Seminare dhe Institute
Mësimi 2: Dëgjimi i Fjalëve të Profetëve


2

Dëgjimi i Fjalëve të Profetëve

Hyrje

Perëndia thërret profetë që të japin dëshmi për Jezu Krishtin, të shpallin pendim dhe t’i ftojnë të gjithë të vijnë te Shpëtimtari. Libri i Mormonit na mëson se ata që i dëgjojnë këta profetë, bekohen, ndërkohë që ata që i kundërshtojnë ata, përjetojnë keqardhje dhe hidhërim.

Lexim Konteksti

Sugjerime për Mësimdhënien

1 Nefi 1:4–15, 18; Mosia 11:20–25; 13:33–35

Roli i profetëve

Pyeteni klasën:

  • Si e dallon Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme nga besimet e tjera besimi ynë në një profet të gjallë?

  • Përse janë profetët e gjallë po aq të nevojshëm sot sa ishin në periudhat e tjera të historisë së tokës?

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga 1 Nefi 1:4–15, 18, ndërkohë që klasa i ndjek, duke kërkuar mënyrën se si Zoti e thirri dhe e përgatiti Lehin që të bëhej një profet.

  • Çfarë përjetoi Lehi që e përgatiti atë të ishte një profet? (Ai mori një dëshmi për Jezu Krishtin dhe parashikoi shkatërrimin e të ligjve dhe mëshirën e dhënë atyre që vijnë te Perëndia.)

  • Përse kishin nevojë njerëzit e Jerusalemit për profetë si Lehi? (Ndërsa studentët përgjigjen, sigurohuni që ata e përcaktojnë këtë të vërtetë: Perëndia thërret profetë dhe e zbulon vullnetin e Tij nëpërmjet tyre.)

Ftojeni një student të lexojë thënien vijuese nga Presidenti Xhon Tejlor (1808–1887):

Pamja
Presidenti Xhon Tejlor

“Ne na duhet një pemë e gjallë – një burim i gjallë – inteligjencë e gjallë, që buron nga priftëria e gjallë në qiell, nëpërmjet priftërisë së gjallë në tokë. … Dhe që nga koha kur Adami mori fillimisht një komunikim nga Perëndia, deri në kohën kur Gjoni, në ishullin e Patmosit, mori komunikimin e tij ose Jozef Smithi i pati qiejt të hapur për të, gjithmonë u deshën zbulesa të reja, të përshtatura ndaj rrethanave të veçanta në të cilat u vendosën kishat ose individët.

Zbulesa e Adamit nuk e udhëzoi Noeun për të ndërtuar arkën e tij; as zbulesa e Noeut nuk i tha Lotit që të braktiste Sodomën; as nuk folën asnjëra prej këtyre për largimin e fëmijëve të Izraelit nga Egjipti. Këta të gjithë patën zbulesa për veten e tyre dhe po ashtu patën Isaia, Jeremia, Ezekieli, Jezusi, Pjetri, Pali, Gjoni dhe Jozefi. Dhe kështu duhet të kemi edhe ne” (Teachings of Presidents of the Church: John Taylor [2001], f. 158).

  • Përse është e rëndësishme të dimë se Zoti vazhdon sot ta zbulojë vullnetin e Tij nëpërmjet profetëve të gjallë?

  • Si mund të na ndihmonte në kohën tonë studimi i rolit të profetëve të Librin e Mormonit?

Shkruani referencat vijuese në tabelë:

Mosia 11:20–25

Mosia 13:33–35

Shpjegoni se, ndërkohë që profetët komunikojnë shumë mesazhe të posaçme për kohën e tyre, ka mesazhe që i japin të gjithë profetët. Ftojini studentët të përcaktojnë dy mesazhe të tilla ndërkohë që në heshtje lexojnë fragmentet në tabelë. Kërkojuni studentëve të shenjojnë në shkrimet e tyre të shenjta mesazhin qendror të dhënë nga profeti Abinadi në secilin fragment. (Shënim: Shenjimi i shkrimeve të shenjta është një aftësi e studimit të shkrimeve të shenjta që mund ta merrni parasysh ta jepni mësim gjatë gjithë kursit.)

Kërkojuni studentëve të tregojnë atë që përcaktuan, dhe përmblidhini gjetjet e tyre duke theksuar këtë doktrinë: Të gjithë profetët e Perëndisë shpallin pendim dhe dëshmojnë për Jezu Krishtin.

