Seminare dhe Institute
Mësimi 8: Shpëtimi Vjen nëpërmjet Jezu Krishtit


8

Shpëtimi Vjen nëpërmjet Jezu Krishtit

Hyrje

Përpjekjet tona që ta ndjekim Jezu Krishtin dhe t’i zbatojmë urdhërimet e Tij janë të domosdoshme, por të pamjaftueshme që të na kualifikojnë për shpëtimin. Shpëtimi ynë bëhet i mundshëm vetëm nëpërmjet meritave, mëshirës dhe hirit të Jezu Krishtit. Doktrina e Krishtit na ndihmon të kuptojmë se nëpërmjet hirit të Tij, ne mund të mësojmë ungjillin, të marrim ordinanca dhe të ecim përpara në shtegun që çon drejt jetës së përjetshme.

Lexim Konteksti

Sugjerime për Mësimdhënien

2 Nefi 2:6–9; 25:23; Mosia 4:6–8

Shpëtimi është i mundshëm për shkak të Jezu Krishtit

Paraqitni dhe lexoni thënien vijuese nga Plaku L. Tom Peri (1922–2015), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku L. Tom Peri

“Shumë njerëz pyesin veten: ‘Nga erdhëm ne? Përse jemi këtu? Ku po shkojmë?’ Ati ynë Qiellor nuk na dërgoi në tokë për një udhëtim të paqëllimtë, të pakuptimtë. Ai siguroi për ne një plan për ta ndjekur. Ai është autori i atij plani. Plani u hartua për përparimin e njeriut dhe për shpëtimin dhe ekzaltimin përfundimtar” (“The Plan of Salvation”, Ensign ose Liahona, nëntor 2006, f. 69–70).

  • Kur njerëzit zbulojnë se Perëndia nuk i ka lënë të enden të vetëm përgjatë jetës në vdekshmëri, por u ka siguruar një plan për shpëtimin e tyre, çfarë mendoni se mund të ndiejnë ata?

Ftojini studentët të lexojnë 2 Nefin 2:6–9, duke kërkuar atë që profeti Lehi tha se e bën të mundur shpëtimin.

  • Sipas Lehit, çfarë e bën shpëtimin të mundur në planin e Perëndisë? (Studentët duhet të përcaktojnë sa vijon: Ne mund të shpëtohemi vetëm nëpërmjet meritave, mëshirës dhe hirit të Jezu Krishtit. Ju mund të jepni përkufizimin vijues të asaj që do të thotë të shpëtohesh ose të marrësh shpëtim: “Shpëtimi, në kuptimin e tij të vërtetë dhe të plotë, është sinonim me ekzaltimin ose jetën e përjetshme dhe përbëhet nga fitimi i një trashëgimie në qiellin më të lartë të tre qiejve brenda mbretërisë çelestiale. Me pak përjashtime, ky është shpëtimi për të cilin flasin shkrimet e shenjta” [Bruce R. McConkie, Mormon Doctrine, bot. i 2-të (1966), f. 670].)

  • Çfarë nënkuptohet nga meritat, mëshira dhe hiri i Jezu Krishtit? (Meritat e Jezu Krishtit janë veprat e Tij të drejta, veçanërisht Shlyerja e Tij. Mëshira i drejtohet dhembshurisë dhe durueshmërisë që Ai i shtrin drejt nesh pavarësisht nga mëkatet tona. Hiri i drejtohet ndihmës që Ai na e shtrin në formën e mëshirës, dashurisë, mirësisë dhe fuqisë aftësuese, që na lejon të marrim jetë të përjetshme dhe ekzaltim pasi ne t’i kemi kryer vetë përpjekjet tona më të mira. Shih edhe Bible Dictionary, “Grace” [“Hir”] Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Hir”.)

Për të ndihmuar në thellimin e kuptueshmërisë së studentëve për këtë doktrinë, shfaqeni thënien vijuese nga Presidenti Diter F. Uhtdorf dhe kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë:

Pamja
Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Ne nuk mund ta fitojmë udhën tonë drejt qiellit; kërkesat e drejtësisë qëndrojnë si pengesë, të cilën ne jemi të pafuqishëm ta kapërcejmë vetë.

Por jo gjithçka humbet.

Hiri i Perëndisë është shpresa jonë e madhërishme dhe e pafundme.

Nëpërmjet flijimit të Jezu Krishtit, plani i mëshirës plotëson kërkesat e drejtësisë [shih Alma 42:15]” (“Dhurata e Hirit”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 108).

  • Përse vetë drejtësia e një njeriu nuk mjafton për të përmbushur “kërkesat e drejtësisë” dhe për të fituar jetë të përjetshme? (Edhe pse me kalimin e kohës ne mund të mësojmë t’i jetojmë urdhërimet në mënyrë të përsosur, askush nuk ka jetuar një jetë të përsosur përveç Shpëtimtarit [shih Romakëve 3:23]. Edhe pse mund ta ndalojmë mëkatimin, ne nuk mund ta fshijmë dëmtimin ose fajin e veprimeve tona të së shkuarës. Kjo është arsyeja përse Shlyerja dhe hiri janë të nevojshme.)

