Seminare dhe Institute
Mësimi 19: Mbrojtja e Lirisë Fetare


19

Mbrojtja e Lirisë Fetare

Hyrje

Liria fetare është privilegji i shenjtë për të besuar e vepruar sipas asaj që zgjedhim – për ta përcaktuar veten tonë dhe më pas për të jetuar sipas mënyrës që na e dikton ndërgjegjja jonë – ndërkohë që në të njëjtën kohë i respektojmë të drejtat e të tjerëve (shih DeB 134:4). Në këtë mësim, studentët do të shqyrtojnë rrëfimet e Librit të Mormonit në të cilat individë dhe grupe kërkuan ta rrëzonin Kishën e Perëndisë dhe t’i nënvleftësonin të drejtat dhe liritë fetare. Studentëve do t’ju kujtohet që liria fetare nevojitet të mbrohet dhe të ruhet sot.

Lexim Konteksti

Sugjerime për Mësimdhënien

Mosia 29:10–11, 16–18, 25–26, 32; Alma 30:7–9

Rëndësia e lirisë së zgjedhjes dhe lirisë fetare

Kujtojini studentët që, përpara se të vinim në tokë, ne morëm pjesë në Këshillin në Qiell. Kërkojuni studentëve të tregojnë disa nga arsyet dhe rrjedhojat kryesore të këtij këshilli. Pastaj paraqitni dhe lexoni me zë të lartë thëniet vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson (1899–1994):

Pamja
Presidenti Ezra Taft Benson

“Çështja qendrore në atë këshill paratokësor ishte: A do të kenë fëmijët e Perëndisë zgjedhje të lirë, pa pengesa për të zgjedhur drejtimin që duhet të ndjekin, qoftë i mirë ose i keq, apo do të jenë të shtrënguar dhe të detyruar të jenë të bindur? Krishti dhe të gjithë që e pasuan Atë, ishin për propozimin e parë – liri zgjedhjeje; Satani ishte për të dytin – shtrëngim dhe detyrim” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Ezra Taft Benson [2014], f. 65).

“Shkrimet e shenjta e bëjnë të qartë se u bë një luftë e madhe në qiell, një përpjekje mbi parimin e lirisë, të drejtën e zgjedhjes” (Mësimet: Ezra Taft Benson, f. 65).

“Lufta që filloi në qiell për këtë çështje, nuk ka mbaruar ende. Konflikti vazhdon në fushën e betejës së vdekshmërisë” (Mësimet: Ezra Taft Benson, f. 65).

  • Çfarë prove keni parë që konflikti i paralindjes midis lirisë dhe zgjedhjes vazhdon në vdekshmëri?

  • Si mendoni, përse Satani përpiqet ta shkatërrojë lirinë?

Teksa studentët përgjigjen, merrni parasysh të jepni thënien vijuese nga Presidenti Dejvid O. Mek–Kei (1873–1970):

Pamja
Presidenti Dejvid O. Mek–Kei

“Pas dhuratës së vetë jetës, e drejta për ta drejtuar atë jetë është dhurata më e madhe e Perëndisë për ne” (Teachings of Presidents of the Church: David O. McKay [2003], f. 208).

Kujtojini studentët që, për shekuj pasi Lehi mbërriti në tokën e premtuar, nefitët u sunduan nga mbretërit. Megjithatë, mbreti Mosia propozoi që të vendosej një formë e re e qeverisjes. Vërini studentët të studiojnë Mosian 29:10–11, 16–18, 25–26 dhe të kërkojnë përse Mosia propozoi një formë të re të qeverisjes.

  • Çfarë arsyesh dha mbreti Mosia për dëshirën që të zbatohej një formë e re e qeverisjes?

Shpjegojuni studentëve se sistemi i gjykatësve ishte i duhur dhe i nevojshëm për të ruajtur lirinë në shoqërinë nefite. Shoqëritë e tjera kanë kërkuar në mënyrë të ngjashme që të themelojnë dhe ruajnë lirinë, edhe pse sistemet e tyre të qeverisjes mund të ishin organizuar ndryshe. Vëreni një student të lexojë me zë të lartë Mosian 29:32, ndërkohë që klasa kërkon përse Mosia dëshironte të ruhej liria e popullit të tij.

  • Përse ishte e nevojshme të ruhej liria e nefitëve?

  • E kujt është përgjegjësia që të ndihmojë për t’i ruajtur të drejtat dhe privilegjet tona? Si mund të përmbushet kjo ruajte?

Shpjegoni se ushtrimi i lirive individuale nuk duhet ta zëvendësojë parimin e bindjes kundrejt ligjeve të tokës.

Ftojini studentët të hetojnë Almën 30:7–9 dhe të përcaktojnë njërën prej të drejtave të garantuara nga qeveria e re nefite.

Ju mund të shpjegoni që ky fragment tregon se Zoti e ndalon diskriminimin kundrejt të tjerëve mbi bazën e besimit ose mosbesimit të tyre te Perëndia (shih edhe DeB 134:4).

