Seminare dhe Institute
Mësimi 24: Të Gjithë Janë Njësoj para Perëndisë


24

Të Gjithë Janë Njësoj para Perëndisë

Hyrje

Për ta mbrojtur vetveten pas vdekjes së Lehit, Nefi dhe pjesëtarët e tjerë të drejtë të familjes së Lehit u drejtuan nga Zoti që të veçoheshin nga Lamani e Lemueli dhe pasuesit e tyre. Pas kësaj, grindjet dhe luftërat shpesh e përcaktuan marrëdhënien midis nefitëve dhe lamanitëve. Ky mësim diskuton mënyrën se si ungjilli i Jezu Krishtit ngrihet mbi ndryshimet fetare, etnike, kulturore dhe ndryshime të tjera, për t’i bashkuar fëmijët e Perëndisë.

Lexim Konteksti

  • Dallin H. Oaks, “All Men Everywhere”, Ensign ose Liahona, maj 2006, f. 77–80.

  • Howard W. Hunter, “The Gospel—A Global Faith”, Ensign, nëntor 1991, f. 18–19.

Sugjerime për Mësimdhënien

2 Nefi 26:23–28, 33; Jakobi [LiM] 7:24; Enosi 1:11, 20

Të gjithë fëmijët e Perëndisë ftohen që të vijnë tek Ai

Kërkojuni studentëve të marrin parasysh disa nga grupet fetare, etike ose kulturore në botë dhe të mendojnë rreth qëndrimeve që disa njerëz në grupe të tilla kanë kundrejt anëtarëve të grupeve të tjera.

Kujtojini studentët se, pas vdekjes së Lehit, pasardhësit e tij u ndanë në dy grupe: nefitët dhe lamanitët (shih 2 Nefi 5:1–7). Pak kohë pas kësaj ndarjeje, dy grupet filluan të grindeshin dhe të luftonin me njëri-tjetrin (shih 2 Nefi 5:34). Përvojat e këtyre dy grupeve ilustrojnë se, kur njerëzit nuk i dinë dhe nuk i njohin urdhërimet e Perëndisë, ata shpesh theksojnë ndryshimet midis vetvetes dhe të tjerëve, duke çuar drejt veçimit nga të tjerët dhe drejt ndjenjave të urrejtjes ndaj tyre. Vini në dukje që, në dallim, Ati Qiellor dhe Jezu Krishti dëshirojnë që të gjithë njerëzit të ndiejnë dashuri për njëri-tjetrin dhe të jenë të bashkuar.

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë 2 Nefin 26:23–28, 33. Kërkojini klasës të vëzhgojnë për mënyrën se si Nefi i përdori fjalët asnjëri, ndokujt, ndokënd, ndonjë, asnjë dhe të gjithë. Merrni parasysh t’i nxitni studentët t’i shenjojnë këto fjalë në shkrimet e tyre të shenjta.

  • Çfarë doktrine kyç mësojmë nga këto vargje? (Edhe pse ata mund të përdorin fjalë të ndryshme, studentët duhet të përcaktojnë doktrinën vijuese: Jezu Krishti i do të gjithë njerëzit dhe i fton të gjithë të vijnë tek Ai dhe të marrin pjesë në shpëtimin e Tij. Ju mund të doni ta shkruani në tabelë këtë doktrinë. Ju gjithashtu mund t’i nxitni studentët të kryqëzojnë si referencë 2 Nefin 26:33 me Almën 5:33–34 dhe Almën 19:36.)

Jepuni studentëve disa minuta që të lexojnë në heshtje Jakobin 7:24 dhe Enosin 1:11, 20, duke kërkuar dëshirat e nefitëve për lamanitët gjatë kohës së profetëve Jakob dhe Enos.

  • Çfarë traditash të rreme i penguan lamanitët që ta pranonin ftesën për të ardhur te Jezu Krishti?

  • Duke e ditur që lamanitët shpesh ndien urrejtje kundrejt nefitëve, çfarë sjelljesh apo traditash të rreme kishte të ngjarë që shumë nefitë do të duhej t’i kapërcenin, me qëllim që t’u mësonin atyre ungjillin?

Ftojeni një student të lexojë thënien vijuese nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Dallin H. Ouks

“Libri i Mormonit premton se të gjithë që e marrin ftesën e Zotit dhe veprojnë sipas saj, që ‘pendohen dhe që besojnë në Birin e tij’, bëhen ‘populli i besëlidhjes së Zotit’ (2 Nefi 30:2). Ky është një kujtues i fuqishëm që as pasuritë, as prejardhja familjare, as ndonjë privilegj tjetër i lindjes nuk duhet të na shkaktojë që të besojmë se jemi ‘më [të] mirë se tjetri’ (Alma 5:54; shih edhe Jakobi [LiM] 3:9). Me të vërtetë Libri i Mormonit urdhëron: ‘Ju nuk duhet të çmoni një mish mbi një tjetër, ose një njeri nuk duhet të mendojë se është mbi një tjetër’ (Mosia 23:7)” (“All Men Everywhere”, Ensign ose Liahona, maj 2006, f. 79).