Kujtojini studentët se, teksa shpëtohemi vetëm nëpërmjet meritave, mëshirës dhe hirit të Jezu Krishtit, profetët në Librin e Mormonit na mësuan se çfarë duhet të bëjmë, që të marrim fuqinë shëlbuese të Shpëtimtarit.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Mosian 4:6–8 dhe vëreni klasën të kërkojë atë që na mësoi mbreti Beniamin se duhet të bëjmë që të marrim shpëtim nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.

  • Sipas mbretit Beniamin, çfarë duhet të bëjmë ne që të marrim shpëtim nëpërmjet Shlyerjes? (Të arrijmë te një njohuri për Perëndinë dhe për Shlyerjen, ta vendosim mirëbesimin tonë në Perëndinë, t’i zbatojmë urdhërimet me zell dhe të vazhdojmë me besnikëri deri në fund të jetës sonë.)

Kërkojuni studentëve të lexojnë 2 Nefin 25:23.

  • Çfarë doktrine dha mësim Nefi lidhur me shpëtimin tonë? (Studentët duhet të përcaktojnë doktrinën vijuese: Për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne mund të shpëtohemi me anë të hirit pas gjithçkaje që mund të bëjmë. Ndihmojini studentët të kuptojnë se vetëm nëpërmjet Jezu Krishtit ne mund të bëhemi të shenjtë dhe si Ati ynë në Qiell.)

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë më mirë këtë doktrinë, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson (1899–1994):

Pamja
Presidenti Ezra Taft Benson

“‘Pas gjithçkaje që ne mund të bëjmë’ përfshin shtrirjen e përpjekjes sonë më të mirë. Ajo përfshin të jetuarin e urdhërimeve të Tij.

‘Pas gjithçkaje që ne mund të bëjmë’ përfshin dashurinë për bashkënjerëzit tanë dhe lutjen për ata që na shohin si kundërshtarin e tyre. Do të thotë të veshim të zhveshurit, të ushqejmë të uriturit, të vizitojmë të sëmurët dhe t’u japim ‘ndihm[ë] at[yre] që kanë nevojë për ndihmën [tonë]’ (Mosia 4:16) – duke kujtuar se atë që ia bëjmë njërit prej fëmijëve më të vegjël të Perëndisë, ne ia bëjmë Atij.

‘Pas gjithçkaje që ne mund të bëjmë’ do të thotë të jetuarit e një jete të dëlirë, të pastër, të kulluar, duke qenë të ndershëm me përpikëri në të gjitha ndërveprimet tona dhe në trajtimin e të tjerëve në mënyrën që ne do të donim të trajtoheshim” (“Redemption through Christ after All We Can Do”, Liahona, dhjetor 1988, f. 5).

  • Në çfarë mënyrash e keni përjetuar hirin e Shpëtimtarit duke ju ndihmuar përtej vetë aftësive tuaja, ndërkohë që i keni kryer përpjekjet tuaja më të mira që të vini tek Ai?

Përdorni thënien vijuese, gjithashtu nga Presidenti Ezra Taft Benson, për t’i ndihmuar studentët ta përsiatin këtë pyetje përpara se të përgjigjen:

Pamja
Presidenti Ezra Taft Benson

“Si një Kishë, ne biem dakord me Nefin, i cili tha: ‘Ne shpëtohemi nëpërmjet hirit, pas gjithçkaje që ne mund të bëjmë’. (2 Nefi 25:23.) …

Me anë të hirit, Shpëtimtari e përmbushi flijimin e Tij shlyes me qëllim që gjithë njerëzimi të fitojë pavdekësinë.

Me anë të hirit të Tij dhe me anë të besimit tonë te Shlyerja e Tij dhe pendimit për mëkatet tona, ne marrim forcën që të bëjmë veprat e nevojshme që përndryshe nuk mund t’i bënim me anë të vetë fuqisë sonë.

Me anë të hirit të Tij ne marrim një dhurim të bekimit dhe forcës shpirtërore që mund të na udhëheqë më së fundi drejt jetës së përjetshme, në qoftë se durojmë deri në fund.

Me anë të hirit të Tij ne bëhemi më shumë si natyra e Tij hyjnore” (“Redemption through Christ after All We Can Do”, f. 4–5).

  • Çfarë mendoni se mund të bëjmë që të tregojmë mirënjohjen tonë për atë që Jezu Krishti bën të mundur?

Dëshmoni se vetëm nëpërmjet hirit të bërë të mundur nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne mund t’i mposhtim pasojat e Rënies së Adamit dhe të Evës, fitojmë një heqje të mëkateve, mposhtim papërsosmëritë dhe përparojmë drejt përsosmërisë. Nxitini studentët të përsiatin nëse ata po bëjnë gjithçka munden që të marrin bekimet e hirit të Zotit.

