Seminare dhe Institute
Mësimi 20: Forcimi i Besimit dhe Dëshmisë Sonë


20

Forcimi i Besimit dhe Dëshmisë Sonë

Hyrje

Besimi në Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij u sjell forcë dhe mbrojtje shpirtërore fëmijëve të Perëndisë. Libri i Mormonit ilustron qëndrime e sjellje të cilat mund t’i çojnë individët që të bien në mosbesim. Profetët e Librit të Mormonit paralajmëruan për këto sjellje e qëndrime dhe na mësuan parime të ungjillit që do ta forcojnë e fuqizojnë besimin dhe dëshminë tonë.

Lexim Konteksti

Sugjerime për Mësimdhënien

2 Nefi 1:10–11; 9:28; Mosia 2:36–37; 26:1–4; Alma 12:9–11; 31:8–11; 46:7–8; Helamani 4:11–13; 13:24–26; Mormoni 9:7–8

Qëndrimet e sjelljet që mund ta zhvleftësojnë besimin dhe dëshminë

Paraqitni pyetjen vijuese dhe ftojini studentët të përgjigjen shkurtimisht:

  • Si është e mundur për ata që i kanë përjetuar bekimet e ungjillit, që ta humbasin besimin dhe dëshminë e tyre?

Kujtojini studentët se profeti Lehi paralajmëroi që pasardhësit e tij një ditë do ta humbnin besimin në Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Nefin 1:10–11 dhe vërini studentët të kërkojnë ndikimin që mosbesimi pati më së fundi mbi pasardhësit e Lehit. (Mund të jetë e dobishme të shpjegoni se fraza “bien në mosbesim” do të thotë të shkatërrohen shpirtërisht për shkak të mosbesimit.)

  • Çfarë ndikimi pati më së fundi mosbesimi mbi pasardhësit e Lehit?

Vini në dukje që, teksa pati shumë faktorë që çuan drejt shkatërrimit të qytetërimit nefit, shkaku rrënjësor i rënies së nefitëve ishte humbja nga ana e tyre e besimit në Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij. Për këtë arsye, shkruesit e Librit të Mormonit në mënyrë të përsëritur paralajmëruan për sjelljet dhe qëndrimet që e dobësojnë besimin në Zotin dhe vazhdimisht na mësuan se si ta ndërtojmë e forcojmë dëshminë.

Vëreni një student të lexojë me zë të lartë Mosian 26:1–4 dhe nxiteni klasën të kërkojë qëndrime e sjellje që e nënvleftësuan besimin e disa individëve gjatë mbretërimit të mbretit Mosia.

Ftojini studentët të përcaktojnë një parim të dhënë mësim në këto vargje rreth asaj që u ndodh njerëzve që zgjedhin të mos besojnë dhe të mos veprojnë sipas së vërtetës. Mes parimeve që mund të përcaktojnë studentët, është sa vijon: Kur njerëzit zgjedhin të mos besojnë dhe të mos veprojnë sipas të vërtetave që ju mësohen atyre, zemrat e tyre bëhen të ngurtësuara dhe ata nuk mund t’i gëzojnë bekimet e besimit dhe të dëshmisë.

  • Kur njerëzit zgjedhin të mos besojnë dhe të mos veprojnë sipas të vërtetave që ju mësohen atyre, si mendoni ju, përse zemrat e tyre bëhen të ngurtësuara kundrejt Shpirtit?

Për t’i ndihmuar studentët të përcaktojnë qëndrime e sjellje shtesë, të cilat mund të çojnë drejt një humbjeje të besimit dhe dëshmisë, shkruani në tabelë fragmentet vijuese të shkrimeve të shenjta. Caktojeni secilin student të lexojë një ose dy nga fragmentet dhe sigurohuni që të caktohet secili fragment. Vërini studentët të kërkojnë në fragmentet e caktuara atyre qëndrime ose sjellje që mund t’i çojnë njerëzit drejt humbjes së besimit e dëshmisë.

2 Nefi 9:28

Mosia 2:36–37

Alma 12:9–11

Alma 31:8–11

Alma 46:7–8

Helamani 4:11–13

Helamani 13:24–26

Mormoni 9:7–8

Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojuni studentëve të tregojnë për qëndrime ose sjellje që i kanë përcaktuar, dhe shpjegoni se si këto mund ta dobësojnë besimin dhe dëshminë. Përmblidhini përgjigjet e studentëve në tabelë pranë fragmenteve përkatëse.

  • Si mendoni, cilat nga këto qëndrime apo sjellje janë më të rrezikshmet sot për anëtarët e Kishës që janë të rinj në moshë madhore? Përse?

