Seminare dhe Institute
Mësimi 9: ‘Kërkoni Mbretërinë e Perëndisë’


9

“Kërkoni Mbretërinë e Perëndisë”

Hyrje

Kur profeti i Librit të Mormonit, Jakobi, e nxiti popullin e tij të kërkonte mbretërinë e Perëndisë (shih Jakobi [LiM] 2:18), ai e bëri këtë në një kohë kur mëkatet e krenarisë [ose kryelartësisë], të dashurisë për pasuritë dhe imoralitetit ishin probleme të rënda. Këto mëkate janë një kërcënim ndaj unitetit dhe përparimit të mbretërisë së Perëndisë në tokë. Të kërkojmë mbretërinë e Perëndisë është ta bëjmë të jetuarin e ungjillit një përparësi kryesore në jetën tonë. Ky mësim do t’i ndihmojë studentët të zotohen që ta braktisin mëkatin dhe të kërkojnë më plotësisht mbretërinë e Perëndisë.

Lexim Konteksti

  • Diter F. Uhtdorf, “Krenaria dhe Priftëria”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 55–58.

  • “Thou Shalt Have No Other Gods before Me”, kapitulli 14 në Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball (2006), f. 145–153.

  • “Urdhërimi i Madh – Duaje Zotin”, kapitulli 1 në Mësimet e Presidentëve të Kishës: Ezra Taft Benson (2014), f. 39–49.

Sugjerime për Mësimdhënien

Alma 7:14–16, 19, 21–24

Libri i Mormonit na mëson se si ta ndjekim shtegun drejt mbretërisë së Perëndisë

Kërkojuni studentëve të marrin parasysh gjëra që duhet të kontrollohen rregullisht për t’i mbajtur në gjendje të mirë funksionuese (për shembull, kontrollimi i vajit të motorit të një makine ose kontrollimi i baterive për pajisjet që dallojnë tymin, apo kryerja e një kontrolli nga një mjek apo një dentist).

  • Cilat janë përfitimet e kontrollimit të këtyre gjërave rregullisht? (Ne mund t’i rregullojmë problemet dhe të shmangim shqetësimin ose rrezikun në të ardhmen.)

Shpjegoni se në mënyrë të ngjashme ne kemi nevojë të shqyrtojmë vazhdimisht gjendjen e jetës sonë shpirtërore për të vlerësuar dobësitë dhe për të shmangur rrezikun.

Tregojuni studentëve se, kur Alma i Riu po shërbente si prift i lartë, ai i vizitoi njerëzit e Kishës në Gideon dhe i nxiti ata të vlerësonin gjendjen e tyre shpirtërore. Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Almën 7:19, duke kërkuar gjendjen shpirtërore të njerëzve në Gideon.

  • Si e përshkroi Alma gjendjen shpirtërore të njerëzve në Gideon? (Njerëzit ishin “në shtegun që të çon në mbretërinë e Perëndisë”.)

Shpjegoni se “mbretëri[a] e Perëndisë” ka të paktën dy kuptime të veçanta – një tokësor dhe një çelestial. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Brus R. Mek-Konki (1915–1985), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe ndihmojini studentët të kuptojnë se tek Alma 7:19 termi “mbretëri[a] e Perëndisë” i drejtohet mbretërisë çelestiale:

Pamja
Plaku Brus R. Mek‑Konki

“Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme siç është themeluar tani, është mbretëria e Perëndisë në tokë. … Në botët e përjetshme, mbretëria çelestiale është mbretëria e Perëndisë. … Ungjilli hartohet për t’i përgatitur njerëzit për një trashëgimi në mbretërinë çelestiale të Perëndisë” (Mormon Doctrine, bot. i 2-të [1966], f. 415–417.)

Vërini studentët të lexojnë Almën 7:14–16 dhe kërkoni atë që Alma i udhëzoi njerëzit se duhej të bënin për të trashëguar jetë të përjetshme.

  • Si mendoni, përse Alma i ftoi njerëzit të pendoheshin kur ata ishin tashmë në shtegun e drejtësisë? (Njerëzit e Gideonit kishin nevojë të qëndronin në shtegun e drejtësisë.)

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Alma 7:21–24. Vëreni klasën të kërkojë veprimet dhe tiparet që do të na ndihmojnë të trashëgojmë mbretërinë e Perëndisë.

  • Çfarë kemi nevojë të bëjmë dhe të jemi, me qëllim që ta ndjekim shtegun që çon drejt mbretërisë së Perëndisë? (Përmblidhini përgjigjet e studentëve duke shkruar në tabelë parimin vijues: Kur i jetojmë parimet e ungjillit, ne ndjekim shtegun që çon drejt mbretërisë së Perëndisë.)

