2012
Dhënia Mësim për Dëlirësinë dhe Virtytin
Tetor 2012


Shtëpitë Tona, Familjet Tona

Dhënia Mësim për Dëlirësinë dhe Virtytin

Pamja
Methju O. Riçardson

Prindërit mund të përdorin këto gjashtë strategji për t’i mësuar fëmijët e tyre rreth intimitetit seksual.

Kam qenë i privilegjuar të takohem me rininë dhe të rinj të moshave madhore nga çdo pozitë shoqërore dhe nga e gjithë bota. Në një rast, unë fola me një grup adoleshentësh veçanërisht mbresëlënës rreth virtytit, dëlirësisë dhe të jetuarit me moral. Pasi u thashë atyre se sa i mahnitur isha me komentet, mirëbesimin, pamjen e jashtme dhe sjelljen e tyre, unë i pyeta: “Si arritët të bëheshit kaq të rrjedhshëm në të folur, të sigurt në përgjigjet tuaja dhe kaq të qetë me një temë të ndjeshme si kjo?” Një e re tha pa hezitim: “Kam prindër që më mësojnë”. Të tjerët miratuan me kokë. Kjo përvojë e thjeshtë por ende e thellë thekson ndikimin që prindërit kanë në jetën e fëmijëve të tyre – veçanërisht në rolin e tyre për t’i mësuar rreth virtytit, dëlirësisë, intimitetit seksual dhe marrëdhënieve të përshtatshme.

Fatkeqësisht, shumë prindër mund të mos jenë duke iu dhënë mësim fëmijëve të tyre aq mirë sa munden në lidhje me çështjet seksuale. Për shembull, gjatë studimit të mbi 200 të rinjve beqarë aktivë, shenjtorë të ditëve të mëvonshme, unë zbulova se vetëm 15 përqind i konsideronin prindërit e tyre si burimin kryesor të informacionit lidhur me çështjet seksuale. Këta anëtarë të rinj thanë se ata mësuan rreth kësaj teme të rëndësishme fillimisht nga miqtë ose bashkëmoshatarët, interneti, media, reklamat, librat mësimorë, familja e afërt ose udhëheqësit e tyre të Kishës.

Sigurisht, nuk është një temë e lehtë për t’u dhënë mësim. Por unë besoj se prindërit janë mësuesit më të mirë për të përçuar të tilla parime të shenjta. Strategjitë vijuese do t’ju ndihmojnë të zhvilloni parime dhe praktika të thjeshta, efikase e të qëndrueshme që nxisin të nxënit e mësimdhënien efektivisht – veçanërisht gjatë dhënies mësim fëmijëve tuaj për mënyrën se si të jetojnë jetë të virtytshme e të dëlira.

Mësimdhënia dhe të nxënit duhet të fillojnë herët. Prindërit që i mësojnë fëmijët e tyre në mënyrë efikase lidhur me temat seksuale, e kuptojnë se pjesa më e madhe e fëmijëve i ndeshin të tilla tema në mosha shumë më të hershme sesa ata vetë ose prindërit e tyre i presin apo i dëshirojnë. Shumë fëmijë ekspozohen ndaj përmbajtjes seksuale në internet madje që 11 vjeç dhe disa edhe më të rinj. Vendtakimet argëtuese, ngjarjet sportive, reklamat dhe madje mediat sociale po mbushen në masë të madhe me imazhe dhe aluzione seksuale.

Disa prindër me të drejtë pyesin: “Kur duhet të filloj të flas rreth çështjeve të lidhura me seksualitetin?” Varet nga mosha dhe pjekuria e fëmijës dhe situata e veçantë. Drejtimi shpirtëror do të vijë ndërsa prindërit vëzhgojnë me lutje dhe kujdes sjelljen e fëmijëve të tyre, dëgjojnë qëllimisht fëmijët e tyre dhe gjejnë kohë për të menduar e dalluar kur dhe çfarë të japin mësim. Për shembull, mbaj mend djalin tim duke më bërë pyetje rreth anatomisë kur ishte pothuaj pesë vjeç. Ndonëse ishte disi e sikletshme, qe e dukshme se ishte koha e përshtatshme për të folur. Megjithatë, ndërsa mendova se si t’i përgjigjesha, u duk qartë se kjo nuk ishte koha e duhur për të folur me djalin tim për çdo temë të lidhur me seksualitetin.

Mësimdhënia dhe të nxënit duhet të ndodhin shpesh. Të nxënit është një proces më tepër sesa një rast i vetëm. Kur bëhet fjalë rreth të mësuarit të fëmijëve për intimitetin seksual ose çështje të tjera të ngjashme, njerëzit shpesh i referohen asaj si “biseda”. Qoftë i qëllimshëm ose jo, ky term të lë të kuptosh se prindërit e japin mësim këtë temë në një bisedë të vetme. Kjo nuk është mënyra më efikase për një fëmijë që të mësojë. Shpëtimtari dha mësim se ne mësojmë “rresht pas rreshti, parim pas parimi” (2 Nefi 28:30). Ne do të kemi më shumë sukses në mësimdhënie ndërsa e rishohim temën me fëmijët tanë teksa rriten dhe piqen. Prindërit, të cilët e kuptojnë këtë parim, e përgatisin veten mendërisht, emocionalisht dhe shpirtërisht për t’u dhënë mësim fëmijëve të tyre rreth temave të lidhura me seksualitetin gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës së fëmijëve të tyre.