Merrni parasysh t’i ftoni studentët të përdorin pak minuta për të gjetur një shembull të një profeti të Librit të Mormonit duke shpallur pendim ose duke dëshmuar për Jezu Krishtin. (Shembujt e shpalljes së pendimit përfshijnë Isaian te 2 Nefi 16:9–11; Jakobin te Jakobi [LiM] 2–3; Abinadin te Mosia 11–12; Samuelin te Helamani 13–16; dhe Mormonin te Mormoni 3. Shembuj të mësimdhënies rreth Jezu Krishtit përfshijnë Nefin te 1 Nefi 19 dhe te 2 Nefi 25; Almën tek Alma 7; dhe Mormonin te Mormoni 7.) Ftojini studentët që t’ua tregojnë shembujt e tyre klasës.

  • Si mendoni, përse profetët shpallin pendim dhe dëshmojnë për Jezu Krishtin?

  • Si na ndihmon që të fitojmë shpëtim të bindurit ndaj këtyre mesazheve?

Helamani 13:24–33; 3 Nefi 8:24–25; 9:10–11

Mospranimi i profetëve të Perëndisë çon drejt keqardhjes

Paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson (1899–1994) dhe ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë:

Pamja
Presidenti Ezra Taft Benson

“Kur profeti vë në dukje mëkatet e botës, njerëzit e botës ose duan t’ia mbyllin gojën profetit, ose në të kundërt veprojnë sikur profeti të mos ekzistonte, në vend që të pendohen për mëkatet e tyre. Popullariteti nuk është asnjëherë provë e së vërtetës. … Ndërsa i afrohemi më shumë ardhjes së dytë të Zotit, ju mund të prisni që, teksa njerëzit e botës bëhen më të ligj, profeti do të bëhet më pak popullor mes tyre” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Ezra Taft Benson [2014], f. 160).

  • Si mendoni, përse disa njerëz dështojnë që t’i dëgjojnë fjalët e një profeti?

Ftojeni klasën të hetojë në heshtje fjalët e profetit Samuel te Helamani 13:24–29, duke kërkuar arsye përse individët i hedhin poshtë paralajmërimet profetike. Ju mund t’i nxitni studentët përsëri që ta shenjojnë atë që përcaktojnë.

  • Sipas Samuelit, përse nefitët i hodhën poshtë profetët e Perëndisë?

  • Edhe pse nuk jemi fajtorë për keqtrajtimin ose vrasjen e profetëve, si mund të shërbejnë këto vargje si një paralajmërim për ne sot?

Vëreni një student të lexojë me zë të lartë Helamanin 13:30–33, ndërkohë që klasa kërkon pasojat që Samuel Lamaniti profetizoi se do t’u vinin atyre që i hedhin poshtë fjalët e profetëve. Më pas ftojeni klasën të lexojë përmbushjen e kësaj profecie te 3 Nefi 8:24–25; 9:10–11.

  • Çfarë të vërtete mund ta përmbledhim nga këto vargje? (Studentët duhet të përcaktojnë parimin vijues: Nëse i hedhim poshtë fjalët e profetëve të Zotit, ne do të provojmë keqardhje dhe trishtim. [Shih edhe 3 Nefi 28:34.])

Ftojeni një student të lexojë thënien vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson:

Pamja
Presidenti Ezra Taft Benson

“Nëse duam të dimë se sa i mirë është qëndrimi ynë me Zotin, atëherë le ta pyesim vetveten se sa i mirë është qëndrimi ynë me kapitenin e Tij në vdekshmëri – sa ngushtë përputhet jeta jonë me të vajosurin e Zotit – Profetin e gjallë – Presidentin e Kishës dhe me Kuorumin e Presidencës së Parë” (Mësimet: Ezra Taft Benson, f. 159).

“Se si u përgjigjemi fjalëve të një profeti të gjallë kur ai na thotë atë që kemi nevojë të dimë, por që më mirë do të donim të mos e dëgjonim, është provë e besnikërisë sonë” (Mësimet: Ezra Taft Benson, f. 160).

  • Si ju ndihmojnë thëniet e Presidentit Benson që të nxiteni për të qenë më të zellshëm në ndjekjen e këshillës së profetit të gjallë?