2 Nefi 31:2, 10–21; 3 Nefi 11:31–40; 3 Nefi 27:13–22

Doktrina e Krishtit

Shkruani referencat vijuese në tabelë:

2 Nefi 31:2, 10–21

3 Nefi 11:31–40

3 Nefi 27:13–22

Caktojeni një pjesë të klasës të studiojë 2 Nefin 31:2, 10–21, një pjesë të dytë të klasës të studiojë 3 Nefin 11:31–40 dhe një pjesë të tretë të studiojë 3 Nefin 27:13–22. Përpara se të fillojnë studentët, vini në dukje se këto fragmente përmbajnë termat “doktrinën e Krishtit”, “doktrinën time” ose “ungjillin tim”. Shpjegoni se doktrina ose ungjilli i Krishtit përbëhet nga ajo që Jezu Krishti ka bërë dhe vazhdon të bëjë për të na afruar tek Ati. Ajo gjithashtu përbëhet nga ajo që ne duhet të bëjmë për t’i përdorur bekimet e Shlyerjes së Jezu Krishtit. Ftojeni secilin grup që të përcaktojë dhe shenjojë atë që vargjet që iu janë caktuar, na mësojnë rreth doktrinës së Krishtit – atë që Krishti ka bërë dhe atë që ne duhet të bëjmë.

Pasi studentët të kenë pasur disa minuta për të studiuar fragmentet që iu janë caktuar, kërkojuni të renditin çfarë gjejnë në tabelë pranë secilës referencë. Më pas, pyetini:

  • Çfarë ka bërë Jezu Krishti për të na afruar tek Ati?

  • Cilat janë disa nga gjërat që duhet të bëjmë për t’i përdorur bekimet e Shlyerjes së Krishtit? (Ne duhet të kemi besim, të pendohemi, të pagëzohemi, të marrim dhuratën e Frymës së Shenjtë, të durojmë deri në fund dhe të marrim zbulesë personale e t’i bindemi asaj zbulese.)

  • Si mund ta përmblidhnit rëndësinë e të jetuarit të doktrinës ose të ungjillit të Jezu Krishtit? (Studentët duhet të përcaktojnë një parim si ai që vijon: Kur jetojmë sipas doktrinës së Krishtit, ne mund t’i përdorim bekimet e Shlyerjes dhe të marrim jetë të përjetshme.)

Sipas nevojave të studentëve tuaj, merrni parasysh të bëni pyetje si ato që vijojnë, për t’i ndihmuar ata që t’i analizojnë më tej fragmentet e shkrimeve të shenjta që lexuan:

  • Cila është një frazë te 2 Nefi 31:20, që ka domethënie të veçantë për ju dhe si ju ndihmon ajo që t’i përdorni bekimet e Shlyerjes?

  • Sikurse jepet mësim te 2 Nefi 31:13–14, 17, çfarë do të thotë të pagëzohesh “me anë të zjarrit”? (Një njeri merr heqjen e mëkateve dhe pastrimin që vjen nëpërmjet Frymës së Shenjtë.)

  • Sipas 3 Nefit 11:39–40, përse është kaq e rëndësishme për çdo njeri që ta pranojë doktrinën e Krishtit? (Ju mund të doni t’i ftoni studentët ta kryqëzojnë referencën e këtij fragmenti me Helamanin 5:12.)

  • Sipas 3 Nefit 27:14–16, çfarë na ndodh kur jetojmë sipas doktrinës ose ungjillit të Jezu Krishtit?

Mbylleni duke paraqitur thënien vijuese nga Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shërbimin Misionar. Ftojini studentët ta lexojnë atë dhe të kërkojnë mënyra sipas të cilave të jetuarit e doktrinës së Krishtit mund t’i bekojë ata përgjatë gjithë jetës së tyre.

“Individët dhe familjet fillojnë të ndjekin Krishtin ndërsa ushtrojnë besim tek Ai dhe pendohen për mëkatet e tyre. Ata marrin heqjen e mëkateve nëpërmjet pagëzimit dhe marrjes së dhuratës së Frymës së Shenjtë nga dikush që ka autoritet nga Perëndia për t’i kryer këto ordinanca. Pastaj ata durojnë deri në fund, ose, me fjalë të tjera, vazhdojnë gjatë gjithë jetës së tyre të ushtrojnë besim në Jezu Krisht, të pendohen dhe të ripërtërijnë besëlidhjet që kanë bërë. Këto nuk janë hapa që ata i përjetojnë vetëm një herë në jetë, përkundrazi, kur përsëriten gjatë jetës këto parime bëhen një model jetese gjithmonë e më frytdhënës. Në fakt, kjo është e vetmja mënyrë jetese që do t’u sjellë paqe të ndërgjegjes dhe do t’ua bëjë të mundur fëmijëve të Atit Qiellor të kthehen për të jetuar në praninë e Tij” (Predikoni Ungjillin Tim [2004], f. 6).

  • Në ç’mënyra të jetuarit e doktrinës së Krishtit “bëhe[t] një model jetese gjithmonë e më frytdhënës” për ju?

Nxitini studentët të përsiatin se sa mirë po e jetojnë doktrinën e Krishtit. Kërkojuni atyre të mendojnë rreth asaj që mund ta bënin më mirë për t’i përdorur bekimet e të jetuarit të doktrinës së Krishtit.

Materiale Leximi për Studentin