2012
Të Jetuarit me Maturi na Përgatit për të Ardhmen
Tetor 2012


Çfarë Besojmë Ne

Të Jetuarit me Maturi na Përgatit për të Ardhmen

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë në të qenit të përgatitur dhe te mbështetja te vetja. Ne besojmë në përgatitjen nga ana arsimore për punësim, në përgatitjen financiarisht për vështirësitë financiare dhe në përgatitjen materialisht për katastrofat natyrore apo sfida të tjera. Më e rëndësishmja, ne besojmë në përgatitjen shpirtërore për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit dhe për të jetuar sërish me Atin tonë në Qiell. Kjo qasje kundrejt gatishmërisë quhet të jetuarit me maturi.

Të jetuarit me maturi pasqyron natyrën tonë të vërtetë e të përjetshme: ne duhet “të veproj[më] për veten [tonë] dhe të mos detyrohe[mi] të veproj[më]” (2 Nefi 2:26). Zoti dëshiron që ne të jemi të përgjegjshëm dhe të pavarur (shih DeB 78:14). Ai dëshiron që ne të jetojmë me maturi për shkak të asaj që ne bëhemi gjatë [këtij] procesi: të përgjegjshëm, bujarë, të matur, të sjellshëm. Pasi sa më të mbështetur te vetja të jemi, aq më mirë mund t’i ndihmojmë familjet tona dhe të tjerët. Si mund ta ushqejmë të uriturin nëse ne vetë jemi të uritur? Si mund të japim mësim njohuri nëse ne vetë na mungon njohuria? Si mund ta ndërtojmë besimin e të tjerëve nëse ne vetë na mungon besimi?

Parimet e të jetuarit me maturi përfshijnë sa vijon:

  • Përgatitjen. “Përgatituni ju për atë që do të vijë, pasi Zoti është pranë” (DeB 1:12).

  • Zellin për punë. “Mos ji dembel” (DeB 42:42).

  • “Mësoni, madje me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit” (DeB 88:118).

Kur anëtarët e Kishës bëjnë gjithçka munden që të sigurojnë për veten, por ende nuk mund t’i plotësojnë nevojat e tyre bazë, së pari ata u drejtohen familjeve të tyre për ndihmë. Nëse kjo është e pamjaftueshme, Kisha mund t’u vijë në ndihmë. Peshkopët dhe presidentët e degëve mund të përdorin burimet nga “shtëpi[a] e ruajtjes së Zotit” për të ndihmuar anëtarët (shih DeB 82:18–19). Çfarëdolloj ndihme nga Kisha ka për synim që t’i ndihmojë anëtarët të ndihmojnë vetveten dhe të nxisë punën në jetën e tyre.

Ne mund të punojmë që të bëhemi të mbështetur te vetja në fushat e mëposhtme:

  • Forcë shpirtërore: Mirëbesoni te Zoti; bindjuni urdhërimeve; lutuni dhe studioni shkrimet e shenjta çdo ditë; shërbejuni të tjerëve.

  • Shëndet fizik: Bindjuni Fjalës së Urtësisë; stërvituni; flini gjumë mjaftueshëm; ushtroni pastërti dhe higjienë të mirë.

  • Arsim: Bëhuni të shkolluar; pajisuni me aftësi për punë; studioni “librat më të mirë” (DeB 88:118).

  • Punësim: Punoni për të siguruar për veten dhe për nevojat e familjes suaj.

  • Ruajtje në shtëpi: Ruani ujë të pastër e të pijshëm dhe gradualisht ndërtoni një rezervë me ushqimet që hani zakonisht, dhe një rezervë ushqimesh me afat më të gjatë, si drithëra dhe bathë.

  • Financa: Paguani të dhjetat dhe ofertat; shmangni borxhin e panevojshëm; gradualisht krijoni një rezervë financiare.

Nga e majta: The Second Coming [Ardhja e Dytë], nga Grant Romney Clawson © IRI; fotoilustrime nga Craig Dimond, Christina Smith, John Luke dhe Robert Casey © IRI; fotografi të qershive nga David Stoker © 2008