Seminare dhe Institute
Mësimi 7: Libri i Mormonit dhe Bibla


7

Libri i Mormonit dhe Bibla

Hyrje

Si shoqërues i Biblës, Libri i Mormonit është një dëshmitar i hyjnisë së Jezu Krishtit dhe rolit të Tij si Shpëtimtari i botës. Libri i Mormonit rivendos të vërteta të qarta dhe të çmuara që janë humbur nga Bibla. Kur e studiojmë Librin e Mormonit, qartësohet kuptueshmëria jonë për doktrinat në Bibël.

Lexim Konteksti

Sugjerime për Mësimdhënien

Ezekiel 37:15–19; 2 Nefi 3:11–12; 29:3–10

Bibla dhe Libri i Mormonit janë dëshmitarë të bashkuar të Jezu Krishtit

Kërkojuni studentëve se çfarë mund t’i thonë dikujt që shpreh dyshime rreth Librit të Mormonit, sepse Perëndia na e ka dhënë tashmë Biblën.

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje 2 Nefin 29:3–10 dhe të shenjojnë fraza që tregojnë arsyet e Zotit për dhënien e më shumë se një libri të shkrimit të shenjtë.

  • Çfarë tha Zoti rreth atyre që reagojnë me dyshim ndaj shkrimit të shenjtë përveç Biblës?

  • Sipas vargut 8, çfarë tha Zoti ishte qëllimi i Tij për të zbuluar shkrim të shenjtë përveç Biblës? (Studentët mund të japin një larmi përgjigjesh, por ata duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Bibla dhe Libri i Mormonit së bashku japin dëshmi për Jezu Krishtin.)

  • Çfarë mësoni nga ky fragment që ju ndihmon të kuptoni rëndësinë e të pasurit të dëshmitarëve shtesë të shkrimit të shenjtë?

Për ta thelluar kuptueshmërinë e studentëve për mënyrën se si Bibla dhe Libri i Mormonit punojnë së bashku që të dëshmojnë për Jezu Krishtin, paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë:

Pamja
Presidenti Rasëll M. Nelson

“Dëshmitarët e shkrimeve të shenjta vërtetojnë njëri-tjetrin. Ky koncept u shpjegua kohë më parë kur një profet shkroi se Libri i Mormonit ishte ‘shkruar me qëllim që ju të mund të besoni [Biblën]; dhe në qoftë se besoni [Biblën], ju do të besoni [Librin e Mormonit] gjithashtu’ [Mormoni 7:9]. Secili libër i drejtohet tjetrit. Secili libër qëndron si provë që Perëndia jeton dhe u flet fëmijëve të Tij me anë të zbulesës së dhënë profetëve të Tij.

Dashuria për Librin e Mormonit e zgjeron dashurinë e një njeriu për Biblën dhe anasjelltas. Shkrimet e shenjta të Rivendosjes nuk konkurrojnë me Biblën; ato e plotësojnë Biblën” (“Scriptural Witnesses”, Ensign ose Liahona, nëntor 2007, f. 43).

  • Çfarë ju ra në sy në përshkrimin e Presidentit Nelson për marrëdhënien midis këtyre dy librave të shkrimit të shenjtë dhe përse?

Kujtojini studentët se profeti i Dhiatës së Vjetër, Ezekieli, profetizoi se druri i Judës dhe druri i Jozefit do të bashkoheshin së bashku. Shpjegoni se një “dru” mund t’i drejtohet ose një pllake druri, ose një rrotulle papirusi të rrotulluar rreth shufrave prej druri (shih Boyd K. Packer, “Scriptures”, Ensign, nëntor 1982, f. 51). Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Ezekielin 37:15–19.

  • Çfarë përfaqësojnë këta drurë? (Po të jetë e nevojshme, shpjegoni se fraza “druri i Judës” i drejtohet Biblës dhe “druri i Efraimit” Librit të Mormonit.)

  • Si mendoni, çfarë do të thotë që këta dy drurë ose libra të shkrimit të shenjtë do “të bëhen një gjë e vetme në dorën tënde”? (vargjet 17, 19).

Për t’i ndihmuar studentët t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, lexoni thënien vijuese nga Presidenti Bojd K. Paker (1924–2015), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Shpjegoni se pak kohë përpara se Presidenti Paker ta bënte këtë thënie, Kisha kishte publikuar botime të reja të Librit të Mormonit dhe të Biblës. Secili libër përmbante shënime në fund të faqeve dhe mjete të tjera ndihmëse të shkrimeve të shenjta që i drejtoheshin librit tjetër, si rrjedhim duke i lidhur të dy librat në një mënyrë të re. Ftojini studentët të dëgjojnë për bekime që janë në dispozicion të atyre të cilët i studiojnë Biblën dhe Librin e Mormonit së bashku.