Ftojini studentët të marrin parasysh se si veprimet e tyre po i ndihmojnë të bëhen më shumë si Jezu Krishti dhe të përparojnë drejt mbretërisë së Perëndisë. Kërkojuni atyre të marrin parasysh se si ndihen rreth përparimit që po bëjnë kohët e fundit.

1 Nefi 10:21; 2 Nefi 9:39; Jakobi [LiM] 2:12–14, 20–28; 3:10–12; Mosia 2:20–25; 4:13, 21–26; 3 Nefi 12:27–30

Dashuria për pasuritë, krenaria [kryelartësia] dhe imoraliteti na mbajnë larg nga të kërkuarit e mbretërisë së Perëndisë

Shpjegoni se përgjatë gjithë Librit të Mormonit, profetët e Perëndisë i paralajmëruan njerëzit ndaj mëkatit. Për shembull, Jakobi u urdhërua nga Zoti t’i qortonte njerëzit e tij për mëkate që ishin të “neveritsh[me] ndaj Perëndisë” (Jakobi [LiM] 2:5).

Shkruani referencat vijuese në tabelë: Jakobi [LiM] 2:12–14, Jakobi [LiM] 2:20–21 dhe Jakobi [LiM] 2:23–28. Vërini studentët t’u hedhin një sy të shpejtë këtyre fragmenteve, duke kërkuar mëkate të veçanta që i përmendi Jakobi. Sugjeroni që studentët të shenjojnë fjalë ose fraza që i përshkruajnë këto mëkate. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini studentët të tregojnë për mëkatet të cilave Jakobi iu drejtua në secilin fragment. Shkruajeni secilin mëkat që e përcaktuan në tabelë mbi referencën ku përmenden, sikurse vijon:

Dashuria për pasuritë

Kryelartësia

Imoraliteti

Jakobi [LiM] 2:12–14

Jakobi [LiM] 2:20–21

Jakobi [LiM] 2:23–28

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Jakobin [LiM] 3:10–12 dhe vëreni klasën të kërkojë fjalë dhe fraza që Jakobi i përdori për të ilustruar gjendjen e rëndë të mëkateve të njerëzve.

  • Çfarë fjalë ose fraza e ilustrojnë gjendjen e rëndë të mëkateve të njerëzve?

  • Jakobi përdori frazën “pasojat e tmerrshme” të mëkatit (vargu 12). Ftojini studentët të kryqëzojnë referencat Jakobi [LiM] 3:12 me 2 Nefin 9:39 dhe 1 Nefin 10:21. Vëreni një student t’i lexojë me zë të lartë secilin prej këtyre vargjeve. Vëreni klasën të kërkojë pasoja shtesë të mëkatit. Ftojeni klasën të përcaktojnë një të vërtetë nga këto fragmente rreth mënyrës se si mëkate të tilla, si kryelartësia [krenaria], imoraliteti dhe dashuria për pasuritë, mund ta ndikojnë dikë që po kërkon mbretërinë e Perëndisë. (Studentët duhet të përcaktojnë një të vërtetë si ajo që vijon: Mëkati çon drejt vdekjes shpirtërore dhe na pengon që të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë.)

Shtoni në tabelë referencat vijuese të shkrimeve të shenjta:

Dashuria për pasuritë

Kryelartësia

Imoraliteti

Jakobi [LiM] 2:12–14

Mosia 4:13, 21–26

Jakobi [LiM] 2:20–21

Mosia 2:20–25

Jakobi [LiM] 2:23–28

3 Nefi 12:27–30

Ftojini studentët të zgjedhin dhe lexojnë njërin prej fragmenteve të reja. Vërini të kërkojnë mënyra se si t’i shmangin mëkatet e dashurisë për pasuritë, të kryelartësisë dhe imoralitetit. Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojuni atyre të tregojnë atë që gjetën.

  • Si do ta ndihmonte ndjekja e këshillës në këto fragmente një anëtar të Kishës që të kërkonte mbretërinë e Perëndisë dhe që ta forconte Kishën e Zotit në tokë?

Mateu 6:33; Jakobi [LiM] 2:17–19

Ne duhet të kërkojmë mbretërinë e Perëndisë mbi të gjitha interesat e tjera

Shpjegoni se, përveç paralajmërimit të njerëzve të tij rreth dashurisë për pasuritë, rreth kryelartësisë dhe imoralitetit, Jakobi dha këshillë që t’i ndihmonte ata të mposhtnin dëshirat e tyre të padrejta. Vëreni një student të lexojë me zë të lartë Jakobin [LiM] 2:17–19, ndërsa klasa kërkon këshillën që dha Jakobi.

  • Çfarë mund të mësojmë nga këshilla e Jakobit që mund të na ndihmojë ta shmangim mëkatin? (Studentët duhet të përcaktojnë sa vijon: Perëndia na ka urdhëruar të kërkojmë mbretërinë e Perëndisë mbi të gjitha interesat e tjera.)