Të nxënit dhe mësimdhënia efikase varen nga marrëdhënia midis mësuesit dhe nxënësit. Kur bëhet fjalë për t’u mësuar fëmijëve rreth temave të lidhura me seksualitetin, pjesa më e madhe e prindërve shqetësohen thuajse vetëm për atë çka duhet të thonë. Megjithëse kjo është e rëndësishme, mësimdhënia dhe të nxënit efikas shkojnë përtej të folurit dhe të treguarit për përmbajtjen. Në fakt, mënyra se si prindërit qasen për t’i mësuar fëmijët e tyre mund të jetë më e rëndësishme sesa ajo që ata mund të thonë vërtet. Hulumtimi studimor përkrah përfundimin se prindërit, që i mbështesin fëmijët e tyre më shumë kur kanë të bëjnë me çështjet seksuale, janë ata që komunikojnë më hapur, që shprehin dashuri e shqetësim dhe zotohen aktivisht në jetën e fëmijëve të tyre.1

Komentet nga studimi im jozyrtar për shenjtorët e rinj të ditëve të mëvonshme, në mënyrë të përsëritur u përqendruan në dëshirën që prindërit e tyre të ishin më të hapur apo më të gatshëm për të folur për tema lidhur me seksualitetin. Këta të rinj në moshë madhore shprehën se jo vetëm që dëshironin që prindërit e tyre të përfshiheshin në këtë proces, por gjithashtu dëshironin që prindërit të “bisedonin me ta më tepër sesa t’u flisnin atyre”. Ata digjeshin nga dëshira për biseda që ishin “të natyrshme”, “të zakonshme”, “të rehatshme” dhe shumë më pak “të sikletshme”. Kjo duhet t’i nxisë prindërit që të punojnë më shumë për të qenë të afruar, të disponueshëm, të natyrshëm dhe të qetë nga një temë, situatë apo madje koha. Nëse ka ndonjë çmim për t’u paguar për prindërit që t’i mësojnë fëmijët e tyre efektshëm rreth gjërave që kanë më shumë rëndësi, ai është që prindërit të veprojnë në mënyra që i ndihmojnë fëmijët të ndihen rehat dhe të sigurt gjatë bisedimit për të gjitha temat – veçanërisht për ato më personale.

Mësimdhënia dhe të nxënit janë më efikase kur tema është e përshtatshme dhe e vërtetë. Në varësi të qasjes sonë, mësimdhënia rreth intimitetit seksual mund të ndihet e sikletshme, jorealiste, jopraktike apo edhe moralizuese. Çelësi i suksesit është të kuptohet se shumica e pyetjeve dhe shqetësimeve që fëmijët kanë, janë reagime ndaj situatave dhe vrojtimeve të jetës reale. Ndërkohë që u kushtojmë vëmendje, i dëgjojmë dhe i vëzhgojmë fëmijët tanë, do të dallojmë atë që ne duhet të japim mësim.

Për shembull, filmat, moda, idetë e përhapura, programet televizive, reklamat ose tekstet e muzikës ofrojnë mundësi të bollshme për të folur rreth standardeve morale. Mundësi të tjera do të vijnë ndërsa vëzhgojmë marrëdhëniet dhe bashkëveprimet e fëmijëve tanë me të tjerët, mënyrën se si ata dhe bashkëmoshatarët e tyre vishen, gjuhën që përdorin, se sa të varur ndihen ata nga seksi i kundërt, si dhe interpretimet e shumta për dëlirësinë dhe standardet morale në komunitet. Ka pafund mundësi të jetës reale për të biseduar me fëmijët rreth moralitetit dhe virtytit.

Ndoshta aspekti më i rëndësishëm i mësimdhënies për jetën reale realizohet ndërsa prindërit krijojnë një model për dëlirësinë, thjeshtësinë dhe virtytin në vetë jetën e tyre. Fëmijët do ta dëgjojnë dhe ndjekin më me gatishmëri këshillën e prindërve të tyre kur kjo këshillë bazohet te shembujt e mirë të prindërve të tyre.