Ftojini studentët të përdorin një çast dhe të përsiatin qëndrimin e tyre kundrejt individëve që vijnë nga një origjinë e ndryshme prej origjinës së tyre. Nxitini ata të ndjekin shembullin e Shpëtimtarit duke u përpjekur t’i duan të gjithë fëmijët e Perëndisë, përfshirë ata etnia, kultura ose feja e të cilëve është e ndryshme nga e tyrja.

Mosia 28:1–3; Helamani 6:1–8

Të fituarit e një dëshire për ta ndarë ungjillin me gjithë fëmijët e Perëndisë

Kujtojini studentët se Libri i Mormonit shënon përvoja spikatëse që nefitët i patën ndërkohë që iu predikonin ungjillin lamanitëve. Kujtojuni studentëve kthimin mbresëlënës në besim të bijve të Mosias (shih Mosia 27) dhe më pas i kërkoni një studenti të lexojë me zë të lartë Mosian 28:1–3. Vëreni klasën të kërkojë arsyet përse bijtë e Mosias dëshironin t’ua predikonin ungjillin lamanitëve.

  • Prej arsyeve që ju i zbuluat, cilat janë veçanërisht domethënëse për ju kur mendoni rreth ndarjes së ungjillit me të tjerët?

  • Cila fjalë në vargun 1 shpreh mënyrën se si bijtë e Mosias i shihnin lamanitët?

  • Si ndikohet dëshira jonë për ta ndarë ungjillin kur i shohim njerëzit e feve, racave ose grupeve të tjera etnike si vëllezërit e motrat tona? (Teksa studentët përgjigjen, ndihmojini ata të përcaktojnë parimin vijues: Kur i shohim të tjerët si vëllezërit e motrat tona, dëshira jonë për ta ndarë ungjillin me ta rritet.)

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Hauard W. Hanter (1907–1995):

Pamja
Presidenti Hauard W. Hanter

“Të gjithë burrat dhe gratë nuk kanë vetëm një prejardhje fizike që të çon pas tek Adami dhe Eva, prindërit e tyre të parë tokësorë, por gjithashtu një trashëgimi shpirtërore që të çon pas te Perëndia, Ati i Përjetshëm. Kështu, të gjithë njerëzit në tokë janë mirëfilli vëllezër dhe motra në familjen e Perëndisë.

Është te kuptimi dhe pranimi i kësaj atësie universale të Perëndisë që të gjitha qeniet njerëzore mund ta vlerësojnë më mirë shqetësimin e Perëndisë për ta dhe lidhjen e tyre me njëri‑tjetrin. Ky është një mesazh për jetën dhe dashurinë që godet saktësisht kundër të gjitha traditave mbytëse bazuar te raca, gjuha, pozita ekonomike apo politike, niveli arsimor apo tradita kulturore, sepse ne jemi të gjithë nga e njëjta prejardhje shpirtërore” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Hauard W. Hanter [2015], f. 123–124).

  • Çfarë mendimesh keni kur i dëgjoni këto fjalë nga Presidenti Hanter?

Jepuni studentëve disa minuta që të lexojnë Helamanin 6:1–8. Vini në dukje që rrethanat e përshkruara në këto vargje ndodhën rreth 50 vjet pasi bijtë e Mosias i shërbyen misionet e tyre te lamanitët. Kërkojuni studentëve të mendojnë se cila ishte marrëdhënia midis nefitëve e lamanitëve në kohën e atyre misioneve dhe të kërkojnë mënyrën se si kishte ndryshuar marrëdhënia pas 50 vjetësh.

  • Çfarë kishte ndryshuar në marrëdhënien midis nefitëve dhe lamanitëve? Përse kishte ndryshuar marrëdhënia?

  • Çfarë mund të mësojmë rreth ndarjes së ungjillit nga qëndrimi i bijve të Mosias dhe nga rezultatet e misioneve të tyre?

Alma 27:1–2, 20–24; 53:10–11, 13–17; 4 Nefi 1:1–3, 11–13, 15–18

Ungjilli i Jezu Krishtit ngrihet mbi ndryshimet midis njerëzve

Ftojini studentët ta përsiatin pyetjen vijuese dhe më pas të ndajnë mendimet e tyre:

  • Si mendoni, përse individët nga kaq shumë origjina të ndryshme mund të mblidhen së bashku në një shpirt paqeje dhe dashurie në Kishë? Çfarë është ajo që i bashkon anëtarët e Kishës?