Pamja
Presidenti Bojd K. Paker

“Druri ose anali i Judës … dhe druri ose anali i Efraimit … tani janë ndërthurur së bashku në mënyrë të tillë që, ndërsa studioni me zell njërin, ju tërhiqeni drejt tjetrit; ndërsa mësoni nga njëri, ndriçoheni nga tjetri. Ata janë vërtet një në duart tona. Profecia e Ezekielit tani qëndron e përmbushur.

Me kalimin e viteve, këto shkrime të shenjta do të prodhojnë breza pasues të krishterësh besnikë, të cilët e njohin Zotin Jezu Krisht dhe kanë prirje për t’iu bindur vullnetit të Tij. …

… Zbulesat do t’u hapen [brezave të rinj] si asnjë brezi tjetër në historinë e botës. Në duart e tyre tani vendosen drurët e Jozefit dhe të Judës. Ata do të zhvillojnë një dituri të ungjillit përtej asaj që mund të arrinin paraardhësit e tyre. Ata do ta kenë dëshminë se Jezusi është Krishti dhe do të jenë të aftë që ta shpallin Atë dhe ta mbrojnë Atë” (“Scriptures”, Ensign, nëntor 1982, f. 53).

  • Çfarë bekimesh janë në dispozicion kur ne i studiojmë Librin e Mormonit dhe Biblën së bashku si një libër? (Studentët duhet të përcaktojnë parimin vijues: Kur i studiojmë Biblën dhe Librin e Mormonit së bashku, ne marrim një dëshmi më të madhe që Jezusi është Krishti.)

  • Si e ka thelluar studimi së bashku i Librit të Mormonit dhe i Biblës diturinë dhe dëshminë tuaj për Jezu Krishtin?

Kërkojini një studenti të lexojë 2 Nefin 3:11–12. (Mund të jetë e dobishme të qartësoni se këto vargje janë pjesë e një profecie nga Jozefi i Egjiptit. Në këto vargje Jozefi përmendi dy libra – libri i shkruar nga pasardhësit e Jozefit është Libri i Mormonit dhe libri i shkruar nga pasardhësit e Judës është Bibla.)

  • Çfarë ndikimi do të kenë mbi botën Libri i Mormonit dhe Bibla, ndërkohë që këta dy libra “rriten së bashku”? (Studentët duhet të përcaktojnë këto ide: Librat do t’i ngatërrojnë doktrinat e rreme, do t’iu japin fund grindjeve dhe do të vendosin paqe.)

Kërkojuni studentëve të përsiatin se si ata mund t’i përdorin së bashku Librin e Mormonit dhe Biblën për të forcuar dëshmitë dhe besimin e tyre tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Ftojini studentët të japin mendimet dhe mbresat e tyre. Gjithashtu ftojini ata të veprojnë sipas nxitjeve që marrin.

1 Nefi 13:23–29, 35–36, 38–41

Të vërteta të qarta e të çmueshme janë rivendosur

Kujtojini studentët se Profeti Jozef Smith u urdhërua nga Zoti që të bënte një rishikim të frymëzuar të Variantit të Mbretit Xhejms të Biblës. Ky rishikim njihet si Përkthimi prej Joseph Smith-it. Paraqitni dhe lexoni thënien vijuese nga Profeti Jozef Smith (1805–1844):

Pamja
Profeti Jozef Smith

“Unë e besoj Biblën siç lexonte kur erdhi nga pena e shkruesve të parë. Përkthyes të paditur, kopjues të pakujdesshëm, apo priftërinj mashtrues dhe të korruptuar kanë kryer shumë gabime” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smithi [2007], f. 217).

  • Përse ishte i nevojshëm një rishikim i frymëzuar i Biblës?

Kujtojini studentët se Nefi pati një vegim të daljes në dritë të Biblës. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Nefin 13:23–25. Vëreni klasën të kërkojë përshkrimin e Nefit për Biblën kur ajo u shkrua fillimisht.

  • Çfarë i dha mësim engjëlli Nefit rreth Biblës kur u krijua në fillim? (Ajo “përmban[te] besëlidhjet e Zotit”, ishte e “një vlere të madhe” dhe “përmbante plotësinë e ungjillit të Zotit”.)