  • Si i sjell përfitim shoqërisë mbrojtja e lirisë fetare?

Për t’i ndihmuar studentët që t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, ftojeni një student të lexojë thënien vijuese:

“Liria fetare, ose liria e ndërgjegjes, është vendimtare për shëndetin e një shoqërie të ndryshme. Ajo i lejon besime dhe bindje të ndryshme të lulëzojnë. Liria fetare i mbron të drejtat e të gjitha grupeve dhe individëve, duke përfshirë më të cenueshmit, qofshin fetarë ose jo” (“Religious Freedom”, mormonnewsroom.org/official-statement/religious-freedom).

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë elementët bazë të lirisë fetare, paraqitni thënien vijuese nga Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe ftojeni një student ta lexojë atë:

Pamja
Plaku Robert D. Hejls

“Këto janë katër gurët e qoshes së lirisë fetare, mbi të cilat ne, si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, duhet të mbështetemi dhe t’i mbrojmë.

E para është liria për të besuar. …

Guri i dytë i qoshes i lirisë fetare është liria për të ndarë besimin tonë dhe bindjet tona me të tjerët. …

Guri i tretë i qoshes i lirisë fetare është liria për të formuar një organizatë fetare, një kishë, për të adhuruar në mënyrë paqësore me të tjerët. …

Guri i katërt i qoshes i lirisë fetare është liria për të jetuar besimin tonë – ushtrimin e lirë të besimit jo thjesht në shtëpi e kishë, por edhe në vende publike” (“Ruajtja e Lirisë së Zgjedhjes, Mbrojtja e Lirisë Fetare”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 112).

Përmblidhini këta katër gurë të qoshes duke shkruar sa vijon në tabelë:

Liria për të besuar, ndarë, organizuar dhe jetuar.

  • Si do t’i ndalonte mundësitë për rritje shpirtërore kufizimi i ndonjërit prej këtyre katër gurëve të qoshes?

  • Si është ndikuar jeta juaj nga këta elementë të lirisë fetare?

Alma 2:1–10, 12, 27–28; 44:1–5; 46:4–5, 10–16, 19–22

Ruajtja e lirisë fetare

Shkruajini referencat vijuese në tabelë dhe shpjegoni se këto fragmente përmbajnë shembuj të kërcënimeve ndaj lirisë fetare:

Alma 2:1–4

Alma 46:4–5, 10

Caktojeni gjysmën e klasës të studiojë fragmentin e parë dhe gjysmën tjetër të studiojë fragmentin e dytë. Vërini studentët të kërkojnë synimin e atyre që e kërcënuan lirinë fetare.

  • Sipas këtyre fragmenteve, cilat ishin synimet e Amlicit dhe Amalikias?

  • Si do t’i kishte ndikuar humbja e lirisë fetare shoqëritë në këto rrëfime?

Shtojuni tekstin vijues të theksuar referencave në tabelë:

Alma 2:1–4, 5–10, 12, 27–28

Alma 46:4–5, 10, 11–16, 19–22

Ftojini studentët të lexojnë vargjet që iu shtuan fragmentit që e lexuan, dhe vërini të kërkojnë se çfarë bënë njerëzit e drejtë për ta mbrojtur lirinë e tyre fetare.

  • Çfarë të vërtetash mund të mësojmë nga këto fragmente rreth rëndësisë së ruajtjes së lirisë fetare? (Studentët duhet të përcaktojnë të vërtetat vijuese: Është detyra jonë për të mbrojtur familjet tona, fenë tonë dhe lirinë tonë. Kur i bëjmë thirrje Perëndisë dhe besëlidhim që t’i zbatojmë urdhërimet e Tij, Ai do të na forcojë për t’i mbrojtur të drejtat tona dhe fenë tonë.)

Nëse e lejon koha, ju mund të lexoni edhe Almën 44:1–5 me klasën dhe të diskutoni se si besimi i nefitëve i forcoi ata kundrejt Zerahemnës dhe lamanitëve.

  • Në Librin e Mormonit, liria fetare shpesh u kërcënua prej përndjekjes dhe luftës. Si e kërcënojnë individë e grupe lirinë fetare sot?

Nëse nevojitet për të ndihmuar që t’i përgjigjeni kësaj pyetjeje, lexoni thënien vijuese rreth kërcënimeve në rritje ndaj lirisë fetare në Shtetet e Bashkuara. Vini në dukje se, teksa kjo thënie përmend çështje në mënyrë specifike brenda Shteteve të Bashkuara, shumë vende të tjera po hasin sfida të ngjashme ndaj lirisë fetare. (Shënim: Përdoreni këtë thënie vetëm për të dhënë shembuj se si po sfidohen disa liri fetare. Mos e lejoni këtë të bëhet një diskutim për të drejtat e homoseksualëve ose çështje të tjera politike.)

