2012
Aty Ku e Kam Vendin
Tetor 2012


Aty Ku e Kam Vendin

Dorota Muział, Poloni

Përpara se të bashkohesha me Kishën, jeta ime qe plot trishtim. Pas divorcit të prindërve të mi kur isha shtatë vjeçe, babai im u fut në burg. Nëna ime ishte e alkoolizuar dhe humbi gjithçka që qe e rëndësishme për të. Mua më dërguan të jetoja me një familje birësuese.

Për shkak të këtyre gjërave, unë u rrita shumë më shpejt se shumë prej moshatarëve të mi. Unë pothuaj nuk kam ndier kurrë se mund të gjeja vendin tim dhe për pasojë isha vazhdimisht në një gjendje rebelimi. Kur isha ende shumë e re, fillova të pija duhan dhe të bëja gjëra të tjera që tani e kuptoj se janë në kundërshtim me Fjalën e Urtësisë. Isha e sigurt se isha paracaktuar që të dështoja në jetë.

Gjëja e vetme në të cilën gjeja lumturi, ishte të ndihmuarit e njerëzve – qoftë nëse e bëja duke pastruar në afërsi të tyre ose duke dëgjuar historitë e jetës së tyre. Unë dëshiroja dëshpërimisht që njerëzit ta dinin se mund të mbështeteshin tek unë. Një vit shkova me pushime dhe takova një grua të moshuar së cilës vendosa t’i shërbeja duke e dëgjuar. Ajo ishte e krishterë dhe nisi të më fliste rreth fesë.

Në të vërtetë, unë nuk kisha besuar kurrë te Perëndia. Ndonjëherë, kur pata menduar se Ai ndoshta ekzistonte, e fajësoja për gjërat shqetësuese që kisha përjetuar. Por ndërsa kjo grua përshkruante rëndësinë e besimit në Perëndi, zbulova se më ngjalli kureshtjen. Përpara se të largohesha, ajo më tha diçka që qe veçanërisht interesante: “Mormonët i zbatojnë urdhërimet e Perëndisë”.

Nuk kisha dëgjuar kurrë për mormonët, kështu që shkova në shtëpi, hyra në internet dhe bëra kërkime. Mbërrita tek adresa Mormon.org dhe porosita një kopje falas të Librit të Mormonit. Misionarët ma sollën pak ditë më vonë.

Nuk isha e sigurt nëse mund të filloja të besoja në Perëndi, por misionarët më ndihmuan të zbuloj se jo vetëm që mund të besoja në Të, por edhe ta njihja. Ndërsa fillova të lutesha e të studioja Librin e Mormonit, e gjeta veten në një udhëtim të bukur drejt gjetjes së lumturisë. Lashë duhanin. Pushova së fajësuari Perëndinë dhe nisa ta falënderoj Atë për gjërat e mira në jetën time. Arrita të dija se Biri i Tij kishte vuajtur për mëkatet e mia dhe për të gjithë dhembjen që kisha ndier sa herë. Më 28 tetor 2007, unë u pagëzova në Kishën e Tij.

Nëse nuk do ta kisha përjetuar vetë ndryshimin nga zhgënjimi në lumturi, nuk do të besoja se është i mundur. Sot më pëlqen shumë thirrja ime në Fillore dhe jam mirënjohëse që kam pasur mundësinë për të ndihmuar në organizimin e një projekti shërbimi në një konferencë për të rinjtë në moshë madhore beqarë në Poloni. Të qenit në gjendje t’i ndihmoj rregullisht të tjerët nëpërmjet shërbimit në Kishë e ka shtuar lumturinë që kam gjetur në ungjillin e Jezu Krishtit. Gjithçka që bëj tani, e bëj me dashuri të pastër për shkak të Jezu Krishtit. Unë besoj se jeta është e bukur dhe se edhe kur kemi sfida, nëse e ndjekim Shpëtimtarin, ne nuk do të humbasim.

Gruaja që takova kishte të drejtë: të pasurit besim në Perëndi është vendimtare. Ne nuk mund ta gjejmë vendin tonë në këtë botë nëse nuk e njohim Atë. Jam mirënjohëse që më në fund e di se e kam një vend të cilit e di se i përkas.