2012
Mësimdhënia e Drejtësisë në Shtëpi
Tetor 2012


Klasikët e Ungjillit

Mësimdhënia e Drejtësisë në Shtëpi

Delbert L. Stepli u lind më 11 dhjetor të 1896-ës, në Arizona të SHBA-së. Ai u veçua si anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve më 5 tetor 1950 dhe shërbeu në atë kuorum deri në vdekjen e tij më 19 gusht 1978. Ky fjalim i takimit shpirtëror u dha në Universitetin “Brigam Jang” më 1 shkurt 1977. Teksti i plotë i këtij fjalimi në gjuhën angleze mund të gjendet te adresa speeches.byu.edu.

Pamja
Plaku Delbert L. Stepli

Është një përgjegjësi dhe bekim që prindërit kanë për të dhënë mësim dhe për të edukuar fëmijët e tyre që të jetojnë me drejtësi.

Prindërit kanë një mundësi për të dhënë mësim dhe për të brumosur karakteret e fëmijëve të tyre të vegjël përpara se Satani të ketë fuqinë t’i tundojë ata dhe përpara se ata të arrijnë moshën tetë vjeç, duke u bërë më pas përgjegjës përpara Perëndisë. … Zoti u ka dhuruar prindërve këto vite të çmuara, vitet e para të jetës së fëmijës, kur fëmijët nuk janë përgjegjës për gjërat që thonë dhe bëjnë. Është një përgjegjësi dhe bekim që prindërit kanë për të dhënë mësim dhe për të edukuar fëmijët e tyre që të jetojnë me drejtësi.

Mënyra më efikase për të dhënë mësim drejtësinë dhe fenë në shtëpi është nëpërmjet shembullit. Shpresojmë që prindërit do ta kenë mbajtur vetë jetën e tyre të qetë e të pastër dhe si pasojë të mund ta përdorin me dobi shembullin e jetës së tyre në mësimdhënien dhe edukimin e vetë fëmijëve të tyre. [Presidenti Dejvid O. Mek-Kei (1873–1970) dha mësim:] “Nëse do të jepni mësim besimin në Perëndi, tregoni vetë besim në Të; nëse do të jepni mësim lutjen, lutuni vetë; … nëse doni që ata të jenë të përmbajtur, atëherë vetë ju duhet të jeni të vetëkontrolluar; nëse do t’i kërkoni fëmijës suaj të jetojë një jetë të virtytshme, të vetëkontrolluar, me famë të mirë, atëherë vendosni një shembull të denjë në të gjitha këto gjëra për fëmijën tuaj”1. Duke vepruar kështu do t’i bëni këto mësime më të rëndësishme për fëmijët tuaj; dhe ata, duke marrë këtë lloj drejtimi nga prindërit, mund të fuqizojnë vetveten kundër tundimeve të Satanit, qëllimi i të cilit është të shkatërrojë jetën e tyre kur ata vërtet të arrijnë moshën e përgjegjshmërisë. Prindërit kanë për detyrë të jenë çfarë ata do të donin që fëmijët e tyre të bëheshin në lidhje me mirësjelljen, sinqeritetin, përmbajtjen dhe kurajën për të vepruar drejt në të gjitha kohët. Shembulli është shumë më i fuqishëm sesa porosia morale.

Jeta e përditshme në shtëpi duhet të përputhet me parimet dhe standardet tona të Kishës. Marrëveshjet tona të punës duhet të pajtohen me fenë tonë. Fëmijët janë të mprehtë për të zbuluar mungesën e sinqeritetit. Xhon Milton tha se hipokrizia është mëkati i vetëm që ecën pa u vënë re, përveçse nga vetë Perëndia. Megjithatë, fëmijët janë të ndjeshëm ndaj gjërave që janë të gabuara, dhe ata e kanë zët mungesën e sinqeritetit dhe shtirjet false. Ne e dimë se fëmijët ndikohen shumë më tepër nga predikimet që vëmë në jetë, sesa nga predikimet që themi. Prindërit duhet të jenë gjithmonë të ndershëm me fëmijët e tyre, duke i mbajtur premtimet që u bëjnë atyre dhe duke thënë gjithmonë të vërtetën. Prind i qëndrueshëm është ai që fiton mirëbesimin e fëmijës së tij. Kur një fëmijë e kupton se ju e respektoni mirëbesimin e tij dhe ia ktheni në të njëjtën mënyrë, fëmija juaj nuk do ta shkelë mirëbesimin tuaj dhe as nuk do t’ju turpërojë. …

Prindërit nuk duhet të grinden kurrë në prani të fëmijëve të tyre. Ndonjëherë grindjet shkaktohen nga përpjekja për të korrigjuar ose disiplinuar një fëmijë. Njëri prind kritikon; tjetri kundërshton. Dhe, për sa i takon fëmijës, nuk bëhet ndikimi i unifikuar i shtëpisë. Prindërit duhet të jenë të bashkuar për të ditur se në cilin drejtim dëshirojnë ata që fëmija të shkojë; përndryshe, ai do bëjë zgjedhje të gabuara si pasojë e hutimit. Riçard L. Evans tha: “Mosmarrëveshja midis prindërve është e padrejtë e hutuese dhe dobëson themelet e familjes. Ata, te të cilët një fëmijë duhet të shohë për udhëheqje, duhet të jenë të bashkuar në drejtimin që japin.”2 Ne e dimë se fëmijët janë të ndjeshëm ndaj gjendjeve shpirtërore dhe ndjenjave të familjes; ata mund të ndiejnë tension dhe ndryshime që jo gjithmonë mund t’i kuptojnë ose shpjegojnë. …

Një fëmijë ka të drejtën të ndiejë se në shtëpinë e tij ai ka një vend strehimi, një vend mbrojtjeje nga rreziqet dhe të këqijat e botës së jashtme. Për ta siguruar këtë nevojë janë të domosdoshme bashkimi dhe integriteti moral i familjes. Nuk ka asnjë vend tjetër përveçse shtëpisë, ku mund të gjenden lumturia e vërtetë dhe e përhershme në këtë jetë. Është e mundur për ta bërë shtëpinë një copëz qielli; me të vërtetë, unë e përfytyroj qiellin të jetë një vazhdim i jetës ideale në shtëpi këtu në tokë.3 …

Ungjilli që japim mësim është i vërtetë. Krishti jeton, Perëndia jeton dhe shtëpi të lavdishme janë përgatitur lart për të gjithë fëmijët e Tij besnikë e të përkushtuar. Planifikojeni tani llojin e shtëpisë dhe familjes që dëshironi, dhe mënyrën se si do t’i përmbushni nevojat e fëmijëve tuaj, për t’i mbajtur ata në shtegun e drejtë që do ta drejtojë familjen në jetën e përjetshme në një shtëpi çelestiale. Perëndia ju bekoftë të gjithëve ju, vëllezër e motra të mia. Mendoj që ju mund ta kuptoni se shumë nga ajo çka u tha, iu përket juve. Dhe organizimi e çuarja përpara e shtëpisë suaj në një mënyrë të shenjtë është shumë e rëndësishme për të rinjtë që vijnë për t’ju bekuar jetën.

Shënime

  1. David O. McKay, Secrets of a Happy Life, përmb. Llewelyn R. McKay (1967), f. 11.

  2. Richard Evans’ Quote Book (1975), f. 23.

  3. Shih David O. McKay, Gospel Ideals (1953), f. 490.

Fotoilustrim nga Craig Dimond © IRI