“Sfidat ndaj lirisë fetare po shfaqen nga shumë burime. Shfaqja e mbrojtjes për të drejtat e homoseksualëve kërcënon të pakësojë lirinë fetare në shumë mënyra. Ndryshimet në kujdesin shëndetësor kërcënojnë të drejtat e atyre që kanë bindje morale të caktuara për jetën e njeriut. Këto dhe zhvillime të tjera po krijojnë konflikt dhe po fillojnë t’u imponohen organizatave fetare dhe njerëzve me ndërgjegje. … Ato po kërcënojnë të kufizojnë mënyrën se si organizatat fetare mund ta drejtojnë punësimin dhe pronën e tyre. Ato po sjellin shtrëngim mbi universitetet e shkollat e lidhura me fenë dhe entet e shërbimeve sociale. … Në këto rrethana dhe në shumë të tjera, ne shohim se si liria fetare dhe liria e ndërgjegjes po gërryhen pa u kuptuar, por në mënyrë të vazhdueshme” (“Një Paraqitje për Lirinë Fetare”, mormonnewsroom.org/article/introduction-religious-freedom).

Vini në dukje se Kisha ka përkrahur paanësi për të gjithë. Në përputhje me Nenet e Besimit 1:11, ne duhet ta shpallim të drejtën tonë të lirisë fetare në një mënyrë të paanë dhe të baraspeshuar që gjithashtu i respekton të drejtat dhe interesat e të tjerëve (shih “Udhëheqësit Mormonë Bëjnë Thirrje për Ligje që Mbrojnë Lirinë Fetare”, mormonnewsroom.org/article/church-news-conference-on-religious-freedom-and-nondiscrimination).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Profeti Jozef Smith (1805–1844):

Pamja
Profeti Jozef Smith

“Nëse është treguar se unë kam qenë i gatshëm të vdes për një ‘mormon’, nuk trembem të deklaroj përpara Qiellit se jam po aq i gatshëm që të vdes në mbrojtje të të drejtave të një presbiteriani, baptisti, ose një njeriu të mirë të cilësdo feje tjetër; sepse i njëjti parim që do të nëpërkëmbte të drejtat e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme do të nëpërkëmbte të drejtat e katolikëve romanë, ose të çfarëdo feje tjetër, që mund të jetë e panjohur dhe tepër e dobët për të mbrojtur veten.

Është dashuria për lirinë që e frymëzon shpirtin tim – lirinë civile dhe fetare për të gjithë racën njerëzore” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smithi [2009], f. 368).

  • Përse është e rëndësishme që ta ruajmë lirinë fetare për të gjithë njerëzit dhe jo vetëm për shenjtorët e ditëve të mëvonshme? (Ruajtje të tilla i aftësojnë të tjerët ta përdorin lirinë e tyre të zgjedhjes në përputhje me planin e Perëndisë dhe të nxitin një shoqëri paqësore dhe të drejtë. Nëse duam që të mbrohen dhe të respektohen bindjet tona fetare, atëherë ne duhet të mbrojmë dhe respektojmë bindjet fetare të të tjerëve.)

  • Cilat janë disa veprime të përshtatshme që mund t’i ndërmarrim për ta ruajtur dhe forcuar lirinë fetare?

Për të ndihmuar që t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Robert D. Hejls:

Pamja
Plaku Robert D. Hejls

“Vëllezër e motra, ne jemi përgjegjës për ruajtjen e këtyre lirive dhe të drejtave të shenjta për veten tonë dhe pasardhësit tanë. Çfarë mund të bëjmë unë dhe ju?

Së pari, ne mund të vihemi në dijeni. Jini të vetëdijshëm për çështje në komunitetin tuaj që mund të kenë ndikim në lirinë fetare.

Së dyti, në cilësinë tuaj vetjake, bashkohuni me të tjerë që kanë të njëjtin zotim me ne për lirinë fetare. Punoni krah për krah për të mbrojtur lirinë fetare.

Së treti, jetojeni jetën tuaj që të jeni një shembull i mirë i asaj që besoni – në fjalë dhe në vepra. Mënyra se si e jetojmë fenë tonë është shumë më e rëndësishme se sa ajo që mund të themi rreth fesë sonë” (“Ruajtja e Lirisë së Zgjedhjes”, f. 112).

  • Si mund të bëheni të ndërgjegjshëm për çështje që e ndikojnë lirinë fetare në komunitetin tuaj?

  • Çfarë grupesh të tjera në zonën tuaj kanë të njëjtin zotim si ju ndaj lirisë fetare?

  • Çfarë keni bërë ju ose i keni parë të tjerët të bëjnë për të nxitur liri fetare?

Njoftojini studentët për mjetet burimore të lirisë fetare, në dispozicion te mormonnewsroom.org. Inkurajojini studentët që të marrin parasysh se çfarë mund të bëjnë që të nxitin e mbrojnë lirinë fetare dhe jepni dëshminë tuaj që Ati Qiellor do t’i udhëzojë ata në përpjekjet e tyre.

Materiale Leximi për Studentin