Kërkojuni studentëve të përzgjedhin një qëndrim ose sjellje të renditur në tabelë dhe shpjegoni se çfarë mund të bëjmë që të ruhemi ndaj atij qëndrimi apo asaj sjelljeje.

Lejojini studentët për një çast që të përsiatin se cilat nga qëndrimet ose sjelljet e kanë kërcënuar vetë besimin dhe dëshminë e tyre dhe se çfarë mund të bëjnë për ta forcuar veten e tyre.

2 Nefi 28:21–23; Mormoni 5:16–18

Pasojat e humbjes së besimit dhe të dëshmisë

Kujtojini studentët se, teksa profeti Mormoni udhëhiqte ushtritë nefite, erdhi një kohë kur ai vëzhgoi gjendjen e ligë dhe të pashpresë të popullit të tij. Vërini studentët të studiojnë Mormonin 5:16–18, duke kërkuar përshkrimin e Mormonit për gjendjen shpirtërore të popullit të tij.

  • Çfarë mendoni se do të thotë të jetosh “pa Krisht dhe Perëndi në këtë botë”?

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga fjalët e Mormonit rreth atyre që e humbën besimin në Zotin dhe nuk pranuan të pendoheshin? (Edhe pse mund të përdorin fjalë të ndryshme, studentët duhet të përcaktojnë parimin vijues: Nëse ia lejojmë vetes sonë që ta humbasim besimin dhe nuk pranojmë të pendohemi, Shpirti do të tërhiqet prej nesh dhe ne do ta humbasim udhërrëfimin e Zotit.)

  • Sipas vargut 18, çfarë paralajmëroi Mormoni se do të ishte ndikimi i humbjes së udhërrëfimit nga Zoti?

Shpjegoni që Nefi na mësoi se procesi i humbjes së Shpirtit dhe të çuarit drejt robërisë së djallit është shpesh i ngadalshëm dhe i përshkallëzuar. Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga 2 Nefi 28:21–23 dhe vëreni klasën të përcaktojë fjalë dhe fraza që përshkruajnë këtë rënie të ngadalshme shpirtërore.

  • Çfarë qëndrimesh përcaktoi Nefi, të cilat mund të çojnë drejt rënies shpirtërore të një njeriu?

  • Si mendoni, përse këto qëndrime janë veçanërisht të rrezikshme ndaj besimit tonë?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë tregimin vijues nga Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë:

Pamja
Presidenti Henri B. Ajring

“Ashtu sikurse e vërteta na është dhënë rresht pas rreshti dhe drita shkëlqen dalëngadalë kur bindemi, po ashtu, kur nuk bindemi, dëshmia jonë për të vërtetën pakësohet pothuajse pa u kuptuar, pak e nga pak, dhe errësira shtohet kaq ngadalë sa njeriu krenar mund ta mohojë me lehtësi se ndonjë gjë po ndryshon.

E kam dëgjuar mburrjen e një burri që u largua nga Kisha dalëngadalë. Fillimisht ai thjesht ndërpreu mësimdhënien në klasën e tij të Shkollës të së Dielës, pastaj qëndroi larg Kishës dhe më pas harroi të paguante të dhjetën herë pas here. … Ai nuk mund ta ndiente ndryshimin, por unë mundesha. Drita në sytë e tij dhe madje shkëlqimi në pamjen e fytyrës së tij po zvetënoheshin. Ai nuk mund ta dallonte, ngaqë një prej efekteve të mosbindjes ndaj Perëndisë duket të jetë krijimi i një lënde anestezie shpirtërore aq të mjaftueshme sa të bllokojë çfarëdo ndjenje ndërkohë që po këputen lidhjet me Perëndinë. Jo vetëm që dëshmia për të vërtetën u gërrye dalëngadalë, por edhe kujtimet se me çfarë ngjante të ishe në dritë, filluan t’i dukeshin atij si marrëzi” (“A Life Founded in Light and Truth” [takim shpirtëror i Universitetit “Brigam Jang”, 15 gusht 2000], f. 3, speeches.byu.edu).

  • Cilët mendoni se janë disa tregues që një njeri po fillon ta humbasë besimin dhe dëshminë e tij ose të saj?