  • Cilat mesazhe profetike i merrni parasysh si ndër më të rëndësishmet për shenjtorët e ditëve të mëvonshme sot?

Mosia 15:10–13; 3 Nefi 10:12; 12:1–2; Ethëri 7:23–27

Ndjekja e profetëve të Perëndisë sjell bekime

Tregojuni studentëve që profeti Abinadi i dha mësim mbretit Noe dhe priftërinjve të tij të ligj rreth rëndësisë së dëgjimit të fjalëve të profetëve. Kërkojini një studenti të lexojë Mosian 15:10–13 teksa klasa merr parasysh se si t’i përmbledhë vargjet si thënie të një parimi.

  • Në ç’mënyrë do t’i shprehnit fjalët e Abinadit si thënie e një parimi? (Studentët mund ta përmbledhin këtë fragment si vijon: Ata që ua vënë veshin fjalëve të profetëve, besojnë në fuqinë shëlbuese të Jezu Krishtit dhe pendohen për mëkatet e tyre, janë trashëgimtarë të mbretërisë së Perëndisë.)

Kërkojuni studentëve të mendojnë dhe të japin shembuj nga Libri i Mormonit për individë dhe grupe njerëzish që u bekuan kur i dëgjuan fjalët e profetëve. Disa shembuj mund të përfshijnë sa vijojnë: Familja e Lehit i shpëtoi shkatërrimit nëpërmjet ndjekjes së këshillës për t’u larguar nga Jerusalemi (2 Nefi 1:4); Alma Plaku ua vuri veshin fjalëve të Abinadit dhe ishte në gjendje t’u jepte mësim shumë njerëzve (Mosia 17:1–4; 18:1–3); ushtria e kapiten Moronit mësoi se ku të shkonte për t’u mbrojtur nga ushtria lamanite nëpërmjet kërkimit të këshillës së Almës (Alma 43:23–24).

Shkruani referencat vijuese të shkrimeve të shenjta në tabelë (mos i përfshini parimet me germa të theksuara):

3 Nefi 10:12 (Siguri vjen nga ndjekja e profetëve të Perëndisë.)

3 Nefi 12:1–2 (Profetët na mësojnë se si të marrim heqje të mëkateve tona.)

Ethëri 7:23–27 (Kur e ndjekim këshillën e profetëve dhe e kujtojmë Zotin, Ai do të na bekojë sipas nevojave tona.)

Caktoni studentë të lexojnë një prej fragmenteve në tabelë dhe ta përmbledhin atë që lexuan si thënie të një parimi. Ndërkohë që studentët i japin thëniet e tyre, merrni parasysh të shkruani thëniet e sugjeruara të parimit pranë secilës referencë.

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë bekime shtesë që vijnë nga ndjekja e profetit, paraqitni thënien vijuese nga Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe vëreni një student ta lexojë me zë të lartë:

Pamja
Plaku M. Rasëll Ballard

“Nuk është diçka e vogël, vëllezërit dhe motrat e mia, që të kemi një profet të Perëndisë mes nesh. Të mëdha dhe të mrekullueshme janë bekimet që na vijnë në jetën tonë kur e dëgjojmë fjalën e Zotit, që na jepet nëpërmjet tij. … Kur e dëgjojmë këshillën e Zotit të shprehur nëpërmjet fjalëve të Presidentit të Kishës, përgjigjja jonë duhet të jetë pozitive dhe e shpejtë. Historia ka treguar se ka siguri, paqe, begati e lumturi në përgjigjen ndaj këshillës profetike” (“His Word Ye Shall Receive”, Ensign, maj 2001, f. 65).

  • Kur jeni bekuar duke iu përgjigjur pozitivisht dhe me të shpejtë këshillës profetike?

  • Teksa shihni drejt së ardhmes, përse mendoni se është e rëndësishme të kemi profetë në tokë?

Drejtojuni një sfidë studentëve që të përsiatin nëse vetë veprimet e tyre e pasqyrojnë dëshirën e tyre për t’i ndjekur me besnikëri profetët e Zotit. Kërkojuni atyre të marrin parasysh se çfarë mund t’iu nevojitet të ndryshojnë në jetën e tyre me qëllim që të gëzojnë më plotësisht bekimet e premtuara besnikëve.

Materiale Leximi për Studentin