Ndajeni klasën përgjysmë. Ftojeni njërën gjysmë që të studiojë Almën 27:1–2, 20–24 dhe të kërkojë atë që nefitët bënë për ta ndihmuar popullin e Anti-Nefi-Lehit. Ftojeni gjysmën tjetër të studiojë Almën 53:10–11, 13–17 dhe të kërkojë atë që bëri populli i Anti-Nefi-Lehit (populli i Amonit) për nefitët. Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojuni studentëve të tregojnë atë që gjetën.

  • Çfarë mendoni se i bëri këto dy grupe të ndienin këtë lloj dashurie dhe shqetësimi për njëri-tjetrin? (Si pjesë e këtij diskutimi, ndihmojini studentët të përcaktojnë parimin vijues: Kur njerëzit i përqafojnë mësimet e Jezu Krishtit, ata bëhen të bashkuar me njëri-tjetrin.)

Shpjegoni se një ilustrim i mrekullueshëm i këtij parimi shënohet në 4 Nefin. Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë 4 Nefin 1:1–2. Theksoni që, pas vizitës së Shpëtimtarit në kontinentin amerikan, të gjithë nefitët e lamanitët u penduan, u pagëzuan, morën Frymën e Shenjtë dhe u kthyen në besimin te Zoti. Caktojini studentët të hetojnë 4 Nefin 1:3, 11–13, 15–18, duke kërkuar bekimet që njerëzit i përjetuan kur çdo njeri u kthye në besimin tek ungjilli.

  • Çfarë fjalësh ose frazash i përshkruajnë njerëzit në atë kohë?

  • Përse të jetuarit e ungjillit të Jezu Krishtit i sjell këto bekime?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 4 Nefin 1:17.

  • Si mendoni, çfarë do të thotë të mos ketë më “ndonjë lloj tjetër -itësh”? (Njerëzit nuk e dallonin më vetveten nga njëri-tjetri me tituj të tillë si nefitë dhe lamanitë. Ata e kapërcyen çfarëdo ndryshim që ekzistonte midis tyre dhe jetuan në unitet e paqe.)

  • Si e keni parë ungjillin t’i zvogëlojë ndryshimet midis njerëzve të origjinave të ndryshme?

Për ta thelluar kuptueshmërinë e studentëve për mënyrën se si të jetuarit e ungjillit i bashkon njerëzit e origjinave të ndryshme, lexoni thënien vijuese nga Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Riçard G. Skot

“Ati juaj Qiellor ju caktoi të lindeshit në një linjë të përcaktuar prejardhjeje, nga e cila morët trashëgiminë e racës, kulturës dhe traditave. Ajo linjë prejardhjeje mund të sigurojë një trashëgimi të pasur dhe arsye të mëdha për t’u ngazëllyer. Prapëseprapë ju keni përgjegjësinë që të vendosni nëse ka ndonjë pjesë të asaj trashëgimie që duhet të lihet mënjanë, sepse ajo vepron kundër planit të Zotit për lumturinë. …

Unë dëshmoj se ju do të hiqni pengesa kundrejt lumturisë dhe do të gjeni paqe më të madhe kur e bëni besnikërinë tuaj të parë anëtarësinë tuaj në Kishën e Jezu Krishtit dhe i bëni mësimet e Tij themelin e jetës suaj. Atje ku traditat ose zakonet familjare apo kombëtare bien në kundërshtim me mësimet e Perëndisë, vërini ato mënjanë. Atje ku traditat dhe zakonet janë në harmoni me mësimet e Tij, ato duhet të mbahen dhe të ndiqen që ta ruani kulturën dhe trashëgiminë tuaj” (“Removing Barriers to Happiness”, Ensign, maj 1998, f. 86–87).

  • Si mendoni, përse ato ndryshime midis njerëzve të prejardhjeve të ndryshme pakësohen kur këta njerëz e bëjnë ungjillin e Jezu Krishtit besnikërinë e tyre të parë?

  • Si ju ka ndihmuar qenia anëtar i Kishës që të ndiheni të bashkuar me anëtarët e Kishës të cilët kanë origjina të ndryshme nga tuajat?

Mbylleni duke dëshmuar që Libri i Mormonit përmban shembuj realë të mënyrës se si njerëzit nga origjina të ndryshme e jetuan ungjillin e Jezu Krishtit dhe i kapërcyen ndryshimet e tyre. Shlyerja dhe ungjilli i Jezu Krishtit ngrihen mbi ndryshimet në racë, etni, kulturë, moshë dhe gjini për t’u bashkuar me fëmijët e Perëndisë.

Nxitini studentët të marrin parasysh se si ungjilli i Jezu Krishtit mund t’i ndihmojë ata të kapërcejnë tradita ose ide të rreme, që i mësuan nga anëtarët e familjes apo miqtë, ose ta zgjidhin ndonjë ndryshim që mund të kenë me dikë që e njohin. Nxitini të kërkojnë mënyra për t’u bërë më të bashkuar me anëtarët e bashkësisë së tyre vendore.

Materiale Leximi për Studentin