2012
Veshja dhe Pamja e Jashtme: ‘Lëreni Shpirtin e Shenjtë t’Ju Udhëzojë’
Tetor 2012


Për Forcën e Rinisë

Veshja dhe Pamja e Jashtme “Lëreni Shpirtin e Shenjtë t’Ju Udhëzojë”

Pamja
Meri N. Kuk

Fotograf © Busath Photography

Si përfaqësuese të Krishtit, ne duhet të tregojmë respekt për trupat tanë “në të gjitha kohërat dhe në të gjitha vendet” duke iu përmbajtur disa standardeve.

Kimi ka mbajtur gjithmonë veshje të thjeshta. Ditën tjetër unë e pyeta për mendimin e saj mbi atë se çfarë quan ajo një fund të thjeshtë, një bluzë të thjeshtë dhe një veshje të thjeshtë noti. Në vend që të merremi me masat e sakta për gjatësinë e fundeve dhe të dekolteve, ne diskutuam parimet që lidhen me thjeshtësinë dhe sfidën e gjetjes së veshjes së thjeshtë që duket tërheqëse. Ne patëm një vërshim argëtues mënyrash se si ta zgjasim në mënyrë krijuese një fund. Më në fund Kimi tha: “Nëse unë nuk ndihem rehat kur vesh për herë të parë diçka, zakonisht kjo do të thotë se nuk është veshje e thjeshtë dhe se nuk do të ndihem rehat duke e veshur. Unë kam mësuar që të mos e blej kurrë atë. Unë thjesht e vendos përsëri në varëse.”

Ndërsa Kimi përpiqet të jetojë denjësisht, Fryma e Shenjtë mund ta udhëzojë atë në zgjedhjet e veshjeve të saj. Ajo i jeton lirshëm standardet e thjeshtësisë dhe nuk përpiqet t’i ndryshojë rregullat e veshjes dhe të pamjes së jashtme. Ajo e kupton se trupi i saj është një tempull (shih 1 Korintasve 3:16) dhe se ajo ka përgjegjësi të kujdeset, ta mbrojë dhe ta veshë atë siç duhet.

Kur ndërtohet një tempull, tregohet kujdes i madh për të garantuar se është i mbrojtur dhe i stolisur bukur, brenda dhe jashtë. Çelësi në planifikimin e tempujve është të kuptuarit se një tempull përfaqëson Zotin – ai është shtëpia e Tij. Ne i respektojmë tempujt si ndërtesa të shenjta, ku vetëm ata që janë të denjë mund të hyjnë. Ne i nderojmë tempujt sepse ordinancat dhe besëlidhjet e shenjta në të cilat marrim pjesë, bëjnë të mundur për ne që të kthehemi tek Ati ynë Qiellor.

Trupi juaj është më i çmuar sesa tempulli më i bukur mbi tokë. Ju jeni biri apo bija e dashur e Perëndisë! Po të njëjtat parime – paraqitja, respekti dhe nderimi – zbatohen edhe më shumë për kujdesin dhe mbrojtjen që ju i bëni trupit tuaj.

Paraqitja

Çdo javë ndërsa marrim sakramentin, ne marrim përsipër emrin e Shpëtimtarit. Ne jemi përfaqësueset e Tij në tokë. Një nga udhëzimet në broshurën Për Forcën e Rinisë thotë: “Përmes veshjes dhe pamjes suaj të jashtme ju mund t[’i] tregoni [Zotit] se e dini se sa i çmuar është trupi juaj. Ju mund të tregoni se jeni një dishepull i Jezu Krishtit dhe se ju e doni Atë.”1

Kur një e re e lexoi këtë thënie, ajo vendosi që nuk dëshironte madje as t’i afrohej kufirit të mungesës së thjeshtësisë. Menjëherë, ajo hoqi gjithçka në gardërobën e saj që nuk ishte në përputhje me të qenit një përfaqësuese e Shpëtimtarit. Ajo tha: “Unë do të isha e zgjuar nëse as nuk do të provoja asgjë nëpër dyqane që e di se nuk duhet ta vesh. Përse të tundohesh?” Parimi i përfaqësimit e ndihmoi atë të merrte atë vendim të prerë.

