjuhë – te gjithçka rreth jush. Në shumicën e rasteve, prania e tij është e pazbuluar.

Unë dëshiroj t’ju tregoj atë që do të jetë më e çmueshmja dhe më e dëshirueshmja. Shkrimet e shenjta thonë: “Dituria është gjëja më e rëndësishme; prandaj fito diturinë” dhe, unë do të shtoja, “[me gjithë diturinë që ke fituar, vihu në lëvizje!]” (Fjalët e Urta 4:7) Nuk kam kohë për të harxhuar, dhe as ju. Kështu që dëgjoni me vëmendje!

Çasti kur vendosa të isha mësues është shumë i kthjellët në mendjen time. Gjatë Luftës II Botërore, unë isha te fillimet e të 20-ave të mia dhe isha pilot në Forcën Ajrore. Qeshë vendosur në ishullin e vogël të Je-Shimës. Ky ishull i vogël, i vetmuar, i madh afërsisht sa një pullë poste, është pak larg cepit verior të Okinauas.

Një mbrëmje të vetmuar vere, u ula mbi një shkëmb që të shihja diellin tek perëndonte. Po meditoja për atë që do të bëja me jetën time pas luftës, nëse do të isha aq me fat sa të mbijetoja. Çfarë dëshiroja të bëhesha? Qe gjatë asaj nate që vendosa se dëshiroja të bëhesha mësues. Arsyetova se mësuesit gjithmonë mësojnë. Të mësosh është qëllimi bazë i jetës.

Për herë të parë, dhashë mësim në seminar në vitin 1949, në Brigam-Siti. Kisha qenë student në atë klasë seminari në kohën kur qeshë në shkollë të mesme.

Në fillim, në seminar jepeshin mësim tri kurse: Dhiata e Vjetër, Dhiata e Re dhe Historia e Kishës. Qe privilegji im të shtoja një klasë të seminarit herët-në-mëngjes mbi Librin e Mormonit. Unë qeshë kthyer nga lufta me një dëshmi për Librin e Mormonit dhe një kuptim të mënyrës se si vepron dhurata e Frymës së Shenjtë.

Dhurata e Frymës së Shenjtë do t’ju Mbrojë në Territor Armik

Ju është dhënë mësim gjatë gjithë jetës suaj rreth dhuratës së Frymës së Shenjtë, por deri këtu mund të shkojë mësimdhënia. Ju mundeni dhe, në të vërtetë, ju duhet ta vazhdoni të vetëm pjesën tjetër të shtegut, që të zbuloni brenda vetes se si Fryma e Shenjtë mund të jetë një ndikim drejtues dhe mbrojtës.

Procesi është i njëjtë për të rinjtë dhe të rejat. Të zbulosh mënyrën se si vepron Fryma e Shenjtë përbën punën kërkimore të tërë jetës. Kur të keni arritur ta zbuloni atë vetë, ju do të mund të jetoni në territor armik dhe nuk do të mashtroheni apo shkatërroheni. Asnjë anëtar i kësaj Kishe – dhe kjo do të thotë asnjëri prej jush – nuk do të bëjë një gabim të rëndë pa u paralajmëruar më parë nga nxitjet e Frymës së Shenjtë.

Ndonjëherë kur keni bërë një gabim, mund të keni thënë më pas: “E dija që nuk duhej ta kisha bërë atë. E ndieja që nuk ishte e drejtë”, ose ndoshta: “E dija që duhej ta kisha bërë atë gjë. Thjesht nuk pata guximin të veproja!” Ato mbresa janë përpjekjet që bën Fryma e Shenjtë për t’ju drejtuar drejt së mirës ose për t’ju paralajmëruar që të largoheni nga e keqja.

Ka disa gjëra që nuk duhet t’i bëni që linjat e komunikimit të mbeten të hapura. Ju nuk mund të gënjeni ose të mashtroni apo të vidhni ose të veproni në mënyrë të pamoralshme dhe të prisni që këto rrugë do të mbesin të lira prej përçarjes. Mos shkoni në vende ku mjedisi pengon komunikimin shpirtëror.

Ju duhet të mësoni të synoni fuqinë dhe udhëzimin që është gati për ju dhe pastaj ta ndiqni atë shteg me çdo kusht.

Në listën tuaj të gjërave “për t’u bërë”, vendosni të parën fjalën lutje. Shumicën e kohës, lutjet tuaja do të jenë të heshtura. Ju mund ta bëni një lutje në mendje.

Ju mund të keni gjithmonë një linjë të drejtpërdrejtë komunikimi me Atin tuaj në Qiell. Mos e lejoni kundërshtarin t’ju bindë se në anën tjetër të asaj linje nuk po ju dëgjon askush. Lutjet tuaja gjithmonë dëgjohen. Nuk jeni kurrë vetëm!

Kujdesuni për trupin tuaj. Jini të pastër. “A nuk e dini ju se jeni tempulli i Perëndisë dhe se Fryma e Perëndisë banon në ju?” (1 Korintasve 3:16).