E kundërta është gjithashtu e vërtetë. Sikurse tha Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: “Në shumë mënyra, veprimet tona kanë një ndikim më të fuqishëm te njerëzit e tjerë sesa ajo që themi. Presidenti Brigam Jang (1801–1877) dha mësim: ‘Ne duhet t’u japim [fëmijëve tanë] shembullin që ne urojmë që ata ta kopjojnë. A e kuptojmë këtë? Sa shpesh i shohim prindërit të kërkojnë bindje, sjellje të mirë, fjalë të dashura, shikime të këndshme, zë të ëmbël dhe sy të hapur nga një fëmijë ose fëmijët kur ata vetë janë plot zemërim dhe qortim! Kjo është shumë e papajtueshme dhe e paarsyeshme!’ Fëmijët tanë do t’i vënë re këto mospërputhje te ne dhe ndoshta gjejnë justifikim për të vepruarin në mënyra të ngjashme.”2

Nxënësit mësojnë më mirë kur i kuptojnë ato që mësuesit janë duke dhënë mësim. Shumë të rinj dhe të rinj në moshë madhore shprehin zemërimin që prindërit e tyre dhe madje udhëheqësit e Kishës tentojnë të përdorin “fjalë me kode” dhe mesazhe me nënkuptim, që faktikisht sjellin më shumë pyetje sesa përgjigje dhe më shumë tension sesa ngushëllim. Kjo është veçanërisht e vërtetë kur bëhet fjalë për tema seksuale.

Ndërsa po shërbeja si peshkop i të rinjve në moshë madhore beqarë të lagjes, shpesh më pyetën se çfarë do të thoshte “peting” [“prekja e pjesëve intime të trupit të një personi tjetër”]. Anëtarëve besnikë të lagjes sime iu qe dhënë mësim se ata nuk duhet të përfshiheshin në peting, por asnjëherë nuk iu mësua se çfarë do të thotë në të vërtetë peting. Ishte e vështirë për ta që të mbanin udhëzime që nuk i kishin kuptuar.

Presidenti Marion G. Romni (1897–1988), Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë, shpjegoi se nuk është e mjaftueshme të japësh mësim në një mënyrë që të tjerët do ta kuptojnë, por ne gjithashtu duhet të japin mësim në një mënyrë që asnjëri nuk do ta keqkuptojë.3 Në vend të të folurit me kode ose edhe zhargon, ne do të kemi më shumë sukses nëse përdorim terma të saktë dhe të përshtatshëm. Kjo siguron kuptueshmëri dhe zhvillon respekt.

Merrni parasysh se si Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim në mënyrë efektive parimet dhe standardet morale. Ai tha: “Çfarëdolloj intimiteti seksual jashtë lidhjeve të martesës – dua të them çdo kontakt i qëllimshëm me pjesët e shenjta e personale të trupit të personit tjetër, me ose pa rroba – është një mëkat dhe është i ndaluar nga Perëndia. Është gjithashtu shkelje të nxitësh qëllimisht këto emocione brenda vetë trupit tuaj.”4

Në mënyrë që të japim mësim efektshëm, ne duhet të sigurohemi se ata, të cilëve u japim mësim, e kuptojnë mesazhin. Pyetjet e thjeshta si: “A i përgjigjet kjo pyetjes suaj?” ose “A e shpjegova atë shumë mirë?” apo “A keni pyetje të tjera?” janë shumë ndihmuese.

Nxënësit kthehen në besim kur mësuesit e lidhin mesazhin me parimet dhe standardet e përjetshme. Në vend të përqendrimit vetëm mbi “faktet [e lidhura me] riprodhimin njerëzor”, mësimdhënia e vërtetë e ungjillit ndodh kur ne i lidhim këto fakte me “faktet e jetës së përjetshme”. Për shembull, kur flasim për trupat tanë, ne mund të flasim për mënyrën se si një Atë i dashur Qiellor krijoi trupat tanë dhe se si ne duhet t’u qasemi krijesave të Tij me respekt dhe sipas pritshmërive të Tij.

Ndërsa bota zhytet në imoralitet, ka ende shpresë për brezat e ardhshëm. Kjo shpresë përqendrohet te prindërit, që i përkushtojnë përpjekjet e tyre më të mira për të mësuar brezin e ri që të jenë të virtytshëm dhe të dëlirë. Prindërit, të cilët u mësojnë fëmijëve të tyre të jetojnë jetë të virtytshme e të dëlira, përpiqen të rrisin kuptueshmërinë dhe të përmirësojnë aftësitë e tyre të mësimdhënies. Duke bërë këtë gjë, ata arrijnë të dinë se “Zoti do t’i lartësojë [ata] ndërsa [ata] japin mësim në mënyrën që Ai i ka urdhëruar”. Në fund të fundit, kjo “është një punë e dashurisë – një mundësi për t’i ndihmuar të tjerët të ushtrojnë me drejtësi lirinë e tyre të zgjedhjes, të vijnë te Krishti dhe të marrin bekimet e jetës së përjetshme.”5

Shënime

  1. Shih Bonita F. Stanton and James Burns, “Sustaining and Broadening Intervention Effect: Social Norms, Core Values, and Parents”, në Reducing Adolescent Risk: Toward an Integrated Approach, red. Daniel Romer (2003), f. 193–200.

  2. Robert D. Hales, “Our Parental Duty to God and to the Rising Generation”, Liahona, gusht 2010, f. 74.

  3. Shih Jacob de Jager, “Let There Be No Misunderstanding”, Ensign, nëntor 1978, f. 67.

  4. Richard G. Scott, “Serious Questions, Serious Answers”, Liahona, shtator 1997, f. 31.

  5. Teaching, No Greater Call (1999), f. 4.

Fotoilustrim nga DAVID STOKER © IRI