1 Nefi 15:7–11; 2 Nefi 25:28–29; Mosia 4:11–12; 15:11; Helamani 15:7–8

Të forcuarit e besimit dhe dëshmisë

Paraqitni dhe ftojeni një student të lexojë thënien vijuese nga Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Nil L. Andersen

“Në natyrë, pemët që rriten në një mjedis plot erë, bëhen më të forta. Teksa erërat fshikullojnë përreth një fidani të njomë, forcat brenda pemës bëjnë dy gjëra. Së pari, ato i nxisin rrënjët që të rriten më shpejt dhe të shpërndahen më larg. Së dyti, forcat brenda në pemë fillojnë të krijojnë struktura qelizore që në fakt i bëjnë trungun dhe degët më të trasha e më elastike ndaj trysnisë së erës. Këto rrënjë dhe degë më të forta e mbrojnë pemën nga erërat që patjetër do të kthehen.

Ju jeni pafundësisht më të çmuar për Perëndinë sesa një pemë. Ju jeni biri i Tij ose bija e Tij. Ai e bëri shpirtin tuaj të fortë dhe të aftë për të qenë i patundur kundrejt vorbullave të jetës. Vorbullat e erës në rininë tuaj, sikurse era kundrejt një peme të njomë, mund ta rritin forcën tuaj shpirtërore, duke ju përgatitur për vitet e ardhshme” (“Vorbullat e Erërave Shpirtërore”, Ensign or Liahona, maj 2014, f. 18).

  • Çfarë mund të bëjmë që të fitojmë forcë shpirtërore dhe që t’iu bëjmë ballë sfidave të besimit dhe dëshmisë sonë?

Kujtojini studentët që Libri i Mormonit përmban parime të ungjillit që mund t’i udhëzojnë individët të cilët kërkojnë të kenë besim më të fortë dhe dëshmi më të fortë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Nefin 25:28–29 dhe shpjegoni që këto vargje përmbledhin një predikim të fuqishëm që Nefi ia dha popullit të tij rreth mënyrës se si të shpëtoheshin. Vërini anëtarët e klasës të kërkojnë atë që Nefi dha mësim se është vendimi më i rëndësishëm që do të marrim në jetën tonë.

  • Çfarë dha mësim Nefi se është vendimi më i rëndësishëm që do të marrim në jetën tonë? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë parimin vijues: Nëse zgjedhim të besojmë në Jezu Krishtin dhe e adhurojmë Atë me gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën tonë, atëherë ne do të mbetemi të fortë shpirtërisht dhe nuk do të lihemi jashtë.)

Paraqitni thënien vijuese nga Plaku L. Uitni Klejton, i Të Shtatëdhjetëve, dhe kërkojini një studenti ta lexojë atë:

Pamja
Plaku L. Uitni Klejton

“Profetët përgjatë shekujve na kanë nxitur dhe madje na janë përgjëruar që të besojmë në Krisht[in]. … Vendimi për të besuar është zgjedhja më e rëndësishme që bëjmë ndonjëherë. Ai u jep formë të gjitha vendimeve tona të tjera. …

Bindja dhe dëshmia, dhe besimi nuk janë parime pasive. Nuk është se ato thjesht na ndodhin. Besimi është diçka që ne e zgjedhim – ne shpresojmë për të, punojmë për të dhe sakrifikojmë për të. Ne nuk do të arrijmë të besojmë rastësisht te Shpëtimtari dhe ungjilli i Tij sikurse nuk do të lutemi apo paguajmë të dhjetën rastësisht. Ne në mënyrë aktive zgjedhim të besojmë, njësoj siç zgjedhim t’i mbajmë urdhërimet e tjera” (“Zgjidhni të Besoni”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 38).

  • Si mendoni, çfarë do të thotë që “bindja dhe dëshmia, dhe besimi nuk janë parime pasive”?

  • Si mendoni, përse të përpjekurit fort që të jetojmë parimet e ungjillit është mënyra më e mirë për ta forcuar besimin dhe dëshminë tonë?

Për t’i ndihmuar studentët të zbulojnë disa nga mënyrat se si ne mund të bëjmë përpjekje për ta forcuar besimin dhe dëshminë tonë, shkruani fragmentet vijuese në tabelë dhe kërkojini secilit student të lexojë të paktën njërin prej tyre në heshtje. Ftojini ata të kërkojnë parime që mund të na ndihmojnë për ta forcuar besimin tonë në Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij.

1 Nefi 15:7–11

Mosia 4:11–12

Mosia 15:11

Helamani 15:7–8

Ftojini studentët të tregojnë ide që i gjetën në këto fragmente të shkrimeve të shenjta. Ju mund t’i ftoni studentët të japin dëshmi për mënyrën se si i kanë zbatuar këto parime ose parime të tjera në jetën e tyre dhe se si janë bekuar me besim të shtuar në Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij. Nxitini studentët të bëjnë përpjekjet e nevojshme për ta forcuar besimin e tyre në Zotin.

Materiale Leximi për Studentin