Lexoni me kujdes premtimet që gjenden te seksioni 89 i Doktrinës e Besëlidhjeve. Fjala e Urtësisë nuk premton shëndet të përsosur, por që receptorët shpirtërorë përbrenda jush mund të forcohen.

Qëndroni larg tatuazheve dhe gjërave të ngjashme që e dëmtojnë trupin tuaj. Trupi juaj u krijua sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë.

Këshilla Profetike Jep Mësim Atë që Është e Vërtetë

Tani dua të flas për një çështje tjetër sipas modelit të të folurit hapur.

Ne e dimë që gjinia u vendos në botën paratokësore.1 “Dhe fryma e trupi janë shpirti i njeriut” (DeB 88:15). Kjo çështje e gjinisë është shqetësim i madh për Vëllezërit, siç janë të gjitha çështjet e vdekshmërisë.

Disa prej jush mund të jenë ndier ose mund t’ju jetë thënë se keni lindur me ndjenja shqetësuese dhe se nuk jeni fajtor nëse veproni sipas atyre tundimeve. Nga ana doktrinore, ne e dimë se nëse ajo do të ishte e vërtetë, zgjedhja juaj e lirë do të ishte hequr; dhe kjo nuk mund të ndodhë. Ju gjithmonë e keni zgjedhjen që të ndiqni nxitjet e Frymës së Shenjtë dhe të jetoni një jetë të pastër moralisht dhe të dëlirë, një jetë të mbushur me virtyt.

Presidenti Gordon B. Hinkli shpalli, në një konferencë të përgjithshme, këtë në vijim: “Njerëzit pyesin për qëndrimin tonë rreth atyre që e quajnë veten … homoseksualë dhe lesbike. Përgjigjja ime është se ne i duam ata si bij dhe bija të Perëndisë. Ata mund të kenë disa dëshira që janë të fuqishme dhe që mund të jenë të vështira për t’u frenuar. Shumica e njerëzve kanë [tundime] të një lloji apo të një tjetri në periudha të ndryshme. Nëse nuk veprojnë sipas këtyre prirjeve, atëherë ata mund të shkojnë përpara siç bëjnë të gjithë anëtarët e tjerë të Kishës. Nëse shkelin ligjin e dëlirësisë dhe standardet morale të Kishës, atëherë ata i nënshtrohen disiplinës së Kishës, ashtu si dhe të tjerët.

Ne duam të ndihmojmë … t’i forcojmë ata, t’iu japim ndihmë për problemet e tyre dhe t’i ndihmojmë me vështirësitë e tyre. Por ne nuk mund të rrimë duarkryq nëse ata shkojnë pas veprimtarisë së pamoralshme, nëse përpiqen të mbështesin e të mbrojnë dhe të jetojnë në një situatë të ashtuquajtur martesë brenda të njëjtës gjini. Të lejoje diçka të tillë do të ishte të zvogëloje pikërisht themelin e rëndësishëm dhe të shenjtë të martesës së miratuar-nga-Perëndia dhe pikërisht qëllimin e saj: ndërtimin e familjeve.”2

Presidenti Hinkli foli për Kishën.

Përdoreni Lirinë Tuaj të Zgjedhjes për të Mbajtur ose për të Rifituar Tokë të Sigurt

Dhurata e parë që morën Adami dhe Eva qe liria e zgjedhjes: “Ti mund të zgjedhësh vetë, sepse të është dhënë ty” (Moisiu 3:17).

Ju keni po atë liri zgjedhjeje. Përdoreni atë me urtësi, për të mohuar të vepruarin sipas ndonjë shtyse të papastër ose tundimi mëkatar që mund të vijë në mendjen tuaj. Thjesht mos filloni të veproni; dhe nëse keni filluar të veproni tashmë, dilni e kthehuni. “I mohoni vetes çdo ligësi” (Moroni 10:32).

Mos luani me fuqitë jetë-krijuese në trupin tuaj as vetëm, as me anëtarë të të dyja gjinive. Ky është standardi i Kishës dhe nuk do të ndryshojë. Ndërsa piqeni, ka një tundim që të provoni ose të zbuloni veprimtari të pamoralshme. Mos e bëni atë!

Fjala kyçe është disiplina – vetëdisplinimi. Fjala disiplinë vjen nga fjala dishepull ose pasues. Ji dishepull-pasues i Shpëtimtarit dhe do të jesh i sigurt.

Një apo dy veta prej jush mund të jenë duke menduar: “Unë jam tashmë fajtor për këtë apo atë gabim të rëndë. Është tepër vonë për mua”. Kurrë nuk është tepër vonë.

Ju është mësuar në shtëpi dhe në seminar rreth Shlyerjes së Jezu Krishtit. Shlyerja është si një fshirëse. Ajo mund të fshijë fajin dhe ndikimin e çfarëdo gjëje që ju bën të ndiheni fajtor.