Ftojini studentët të lexojnë 1 Nefin 13:26–28, duke kërkuar atë që Nefi mësoi se do t’i ndodhte Biblës dhe për cilat arsye.

  • Çfarë i bëri Biblës kisha e madhe dhe e neveritshme? (Theksoni se kisha e madhe dhe e neveritshme nuk është ndonjë kishë apo organizatë e caktuar, por përkundrazi një term i përgjithshëm që u drejtohet të gjithë atyre që luftojnë kundër Krishtit [shih 1 Nefi 13:4–9; 14:10].)

  • Sipas vargut 27, përse u hoqën këto pjesë të qarta dhe të çmueshme?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Nefin 13:29 teksa klasa kërkon pasojat e heqjes së pjesëve të qarta dhe të çmueshme nga Bibla.

  • Çfarë ndodhi si pasojë e heqjes nga Bibla të mësimeve të qarta dhe të çmueshme të Zotit?

  • Çfarë prove shihni në botën e sotme që “një shumicë jashtëzakonisht e madhe njerëzish ngatërrohen” si rrjedhojë e mungesës së të vërtetave të qarta dhe të çmueshme?

Ftojini disa studentë ta bëjnë me radhë duke lexuar me zë të lartë nga 1 Nefi 13:35–36, 38–41 teksa klasa kërkon zgjidhjen e Zotit për këtë problem.

  • Çfarë do të bënte Zoti për t’i kapërcyer problemet e shkaktuara nga heqja e pjesëve të qarta dhe të çmueshme nga Bibla?

  • Përveç Librit të Mormonit, çfarë “libra[sh] të tjerë” ka sjellë Zoti në dritë si pjesë e Rivendosjes? (Nxitini studentët të bëjnë një shënim në shkrimet e tyre të shenjta se “libra[t e] tjerë” mund të përfshijnë Doktrinën e Besëlidhjet, Perlën me Vlerë të Madhe dhe Përkthimin e Biblës prej Joseph Smith-it.)

  • Sipas vargut 40, si i zgjidhin Libri i Mormonit dhe “libra[t e] tjerë” problemet e shkaktuara nga heqja e pjesëve të qarta dhe të çmueshme të Biblës? (Studentët duhet të kuptojnë të vërtetën vijuese: Libri i Mormonit dhe shkrimet e shenjta të ditëve të mëvonshme ndihmojnë për të themeluar të vërtetën e Biblës dhe për të rivendosur të vërteta të qarta dhe të çmueshme që janë hequr prej saj.)

Për të treguar se si Libri i Mormonit e pohon kuptueshmërinë tonë të doktrinës dhe të parimeve të gjendura në Bibël, lexoni thënien vijuese nga Plaku Ted R. Kelister, i cili shërbeu në Presidencën e Të Shtatëdhjetëve:

Pamja
Plaku Ted R. Kelister

“Bibla është njëri dëshmitar i Jezu Krishtit; Libri i Mormonit është tjetri. Përse ky dëshmitar i dytë është kaq vendimtar? Shembulli i mëposhtëm pamor mund të ndihmojë: Sa vija të drejta mund të vizatoni duke u nisur nga një pikë e vetme në një letër? Përgjigjja është një numër të pafund. Mendoni për një çast se pika e vetme përfaqëson Biblën dhe ato qindra vija të drejta, të vizatuara nga ajo pikë, përfaqësojnë interpretimet e ndryshme të Biblës dhe se secili nga ato interpretime përfaqëson një fe të ndryshme.

Mirëpo çfarë ndodh, nëse në atë letër, ka një pikë të dytë që përfaqëson Librin e Mormonit? Sa vija të drejta mund të vizatoni midis këtyre pikave të referimit: Biblës dhe Librit të Mormonit? Vetëm një. Vetëm një interpretim i doktrinave të Krishtit mund të ekzistojë me dëshminë e këtyre dy dëshmitarëve.

Libri i Mormonit vepron vazhdimisht si një dëshmitar vërtetues, qartësues e bashkues i doktrinave që mësohen në Bibël” (“Libri i Mormonit – një Libër nga Perëndia”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 75).

  • Përse është e rëndësishme të kemi si Librin e Mormonit ashtu edhe Biblën si dëshmitarë të doktrinave të ungjillit të Jezu Krishtit?

Ftojini studentët të japin dëshmi dhe të tregojnë shembuj se si Libri i Mormonit i ka ndihmuar të kuptojnë më mirë Biblën ose të afrohen më pranë Shpëtimtarit.

Materiale Leximi për Studentin