Pamja
young woman looking at shirt in mirror

Fotoilustrim nga Cody Bell

Respekti

Si përfaqësuese të Krishtit, ne tregojmë respekt për trupin tonë “në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet” (Mosia 18:9) duke pranuar t’u përmbahemi disa standardeve. Zoti kërkon që vetëm ata që janë të pastër mund të hyjnë në tempull. Zgjedhja juaj për të qenë e virtytshme është tregues i respektit tuaj për Zotin dhe trupin tuaj fizik.

Ne duhet të tregojmë respekt edhe për trupat e të tjerëve dhe t’i ndihmojmë ata të jetojnë jetë të virtytshme. Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha: “[Të rejave] u duhet të kuptojnë se, kur mbajnë fustan tepër të ngushtë, tepër të shkurtër apo të çarë tepër thellë, jo vetëm që u japin një mesazh të gabuar të rinjve me të cilët shoqërohen, por ato gjithashtu përjetësojnë në vetë mendjen e tyre falsitetin se, vlera e një gruaje varet vetëm nga joshja sensuale e saj. Kjo kurrë nuk ka qenë dhe as nuk do të jetë ndonjëherë brenda përkufizimit të drejtë të një bije besnike të Perëndisë.”2

Të reja, respektojeni trupin tuaj dhe ndihmojini të tjerët, veçanërisht të rinjtë, të kenë mendime dhe veprime të virtytshme. Respektojeni trupin tuaj, duke ditur se të jetuarit drejtësisht përditë ju jep juve vlerë të përjetshme.

Nderimi

Plaku Robert D. Hejls, nga Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi: “Ashtu si themelet e tempullit portretizojnë shenjtërinë dhe nderimin për atë që ndodh brenda tempullit, veshja jonë portretizon bukurinë dhe pastërtinë e brendisë sonë. Mënyra se si vishemi portretizon nëse e kemi respektin e duhur për … ordinancat dhe besëlidhjet e përjetshme dhe nëse po e përgatisim veten për t’i marrë ato.”3

Tregojeni nderimin tuaj për sakrificën shlyese të Shpëtimtarit tonë duke veshur “më të mirat e së dielës” për të marrë pjesë në ordinancën e sakramentit. “Të rinjtë duhet të vishen me dinjitet kur kryejnë detyra në ordinancën e sakramentit.”4 Të reja, vishuni thjesht.

Ngrihuni! Jini shembulli i veshjes së thjeshtë në shtëpi, në shkollë, në plazh, në vallëzime apo kur merrni pjesë në sporte. Ndiqni shembullin e Kimit kur zgjidhni veshjen tuaj, duke e lënë Shpirtin e Shenjtë t’ju udhëzojë në vendimet tuaja. “Bëjini vetes pyetjen: ‘A do të ndihesha mirë me pamjen time të jashtme nëse do të isha në praninë e Zotit?’”5

Nëse i jetoni këto tre parime – paraqitjen, respektin dhe nderimin – kur zgjidhni veshjet tuaja, ju do të “shkëlqeni” (Doktrina e Besëlidhje 115:5) si përfaqësuese të dashura të Shpëtimtarit.

Shënime

  1. Për Forcën e Rinisë (broshurë, 2011), f. 6.

  2. M. Rasëll Ballard, “Nëna dhe Bija”, Liahona, maj 2010, f. 20.

  3. Robert D. Hales, “Modesty: Reverence for the Lord”, Liahona, gusht 2008, f. 20.

  4. Për Forcën e Rinisë, f. 8.

  5. Për Forcën e Rinisë, f. 8.