2012
Nderimi i Besëlidhjeve Tona
Tetor 2012


Mesazhi i Vizitave Mësimore

Nderimi i Besëlidhjeve Tona

Studiojeni këtë material plot lutje dhe, si të jetë e përshtatshme, diskutojeni atë me motrat që vizitoni. Përdorini pyetjet për t’ju ndihmuar të forconi motrat tuaja dhe për ta bërë Shoqatën e Ndihmës një pjesë aktive të vetë jetës suaj.

Pamja
Logoja e Shoqatës së Ndihmës

Besim, Familje, Ndihmë

Vizita mësimore është një shprehje e dishepullimit tonë dhe një mënyrë për të nderuar besëlidhjet tona kur i shërbejmë dhe e forcojmë njëra-tjetrën. Një besëlidhje është një premtim i shenjtë dhe i qëndrueshëm midis Perëndisë dhe fëmijëve të Tij. “Kur kuptojmë se jemi fëmijë të besëlidhjes, ne e dimë cilët jemi dhe çfarë pret Perëndia nga ne”, tha Plaku Rasëll M. Nelson i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. “Ne e kemi bërë ligjin e Tij një pjesë tonën. Ai është Perëndia ynë dhe ne jemi populli i Tij.”1

Si mësuese vizitore, ne mund t’i forcojmë ato që vizitojmë në përpjekjet e tyre për të mbajtur besëlidhjet e tyre të shenjta. Duke e bërë këtë, ne i ndihmojmë ato të përgatiten për bekimet e jetës së përjetshme. “Çdo motër në këtë Kishë, që ka bërë besëlidhje me Zotin, ka një urdhërim hyjnor që të ndihmojë për të shpëtuar shpirtra, që të udhëheqë gratë e botës, që të forcojë shtëpitë e Sionit dhe që të ndërtojë mbretërinë e Perëndisë”2, tha Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.

Ndërsa bëjmë dhe mbajmë besëlidhje të shenjta, ne bëhemi mjete në duart e Perëndisë. Ne do të jemi në gjendje që të shprehim besimet tona dhe të forcojmë besimin e njëra-tjetrës te Ati Qiellor dhe Jezu Krishti.

Nga Shkrimet e Shenjta

1 Nefi 14:14; Mosia 5:5–7; 18:8–13; Doktrina e Besëlidhje 42:78; 84:106

Nga Historia Jonë

Tempulli është “një vend për falënderim për gjithë shenjtorët” i zbuloi Zoti Profetit Jozef Smith në vitin 1833. Ai është “një vend për udhëzim për të gjithë ata që … thirren për veprën e shërbesës, në gjithë thirrjet dhe detyrat e tyre të ndryshme; që ata të mund të përsosen në të kuptuarin e shërbesës së tyre, në teori, në parim dhe në doktrinë, në të gjitha gjërat që çojnë në mbretërinë e Perëndisë mbi tokë” (DeB 97:13–14).

Motrat e Shoqatës së Ndihmës në Navu të Ilinoisit, në fillim të viteve 1840, e ndihmuan njëra-tjetrën që të përgatiteshin për ordinancat e tempullit. Në ordinancat e priftërisë më të lartë që shenjtorët e ditëve të mëvonshme morën në Tempullin e Navusë, “fuqia e perëndishmërisë [u] manifest[ua]” (DeB 84:20). “Ndërsa shenjtorët mbajtën besëlidhjet e tyre, kjo fuqi u forcua dhe i mbështeti ata nëpër sprovat e tyre në ditët dhe vitet e mëtejshëm.”3

Në Kishë sot, gra e burra besnikë në mbarë botën, shërbejnë në tempull dhe vazhdojnë të gjejnë forcë në bekimet që mund të merren vetëm nëpërmjet besëlidhjeve të tempullit.

Shënime

  1. Rasëll M. Nelson, “Besëlidhjet”, Liahona, nëntor 2011, f. 88.

  2. M. Russell Ballard, “Women of Righteousness”, Liahona, dhjetor 2002, f. 39.

  3. Daughters in My Kingdom: The History and Work of Relief Society (2011), f. 133.

Nauvoo Illinois Temple [Tempulli i Navusë në Ilinois], nga Scott Goodwin