  • Çfarë do të thotë për ju të kërkoni para së gjithash mbretërinë e Perëndisë?

Paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson (1899–1994) dhe ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë:

Pamja
Presidenti Ezra Taft Benson

“Kur ne e vendosim Perëndinë të parin, gjithë gjërat e tjera zënë vendin e duhur ose largohen nga jeta jonë. Dashuria jonë për Zotin do të qeverisë shpalljet e dashurisë sonë, kërkesat e kohës sonë, interesat që ndjekim dhe rendin e përparësive tona” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Ezra Taft Benson [2014], f. 43).

  • Cilët janë disa shembuj të gjërave që “zënë vendin e duhur ose largohen nga jeta jonë” kur e bëjmë Perëndinë përparësinë tonë të parë?

  • Cili është një shembull i diçkaje që ka zënë vendin e duhur ose është larguar nga jeta juaj, kur ju e keni vënë Atin Qiellor dhe mbretërinë e Tij para të gjitha gjërave në jetën tuaj?

  • Çfarë ndikimi do të kishte mbi ne vendosja e Perëndisë para të gjitha gjërave kur tundohemi nga kryelartësia [krenaria], dashuria për pasuritë, imoraliteti ose mëkate të tjera?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Mateun 6:33. Tregojuni studentëve që Joseph Smith Translation thotë sa vijon: “Si rrjedhim, mos kërkoni gjërat e kësaj bote, por para së gjithash kërkoni të ndërtoni mbretërinë e Perëndisë dhe të vendosni drejtësinë e tij, dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen” (Përkthimi prej Joseph Smith-it në Biblën në anglisht, Mateu 6:38 [në Mateu 6:33, shënimi a në fund të faqes]).

Paraqitni thënien vijuese nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Dallin H. Ouks

“‘Para së gjithash kërkoni të ndërtoni mbretërinë e Perëndisë’ do të thotë të caktojmë si përparësinë tonë të parë Perëndinë dhe punën e Tij. Puna e Perëndisë është të bëjë të ndodhë jeta e përjetshme e fëmijëve të Tij (shih Moisiu 1:39) dhe gjithçka që ajo përfaqëson. … Çdo gjë tjetër është e një përparësie më të ulët. … Siç ka thënë dikush, nëse nuk zgjedhim para së gjithash mbretërinë e Perëndisë, pak ndryshim do të ketë në fund ajo që kemi zgjedhur në vend të kësaj” (“Focus and Priorities”, Ensign, maj 2001, f. 83–84).

  • Cilat janë disa mënyra se si një anëtar i Kishës që është një i ri ose një e re në moshë madhore, mund ta “ndërto[jë] mbretërinë e Perëndisë”?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Robert D. Hejls

“Duke zgjedhur të jemi në mbretërinë e [Perëndisë], ne e veçojmë – nuk e izolojmë – vetveten nga bota. Veshja jonë do të jetë e thjeshtë, mendimet tona të dëlira, të folurit tonë i pastër. Filmat dhe televizioni që shohim, muzika që dëgjojmë, librat, revistat dhe gazetat që lexojmë, do të jenë lartësuese. Ne do të zgjedhim miq që na i nxitin synimet tona të përjetshme dhe do t’i trajtojmë të tjerët me mirësi. Ne do t’i shmangim veset e imoralitetit, bixhozit, duhanit, pijeve alkoolike dhe drogave të paligjshme. Veprimtaritë tona të së dielës do ta pasqyrojnë urdhërimin e Perëndisë që ta kujtojmë ditën e Shabatit dhe ta mbajmë atë të shenjtë. Ne do ta ndjekim shembullin e Jezu Krishtit në mënyrën se si i trajtojmë të tjerët. Ne do të jetojmë që të jemi të denjë për të hyrë në shtëpinë e Zotit” (“The Covenant of Baptism: To Be in the Kingdom and of the Kingdom”, Ensign, nëntor 2000, f. 8).

  • Si mund ta ndikojë në mënyrë domethënëse të kërkuarit e mbretërisë së Perëndisë çdo fushë të jetës sonë?

  • Si e ka ndikuar jetën tuaj ose jetën e një pjesëtari të familjes apo të një njeriu që njihni, të kërkuarit e mbretërisë së Perëndisë?

Nxitini studentët të përsiatin atë që mund të bëjnë për ta kërkuar vazhdimisht mbretërinë e Perëndisë. Nxitini ata të dëgjojnë për nxitjet e Shpirtit dhe të shkruajnë atë që planifikojnë të bëjnë. Dëshmoni për bekimet që vijnë nga vendosja e Perëndisë para të gjitha gjërave në jetën tonë.

Leximet e Studentëve