Faji është dhimbje shpirtërore. Mos vuani nga dhembja kronike. Hiqeni qafe atë. Jepini fund asaj. Pendohuni dhe nëse është e nevojshme pendohuni përsëri dhe përsëri, dhe përsëri, dhe përsëri derisa ju – jo armiku – ta keni në dorë veten.

Paqja e Qëndrueshme Vjen nga të Penduarit Shpesh

Jeta rezulton se është varg provash dhe gabimesh. Shtoni “pendohuni shpesh”, tek lista juaj e gjërave për t’u bërë. Kjo do t’ju sjellë paqe që zgjat dhe nuk mund të blihet kundrejt asnjë çmimi tokësor. Të kuptuarit e Shlyerjes mund të jetë e vërteta e vetme më e rëndësishme që mund të mësoni në rininë tuaj.

Nëse po shoqëroheni me të tjerë që ju dobësojnë standardet në vend që t’ju forcojnë, ndaloni dhe ndryshoni shoqëri. Ju mund të jeni vetëm dhe të ndiheni i vetmuar nganjëherë. Atëherë mund të bëhet pyetja e rëndësishme: “Kur je vetëm, a je në shoqëri të mirë?”

Mund të jetë i vështirë çlirimi nga një zakon që e keni lejuar t’ju lidhë. Por e keni fuqinë brenda jush. Mos u dëshpëroni. Profeti Jozef Smith dha mësim se “të gjitha qëniet që kanë trupa kanë fuqi mbi ato që nuk kanë”3. Ju mund t’i bëni ballë tundimit!

Nuk ka të ngjarë që do të keni ndonjëherë ndeshje personale me kundërshtarin; ai nuk e shfaq veten ashtu. Por edhe nëse ai do të vinte personalisht tek ju që t’ju provonte e t’ju tundonte, ju keni një epërsi. Ju mund të mbroni lirinë tuaj të zgjedhjes dhe atij do t’i duhet t’ju lerë të qetë.

Përfitoni nga Bekimet e Seminarit

Ju nuk jeni të zakonshëm. Ju jeni shumë të veçantë. Ju jeni të jashtëzakonshëm. Nga e di unë këtë? E di pasi ju lindët në një kohë dhe në një vend ku ungjilli i Jezu Krishtit mundi të vijë në jetën tuaj përmes mësimdhënieve dhe veprimtarive të shtëpisë suaj dhe të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ajo është, si ka thënë Vetë Zoti: “[E vetmja] kishë [e] vërtetë dhe [e] gjallë mbi faqen e tërë dheut” (DeB 1:30).

Ka gjëra të tjera që mund t’ia shtojmë listës, por ju e dini atë që duhet të bëni dhe që duhet të mos bëni në jetën tuaj. Ju e dalloni të drejtën dhe të gabuarën dhe nuk keni nevojë të urdhëroheni për gjithçka.

Mos i çoni dëm këto vite të udhëzimit në seminar. Përfitoni nga bekimi i madh që keni, për të mësuar doktrinat e Kishës dhe mësimet e profetëve. Mësoni atë që është më me vlerë. Kjo do t’ju bekojë ju dhe pasardhësit tuaj për shumë breza në vijim.

Nuk do të kalojnë shumë vite, kur ju do të jeni të martuar e do të keni fëmijë, martesa duhet të vuloset në tempull. Lutja jonë është që, në kohën e duhur, ju do ta shikoni veten të rregulluar mirë në një lagje apo degë familjesh.

Shkoni Përpara me Shpresë dhe Besim

Mos kini frikë nga e ardhmja. Shkoni përpara me besim dhe lutje. Kujtojeni atë dhuratë hyjnore të Frymës së Shenjtë. Mësoni të merrni mësim prej saj. Mësoni ta ndiqni. Mësoni të jetoni përmes saj. Mësoni që të luteni gjithmonë në emrin e Jezu Krishtit (shih 3 Nefi 18:19–20). Shpirti i Zotit do t’ju shoqërojë dhe ju do të bekoheni.

Ne kemi besim të thellë dhe të madh në ju.

Dhe unë ju jap dëshminë time – një dëshmi që më erdhi në rininë time. Dhe ju nuk jeni aspak më të ndryshëm nga të tjerët, si edhe unë. Ju keni po aq të drejtë për atë dëshmi e dëshmim sa kushdo tjetër. Ajo do t’ju vijë nëse do ta meritoni. Unë ftoj bekimet e Zotit mbi ju – bekimet e asaj dëshmie të jenë në jetën tuaj, për t’ju udhëhequr ndërsa krijoni një të ardhme të lumtur.

Shënime

  1. Shihni “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Liahona, nëntor 2010, f. 129; shih edhe Moisiu 3:5; Abraham 3:22–23.

  2. Gordon B. Hinckley, “What Are People Asking about Us?” Ensign, nëntor 1998, f. 71.

  3. Teachings of Presidents of the Church: Joseph Smith (2007), f. 355.

Ilustrimet nga Cary Henrie

Ilustrim ikone nga Scott Greer